Nga Enrik Braho
Dhe pak ditë na ndajnë nga ndeshjet e ekipeve shqiptare në Kupat e Evropës. Më 19 gusht në fushën e blertë zbret Tirana për duelin në turin e parë eliminator të Uefa Champions League dhe rreth një jave më pas, më 27 gusht, zbresin tre “muskujtjerët” e tjerë shqiptarë: Kukësi, Laçi dhe Teuta për turin e parë eliminator të Uefa Europa League.
Këtë vit koha për përgatitje dhe për të studiuar më shumë kundërshtarin ishte e pakët për shkak të pandemisë COVID-19. Gjithsesi ekipet shqipatare kanë filluar përgatitjet dhe përforcimin e organikës për të dhënë maksimumin dhe për të shkuar sa më larg në Kupat e Evropës. Kur bëhet fjalë për ndeshje të tilla shqiptarët lënë mënjanë urrejtjet mes tifozerive në Shqipëri dhe të gjithë ndjejnë njëfarë krenarie për triumfe në duele të tilla.
Siç dihet, për arsye të rrethanave të jashtëzakonshme të shkaktuar nga virusi “Covid-19”, do shmanget sistemi vajtje-ardhje, do të luhet vetëm një takim i drejtpërdrejtë, njëfarë finaleje, por pa tifozë. Nëse 90 minutat dalin barazim, atëherë do të ketë kohë shtesë dhe goditje të penalltive po të jetë e nevojshme.
TIRANA
Kampionëve të Shqipërisë fati iu caktoi për t’u përballur me kampionen e Gjeorgjisë, Dinamon e Tbilisit. Lajmi i keq është se Tirana duhet të luajë në transfertë.25 herë kampionët e Shqipërisë do të luajnë në Gjeorgji, për shkak se, sipas rregullores, Dinamo doli e para në short.
Ballafaqimi mes kampionëve shqiptarë dhe atyre gjeorgjianë do të luhet në stadiumin “Boris Paçadze”, “shtëpia” e klubit gjeorgjian, në orën 19:00 të datës 19 gusht.
Bardheblutë mund të quhen disi me fat, pasi evituan përballje me 3 kundërshtarë më të fortë, siç ishin Astana e Kazakistanit, Karabagu i Azerbajxhanit dhe Makabi i Tel-Avivit.
Presidenti i bardhebluve, Refik Halili është shfaqur i lumtur që shorti i vendosi përballë gjeorgjianëve, duke u shprehur se ky ishte një short i mirë për skuadrën e tij.
“Ndihem vërtet mirë, madje jam i qetë. Edhe pse ka pandemi futbolli vazhdon. Është lehtësim fakti që të vazhdojmë të respektojmë ato rregulla që ka vendosur UEFA si edhe Federata Shqiptare për futbollin. Kisha pritshmëri për shortin. Më tepër u gëzova për këtë përzgjedhje të fatit pasi ne kemi luajtur më parë me Dinamo Tbilisi. Për klubin ishte short i mirë, duke shpresuar që të ecim bindshëm përpara. Shpresoj edhe uroj që të gjithë futbollistët të vazhdojnë të gëzojnë shëndet të mirë edhe të shkojmë në Gjeorgji të mobilizuar për të zhvilluar këtë ndeshje të radhës.”, u shpreh Halili.
Pas hedhjes së shortit, ka qenë skuadra gjeorgjiane, e cila, nëpërmjet faqes së saj zyrtare në Internet, ka menduar t’u prezantojë tifozëve kundërshtarin e tyre në këtë tur të parë eliminator.
“Tirana kampione e Shqipërisë, është krijuar si klub një shekull më parë dhe është skuadra më e titulluar në vend, – thonë postimi i Dinamos së Tblisit. – Tirana ka fituar titullin “kampion” 25 herë, 16 herë Kupën dhe 11 herë Superkupën, teksa së fundmi e fituan titullin pas 11 viteve pritjeje. Më i miri i skuadrës ishte Majkëll Ngo, i cili realizoi 13 gola. Argjentinasi Agustin Torasa dhe Elton Kale kanë shkëlqyer në sulm. Sulmuesi shqiptar, Ernest Muçi është gjithashtu i jashtëzakonshëm.”
Klubi gjeorgjian është kthyer edhe 17 vjet prapa në histori, teksa ka kujtuar: “Ekipi drejtohet nga 47-vjeçari Emanuel Egbo. Dinamo e Tbilisit dhe Tirana janë përballur në 2003/2004, kur pasi fitonim 3-0 ndeshjen e parë, eliminoheshim nga pika e bardhë e 11-metërshve në ndeshjen e kthimit e cila u mbyll 3-0 në favor të kundërshtarit.”
Sidoqoftë, vëmendjen e tërheqin komentet e tifozëve, të cilët duket se gjithashtu e njohin mirë skuadrën bardheblu.
“Gjithashtu do të jetë e jashtëzakonshme, pasi portieri që na priti dy 11-metërsh, Emanuel Egbo, tani do jetë trajneri i tyre”, – shkruan një nga tifozët. “Shqiptarët janë me fat, iu ra kundërshtari më i dobët”, – pohon një tjetër komentues.
