Është cilësuar si një sukses, por tanimë nis pjesa e vështirë, aty ku realiteti të godet ashpër në fytyrë dhe të nxjerr jashtë loje, nëse nuk je i zoti ta përballosh. Të enjten, “3 mosketierët” e futbollit shqiptar, Kukësi, Teuta dhe Laçi do të zbresin në fushën e blertë për të luajtur, për fat të mirë, në fushën e tyre, takimet e vlefshme për turin e dytë eliminator të Ligës së Evropës. Në fakt, ka qenë mbase një nga kundërshtarët më të vështirë të mundshëm dhe, pa dyshim, më i vështiri me të cilin do të përballen 3 skuadrat shqiptare në turin e dytë eliminator të Ligës së Evropës.
Kukësi, midis Volfsburgut, frikës së gjermanëve nga COVID-19 dhe futbollit
Goglat e shortit të hedhur në fund të gushtit në Nion të Zvicrës, e kanë vendosur Kukësin përballë një skuadre të vështirë, siç është ajo e Volfsburgut, që zuri në përfundim të sezonit të shkuar, vendin e 7-të në Bundesligën e parë gjermane.
Një kundërshtar pa dyshim me emër, por edhe me një buxhet shumëfish më të madh sesa verilindorët, nënkampionë të Shqipërisë sezonin e shkuar. Ndërkohë, Kukësi ka marrë që në nisje edhe vëmendjen e skuadrës kundërshtare, teksa edhe e përditshmja e mirënjohur “Bild” pati vënë në dukje faktin se ka një paralajmërim për sa i përket udhëtimit drejt Shqipërisë, për shkak të epidemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19.
Sipas të përditshmes gjermane në fjalë, “Faqja në internet e Ministrisë së Jashtme vazhdon të paralajmërojë ndaj “udhëtimeve të panevojshme të turistëve drejt Shqipërisë”, – shkruan “Bild”-i. “Sipas ambasadës gjermane në Tiranë, masat e emergjencës, për shkak të epidemisë së virusit korona, vazhdojnë të jenë në fuqi në Shqipëri”, – thekson ndër të tjera shkrimi i të përditshmes së njohur gjermane, që ndër të tjera thekson se Volsfburgut do t’i duhet t’i kalojë 3 ture për të arritur deri në fazën e grupeve, duke dhënë edhe datat e ndeshjeve, si dhe të hedhjes së shorteve.
Edhe pse skuadra gjermane nuk ka vijuar të krijojë ndonjë çështje për të shmangur të luajturit në Shqipëri, përsëri ajo ka preferuar që, për t’iu shmangur ndonjë infektimi të mundshëm, konferencën për shtyp para ndeshjes ta zhvillojë në Gjermani, pak para nisjen për në kryeqytetin shqiptar. Ndërkohë, me ndërmjetësimin e zyrës së shtypit të Kukësit, çdo pyetje që gazetarët shqiptarë kanë pasur, ia kanë nisur në formë elektronike homologëve të tyre në klubin e Volfsburgut, për t’ia bërë ato trajnerit dhe kapitenit të skuadrës.
Në fakt, Tirana udhëtoi drejt Dinamos së Tbilisit, për të luajtur atje ndeshjen e saj të turit të parë të Ligës së Kampioneve, ashtu sikundër udhëtoi edhe Laçi drejt Azerbajxhanit në turin e parë të Ligës së Evropës. Po kështu, edhe Kukësi, Tirana apo Teuta, pritën në fushën e vet përkatësisht Sllavian e Sofias, Cërvena Zvezdën dhe Beitarin e Jerusalemit, kështu që skuadra gjermane e Volfsburgut nuk mund të pretendonte për sa i përket të luajturit në kryeqytetin shqiptar të ndeshjes me Kukësin, edhe pse Shqipëria mbetet një zonë e kuqe.
Kukësi do të luajë ditën e enjte ndaj Volfsburgut në Stadiumin “Arena Kombëtare” në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë eliminator të Ligës së Evropës. Për të qenë gati për sfidën, lojtarët e Kukësit dhe stafi teknik kanë kryer ditën e sotme testet për COVID-19. Krahas futbollistëve, tamponin e kanë kryer edhe stafi teknik dhe stafi organizativ i ndeshjes, duke respektuar çdo protokoll të ardhur nga UEFA. Pas kryerjes së testeve, teksa klubi ka konfirmuar të mërkurën se të gjithë të trstuarit kanë rezultuar negativë, tashmë verilindorët janë përqendruar tërësisht te ndeshja.
