Analizë/ Tërheqje nga amnistia fiskale? Nuk ka amnisti fiskale, pa u plotësuar tri kushte thelbësore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga akademik Anastas Angjeli

Nëse flitet për aministinë fiskale, së pari duhet një shpjegim teknik, që të mos keqinterpretohet si shtyrje apo anulim, sepse, sipas rregullores së Kuvendit, një projektligj i cili në fund të sesionit të kaluar nuk ka arritur të diskutohet në Parlament, shtyhet për sesionin ardhshëm dhe mbartet në agjendën e fillimit të sesionit të ardhshëm. Kështu që ky projektligj u spostua për këtë sesion. Meqë ndodhi kështu, në agjendën e paraqitur në Parlament, e cila është 3-javore, ishte i përfshirë dhe do të jetë i përfshirë deri sa të arrijë që, ose të futet në rendin e ditës në komisione dhe të diskutohet, ose të tërhiqet përfundimisht nga qeveria, nëse nuk plotësohen kushtet dhe faktorët që do të përmend më poshtë… Pra, shikojeni këtë gjë edhe nga pikëpamja tekniko-procedurale që rregullorja e Kuvendit përcakton edhe nga pikëpamjet e tjera, të përmbajtjes, qëllimit dhe cilësisë së projektit që është paraqitur. Veçanërisht këto të fundit që theksova dhe do t’i sqaroj më poshtë, se pa u plotësuar ato, nuk mund të ketë amnisti fiskale. Dhe kjo (tërheqja) nuk është një “tragjedi”.

Që në fillim edhe nga qeveria edhe në diskutimin e parë që u bë në Komisionin e Ekonomisë është deklaruar se lidhur me këtë projektligj do të jemi tërësisht të hapur për të diskutuar, për të konsideruar të gjitha diskutimet që bëhen, me qëllim që nëse do të kemi një projektligj për këtë çështje, duhet të jetë një projektligj për t’i marrë atij suksesin maksimal, përndryshe s’ka pse të bëhet. Në këtë këndvështrim, do të thosha që një amnisti fiskale të jetë e suksesshme, pa dyshim duhet të rrokë një sërë çështjesh dhe problemesh dhe t’u japë zgjidhje që në projektligj atyre, përveç akteve të tjera nënligjore me të cilat duhet të plotësohet. Pra, që ky projektligj të miratohet dhe të jetë i suksesshëm, duhet të plotësojë tri kushte themelore.

Kushti i parë është që një ligj i tillë, i përmasave të tilla, duhet patjetër të ketë një konsensus sa më të gjerë politik. Ç’do me thënë një konsensus sa më i gjerë politik? Duhet që përveç mazhorancës që e ka propozuar, të ketë edhe mbështetje. Natyrisht, asnjëherë s’ka 100%, por duhet të ketë mbështetje edhe nga opozita parlamentare, pse jo në rastin konkret, sikur të ketë edhe mbështetje nga opozita jashtëparlamentare, do të ishte mirë, madje shumë mirë… Natyrisht, sigurimi i një mbështetjeje 100% do të ishte absolute, por ne si mazhorancë duhet dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të kemi një mbështetje politike edhe nga faktorët e tjerë politikë në vend. Jo se ata do të bëhen thjesht pengesë, por sepse kjo i bën mirë ligjit, zbatimit dhe arritjes së qëllimeve të mira dhe jo të kundërtës.

Së dyti, një aspekt shumë i rëndësishëm është që ky projektligj duhet të ketë mbështetje nga faktorët e interesit. Gjatë zhvillimit të diskutimeve në komision i dëgjuam të gjithë faktorët e interesit, biznesit, shoqërinë civile, këdo – dhe ata kanë paraqitur me shkrim, si shoqatat e bankave, ashtu edhe komuniteti i biznesit, personeli akademik, profesorati i universiteteve, i kanë paraqitur mendimet e tyre, vërejtjet e tyre, sugjerimet e tyre, të cilat ishin dhe janë të vlefshme, një pjesë e mire e tyre të domosdoshme, dhe duhet të reflektohen dhe të pranohen nga të gjitha palët. Kështu që edhe kjo çështje pa dyshim që merr kohën e vet, me qëllim që të reflektohen sa më mirë, sa më shumë, ato mendime, ato sugjerime që janë të vlefshme dhe t’i japin një dimension të ri të sigurt, amnistisë fiskale.

