Presidenti Ilir Meta bëri një rikthim të fortë në skenën politike, duke akuzuar mazhorancën se ka marrë peng vendin dhe se po përgatit grusht shteti me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai paralajmëroi protesta popullore dhe shpërndarje të Parlamentit. Po çfarë do të thotë kjo lëvizje e kreut të shtetit në politikën shqiptare, dhe a e vënë atë në krye të lëvizjes opozitare këto qëndrime? Flasin për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi dhe Leonard Karaj.
Nga Blerina Gjoka
Presidenti Ilir Meta e ka krahasuar mazhorancën qeverisëse dhe kryeministrin Edi Rama me pengmarrësit e një autobusi me qytetarë, duke paralajmëruar, siç ndodh me një rast pengmarrjeje, ku pas dështimit të negociatave veprohet kundër pengmarrësit, populli shqiptar do të ngrihet në protesta kundër qeverisë. Kjo ka shënuar një rikthim të fortë të kreut të shtetit në skenën politike, ku vetëm disa muaj para zgjedhjeve palët janë në krizë besimi për ndryshimet në rregullat e lojës që imponohen nga ndryshimet në Kushtetutë, të miratuara nga mazhoranca. “Që vendi të merret peng dhe e ardhmja evropiane të merret peng për shkak të një bande oligarkësh, banditësh, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Kam qenë dhe kryeministër dhe jam ndeshur me situata të vështira. Ju e dini që kur një person merr peng një autobus, përpiqesh të vendosësh me të një kontakt që të shpëtojnë të gjithë, edhe qytetarët, por edhe pengmarrësi të mos ketë fat të keq. Por kur rrezikohen të gjithë qytetarët, pastaj merren vendime të forta dhe askush nuk do ta ketë fajin, nëse do të ketë zgjedhur që për fatin e tij të sakrifikohet populli.” – tha Meta me tone të forta, duke folur në podiumin presidencial para gazetarëve. Në paralelizëm me pengmarrjen e një autobusi, kur ne e dimë që pengmarrësit arrestohen ose vriten nga policia, Meta sërish e vazhdoi metaforën, duke thënë se “nuk do të sakrifikohet e ardhmja evropiane e Shqipërisë as për kokën e Metës, as të Ramës apo Bashës”. Paralajmërimi i tij i hapur për mazhorancën kishte lidhje me atë që po ndodh në tryezën e Këshillit Politik, ku opozita po kundërshton ndryshimin e Kodit Zgjedhor për koalicionet parazgjedhore, pasi e shikon si tentativë për të penguar opozitën. Meta tha se nuk nuk do të ketë lojëra me atë që është rënë dakord në marrëveshjen politike të 5 qershorit. “Nuk do të ketë më as marrëveshje kundër zgjedhjeve, është vetëm marrëveshja e 5 qershorit, dhe e vetmja gjë që i shtohet është hapja e listave 100%.”- tha ai. Në rast se mazhoranca do të bëjë një hap ligjor pa konsensus politik, kreu i shtetit e ka cilësuar këtë si një grusht shteti që do ta ngrinte popullin kundër qeverisë. “Nëse kemi një shkelje të njëanshme, si me rastin e ndryshimeve kushtetuese, atëherë është e qartë që kemi tentativë për grusht shteti, por grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit, është më i madh grushti i popullit”, deklaroi Meta dje vetëm një orë para se tryeza e partive të mblidhej për këtë çështje.
