Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar ditën e sotme formularët e vetëdeklarimit të pasurisë, dy shtetasve me banim në Shkodër, në kuadër të operacionit anti-KÇK, të nisur prej fillimit të shkurtit.
Sipas burimeve zyrtare, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:
• S. A., banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Grupi i stukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;
• S. R., banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Burime bëjnë me dije se këta shtetas janë: Sirjan Alija dhe Safet Rustemi.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.” thuhet në njoftimin e policisë./En.Br./Fjala.al