Megjithatë, që nga ajo sfidë e para 17 vjetëve shumëçka ka ndryshuar për të dyja skuadrat dhe, përveç faktit që tërhoqi në short kundërshtaren më të dobët, në letër, Tirana mund të vuajë faktin që dueli i vetëm do të luhet në Gjeorgji.
Tiranën e pret një kundërshtar tejet i frikshëm, nëse kalon gjithmonë raundin e parë në Ligën e Kampioneve. Bardheblutë i presin në fazën tjetër kampionët e Serbisë Cervena Zvezda (Ylli i Kuq i Beogradit) ose Europa (Gjibraltar).
Bardheblutë janë zhvendosur prej disa ditësh në Pogradec aty ku po kryejnë mini-fazën përgatitore nën drejtimin e trajnerit Emanuel Egbo. Në kampin kryeqytetas ka pasur shumë zhvillime duke u larguar shumë lojtarë e kësisoj organika e 25-herë kampionëve të Shqipërisë është disi e cunguar. Gjithsesi, drejtuesit nuk kanë ndenjtur duarkyç duke afruar disa futbollistë të rëndësishëm, ndërkohë në ditët në vijim priten dhe afrime të tjera.
KUKËSI
Nënkampionëve të Shqipërisë fati iu caktoi për t’u përballur me skuadrën e njohur bullgare, Slavian e Sofjes. Ndeshja do të luhet në “Air Albania” më 27 gusht dhe verilindorët kanë një mundësi të mirë për të kaluar me tej pasi luajnë në shtëpi. Kukësi e mbylli sezonin pa trofe dhe vendi i dytë u duk shumë i pamjaftueshëm dhe në këtë duel për Europa League do tentojnë me çdo kusht kalimin në raundin tjetër.
Si ndeshjet e tjera, edhe ky duel do të luhet me një ndeshje të vetme dhe jo me sistemin vajtje ardhje sipas rregullave të përcaktuara nga UEFA të imponuara nga pandemia.
Pas mësimit të emrit të kundërshtarit, në klubin verilindor nuk e fshehën faktin se ishin të kënaqur nga ajo ç’ka u caktoi shorti duke parë rivalët e tjerë që mund të binin, si hungarezët e Pushkash Akademi dhe polakët e Krakovias.
Eksperienca në fazën kualifikuese nuk i mungon dhe për këtë arsye verilindorët nuk do të dorëzohen për të kapërcyer klubin bullgar.
LAÇI
Nga tre ekipet shqiptare që do luajnë në Europa League, kurbinasit ishin më me pak fat në hedhjen e goglave, pasi janë të vetmit që do luajnë në transfertë. Shorti iu caktoi përballë azerët e Keshlës, një kundërshtar jo të panjohur për ta.
Bardhezinjtë janë përballur në Ligën e Europës me azerët edhe më 2 dhe 9 korrik të vitit 2015, madje duke pasur në stol pikërisht Armando Cungun. Por nga pesë vite më parë dhe deri më tani, kanë ndryshuar shumë gjëra. Keshla në atë kohë mbante emrin Inter Baku dhe Laçi u eliminua pa humbje pesë edicione më parë. Pas dy barazimeve (1-1 në Shqipëri dhe 0-0 në transfertë), u kualifikua Inter Baku prej golit në fushë kundërshtare. Më 29 tetor 2017 klubi azer që kishte eliminuar bardhezinjtë ndërroi emrin dhe nga ai moment quhet Keshla FK.
Kesla është drejtuar në të kaluarën nga ish-trajneri i Kukësit dhe Luftëtarit Mladen Milinkoviç në vitin 2018.
Lajmi i mirë nga shorti është se u shmang Hapoel Ber Shevan. Kurbinasit kanë ruajtur boshtin e ekipit nga sezoni që u mbyll duke bërë shumë pak ndryshime dhe do të udhëtojnë drejt Azerbajxhanit për të kërkuar kualifikimin.
TEUTA
“Djemtë e Detit”, fituesit e Kupës së Shqipërisë, do të përballet me izraelitët e “Beitar” Jerusalem. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Niko Dovana”, Durrës, më 27 gusht.
Durrsakët duhet të kenë kujdes pasi Beitar Jerusalem është një ekipi i fortë në Izrael. Forcën më të madhe e kanë në mbrojtje, aty ku luan edhe 38-vjeçari Tal Ben Haim, ish-lojtar i kombëtares së Izraelit. Beitari është një skuadër që bazohet te futbollistët vendës, ka pak të huaj në radhët e tij.
Teutës largoi një nga yjet e ekipit të sezonit që shkoi, Sherif Kallakun dhe drejtuesit janë në kërkim të një zëvendësuesi të tij.
Fakti që luajnë në shtëpi e bën më të lehtë për durrsakët dhe do të kërkojnë më çdo kusht kualifikimin për në fazën tjetër.
Transfertat me çarter dhe pagesa nga UEFA
Tirana dhe Laçi do të jenë dy ekipet shqiptare që do të luajnë në transfertë në ndeshjet e kupave të Europës.UEFA ka vendosur që skuadrat që luajnë jashtë, do të udhëtojnë me çarter për arsye sigurie, duke parë edhe përhapjen e COVID-19.
Për këtë UEFA ka vendosur që shpenzimet e skuadrave t’i paguajë ajo, teksa për të dyja ekipet do paguhen nga 40 mijë euro për secilin ekip./En.Br./Fjala.al