Protesta popullore
Ilir Meta ka ardhur në krye të shtetit pas një propozimi dhe votimi në Kuvend nga Edi Rama dhe mazhoranca e drejtuar prej tij, disa javë para zgjedhjeve të vitit 2017. Por Meta e ka cilësuar veten president të popullit dhe e demonstroi këtë me thirrjen e një proteste popullore, më 2 mars të këtij viti, kur po përballej me mazhorancën për çështjen e zgjedhjeve në institucionet e drejtësisë. Kështu, ai dje paralajmëroi organizimin e protestave popullore, duke e krahasuar qeverinë aktuale me regjimin diktatorial në Bjellorusi. ”Tani mirë keq, ju e keni presidentin. Edhe sikur të mos e kishit presidentin, të kishin mbaruar gjithë burrat në Shqipëri, jam i sigurt që gratë e Shqipërisë do t’ua kalonin atyre të Bjellorusisë. Se kur ngrihen dhe gratë e Bjellorusisë në një regjim diktatorial që nuk e kanë provuar kurrë demokracinë, gratë e nënat e Shqipërisë, atyre që duan t’u bëjnë të zezën Shqipërisë, do të bëjnë t’u duket e madhe dhe vrima e vrimës së miut. Prandaj mos u shqetësoni, presidenti është këtu, unë nuk fle gjumë deri më 25 prill.” – tha Meta.
Shpërndarja e Parlamentit
Përpos gjuhës së një politikani në thirrjet për protesta, ai ka folur dhe me gjuhën e zyrtarit, duke paralajmëruar mazhorancën se do ta shpërndajë Parlamentin para zgjedhjeve si një akt demonstrimi force, nëse ajo vijon punën me një ligj që tenton të kufizojë kompetencat e presidentit. ‘’Se çfarë bën mazhoranca, është zgjedhje e saj. Presidenti di vetëm Kushtetutën. Dhe i përshtatet dhe do t’i përshtatet çdo situate në mbrojtje të Kushtetutës. Thelbi i saj është pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. Asnjë të sëmuri mendor, apo të marrosuri pas pushtetit të pamerituar dhe të vjedhur, nuk duhet t’i shkojë mendja se presidenti i këtij vendi mund të frikësohet, intimidohet, dhe dekurajohet të përmbushë misionin historik. Nëse këtij Parlamenti nuk i mjaftojnë gjithë ato rekorde negative në këto 30 vite, kam dyshime se do të mbetet si parlamenti i 1 prillit.‘’- tha Meta. Ai i ka mohuar zërat se do ta lërë Presidencën për t’u futur në politikën aktive, duke komentuar disa shkrime në media që aludonin se do të bëhej ministër i një qeverie të re, nëse opozita fitonte zgjedhjet. “Unë prej kohësh kam qenë i gatshëm që, për hir të marrëveshjeve që zgjidhin krizat e institucioneve, të lija edhe postin vetëm që të gjendet zgjidhje për vendin, pa parë interesat personale dhe karrierën time. Dua t’ju siguroj se gjëja më e rëndësishme është garantimi i zgjedhjeve të 25 prillit, në të gjitha rastet premtimin që kam bërë do ta mbaj, deri më 24 korrik 2022 Presidenca do jetë kështjellë e pamposhtur e ruajtjes së Kushtetutës.” Edhe një herë ai gjeti rastin të përsëriste se nuk ishte president i LSI-së, as i opozitës, por i popullit.
Sërish përplasje për GJK-në
Plotësimi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese është kthyer në një betejë të gjatë mes presidentit dhe mazhorancës, që përbëhet nga një rrugëtim procedurash dhe afatesh ligjore, që në fund mbajnë peng ngritjen e gykatës. Duke e radhitur në krye të shqetësimeve në daljen e djeshme për mediat, Meta kërkoi nga KED-ja të dijë se cilat institucione po e zvarrisin procesin, duke vonuar informacionin, por ndërkohë Meta akuzon dhe vetë KED-në që po e pranon në heshtje këtë situatë. Sipas presidentit, kjo është e pafalshme dhe institucionet përkatëse do të mbajnë përgjegjësi. ”Kam ndjekur me shqetësim dhe procesin e plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Kjo situatë problematike ka 3 vjet. Që me bllokimin e KED-së, dhe më pas keqfunksionimin e saj. Problematikat në 2019 janë trajtuar në opinionin e Venecies. Edhe KED-ja e 2020-ës ka problematika, si vonesat e pajustifikuara. Problematikat e konstatuara nuk lidhen vetëm me KED-në, por dhe me institucione të tjera, që kanë të bëjnë me informacionin, dhe nuk e realizojnë në kohë dërgimin e tij te KED-ja.” – tha ai, duke bërë të ditur se do ta ndjekë këtë çështje dhe në rrugë ligjore që të ndëshkohen përgjegjësit.
