Artan Fuga posaçërisht për “Fjala”/Hapi i munguar për demokratizim:  Çfarë na rezervon 2021?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Artan Fuga

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të bëra nga qytetarët dhe partnerët e huaj miq të Shqipërisë, demokratizimi, sado rezultate të ketë pasur, përsëri është te ne shumë larg modelit standard. Kur flasim për shoqëri demokratike mbaj parasysh që ka disa karakteristika thelbësore që e përbëjnë dhe midis tyre:

Pushteti të mos jetë piramidal që të përfundojë në duart e një personi të vetëm qoftë ky president apo kryeministër.

Partia në fuqi të mos të kontrollojë të gjithë Kuvendin, pra procesin ligjbërës dhe që andej edhe të gjitha organet e tjera kushtetuese, si edhe të gjitha pushtetet, ekzekutiv, gjyqësor, parlamentar.

Administrata të mos jetë e ndërtuar nga militantë të përdorur si gurë peshe në balancën elektorale, si ruajtës votash në komisione elektorale, dhe e përbërë nga militantë, e kontrolluar nga ministra politikë.

Qytetari të mos jetë i kushtëzuar nga politika në jetën e tij të përditshme, në veprimtarinë e tij profesionale, ekonomike, etj.

Me një fjalë kërkohet një depolitizim i pushtetit, i veprimtarive dhe sektorëve themelorë të jetës ekonomike dhe shoqërore, si edhe i jetës të përditshme të qytetarit. Kur një autor i njohur ka folur për demokracinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka vendosur në dukje pikërisht faktin që në krahasim me vende të tjera jeta e përditshme e qytetarit atje nuk infektohet nga politika.

***

Nisur nga këto tipare që përmenda të një jete politike demokratike, pyes se përse nuk kemi arritur t’i arrijmë këta objektiva? Përse nuk kemi arritur pra që jeta shoqërore në Shqipëri të mos vendosi “politikën në plan të parë”, ashtu sikurse ky slogan zbatohej edhe përpara vitit 1990, pra në kohën e shoqërisë moniste dhe diktatoriale? Përse vazhdojmë të mbetemi një shoqëri e politizuar, me një pushtet të mbledhur grusht çeliku te një njeri i vetëm, kushdo qoftë ky, përse ligjet kanë karakter politik të theksuar, dhe përse çdo hap që bëjmë si qytetarë individualë na duhet ta përballim me pengesa ose favore politike?

Në media vetëm politikë, drejtuesit e institucioneve të gjithë politikë, ligjet votuar me deputetë politikë, PPP në ekonomi dhe tenderat të gjitha të kontrolluara nga politika, madje edhe një licensim i thjeshtë i një programi mësimor nuk bëhet pa kaluar nga instanca politike.

Jetojmë në një shoqëri të politizuar, udhëheq partia, komandon partia, sikurse thuhej më parë, dhe gjithçka i ngjan një sistemi autoritar politik njësoj si në shoqërinë moniste.

Pse nuk ka mundur vendi ynë ta bëjë këtë hap demokratizimi të munguar? Përse për tre dekada ka qenë një ëndër e parealizuar?

Duke menduar këtë më sillet një libër bestseller i një rabini të quajtur Nilton Bondler me titull “Our immoral Soul”.

Në të ai tregon sesi vazhdoi në Mesjetë beteja midis Tempullit hebraik dhe të krishterëve të parë që e nisën rrugën e tyre duke vendosur në vend të elitave klerikale judaike figurën e njeriut në personalitetin e lypsarit, të sëmurit, të varfërit, të jetimëve, të të vejave, të fëmijës “bastard”, etj., pra të shtresave të gjera të popullsisë.

Ai argumenton se për disa shekuj me radhë më pas, të krishterët në Evropë ndërtuan një hierarki fetare edhe më të përqendruar sesa ajo hebraike rreth Tempullit. Pushteti fetar u përqendrua në mënyrë vertikale, feja bëri një simbiozë të përbashkët me aristokracinë feudale dhe atë ruajaliste absolute, kundër heretikëve u aplikua inkuizicioni, ndëshkimet fetare ranë mbi këdo që nuk u nënshtrua ndaj pushtetit kishtar, u grumbulluan pasuri të pafundme të shpërndara në disa duar, e kështu me radhë.

