Mark David Chapman, i cili vrau këngëtarin John Lennon jashtë apartamentit të tij, në New York, më 1980, i është refuzuar lirimi me kusht për herë të 11-të. Bordi i burgut Wende e mohoi lirimin e Champan-it, megjithëse arsye të hollësishme nuk janë dhënë. Ai do të duhet të presë dy vjet para se të aplikojë përsëri për lirimin me kusht. Gruaja e Lennon-it, Yoko Ono, e cila ishte me të kur u qëllua katër herë nga Chapman, ka kundërshtuar prej kohësh lirimin me kusht dhe paraqiti argumente përpara bordit që ishin të ngjashme me ato të mëparshmet. Chapman u dënua me burgim të përjetshëm dhe iu lejua të kërkonte lirim me kusht vetëm në vitin 2000. Zyrtarët e burgut publikuan një transkriptim të seancës së tij të 10-të, më 2018.
“Tridhjetë vjet më parë nuk mund të them se e dija ç’ishte turpi, ndryshe nga tani. Është aty kur mbulon fytyrën; nuk dëshiron dhe nuk kërkon gjë”, u shpreh asokohe Champan. Ai gjithashtu pohoi dikur se e vrau Lennon-in për famë. “Ndjeva se duke vrarë John Lennon do të bëhesha dikush, dhe në vend të kësaj unë u bëra një vrasës. Mirëpo, vrasësit nuk janë dikushi.” Ai zgjodhi Lennon, sepse dukej më i arritshëm për të. Ndërtesa e tij nuk ishte aq e sigurt sa ajo e personazheve të tjera publike. “Nëse nuk do të ishte Lennon, mund të ishte dikush tjetër”, tha Chapman. Në vitin 2018 ai foli për një luftë të brendshme rreth vrasjes, të ciën ai e mori përsipër disa orë pasi kishte takuar Lennon-in dhe kishte marrë prej tij një CD të autografuar. “Unë isha shumë larg”, tha ai. “Mbaj mend që kam menduar: Hej, e more albumin tani. Shikoje, ai e nënshkroi atë, thjesht shko në shtëpi. Por nuk kishte asnjë mënyrë që unë thjesht të shkoja në shtëpi.” Chapman është fetar dhe ka shprehur dëshirën se do të dëshironte të punonte me një mjeshtër, nëse do të lirohej. Ai është akoma i martuar me gruan e tij, Gloria. Çifti e kurorëzoi dashurinë në martesë, 18 muaj para vrasjes së Lennon-it, i cili asokohe ishte 40 vjeç.
A do të lirohet ndonjëherë David Chapman?
Në dhjetor do të bëhen 40 vite nga vrasja e themeluesit të Beatles. Gazetari i “Independent”, James McMahon, shikon prapa ngjarjet e asaj dite fatale në 1980, dhe portretizon njeriun që i dha fund jetës së një legjende.
Dy vera më parë, në gusht, Mark David Chapman, hoqi uniformën e tij të burgut, veshi rrobat më të mira dhe – nën sytë e rojave vigjilente të burgut Wende – bëri rrugën për në kompleksin e bordit të lirimit me kusht. Kjo ishte hera e 10-të që i burgosuri 81A2860 kishte bërë një udhëtim të tillë, e gjithë kjo kishte ndodhur brenda 20 viteve të fundit, pasi kishte bërë apelin e parë dy dekada pas dënimit fillestar për vrasjen e John Lennon-it. Dhjetë udhëtime, dhjetë refuzime. Por përkundër kësaj, Chapman dukej më i mprehtë se më parë përpara bordit. Burri që i dha fund jetës së Lennon-it dhe çdo shprese që Beatles mund të ribashkohej 11 vite pas ndarjes së tyre të çrregullt në 1969 – tani është 64 vjeç. Ai po humb flokët dhe i ngjan shumë pak të riut të pangopur, të papjekur që njohu bota rreth 40 vite më parë. Pesë të shtëna. Katër vrima plumbash në pjesën e pasme të Lennon-it, i cili u shpall i vdekur pas mbërritjes në spitalin Roosevelt, New York, në mbrëmjen e 8 dhjetorit 1980. Chapman u arrestua pak metra larg vendit ku ndodhi vrasja, jashtë banesës së Manhattan Dakota, që Lennon dhe bashkëshortja Yoko Ono ndanin së bashku me djalin e tyre 5-vjeçar Sean.