Lorenc Vangjeli: Duke e menduar opozitën të paaftë të fitojë, Meta thërret popullin në apel
Presidenti Meta foli me tone të ashpra ndaj mazhorancës, duke paralajmëruar Ramën për një “revoltë popullore” dhe daljen e atij vetë në krye të saj, para 25 prillit. Si e komentoni këtë lëvizje të fundit të kreut të shtetit?
Është e njëjta lëvizje, në të njëjtin drejtim, me të njëjtin qëllim, me të njëjtat mjete dhe formë, por me intesitet të shtuar. Ilir Meta nuk e ka fshehur asnjëherë mërinë e tij me kryeministrin në asnjë nga xhepat e kostumit presidencial, të cilin e dizenjoi njëri dhe e veshi tjetri. Ka poste zyrtare të cilët i japin mbartësit të tyre një fizionomi të veçantë. Ka individë që i japin postit ku ndodhen portretin e tyre. Ndaj, për të kuptuar presidentin Meta, duhet të flitet me politikanin Ilir Meta. Njeriun e fortë që reagon fort, lufton ashpër, bie thellë e ngrihet lart në betejat që nis vetë apo ia imponojnë të tjerët, por humbet pothuaj rregullisht në paqe. Në mos për arsyen/arsyet e sotme, nesër do të kishte patjetër një shkak e shkas që titujt e medias të nisnin të gjithë në të njëjtën mënyrë: shpërthen Ilir Meta! Shqipëria ka hyrë në stinën e fundit politike përpara zgjedhjeve të 25 prillit dhe pakkush, si dhe sa Ilir Meta, nuk e kupton klimën dhe frymën me të cilën publiku dhe partitë politike po hyjnë në fushatë. Toni i lartë i Metës dëshmon pikërisht shqetësimin e lartë të tij për opozitën me gjak nordik të Tiranës. Shtatë muaj përpara vijës së finishit për qiramarrjen e pushtetit për katër vjet, opozita nuk ka mundur as të krijojë frymë optimizmi, përveç budallallëqeve të facebook-ut që më së shumti hedhin në rrjet personazhe groteske të saj. E vetmja ofertë e saj është peneli i ngjyer në zi për ta pikturuar ish-piktorin kryeministër si djallin total. Mbas një rrugëtimi prej më gati tre vjet e gjysmë nëpër rrugë, i vetmi stacion ku ka mbërritur opozita është rruga. Dhe ajo duhet të përgatitet të paguajë për ato gafa të frikshme që ka bërë edhe përkundër këshillave të presidentit. Kjo është llogaria që bën Ilir Meta, ky politikan race, që është i aftë të notojë edhe në baltën e Tiranës, por ka problem me pishinën. Duke e menduar opozitën të paaftë të fitojë, atij nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të thërrasë popullin në apel. Të njëjtin popull të cilit i kërkon të revoltohet dhe që ai i ka caktuar datën 25 prill për të vendosur. Dhe për më shumë, në llogaritë e tij afatgjata, cilido qoftë rezultati i 25 prillit, Metës i duhet të rillogaritë pozicionin e tij, orientimin dhe rolin në jetën publike të vendit. Ai nuk ka simpati për zotin Basha si kryeministër të mundshëm, apo për Lulin si kryetar partie të mundur disa herë rresht. Ata të dy janë si autobusët e Unazës që udhëtojnë në kahe të kundërta: edhe kur janë përballë, nuk puqen kurrsesi!
Me këto deklarata a po merr Meta rolin e protagonistit të opozitës? E dëmton apo e ndihmon kjo opozitën?