Nuk dua të shpjegoj të gjithë përmbajtjen e idesë të autorit. Ai është në një farë mënyre kritik si edhe nxjerr në pah meritat e çdo forme besimi fetar duke argumentuar që brenda historisë të feve përgjithësisht ka edhe një dimension që ruan statukuonë, traditën, sikurse ka edhe një dimension që nxit transformimin. Mirëpo nuk përjashtohet që vetë institucionet e transformuara, ato që realizojnë “transgresionin”, të kthehen në standardin e “traditës”.

Brenda kësaj suaze, megjithë respektin e tij ndaj fesë krishtere që e quan vazhdim të asaj hebraike brenda koncepteve dhe besimeve dinamike të Teksteve të Shenjta, autori tregon sesi dishepuj që e nisën emancipimin social me idenë e vendosjes në qendër të njeriut të thjeshtë, pas përmbysjes së madhe, për një periudhë disashekullore ringritën kultin e hierarkisë.

***

Çfarë është ky mallkim që në tridhjetë vjet të mos i ikim dot një modeli të përqendruar, totalizues dhe të politizuar të qeverisjes dhe të pushtetit?

Mendoj që përgjigja e kësaj pyetjeje nuk mund të jepet me mënyra ideologjike dhe abstrakte, por duke iu referuar historisë konkretisht.

Unë nuk jam prej atyre që besoj se lidershipi komunist donte në fillim një shtet me një pavarësi kombëtare që shkonte drejt izolimit pikërisht për shkak të ndërgjegjes kombëtare. Shteti kombëtar izolacionist i mbeti në dorë lidershipit komunist. Deri nga vitet ’70, ky lidership ishte i hapur në dorë të pushteteve të huaja jugosllave, sovjetike, kineze. Mirëpo brenda këtyre shteteve gradualisht ndodhën ndryshime që e kërcënonin pushtetin e lidershipit komunist edhe në Shqipëri. E ndarë tashmë nga Perëndimi, Shqipëria u nda edhe nga Lindja. Nuk bëhej dot as Lindje dhe as Perëndim. Fataliteti i dinamikave të pushtetit komunist u paraqit nga propaganda përkatëse si zgjedhje e ndërgjegjshme e tij. Ky shtet izolacionist i krijuar nga dëshira për pushtet, por edhe nga natyra irreversibël e politikave gjakatare të ushtrimit të pushtetit, ishte i qeverisur sipas një modeli të politizuar sikurse e kemi paraqitur më lart.

Sigurisht, unë besoj se elitat politiko-intelektuale të viteve ’90 kishin aspirata ta bënin hapin demokratizues duke i ikur modelit komandues të partisë politike. Hapat e para të reformave çonin ujë pikërisht në këtë “det” demokratik. Mirëpo nisur nga viti 1994, ndodhën procese që bënë që në vend të depolitizimit të qeverisjes, të fushave të jetës dhe të sjelljes të përditshme të qytetarëve, të ripolitizohet gjithçka. Kjo ndodhi edhe sepse elitat drejtuese të kohës përballë tyre kishin ish komunistët që dukshëm po rifitonin terren elektoral. Këto elita mendonin që përballë një frike restaurimi të së kaluarës totalitare dhe kthimit në pushtet të komunistëve legjitimohej një “dorë e fortë” pushteti. U rikthye modeli sipas parimit në “komandë” është partia dhe hapi demokratizues nuk u hodh.

Pas vitit 1998, kur socialistët, ish komunistë, rivijnë në pushtet, as ata, ndonëse të hapur tashmë në mendësitë e tyre politike, nuk hoqën dorë nga modeli komandues politik i pushtetit dhe i shoqërisë. Ka shumë faktorë që ndikuan këtu. I rëndësishëm është sidomos fakti që ata erdhën në fuqi ndërkohë që Shqipëria ishte bërë arenë e luftimeve me armë mes grupimeve të ndryshme si edhe midis këtyre dhe shtetit të kohës. Elitat socialiste deri në vitin 2005 që qendruan në pushtet e legjitimuan ruajtjen e modelit totalizues politik të drejtimit të shtetit me mendësinë “bëmë edhe një herë nuse se e di unë si nusëroj”. Autoritarizmin e pushtetit të demokratëve deri në vitin 1998, socialistët e riardhur në pushtet, e përdorën si argument për të ruajtur modelin e një shteti të politizuar sikurse e kishin gjetur. Të njëjtat karakteristika tashmë të përshkruara mbetën në fuqi. Centralizimi politik i pushtetit, shoqërisë dhe jetës individuale u përforcua edhe më tepër. “Përderisa demokratët e ushtruan kështu pushtetin, ndonëse na premtuan gjë tjetër, përse ne të bëjmë ndryshe?” “U gënjyem njëherë, përse të gënjehemi përsëri?” Kjo mendësi propagandistike ushqeu pikërisht bllokimin real të demokratizimit.

