Ndërkohë që jemi në stinën e verës dhe çdo ditë raportohet për vatra të reja zjarri, në Korçë kanë mungesë të shoferëve zjarrfikës.
Bashkia e Korçës ka nxjerrë sot njoftimin për shpalljen e dy vendeve vakante shofer/zjarrfikës në shërbimin vendor të MZSH-së Korçë.
Gjithashtu ka bërë me dije dhe përshkrimin e vendit të punës, kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët, procesin që duhet të ndjekin për të aplikuar dhe procesin sesi do të shpallen fituesit.
Kjo duket e pazakontë kur jemi në një moment kur vendi duhet t’i jenë të gatshme forcat zjarrfikëse për shkak të zjarreve të shumtë, ndërsa në Korçë kanë mungesë zjarrfikësish.
Njoftimi i plotë nga Bashkia e Korçës:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
BASHKIA KORÇË
Nr.______prot. Korçë, më___.___.___
NJOFTIM PËR SHPALLJE 2 (DY) VENDE VAKANTE SHOFER/ZJARRFIKËS
NË SHËRBIMIN E MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIT
Në zbatim të Ligjit nr. 152/2015, datë 21.12.2015 “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit”, Vendimit të Këshilit të Ministrave nr. 520 datë 25.07.2019 “Për miratimin e rregullores për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin” Kreu III “Ndarja e funksioneve, nivelet, detyrat, procedurat e përzgjedhjes për emërim, lirim pezullim dhe përjashtim” si dhe në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” Bashkia Korçë shpall 2 (dy) vende vakante shofer/zjarrfikës në shërbimin vendor të MZSH-së Korçë.
1. Përshkrimi i përgjithshëm i vendit të punës
Shërbimi i MZSH-së është një strukturë e specializuar e gatishmërisë së përhershme, misioni i të cilës është inspektimi, parandalimi me masat e marra për mbrojtjen nga zjarri, ndërhyrja për shuarjen e zjarreve, shpëtimi i jetës, gjësë së gjallë, pronës, mjedisit, pyjeve dhe kullotave në aksidenteve të ndryshme, fatkeqësi natyrore, si dhe në ato të shkaktuara nga dora e njeriut.
Shofer/Zjarrfikësi është personi i emëruar në strukturat e shërbimit të MZSH-së, i trajnuar profesionalisht për të ndërhyrë në shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin e jetës së njeriut, të gjësë së gjallë dhe pronës, i përgatitur nga ana fizike, mendore dhe psikologjike për situate me rrezik të shtuar.
Shofer/Zjarrfikësi duhet të njoh dhe te zbatoje orarin e veprimeve, të dijë pozicionin në shërbim dhe detyrat e tij funksionale, të jetë në çdo kohë në gadishmëri të lartë për të vepruar në zgjidhjen e situatave që ndodhin, të njoh dhe të zbatojë rregullat e brendshme në stacion dhe të sigurojë paprekshmërinë dhe abuzimin e mjediseve, teknikës, paisjeve etj, të mbajë pastër të gjitha ambjentet që disponon stacioni, të jetë i sjellshëm në komunikim me qytetarët që kërkojnë ndihmë, me kolegët duke pasqyruar një figurë qytetare dhe humane.
2. Kërkesat e përgjithshme për pranimin
Kandidati për shofer/zjarrfikës në shërbimin vendor të MZSH-së duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i/e aftë fizikisht për të kryer detyra me rrezik të shtuar;
ç) Të mos jetë i përjashtuar nga shërbimi zjarrfikës, Policia e Shtetit apo nga institucionet e tjera të administratës publike;
d) Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
dh) Të mos jetë i/e dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje;
e) Të mos ketë rekorde kriminale në organet e policisë dhe prokurorisë (vërtetim personaliteti nga organet e policisë dhe prokurorisë);
ë) Të jetë i/e moshës nën 30 (tridhjetë) vjeç;
f) Të përfundojë testimin fiziko-profesional dhe kursin përkatës pranë Akademisë së Sigurisë ose në qendra të trajnimit zjarrfikës;
g) Të jetë me vendbanim sa më pranë stacionit të MZSH-së;
gj) Për gjininë mashkullore personi duhet të jetë me gjatësi jo më pak se 175 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë) cm;
h) Për gjininë femërore të cilat kanë prioritet, personi duhet të jetë me gjatësi jo më pak se 165 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë) cm;
i) Të jetë me peshë trupore që t’i përgjigjet raportit të gjatësisë;
j) Të jetë i pajisur me dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të grupit “D”;
3. Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit
Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
– Formular aplikimi;
– Fotokopje e kartës së identitetit;
– Dokument zyrtar qe vërteton përfundimin e arsimit;
– Fotokopje e dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “D”;
– Dëshmi e gjendjes gjyqësore;
– Certifikatë e përbërjes familjare;
– Vërtetim gjykate dhe prokurorie;
– Dëshmi e gjendjes mjekësore;
– Fotokopje e librezës së punës;
– Çertifikata, trajnime profesionale, në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin (nëse ka);
– Dokument i lëshuar nga institucionet shëndetësore që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike.