Nëse opozita do të ishte e fortë aq sa e vetëgjykon veten, kur matet qoftë me hijen e mëngjesit, qoftë me ëndrrat e gjumit të drekës apo qoftë edhe me vegimin që jep vera e shumtë në të gdhirë, hapësirat për një president si Meta do të ishin të kufizuara. Meta është realisht fati i opozitës. Ai ka mundur të plotësojë boshllëqet që lëvizja në bosh e opozitës reale nuk ka mundur t’i plotësojë. Në Shqipëri, si në çdo vend tjetër, pushteti nuk është vetëm karrigia apo posti zyrtar. Pushteti moral, pushteti i fjalës, pushteti që vetë individi arrin të sigurojë me përditshmërinë e tij, shpesh janë shumë më shumë të rëndësishme se pushtetet e votuara apo të emëruara. Aq më tepër në kushte opozite. Është fat që dikush të emërohet ministër, deputet apo drejtor diku. Është gjithashtu fat, siç ndodh rëndom në Tiranë, të emërohesh edhe biznesmen i pasur dhe i suksesshëm. Një kryeministër mund të marrë nga rruga cilindo dhe mund t’i japë çdo post që mendon. Në të kundërt, askush nuk mund të emërojë një luftëtar në opozitë. Ky soj qytetari i angazhuar vetëkrijohet, por nuk prodhohet. Shiheni historinë e emrave në Shqipëri dhe do ta kuptoni çfarë keqkuptimi fatal kanë prodhuar njerëzit që kanë pasur mundësi të bëjnë të tilla emërime në Shqipëri. Njerëz të suksesshëm, plot lavdi, para e tangërllëk sa kohë që janë në pushtet, bëhen sh…rrë pule në rërë, sapo partia e tyre del në opozitë. Meta nuk po merr rolin e protagonistit të opozitës. Ai është në rolin e tij jetësor, si një individ që ka provuar gjithçka. Falë fatit që ndihmon vetëm të fortët dhe talentit vetjak nga njëra anë dhe talentit që zakonisht kanë vetëm njerëzit e fortë në politikë, Iliri po interpreton Metën në mënyrën e tij. Në atë mënyrë që kritikët do t’ia quanin ecje në skaj të interpretimit moral e juridik të Kushtetutës, ndërsa përkrahësit do t’ia brohorisnin si favor për opozitën.
Fakti që të dyja palët, Meta dhe Rama po përplasen fort mes tyre, a paralajmëron fundin politik të njërit prej tyre, dhe cili mund të jetë humbësi në këndvështrimin tuaj?
Spektatorët e ngeshëm të politikës, ata që i shohin lajmet e Tiranës si ndeshje MMA-je, Mixed Martial Arts, me një tas kokoshkash përpara, me adresën e google si bibliotekë që u jep përgjigje për çdo pyetje që kanë, mund ta shohin edhe me këtë sy: po ndeshen në një duel për jetë a vdekje, në fund të të cilit, patjetër njërit do t’ia mbledhin copat me lopatë. Nuk është kështu! Nuk është fare kështu! As Rama dhe as Meta nuk janë në gjendje sot të kujtojnë të gjitha betejat dhe aktet e paqes mes tyre. Edhe pse çdo betejë e kanë luftuar si luftë finale, edhe pse çdo çast paqeje u është dukur të dyve si i përjetshëm. Ky nuk është një segment, por një cikël. Nuk është përjashtim, por është rregull. E vetmja gjë që do të ndryshonte apo ndërlikonte fatin e të dyve përballë njëri-tjetrit, nuk gjendet në mekanizmat e sistemit. Në kushtet e sotme ata do të vazhdojnë të jenë aty ku janë, përballë, në krah të njëri-tjetrit apo njëri sipër e tjetri poshtë, deri sa të vendosin vetë të jetë kështu. Vetëm një ndërhyrje nga jashtë, nga drejtësia, mund t’i jepte epërsi fatale njërit mbi fatin e tjetrit. Në të kundërt, në të gjitha rastet, pavarësisht se kush është në opozitë e kush është në pushtet, ata edhe në ditën më të largët mes tyre, janë më pranë se dy vëllezër gjaku. Sepse i bashkon pushteti. Dhe i lejon fati që të hanë kokoshka duke parë gjysmë të përgjumur se si shqiptarët ndeshen në emër të tyre si gladiatorët e MMA-së.
