Ka spikatur këtë sezon, por jo edhe aq për arsye pozitive, pasi skuadra e tij, padeborni, ra nga niveli më i lartë i Kampionatit Gjerman të Futbollit. Përveç kësaj, Klaus Gjasula është mesfushori rekordmen në Bundesligë gjatë sezonit që lamë pas. Futbollisti shqiptar regjistroi rekordin e kartonëve të verdhë brenda një sezoni, me specifikën se asnjë prej ndërhyrjeve të tij nuk ka shkaktuar dëmtim të kundërshtarit. Ai nuk ka vonuar të gjejë një skuadër të re, pasi u transferua gjatë ditëve të para të merkatos tek Hamburgu.
Mesa duket, Gjasula është një ndër afrimet cilësore tek i cili do të bazohet edhe projekti dhe loja e skuadrës.Për këtë, futbollisti kuqezi ka treguar për mediat gjermane se krahas lojës së fortë dhe fizike, ai di edhe që të bëjë një lojë cilësore dhe manovra me topin. “Ka një sekret, edhe pse kam këtë stil loje të ashpër, – ka rrëfyer ai. – Kur kisha në drejtim Riko Shmidtit, jam bërë edhe futbollisti që jam sot. Ai trajner më ka dhënë cilësitë që unë i kam edhe tani. Duke punuar me të, ai ka arritur që të më injektojë… më të keqen.”
“Tani gjatë ndeshjeve unë futem në duele me forcë përballë kundërshtarëve”, ka vijuar Gjasula, i cili ka sqaruar më tej se krahas lojës fizike mund edhe të përfshihet në manovrën e lojës, teksa thotë: “Fakti që ndërhyj fort dhe bëj lojë të ashpër, nuk do të thotë që unë nuk mund të luaj dot futboll”.Në vijim të intervistës së tij me mediat gjermane, Gjasula ka treguar edhe një moment gjatë karrierës kur ka menduar të tërhiqet nga futbolli për t’u marrë me drejtimin e një lokali. “Kur isha 25 vjeç, kam menduar për pak kohë që të lë futbollin”, – ka zbuluar ai.
“Në pak kohë kisha në plane që të hapja një lokal me një mik, – ka vijuar mbrojtësi. -Mirëpo, në këtë moment të karrierës, kam ende qëllime dhe objektiva të rëndësishëm për të arritur. Gjatë gjithë karrierës sime, kam kaluar çdo etapë, duke qenë nga pikat më të ulëta të futbollit deri në këto nivele. Ka qenë e vështirë, por nuk u dorëzova kurrë.” Gjasula mban një helmetë në çdo ndeshje apo stërvitje, për shkak të një dëmtimi të kafkës,dhe ai tregon edhe se sa i pandashëm është me helmetën. “E marr edhe në dush. Sigurisht e heq para se të lahem (qesh…)”, – ka përfunduar Klaus Gjasula, futbollisti më i ri i skuadrës së Hamburgut.
la.mi/Fjala.al