Së treti, faktor shumë i rëndësishëm që e bën të suksesshme është mendimi i komunitetit ndërkombëtar, i institucioneve financiare ndërkombëtare, i BE-së, FMN-së, pse jo dhe i partnerëve miq të Shqipërisë, BE-ja dhe SHBA-ja, të cilët kanë dhënë shumë opsione, sugjerime, rezerva të mëdha, për problematikën që mund të shkaktojë ky ligj në gjendjen që ishte, pyetjet që mund të sillte qoftë në drejtim të çështjes së hapësirave që mund të krijonte për pastrimin e parave të krimit ekonomik, qoftë edhe të problematikave të tjera teknike dhe ligjore, që mund t’i mbartte dhe t’i krijonte ky ligj. Për më tepër, në kushtet e e përmasave që po mer reforma në drejtësi, ky ligj nuk duhet të bjerë ndesh me të, sidomos me ligjin për OFL-në, SPAK-un dhe veprimtarinë e tyre për sekuestrimin e aseteve me burim pastrimin e parave të pista, apo me burim krimin ekonomik dhe veprimtaritë e paligjshme.

Të tria këto elemente janë baza, themeli, boshti kryesor i një amnistie të suksesshme dhe “të pastër”. Pa u reflektuar të tria këto, ligji nuk mund të diskutohet përsëri në komisionet parlamentare dhe në Parlament. Ka ndodhur edhe me ligje të tjera, që kur nuk është arritur një reflektim i nevojshëm, janë tërhequr. E thashë dhe me lart. Kjo “nuk është dramë”, “nuk është tragjedi”. Ndërkaq, nuk është vetëm Komisioni i Ekonomisë që do ta diskutojë, por është edhe Komisioni i Ligjeve i cili po e shikon edhe në këndvështrimin e reflektimit ligjor të aspekteve dhe sugjerimeve që janë dhënë. Pra, ky ligj po kalon në sitën e dy komisioneve të rëndësishme të Kuvendit.

Lexo edhe :  Hapet telefoni! Zbulohen mesazhet që Erdgysi i niste Alma Arrazit ( DETAJET)

Kjo do të marrë kohën e vet, dhe kur të arrihet që këto të jenë reflektuar tërësisht me bindjen më të madhe që kemi eliminuar maksimalisht çdo ekuivok, çdo dilemë që mund të ketë krijuar varianti i paraqitur dhe që prej tij mund të merret maksimumi sa më “i pastër”, do të thosha nga ky ligj, atëherë do të ridiskutohet. Në rast të kundërt, do të kthehet. Kështu që zhvendosja teknike tri javë në agjendën e Parlamentit, nuk është vetëm për këtë ligj. Kështu bëhet për të gjitha ato ligje që nuk arrijnë të diskutohen. Kalojnë nga një trejavësh në trejavëshin tjetër, e pastaj po s’u arrit më e mira… do të kthehet.

Në agjendën e qeverisë, që kur u mor nisma, u tha që brenda këtij viti ne do të arrijmë të bëjmë një ligj. Kështu që po punohet për të reflektuar në të gjitha aspektet që përmenda më lart, që të kemi një ligj të kompletuar për t’ia paraqitur Kuvendit. Kjo është arsyeja kryesore dhe ky besoj se është një hap pozitiv. Është një reflektim, siç është premtuar, që ne do të konsiderojmë maksimumin e sugjerimeve dhe vërejtjeve, me qëllim që nëse miratojmë një ligj, ai të jetë sa më i zbatueshëm, dhe me eliminimin maksimal të çdo ekuivoku dhe pikëpyetjeje që ka dalë nga drafti i parë. Por kur nuk arrihet… dhe kur tri kushtet që përmenda më sipër, tre faktorët nuk dakordësohen, nuk kemi aresye të bëjmë “luftë me mullinjtë pa erë”…

Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar që aplikimi, zbatimi i amnistive fiskale ka qenë një proces i cili është bërë. Ka vende ku është realizuar me sukses, që është realizuar objektivi i tij. Ka vende ku nuk është realizuar objektivi i tij. Ka vende që, sipas llojit të ligjit dhe mënyrës së aplikimit, ka lënë shtigje për abuzime dhe fenomene, si pastrimi i parave të pista, krimi ekonomik, kështu që, nëse ligji do të miratohej ashtu siç ishte paraqitur, nga komentet që janë bërë deri tani nga faktorët e interesit dhe nga komuniteti ndërkombëtar, dhe kjo nuk është çështje thjesht e opozitës, se edhe opozita vetë ka bërë amnisti të pjesshme, duket që ligji nuk është ende në formën që duhet për të realizuar qëllimin e mirë që ne kemi dhe objektivat që kemi.

Kështu që është e thjeshtë, u paraqitën mendime, janë paraqitur vërejtje, janë paraqitur sugjerime, nga faktorët e interesit, po ashtu vërejtje kanë paraqitur institucionet financiare ndërkombëtare, partnerët ndërkombëtarë. Këto janë sinjale dhe mesazhe të qarta për reflektim të thellë, e pse jo edhe tërheqje. Nje situatë tjetër mund të diktojë rrethana të tjera dhe me një kujdes ligjor më cilësor, mund t’i rikthehemi. Por deri tani duket se peshorja anon më shumë nga tërheqja sesa nga miratimi. Do të rishikohen, do të ridiskutohen, nëse arrijmë atë që duhet, do ta bëjmë, nëse nuk arrijmë, do t’i rishikojmë prapë. Ne duhet të bëjmë më të mirën.

Ky është problemi dhe unë e përmenda që në fillim se brenda këtij problemi, një faktor i rëndësishëm është edhe konsensusi politik. Opozita është e lutur, deri tani nuk ka thënë asnjë germë, të shkruajë dhe të dërgojë sugjerimet dhe mendimet e veta, kundërshtitë e veta, qoftë ajo parlamentare, qoftë ajo jashtëparlamentare, që të ulen ekspertët që kanë përgatitur ligjin dhe të gjykojnë politikisht, profesionalisht dhe ligjërisht për to. Nuk bëhet opozitë nga askush, jo vetëm nga opozita politike, po as nga shoqëria civile as nga biznesi, as nga faktorët e interesit, as nga faktori ndërkombëtar, pa dhënë idetë që duan, të shfaqin mendimin e tyre. P.sh., komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë mendimet e veta, FMN-ja dhe partnerët tanë startegjikë i ka dhënë mendimet e veta deri në kundërshti të plotë ndaj kësaj amnistie; biznesi i paraqiti mendimet e veta. Opozita e ka derën të hapur, tavolinën të shtruar, t’i sjellë mendimet. Kjo do t’i ndihmonte më shumë vendimmarrjes për debatin që zhvillohet për amnistinë fiskale, miratim, shtyrje apo tërheqje. Duket se në këtë moment tërheqja e këtij projekti është më pozitive. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Autobusi me punëtorë përplaset dhe del nga rruga, 8 të vdekur dhe mbi 50 të plagosur

Tetë persona humbën jetën dhe rreth 53 të tjerë u plagosën kur një autobus me punëtorë ferme u përplas...

Irlanda pritet të rrisë moshën e blerësve të duhanit

Irlanda pritet të rrisë në 21 vjeç moshën minimale të blerësve të duhanit, sipas një draft-legjislacioni të prezantuar të martën. Nëse finalizohet, ky do të...

Tragjedia në Shkodër/ Gazetarja zbardh detajet: Burri i bllokonte thirrjet në telefon

Vetëmbytja e Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj të mitur në lumin Buna, ishte një nga ngjarjet më të rënda të raportuara në...

A i rrit ky lloj djathi shanset për kancerin e gjirit tek gratë?

Nëse dieta juaj ushqimore dominohet nga konsumi i djathit, me gjasë që ky artikull mund t’ju trishtojë. Sipas një studimi, ngrënia tepërt e djathit çedar...

“Vota e emigrantëve”, nisin bisedimet/ Gjiknuri: Kemi zgjidhje konkrete

Politika po avancon në debatin mbi mundësimin e votës së diasporës për 2025, sikundër e kërkon dhe Gjykata Kushtetuese, por kur vjen moment për...

Lajme të tjera

Web TV