Plator Nesturi: Kërcënimet e Metës në funksion të fushatës zgjedhore
Pesidenti Meta foli me tone të ashpra ndaj mazhorancës, duke paralajmëruar Ramën për një “revoltë popullore” dhe daljen e atij vetë në krye të saj, para 25 prillit. Si e komentoni këtë lëvizje të fundit të kreut të shtetit?
Tashmë ka filluar fushata elektorale, ndaj më së shumti dhe qëndrimet, përfshirë edhe të krerëve të institucioneve, janë më së shumti politike. Rasti më së fundmi i konferencës për shtyp të presidentit, duket si qëndrim politik. Së pari, pasi ajo vjen pas mbledhjes së Këshillit Politik, ku mazhoranca dhe opozita nuk gjetën asnjë pikë të përbashkët në trajtimin e Kodit Zgjedhor. Tashmë janë hapat e fundit të përcaktimit të rregullave të lojës, me të cilat do të bëhet përplasja zgjedhore e prillit të vitit të ardhshëm, ndaj çdo iniciativë mbart dyshimin për hile që mund të ndikojnë në rezultat. Në këtë aspekt, nuk ka ndonjë surprizë në qëndrimet e presidentit. Tashmë dihen prej kohësh lufta dhe pozicionet e mbajtura si nga mazhoranca, dhe nga presidenti karshi njëri-tjetrit. Ndaj nuk ka ndonjë surprizë në ligjërimin politik në Shqipëri, ndërsa kreu i shtetit i drejtohet mazhorancës me kërcënimin se do të dalë të udhëheqë protesta. Çështja është se sa seriozisht duhet t’i marrim këto. Në fakt, presidenti e ka fare të qartë që ndërsa po afrohet finishi i ditës së zgjedhjeve, forca e kartonave të mazhorancës zbehet. Është e kuptueshme që përpara zgjedhjeve çdo qeveri nuk mund të ndërmarrë asnjë inkursion ligjor, dhe aq më pak kundër presidentit. Madje, kjo do të ishte një harakiri, pasi zhvendos objektivin në zgjedhje që është opozita. Po ashtu, nga ana tjetër, në secilin vend me demokraci parlamentare, gjatë periudhës elektorale dhe kur pushteti i Parlamentit është në periudhë tranzicioni drejt të mandatuarve të tjerë, atëherë pushteti i presidentit rritet për të mbuluar këtë boshllëk. E parë në këtë suazë, mendoj se deklaratat e presidentit më tepër sesa përbëjnë problem për të tashmen, mbeten ende si një kërcënim për të ardhmen për mazhorancën. Kur opozita ka mbetur në rrugë dhe jashtë Parlamentit, kur ende nuk janë përcaktuar rregullat e lojës dhe ekziston një atmosferë mosbesimi të thellë, se nuk do të ketë lojë të ndershme zgjedhore, kjo paralajmëron se do të kemi një fushatë të ashpër dhe ku tonet e nxehta mund të sjellin pështjellime të paparashikuara. Me keqardhje shihet se të gjitha palët janë të barrikaduara dhe se nuk është ruajtur as një figurë apo institucion që të shërbejë me besueshmëri balancën. Për fajin e mazhorancës apo të tij (kjo tashmë nuk ka pikë rëndësie në peshoren e madhe), i barrikaduar është tashmë edhe institucioni i Presidencës.
Me këto deklarata a po merr Meta rolin e protagonistit të opozitës? E dëmton apo e ndihmon kjo opozitën?