Lexo edhe :  Ekonomia mes Kinës dhe Europës pas vizitës së presidentit Kinez?!

Vitet 2005 deri 2013 janë ato të një ekulibri politik midis demokratëve dhe socialistëve. Të dyja palët mendojnë tashmë se pushteti mund të mbahet vetëm i centralizuar politikisht sipas modelit në “komandë” është partia. Edhe nëse ndryshojnë vendet në pushtet, do t’i lenë stafetë pushtetin njeri tjetrit, por pa ndryshuar thelbin e tij, pa e demokratizuar atë. Në vitin 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese demokratët në pushtet kishin nevojë për rikonfirmimin në kushtetutë të autoritarizmit sepse ashtu e ruanin ende pushtetin e tyre. Kurse socialistët që shpresonin, sikurse ndodhi, se do të vinin në pushtet qoftë edhe në 2013, mendonin se me modelin autoritar të instaluar tashmë kushtetueshmërisht do të qeverisnin qetë disa mandate.

Pas 2013, socialistët e mbështetën modelit autoritarist të pushtetit sipas parimit në “komandë” është partia jo vetëm sepse kishin marrë më parë pëlqimin e demokratëve, por edhe sepse tani kishte një sërë vendesh ku autoritarizmi po paraqitej si model alternativ. Kur Hungaria, Turqia, Mali i Zi, Kina, Rusia, për të mos shkuar më tutje, përse jo Shqipëria? Aq më shumë që edhe miqve të demokracive perëndimore derisa në një farë pike kjo edhe mund t’u dukej një modus vivendi meqë një pushtet i fortë i përqendruar në Shqipëri kontrollohet më mirë prej tyre dhe nga ana tjetër mendohet se e kontrollon më me efikasitet dhe më me pak mundim Shqipërinë dhe shqiptarët “harrakatë”! Mos harrojmë që në popull kishte rilindur natyrshëm një farë nostalgjie latente e kuptueshme për pushtetin me dorë të fortë të së kaluarës! Sulltani, Princ Vidi, Ahmet Zogu, Enver Hoxha. Përse socialistët të mos ringjallnin mitin e pushtetit të fortë ku politikani nuk është një nëpunës, shërbëtori i parë i qytetarit, por prijësi i popullit si Skënderbeu, Ali Pasha, Kara Mahmut Pashë Bushatlliu, etj.?

Pushteti totalizues politik gjeti legjitimitet tjetër.

***

Pushteti totalizues politik ringjallet pra nga etapa në etapë. Përqendrim i pushtetit politik në pak duar dhe përqendrimi i shoqërisë rreth pushtetit. Neutralizim i pavarësisë politike të qytetarit nga politika bëhet mekanizmi bazë i sundimit mbi të.

Nga ky model Shqipëria nuk ka mundur ta bëjë hapin emancipues për t’iu larguar. Nëse Uliksi nuk rikthehej dot në origjinë, Shqipëria nuk niset dot ende për udhëtim demokratizues. Nuk e pret dot kordonin konceptual që e mban të lidhur me totalitarizmin politik. Në çdo dhjetëvjeçar ka një arsye që e ka penguar. Totalitarizmi politik rikthehet sikur të jetë i pashqitshëm, i paheqshëm, sikur e mbartim me vete si mëkati fillestar. Historia jonë i ngjan një sinkronie ku e shkuara ringjallet prej së tashmes duke mos na dhënë mundësi që fjalët “përmbysje”, “revolucion”, që kemi përmendur me mijra herë në këto tre dekada të bëhen realitet. Nuk kalojnë fjalët nga universi semantik në atë real.

***

Diksh mund të pyesi: Atëhere çfarë të keqe ka të jetojmë nën këtë model pushteti? Mos vallë ai përsëritet sepse është jo vetëm i domosdoshëm, por sepse është edhe praktik, real, i vetmi që mund të jetë?

Atëhere duhet të pranojnë se ne nuk jemi një popull si gjithë të tjerët në Evropë apo më gjerë. Kush është i zoti të na sjelli provën e kësaj? Ndërkaq nëse në pjesë të gjera të botës, e kundërta e këtij modeli, shteti i çliruar nga politizimi, është real, kush ka të drejtë ta quajë këtë hap në Shqipëri, këtë hap të munguar, ta quajë iluzion? Utopi? Askush.

