Një javë pas nisjes së procesit mësimor me praninë e nxënësve në klasa po përshpejtohet përhapja e COVID-19 në vend. Aktualisht në vend mësohet se janë shënuar rreth 20 raste pozitive me virus mes arsimtarëve dhe nëxënësve, ndërkohë shumë të tjerë u janë nënshtruar testimeve, pasi dyshohet të jenë persona kontakti. Situata paraqitet e rëndë në në Berat, Vlorë, Bulqizë e Gjirokastër, ku deri më tani janë një numër i madh mësuesish dhe nxënësish të infektuar.
Nga Ina Allkanjari
Vendosja e maskës, dezinfektimi dhe ruajtja e distancës fizike nga nxënësit dhe mësuesit brenda ambienteve të shkollës, janë disa prej kritereve të detyrueshme të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për të kufizuar përhapjen e virusit. Duket se protokollet e përcaktuara, si dhe mësimi me turne në shumë prej shkollave në vend, nuk kanë arritur ta parandalojnë përhapjen e virusit, duke dëshmuar se shqetësimi i shprehur nga figura të ndryshme lidhur me faktin se shkollat mund të përshpejtojnë përhapjen e COVID-19, ishte i drejtë. Vetëm një javë pas fillimit të vitit të ri shkollor dhe kthimit të nxënësve në klasa, koronavirusi po infekton gjithnjë e më shumë mësues dhe nxënës.
Aktualisht në vend mësohet se janë shënuar rreth 20 raste pozitive me virus mes arsimtarëve dhe nëxënësve. Situata paraqitet e rëndë në në Berat, Vlorë, Bulqizë e Gjirokastër, ku deri më tani janë një numër i madh mësuesish dhe nxënësish të infektuar. Në Berat, janë infektuar me COVID-19 tetë mësues në dy shkolla. Mësohet se arsimtarët janë mësues në shkollat ‘Ajet Xhindole’ dhe në shkollën e Mesme të Bashkuar në fshatin Mbrakull, në Poliçan. Bëhet me dije se 4 prej mësuesve të infektuar të cilët japin mësim në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Mbrakull, udhëtonin me njëri-tjetrin me të njëjtin mjet transporti për të shkuar në punë, ku dhe dyshohet se janë infektuar. Për shkak të situatës së krijuar, në klasat ku jepej mësim prej arsimtarëve të prekur nga virusi, nuk është zhvilluar mësim. Shkak i pezullimit të mësimit mësohet të jetë pamundësia që të bëhej zëvendësimi i tyre.
Raste pozitive të mësuesve të prekur me COVID-19 janë konfirmuar edhe në Bulqizë.
Pesë mësues në shkollën “Shefqet Tanci” janë konfirmuar se janë infektuar me virus dhe janë karantinuar në banesat e tyre. Ndërsa në këtë shkollë ka nisur hetimi epidemiologjik për raste të tjera kontakti, disa prej mësuesve pritet t’i nënshtrohen testit për të ndërprerë zinxhirin e infektimeve në shkollë. Ndërkohë mësimi ka vijuar normalisht. Nga ana tjetër, po në Bulqizë, në shkollën e Çerenecit ka rezultuar pozitiv me virus një nxënës, i cili është karantinuar.
Ndërkohë një rast pozitiv është identifikuar në një shkollë në Gjirokastër, konkretisht në gjimnazin “Siri Shapllo”, ku një nxënëse e klasës së 11 ka rezultuar pozitive me virus dhe si pasojë janë testuar rreth 20 nxënës të tjerë dhe 7 mësues, pasi dyshohen si persona kontakti. Nxënësit dhe mësuesit të cilët dyshohen se mund të jenë prekur nga virusi, mësohet se janë vetëkarantinuar në pritje të rezultatit të tamponit. Ndërkohë bëhet me dije se për rrjedhojë kjo klasë nuk do të zhvillojë mësim për 14 ditët në vijim.