Nuk di të them nëse presidenti ka marrë rolin e protagonistit të opozitës, por është fakt që më shumë në këto kohë është aktiv ai sesa vetë LSI-ja. Ndërkohë duhet të kujtojmë një fakt, që LSI-ja ka lindur dhe është rritur vetëm nga ballafaqimi. Le të kujtojmë fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Çuditërisht të dyja partitë kryesore, si PS-ja dhe PD-ja, më shumë kryqëzuan sulmet ndaj LSI-së sesa ndaj njëra-tjetrës. Aq sa po përflitej dhe për një koalicion të madh qeverisës. PS-ja në fushatë kërkoi ta lironte tepsinë nga aleanca me LSI-në, ndërsa PD-ja dhe Basha e akuzonte si shëmbëlltyrën më të qartë të korrupsionit. Nuk besoj se i kemi harruar këto. Megjithatë, ndonëse kundër dy të mëdhenjve, LSI-ja mori rezultat surprizë me 18 deputetë. Po e bëj këtë paralelizëm pasi ndonëse LSI-ja është në koalicion me PD-në, përqendrimi i sulmeve ndaj Ilir Metës, pavarësisht se tashmë është president dhe jo kryetar partie, është thjesht një strategji për të thithur vota në të ardhmen për subjektin LSI. Vëreni dhe kujdesin e Bashës në intervistat e fundit lidhur me këtë çështje. Kryetari i PD-së tenton gjithnjë ta ndajë LSI-në nga figura e ilir Metës. Sipas tij, LSI-ja është një “aleate e konsoliduar dhe e respektuar”, ndërsa presidenti, ndonëse ka bërë një luftë të respektueshme për të mbrojtur Kushtetutën, është një president i zgjedhur nga PS-ja për të cilin PD-ja ka qenë kundër. Distancim më i qartë nuk ka si bëhet, dhe duket se Basha kërkon ta mbajë në cep, dhe jo si lojtar aktiv në funksion të votave të LSI-së (pavarësisht se do të quheshin vota për opozitën).
Fakti që të dyja palët, Meta dhe Rama po përplasen fort mes tyre, a paralajmëron fundin politik të njërit prej tyre dhe cili mund të jetë humbësi, në këndvështrimin tuaj?
Është një marrëdhënie tipike brenda së majtës shqiptare. Vijnë të dy nga e njëjta familje politike dhe të dy janë formësuar pikërisht nga përplasjet e forta që ndodhën brenda së majtës. Në këtë mënyrë këto përplasje edhe i kanë temperuar politikisht. Janë të ngjashëm në këtë aspekt dhe çdo marrëveshje midis tyre është e destinuar të jetë fluide dhe e përkohshme për të vajtur në përplasje dhe sërish në marrëveshje. Ndaj pyetja që mund të shtrohet është nëse kjo do të jetë përplasja e tyre e fundit, apo pragpasoja e një marrëveshjeje tjetër. Këtë nuk mund ta dimë, por në politikën shqiptare gjithçka ndodh. Duke vijuar në logjikën e kësaj dileme, nuk mund të dihet dhe cili do të jetë humbësi në këtë përplasje, pasi më duket se humbja përfundimtare e njërit (jo provizore), do të tërhiqte me vete dhe humbjen përfundimtare të tjetrit.
Leonard Karaj: Meta nervoz, sepse Rama po përgatit “funeralin” e LSI-së
Presidenti Meta foli me tone të ashpra ndaj mazhorancës, duke paralajmëruar Ramën për një “revoltë popullore” dhe daljen e atij vetë në krye të saj, para 25 prillit. Si e komentoni këtë lëvizje të fundit të kreut të shtetit?
Në të gjitha rastet kur mazhoranca ka në dorë “fatet e vendit” sikundër tani, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe, për më tepër, kur një gjë të tillë kërkon ta bëjë, sikundër vetë Rama dëshiron, atëherë Meta tenton të bëhet protagonist. Arsyeja është fare e thjeshtë: forca politike që rrezikon më shumë të humbasë elektorat, dhe pse jo gati në shpërbërje, është pikërisht ish-partia e Metës, LSI-ja. Për më tepër, direktiva (me gojë) e fundit e drejtuesve të 12 qarqeve të Partisë Socialiste ndaj kryetarëve të partive dhe kryebashkiakëve në çdo bashki të vendit ka qenë e prerë: “mos u merrni me PD-në, dobësoni sa më shumë LSI-në”!. Ndaj nuk është i rastësishëm fakti se gjatë ditëve të fundit eksponentë të ndryshëm të LSI-së janë “joshur” me vende pune në administratë apo në pushtetin vendor, me qëllimin e vetëm që votat dhe influencat e këtyre të fundit të kalojnë te PS-ja (dhe për hir të së vërtetës, një pjesë shumë e madhe e këtyre personazheve kanë qenë më përpara me PS-në). Dhe, sigurisht, Meta e ka këtë informacion, ndaj edhe deklaratat e djeshme dukeshin si piskama përkundrejt kryeministrit, duke parë natyrisht që “toka po i rrëshqet nën këmbë”. Për të qenë “fair” deri në fund: asgjë nuk i intereson më shumë presidentit Meta sesa “fëmija i tij”, në këtë rast LSI-ja, ndaj togëfjalëshi “mbroj Kushtetutën” është vetëm populizëm, pasi më realja do të ishte: “mbroj veten, mbroj LSI-në.