Dokumentat duhet të dorëzohen me postë apo drejtpërsëdrejti pranë njësisë së burimeve njerëzore të Bashkisë Korçë, brenda dates 18.08.2020.
4. Rezultatet për fazën e verifikimit paraprak
Në përfundim të afatit të verifikimit paraprak, Bashkia Korçë do të shpallë në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e internetit të Bashkisë Korçë dhe në stendat e informimit të publikut listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe kriteret e aplikimit, të kërkuara më sipër si dhe për datën, vendin dhe orën e zhvillimit të procedurave.
Kandidatët e skualifikuar kanë të drejtë të ankimohen pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Protokoll-Arkiva dhe Shërbimeve Mbështetëse të Bashkisë Korçë. Afati i ankimimit është 5 (pesë) ditë nga data e shpalljes së rezultateve të verifikimit.
5. Fusha kryesore mbi të cilën bazohet konkurimi
– Ligjin nr.139, date 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”;
– Ligji nr.152, datë 21.12.2015 ‘Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”;
– VKM nr. 520 dt.25.07.2019 “Për miratimin e rregullores për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri ”;
– Ligji nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”.
6. Mënyra e vlerësimit të kandidatëve
Kandidatët që kualifikohen për të vazhduar procesin e pranimit në shërbimin e MZSH-së u nënshtrohen fazave të konkurrimit, sipas rendit të mëposhtëm:
a) Testim me shkrim;
b) Testim i aftësive fizike;
c) Intervistë me gojë;
ç) Testimi psikologjik;
d) Verifikim përfundimtar i aplikantit.
7. Procedura e konkurimit do të ndjekë këto faza:
– Testimi me shkrim, shërben për të vlerësuar nëse aplikanti zotëron njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për kryerjen e detyrave të punonjësit të shërbimit të MZSH-së. Aplikantët që kanë marrë 70% të pikëve të përcaktuara për testin me shkrim, do të njoftohen për të vazhduar procesin e testimit të aftësive fizike.
– Testimi i aftësive fizike, teston aftësitë psiko-motore, ku përfshihen: shpejtësia, shkathtësia fizike, rezistenca, forca muskulare dhe koordinimi fizik, të domosdoshme për punën e punonjësit të shërbimit të MZSH-së. Aplikantët që kanë marrë mbi 60% të pikëve maksimale vazhdojnë procesin e testimit.
– Intervista me gojë konsiston në testimin e aftësitëve të aplikantit për të komunikuar qartë, për të shprehur ide dhe koncepte, si dhe për të analizuar e për të marrë vendime.
– Testimi psikologjik konsiston në vlerësimin e aftësive të kandidatit për të reaguar në
mënyrën e duhur në kushtet e një stresi minimal;
Kandidatët fitues do të renditen sipas rezultateve të arritura dhe përzgjedhja e kandidateve për tu emëruar do të fillojë nga kandidati fitues që ka marë më shumë pikë.
Njësia e Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Korçës do të shpallë fituesit në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” në faqen e internetit të Bashkisë Korçë dhe në stendat e informimit të publikut. Kandidatët jo fitues kanë të drejtë të ankimohen pranë Njësisë së Burimeve Njerëzore të Bashkisë Korçë. Afati i ankimimit është 5 ditë nga data e shpalljes së rezultateve të testimit.
/En.Br./Fjala.al