Teuta, gati për një takim me historinë, Martini kërkon 100% ndaj Granadës
Trajneri shkodran i durrsakëve flet para përballjes të së enjtes me spanjollët e Granadës. Teuta luan të enjten pasdite sfidën e vlefshme për turin e dytë eliminator të Ligës së Evropës ndaj Granadës dhe, për trajnerin Edi Martini, durrsakët janë gati për këtë takim me historinë. “Është një sfidë historike, është një ndeshje që mezi e presim, – ka deklaruar ai në konferencën për shtyp. – E dimë forcën e tyre, e dimë se çfarë ekipi janë, i kemi vëzhguar me kujdes.”
“Janë një ekip i fortë, por të presim dhe të shohim ditën e nesërme, – ka vijuar Martini. – Teuta? Aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm, u kam kërkuar djemve vetëm të kenë besim te vetja.” Për shkodranin e stolit të bregdetarëve, Teuta ka fituar mendësinë e duhur për të tilla përballje, teksa thotë “Karakterin dhe besimin e kanë treguar në ndeshje lojtarët, duke filluar nga gjysmëfinalja e Kupës (ku eliminuam Kukësin), finalja që morëm ndaj Tiranës, fitimi i Superkupës apo që kemi kaluar Beitarin e Jerusalemit.”
“Këto janë shenja që ekipi është i përgatitur nga ana fizike, tekniko-taktike dhe ajo psikologjike, që është më e rëndësishmja, – ka vijuar ai. – Nuk kam frikë në këtë aspekt. Nesër do të bëjmë çmosin tonë, 100%-ishin tonë. E dimë forcën e tyre, por do të bëjmë lojën tonë dhe do mundohemi të marrim maksimumin e mundshëm.” Trajneri i Teutës mendon se presioni në fakt është më i madh mbi spanjollët. “I kemi studiuar mjaft mirë. Janë një ekip shumë solid, luajnë si një trup i vetëm”, – thotë Martini.
“Kanë disa lojtarë cilësorë aty ku e bazojnë lojën, – vijon ai. – Por, edhe ata kanë pikat e tyre të dobëta, që do mundohemi t’i shfrytëzojmë. Presioni është mbi ta, e kërkojnë me ngulm kualifikimin. Do të japim maksimumin, por na shqetëson Teodorovsi, pasi nuk do të jetë pjesë e ekipit prej dëmtimit në Superkupë. Pjesa tjetër e ekipit është mirë dhe shpresoj të kemi fatin me vete.” Por 45-vjeçari nuk ushqen iluzione, se gabimet nuk lejohen. “Duhet të jemi të kujdesshëm, gabimet janë determinante në ndeshjet me një takim, – thotë shkodrani.”
“Ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë, – ka vijuar Martini. – Për të thënë sot atë që do të bëjmë nesër, është pyetje pak e avancuar, por do të tentojmë të bëjmë lojën tonë. Më vjen mirë që djemtë kanë arritur në këtë pikë, historinë e kanë bërë, e kanë bërë më së miri. Granada na vë para një përgjegjësie shumë të madhe, por këta djem e kanë shkruar historinë e vet tek Teuta, sido që të ndahet ndeshja. Jam i gëzuar për djemtë.”
Takimi Teuta-Granada luhet të enjten në stadiumin “Niko Dovana”, duke nisur nga ora 16:00. Ndërkohë, kanë dalë edhe përgjigjet e Teutës dhe nuk ka asnjë rast pozitiv me koronavirus në kampin e fituesve të Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë në sezonin e fundit, duke qetësuar trajnerin Martini. “Dje skuadra u është nënshtruar testeve në prag të ndeshjes me Granadën në kuadër të Europa League, dhe sapo kemi marrë rezultatet e testeve për COVID-19, – shkruan njoftimi i klubit durrsak në profilin e tij në rrjetet sociale.
“Të gjithë lojtarët dhe stafi teknik kanë rezultuar negativë dhe jemi gati për ndeshje“, përfundon postimi i Teutës. Më herët dolën edhe përgjigjet e tamponëve te Laçi dhe Kukësi. Për fat të mirë, asnjë rast pozitiv në dy klubet veriore, që të enjten do të masin forcat ndaj Hapoel Biir Shevas dhe Volfsburg.