Përndryshe të gjitha të këqiat që ky model pushteti ku në komandë është partia politike do të vazhdojnë të na gërryejnë. Votimi pa zgjedhës, pa kandidatë alternativë, me trafiqe votash, gjykata të korruptuara, ekonomi e centralizuar me monopole, qytetarë të përbuzur dhe të varfër, arbitraritet nëpunësish, etj., do t’i kemi nëpër këmbë.

E çfarë do t’i duhej qytetarit një ndryshim vendesh partish politike në “komandë” kur këto vese sistemike që nuk na ndahen prej tre dekadash do të riktheheshin pavarësisht dëshirave ose iluzioneve të çdo lidershpi politik në drejtim në 2021?

Qytetari e ka kuptuar që një rrotacion pa bërë hapin e duhur në emancipimin politik të shoqërisë është fare pa vlerë për të. Prandaj do ta shesi përsëri votën!

Në vend të modelit qeverisës ku në komandë është partia, hapi i ri do të ishte me krijimin e një modeli ku:

Pushteti nuk është i përqendruar te presidenti ose kryeministri, por është një mekanizëm që rezulton si ekuilibër disa pushtetesh, çka çon në vendimmarrje dhe në mundësi korrigjimi vendimesh.

Kuvendi është autonom dhe kontrollon qeverinë dhe nuk bën ligje politike, por e përfshin edhe opozitën në vendimmarrje. Ligjet nuk janë më politikë.

Fushat e ndryshme të aktivitetit shoqëror, artistik, mediatik, shkencor, ekonomik, etj., nuk udhëhiqen më nga politika, por vetëm orientohen nga politika të bashkërenduara.

Qytetari çon jetën e tij në mënyrë të pavarur nga politika kurse administrata e depolitizuar nuk është më thjesht një rezervë elektorale për qeverinë në ditë votimesh.

A ka mundësi që forca politike në pushtet në 2021 të na e japi këtë model? Unë mendoj se po, por kurrë ai model nuk jepet si dhuratë për qytetarin. Ai model imponohet, merret, ndërtohet si bashkëkrijim i elitave dhe i qytetarëve. Por, për këtë duhen bërë hapat e duhur qysh tani që të mos kemi atëhere një lidership që e do ta bëjë hapin, por nuk e bën dot, që frymëzohet nga dëshira për ta bërë atë hap të munguar, por që e humbet frymëzimin sapo është në pushtet, që dëshiron ta bëjë, por nuk di si ta bëjë.

Ideja është për ta rrudhur politikën nga shoqëria. Jo vetëm nga media, nga jeta e përditshme e qytetarit, jo vetëm nga sferat jopolitike të shoqërisë, si shkenca, arti, shkolla, ekonomia, kultura, por edhe nga administrata, e madje edhe nga vetë veprimtaria legjislative.

Ajo forcë që do ta dijë ta bëjë këtë hap të munguar, duke hedhur tej “shkopin” e politikës për të ruajtur pushtetin, do të shohi se ka hedhur tej prangat e vetvetes dhe të shoqërisë dhe do të fitojë besimin e kësaj të fundit për një kohë shumë të gjatë.

Të fundit

Megaoperacioni me urdhër të SPAK-ut, shpallet në kërkim ish-deputeti i PS-së, Arben Ndoka

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, aps megaoperacionit me urdhër të SPAK-ut, ku janë lëshuar 50 urdhër-arreste, ky i...

A është vërtet i dëmshëm për mirëqenien përdorimi i internetit?

Duket si një version i kundërt i asaj që kanë besuar njerëzit deri më sot! Pra, fakti që qëndrimi gjatë në telefon, iPad apo...

Operacioni i SPAK, shoqërohet Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit socialit

Në kuadër të operacionit të SPAK mësohet se është shoqëruar në polici edhe Elvis Ndreca, i cili është djali i xhaxhait të deputetit socialist...

PD: Qeveria shpenzoi 9.5 milion euro për dieta e bileta të transportit ajror në 2023

Zëdhënësja e PD për Antikorrupsionin Genta Vangjeli, në një deklaratë për shtyp nga selia blu, denoncoi se qeveria shpenzoi shpenzoi 9.5 milion euro për...

Kumbaro në Dhërmi: Jemi të vendosur për ndarjen e hapësirave private nga ato publike

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në nisje të një turi inspektimesh në bregdetin e vendit, u ndal në Dhërmi duke nënvizuar rëndësinë...

Lajme të tjera

Web TV