Përpos arsimit parauniversitar, COVID-19 po qarkullon edhe në universitete. Mësohet se 3 punonjës në Universitetin “Ismail Qmali” në Vlorë, janë infektuar me koronavirus. Për shkak të personave të cilët kanë rezultuar pozitivë, 10 anëtarë të stafit kanë kryer tamponin dhe janë vetëkarantinuar në pritje të rezultateve të testeve. Ndërkohë në godinën e Rektoratit të këtij universiteti mësohet se është mbyllur zyra e sektorit të auditit, zyra e seksionit të promovimit akademik dhe kërkimit shkencor, si dhe zyra e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.
Jo vetëm sistemin arsimor, por edhe kopshtet vijojnë të paraqesin rrezikshmëri në përhapjen e virusit. Një edukatore kopshti në Kuçovë dhe fëmija i saj, i cili ishte në një nga grupet në kopsht gjithashtu janë diagnostikuar me COVID-19. Mësohet se edukatorja dhe familja e saj aktualisht janë në karantinë, ndërsa 12 fëmijë në kopsht janë veçuar dhe u janë nënshtruar testimeve. Kujtojmë se pak ditë më parë në Kolonjë janë izoluar 12 arsimtarë.
Situata epidemiologjike
Ndërsa aktualisht në vend paraqiten 5176 raste aktive me COVID-19, vijojnë testimet dhe gjurmimi i rasteve të dyshuara. Në 24 orët e fundit janë kryer 809 testime dhe janë konfirmuar 150 të prekur me virusin SARS-COV2. Shpërndarja gjeografike e të konfirmuarve pozitivë në 24 orëve të fundit është si vijon:
66 raste në Tiranë, 9 raste në Elbasan, 8 raste në Fier, 6 raste në Shkodër, Durrës, Kavajë, Vlorë, 5 raste në Korçë, Kukës, Gjirokastër, 3 raste në Lezhë, Mirëditë, Bulqizë, 2 raste në Lushnjë, Mallakastër, Pogradec, Divjakë, Malësi e Madhe, Peqin, Kolonjë, 1 rast në Rrogozhinë, Berat, Librazhd, Sarandë, Gramsh.
Mësohet se në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” aktualisht po trajtohen 189 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.
Fatkeqësisht, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë dy qytetarë. Bëhet me dije se e kanë humbur betejën me COVID-19 një 75-vjeçar nga Tirana dhe një 85-vjeçar nga Shkodra. Ndërkohë 55 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6995 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Situata paraqitet shqetësuese edhe në Kosovë, ku në 24 orët e fundit janë konfirmuar 79 raste të reja me COVID-19 dhe 2 viktima. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se brenda ditës janë testuar gjithsej 596 mostra të marra dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Bëhet me dije se rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 23 raste, komuna Vushtrri 9 raste, komuna Gjakovë 8 raste, komuna Gjilan 7 raste, komuna Lipjan 5 raste, komuna Deçan 3 raste, komuna Fushë-Kosovë 3 raste, komuna Kaçanik 3 raste, komuna Mitrovicë 3 raste, komuna Prizren 3 raste, komuna Viti 3 raste, komuna Drenas 2 raste, komuna Pejë 2 raste dhe me nga një rast komunat Ferizaj, Malishevë, Podujevë, Skënderaj dhe Suharekë.
Numri total i rasteve pozitive është 15142 nga 62607 persona të dyshimtë në virusin SARS-COV2 dhe ndërsa, bilanci i vdekjeve është 615.
Mësohet se në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 104 pacientë, kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 12674, ndërsa paraqiten 1853 raste aktive.
Tabelë
COVID-19 – Statistika (21 shtator 2020)
Testime totale 80539
Raste pozitive 12535
Raste të shëruara 6995
Raste aktive 5176
Humbje jete 364
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 2550
Durrës 564
Shkodër 376
Lezhë 300
Elbasan 299
Korçë 245
Fier 236
Vlorë 191
Kukës 146
Berat 117
Dibër 76
Gjirokastër 76 /Ra.My.Fjala.al/