Laçi për të ndrequr historinë, Cungu kërkon kualifikimin ndaj Hapoel Biir Shevas
Skuadra e 3-të shqiptare që do të marrë pjesë në turin e 3-të të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit në futbollit, Laçi, do të provojë të shkruajë historinë në Ligën e Evropës, aty ku nuk kanë kaluar dot asnjëherë në turin e tretë. Bardhezinjtë do të sfidojnë Hapoel Biir Shevan në turin e dytë, në takimin që do zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00. Në fakt, ky është një kundërshtar i njohur për kurbinasit, të cilët u eliminuan verën e kaluar përballë ekipit izraelit, pas barazimit 1-1 në Laç dhe humbjes 1-0 jashtë fushe.
Në konferencën për shtyp dhënë të mërkurën pasdite, trajneri Armando Cungu ka analizuar sfidën, duke theksuar se ekipi i tij do të futet në fushë për t’u kualifikuar. “Në përgjithësi, situata është e mirë. Kemi disa shqetësime të vogla fizike, për sa i përket ndonjë individi të caktuar, – ka thënë ai. – Ka pasur ngarkesë për sa u përket ndeshjeve dhe intensitetit. E kam fjalën për lojtarët të cilët kanë marrë pjesë edhe te shpresat. Megjithatë, pjesa dërrmuese është e shëndoshë.”
Luhet në Elbasan, por trajneri shkodran nuk e ka shumë problem, teksa thotë: “Nuk më pëlqen të them që është minus fakti që nuk do të luajmë në Laç. Nuk është njësoj si të luash në shtëpinë tënde, pavarësisht se jemi në Shqipëri. Stadiumi i Elbasanit është prekur vetëm një herë nga ne, në ndeshjen me Kukësin. Shumë pak për ta njohur. Sidoqoftë, mund të themi që është pozitive që luajmë në vendin tonë, në Shqipëri”.
Kreu i stolit të kurbinasve kërkon sidoqoftë kujdes. “Kundërshtari meriton shumë kujdes, pasi është ekip cilësor dhe shumë serioz. Kjo nuk i zbeh ambiciet tona për kalimin e turit. Jemi stërvitur mirë, djemtë janë stërvitur mirë. Besoj se i kemi idetë e qarta. Për mua, është e rëndësishme të kërkoj atë që dimë të bëjmë, duke futur brenda dëshirën, egon dhe karakterin. Kam shumë besim tek ekipi”, – ka përfunduar trajneri i Laçit, Armando Cungu.
Ndodh edhe kështu… Emanuele Ndoj thyen karantinën dhe gjobitet!
Duhej të ishte izoluar, por ka dalë jashtë dhe është ndaluar nga policia. Në futbollin e sotëm profesionist, disiplina dhe zbatimi i rregullave janë të panegociueshme dhe pasojat për këdo që nuk i zbaton, janë gjithashtu të panegociueshme dhe duhen përballuar.
Kështu ka ndodhur edhe me mesfushorin e kombëtares kuqezi, Emanuele Ndojin, që duhet të qëndronte në karantinë, por ka përfunduar i gjobitur nga policia italiane. Sipas asaj që raporton “Il Giornale di Brescia”, Emanuele Ndoji e ka futur veten në telashe së fundmi, ndërkohë që duhet të qëndronte në karantinë, pasi pak kohë më parë kishte qenë nën shoqërinë e mesfushorit, Sandro Tonali, dhe një personi tjetër.
Duke qenë se ky i fundit më vonë rezultoi pozitiv me virusin korona, të 3 personat në fjalë ishin të detyruar të qëndronin në karantinë. Sipas asaj që raporton e përditshmja lokale në fjalë, mesfushori shqiptar është ndaluar nga policia të enjten e kaluar, jashtë një lokali, ku kishte thyer karantinën.
Kjo nuk është falur, teksa mesfushori është gjobitur menjëherë nga forcat e rendit për shkeljen dhe thyerjen e karantinës. Megjithatë, në lidhje me këtë, nuk ka pasur ende një reagim nga klubi i Breshias, që nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë episod./Jo.Be/Fjala.al