Ai po lexonte mbështetur pas murit romanin e JD Salinger “The Catcher in the Rye”. Lennon ishte 40 vjeç kur vdiq. Ai sapo ishte kthyer nga një mungesë muzikore e vetimponuar pesëvjeçare. Atë tetor ai lëshoi këngën e tij të parë të re në vite, “Just Like Starting Over”. Albumi i tij me Ono, “Double Fantasy”, pasoi muajin tjetër, me këngë të shkruara ose përfunduara gjatë një udhëtimi me vela në verën e vitit 1980. Lennon dhe Chapman kishin pak të përbashkëta, por të dy po kërkonin diçka. Disa vite më parë, Champan kishte bërë udhëtimin e jetës. Ai udhëtoi për në Tokio, Seul, Hong Kong, Singapor, Bangkok, Delhi dhe Bejrut, pastaj në Londër, Paris dhe Dublin. Në këtë aventurë, Champan takoi gruan e tij, një grua japonezo-amerikane më të madhe në moshë, me emrin Gloria Abe. Ata u martuan në 2 qershor 1979 (janë të martuar edhe sot e kësaj dite). Ata u vendosën në Hawaii. Ai mori një punë si rojë sigurie natën dhe filloi të pinte shumë. Në shtator 1980 ai i shkroi një letër një mikut të tij. “Po çmendem”, lexohet në të teksa përmbyllej me “The Catcher In The Rye”. Meditimi i Salinger për tjetërsimin ka një trashëgimi të errët; libri u gjet në dhomën e hotelit të John Hinkley Jr pas përpjekjes së tij për të vrarë presidentin Ronald Reagan, më 1981. Robert John Bardo mbante po ashtu të njëjtin libër kur vrau modelen dhe aktoren Rebecca Schaeffer më 1989.
Prej kohësh besohet se plani i Chapman për të vrarë idhullin e tij ishte formuluar mes dehjeve. Vitet e fundit Chapman ka pohuar se pëlqimet e tij muzikore shtriheshin përtej Lennon-it. Në vitin 2010, ai pretendoi se e kishte zgjedhur si target Lennonin pa asnjë arsye. Mund të ishte Paul McCartney, Elizabeth Taylor, ish-zonja e pare, Jacqueline Kennedy Onassis, aktori George C Scott etj. Pyetja se pse Chapman vrau John Lennon nuk ka marrë kurrë përgjigje në të vërtetë. Ai ka dhënë versione kontradiktore për dekada – duke përmendur bindjet e tij shpirtërore, dëshirën e tij për t’u bërë i famshëm, madje edhe se vrasja e Lennon-it do ta ndihmonte në promovimin e librit të tij të dashur. Chapman nuk kishte dënime penale para vrasjes. Ai ishte fans i Beatles, dhe Lennon ishte heroi i tij. Si i ri, popi i gjallë i grupit britanik i dha një vend për të shpëtuar nga dhuna e babait të dhunshëm. Pa dyshim që, adoleshenti Chapman kishte filluar të tregonte shenja paqëndrueshmërie mendore. Shumicën e netëve që shtrihej në dhomën e gjumit, i kalonte duke e imagjinuar veten si “mbret” të një grupi njerëzish që jetonin mes muresh, tregon gazetari Jack Jones, nga bashkëbisedimi me të. Rreth kësaj kohe Chapman gjithashtu zbuloi fenë, duke frekuentuar Kishën Presbiteriane Chapel Woods.
Ai hoqi dorë nga rrobat e hippi-t dhe filloi të mbante një bibël një dorë. Madje, filloi edhe të linte trakte fetare nëpër dollapët e shkollës. “Në një moment i ngrita duart dhe i thashë: Jezus eja tek unë. Më ndihmo!”, kujtoi Chapman. Në të njëjtën kohë, ai filloi të dëgjonte Beatles. Mirëpo, nuk do të vononte shumë, zemërimi i tij kundrejt mënyrës së jetesës dhe deklaratave publike të Lennon-it. Këtë të fundit, e konsideronte hipokrit. Dhe këngën “Imagjinoni” (1971) e cilësoi produkt komunist. “Ai na tha të imagjinojmë asnjë pronë, ndërkohë që gëzonte miliona dollarë, jahte, ferma, duke qeshur me njerëz si unë që kishin besuar gënjeshtra dhe kishin ndërtuar një pjesë të jetës së tyre rreth muzikës së tij.” Chapman kishte bërë një udhëtim në Nju-Jork, në tetor me qëllim që ta vriste Lennon-in atëherë. Ndërsa ishte atje, ai shikoi filmin “Njerëz të zakonshëm”. “Unë dola nga teatri dhe i thashë gruas sime se çfarë do të bëja. Ndërkohë, po qaja. I thashë gjithashtu se kam menduar për jetën dhe se vetëm dashuria e saj më kishte shpëtuar”, tregoi Chapman duke shtuar se e shoqja i kërkonte me lutje të kthehej në shtëpi. Në atë moment ai kthehet në shtëpi, takon një psikolog klinik, duke mos shmangur dot kthimin në New York më 8 dhjetor. Chapman e kaloi pjesën më të madhe të asaj dite në Dakota. Në 17:00, Lennon dhe gruaja Yoko Ono u larguan nga ndërtesa.
Ata kishin një takim në Studios Record Plant në West 44th Street. Ndërsa dyshja shkoi drejt limuzinës së tyre, Chapman iu afrua Lennon dhe e pyeti nëse ai do të nënshkruante kopjen e tij të albumit “Double Fantasy”. Këngëtari këtë gjë bëri. Gjashtë orë më vonë, John Winston Ono Lennon ishte i vdekur. Lennon dhe Ono ishin kthyer pak pas orës 10:50. Ndërsa limuzina e tyre u tërhoq në hyrjen e harkut të Dakotës dhe Lennon doli mbi trotuar, Chapman ra në një gju, duke gjuajtur pesë plumba nga revolveri i tij i veçantë 38. Mushkëria e tij ishte e shpuar, arteria e tij e majtë subklaviane e shqyer. /Ra.My.Fjala.al/