Me këto deklarata a po merr Meta rolin e protagonistit të opozitës? E dëmton apo e ndihmon kjo opozitën?
Presidenti Meta ka tentuar thuajse gjithmonë të marrë rolin e protagonistit, edhe kur pozicioni që ai mban, moralisht nuk ia lejon një gjë të tillë. Por nëse pak kohë më parë, kur opozita doli nga Parlamenti, zëri i presidentit Meta kundër arrogancës së mazhorancës ishte si një dritë shprese, sot, më pak sesa 8 muaj para zgjedhjeve, ky lloj protagonizmi veçse e dëmton opozitën. Nëse Meta është i paduruar për të qëndruar brenda kornizave të pozicionit që ai ka (dhe një politikan si Meta është thuajse gjithnjë energjik, sidomos përpara zgjedhjeve), atëherë do ishte më mirë të jepte dorëheqjen dhe t’i përkushtohej më së shumti LSI-së, forcë politike kjo, që sipas të gjitha informacioneve dhe sondazheve, mund të bjerë edhe poshtë kuotave të 2009-s, kur mori 4 deputetë.
Fakti që të dyja palët, Meta dhe Rama po përplasen fort mes tyre, a paralajmëron fundin politik të njërit prej tyre dhe cili mund të jetë humbësi, në këndvështrimin tuaj?
Pa pikë mëdyshje që vera e 2021-shit do të vulosë përfundimisht edhe fatin e Metës dhe të Ramës. Sipas mendimit tim, gjasat janë që Meta të pensionohet dhe të dalë përfundimisht nga skena politike. Siç e ceka edhe më lart, Rama dhe PS-ja në përgjithësi janë duke përgatitur “funeralin” e LSI-së. Kjo pasi vetëm një dobësim i madh i kësaj force politike do të bënte të mundur ëndrrën në sirtar e ndoshta edhe të fundit të Ramës: të bëhet president. Një LSI në kuotat aktuale të deputetëve në Parlament, apo qoftë edhe më pak, por mjaftueshëm sa të vendosë qartazi formimin e qeverisë së ardhshme dhe vijimin e qeverisjes, do të ishte një problem shumë i madh për Ramën, madje edhe për Bashën, sepse kjo do të sillte kushtëzim si të postit të kryeministrit, ashtu dhe të presidentit të ardhshëm. Në këtë këndvështrim, më shumë sesa të fitojë ndaj PD-së, Ramës i intereson që të dobësojë ose mundësisht të shpërbëjë LSI-në, me qëllim që më pas ta ketë “të shtruar” rrugën drejt Presidencës në 2022. Rama dhe Meta e dinë tashmë fort mirë se Basha më 26 prill 2021 do jetë (të paktën teorikisht) kryeministri i ri i vendit, ndaj “shtesa në lojë” tashmë bëhet vetëm për Presidencën, ku në avantazh duket se është Rama…/Bl.Ba/Fjala.al
Lorenc Vangjeli: Duke e menduar opozitën të paaftë të fitojë, Meta thërret popullin në apel
Plator Nesturi: Kërcënimet e Metës në funksion të fushatës zgjedhore
Leonard Karaj: Meta nervoz, sepse Rama po përgatit “funeralin” e LSI-së