Përballja Rama-Basha, beteja për ekonominë në prag fushate

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Blerina Gjoka

Lideri i mazhorancës dhe i opozitës gjatë ditës së djeshme në konferencat e shtypit parashtruan platformat ekonomike në një “betejë shifrash” e premtimesh. Çfarë premtohet nga Rama dhe Basha, cilët janë sektorët dhe nismat ku ndahen e bashkohen kundërshtarët politikë.

Gongu i fushatës elektorale ka rënë para kohe. Dy kandidatët për postin e kryeministrit të ri, në prill të vitit 2021, janë përplasur për planin ekonomik të daljes së vendit nga kriza. Kryeopozitari Lulzim Basha, në një dalje para mediave gjatë paradites, prezantoi një plan me 5 pika për menaxhimin e pandemisë së COVID-19 dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, duke sugjeruar qeverinë aktuale që ta adaptojë këtë plan në 6 muajt e mbetur.

Basha propozoi bonuese për mjekët e infermierët dhe për biznesin e vogël. Disa orë më vonë ishte kryeministri Edi Rama, i cili garon për një mandat të tretë kryeministror, i cili e quajti “joserioz” planin e kundërshtarit të tij politik, ndërsa pranoi që ekonomia ka pësuar goditje, duke nisur që nga fundviti i shkuar, me tërmetin e 26 nëntorit.

Ai premtoi se qeveria po finalizon një vendim të rëndësishëm për rritje pagash në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, ndërsa theksoi se papunësia e krijuar nga pandemia do të vijë në ulje. Rama premtoi gjithashtu rritje të pagës minimale dhe rishikim taksash për biznesin e vogël.

Basha: Plan me 5 pika për të dalë nga kriza

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat, ka dalë me disa zgjidhje propozuese për qeverinë për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 në vendin tonë. Në fjalën e tij ai foli për planin e rimëkëmbjes së opozitës nga epidemia COVID-19, duke prezantuar 5 hapat që Partia Demokratike, sipas tij, do t’i zbatonte në këtë situatë.

Basha më tej ka hedhur akuza ndaj qeverisë, duke thënë se nuk i ka mbështetur qytetarët dhe se rruga që ka zgjedhur nuk është ajo e duhura për të përballuar pandeminë. “Këto 6 muaj kanë qenë muaj të vështirë për të gjithë qytetarët, sipërmarrjen, çdokush i ka ndier pasojat e drejtpërdrejta shëndetësore, ekonomiko-sociale të pandemisë. Këto 6 muaj nuk kanë shërbyer për të vënë në jetë një plan masash për Covid-in dhe efektet që ka pasur.

Të gabosh është njerëzore, por për opozitën këto janë faje, jo gabime. Prej marsit ne kemi dhënë propozime konkrete, por kurrë nuk u zbatuan e mbetën në letër. Nuk jam këtu për të drejtuar gishtin tek ajo që nuk është bërë. Por të njëjtët shkaktarë vazhdojnë lojëra propagandistike. Vendi po përballet me një katastrofë. Ka një temë plani i rimëkëmbjes dhe 5 hapa për t’u përballur me krizën.

Është kontributi i PD-së në këtë pandemi. Shumica e njerëzve janë zhytur thellë në krizë. Nuk kanë mundësi të blejnë as me lista, se nuk kanë më siguri as dyqanet. Konsumi ka rënë në pikiatë. Edhe për shëndetësinë situata ka ardhur duke u përkeqësuar. Është përkeqësuar gjendja e vijës mbrojtëse, e mjekëve e personelit shëndetësor. Edhe për fillimin e shkollave ka raste në rritje.

Apo vaksinimi i popullatës kundër gripit. Pamundësi elementare për konsum të përditshëm, deri te dalja me humbje e bizneseve.” – tha Basha. Planin për rimëkëmbje me 5 hapa, kreu i opozitës e ka cilësuar si një ofertë për qeverinë në 6 muajt e fundit, para zgjedhjeve të reja parlamentare.

Plani i opozitës për daljen nga kriza:

  1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor për një shpërthim tjetër, që është hartuar nga specialistë të mirë. Rritjen e testeve për Covid-in 2500 teste në ditë. Jemi me testet më të ulëta. 35% e testimeve janë pozitive dhe duhen rritur. Nëse do të ishte bërë më përpara, s’do të ishim sot kështu. Numri minimal është 2500. Rimbursim i plotë i atyre që kanë kosto për trajtim me Covid. 6 mije lekë është kostoja për ata që trajtohen në shtëpi. Shkon edhe 100 mijë lekë në muaj. Asgjë nuk rimburosohet. Një pikë është rimbursimi i plotë. Pika e tretë është për mbrojtjen e mjekëve. Pajisjet mbrojtëse nuk mjaftojnë. 1000 euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët. Të mbahet fjala për 6 muajt e ardhshëm.

 

  1. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurt: të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurt, duke: a) përmirësuar kushtet sanitare në shkolla, duke përfshirë furnizimin me ujë, pajisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore; b) kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës; c) investuar në teknologji, për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulëta, për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.
  2. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:
  3. a) Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekësh të reja në muaj, përveç pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh. b) Krijimi i një Fondi të Punësimit, për t’i mbështetur bizneset që të rimarrin në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar çdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekësh të rinj në muaj për një periudhë prej 6 muajsh. c) Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike. d) Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekësh të rinj në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.
  4. Ndihmë për biznesin e vogël: mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla, të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.
  5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj: a) për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambientet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambienteve të punës. b) Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dyja skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.

Për shëndetësinë dhe ekonominë

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në propozimet e tij për qeverinë për daljen nga kriza ekonomike preku dy sektorë, shëndetësinë dhe biznesin e vogël. Sipas tij, gjendja e shëndetësisë dhe e ekonomisë kërkon masa urgjente sot më shumë se kurrë. Në këtë kuadër, ai detajoi një paketë ndihme me kosto 312 mln euro për 6 muaj. “Pritshmëria për një valë të dytë Covid nuk është vetëm konstatim i ekspertëve, por e ka paralajmëruar dhe OBSH-ja e BE-ja.

Ajo që po themi është se ky alarm nuk mund të injorohet më. Ajo që shohim është kontrast i thellë i sjelljes së qeverisë në dy muajt e parë të pandemisë dhe sjelljes së qeverisë sot. Sot numri i infeksioneve është 5-6-7 herë më i lartë. Masat që propozojmë për 6 muajt e ardhshëm përllogariten në 52 mln euro në muaj. Efekti total, 312 mln euro në total për 6 muajt e ardhshëm, duke filluar nga tetori.

Kjo përbën 2,45% të PBB-së të Shqipërisë. Nuk na çon te vendet me paketën më ambicioze në rajon, por na nxjerr nga niveli afrikan i shpenzimeve. 0,86 janë shpenzimet totale të qeverisë për t’u përballur me Covid-in. Ku do të gjenden këto para? Vetëm dje i kanë dhënë mafies së inceneratorëve 1 mln euro. Në total, 1 milion euro në ditë, qindra miliona euro në muaj për kontrata korruptive. Të anulohen dhe gjithë këto para dalin e mjaftojnë për paketën që sapo thashë për të gjithë zërat”, deklaroi Basha.

Ndërsa për ekonominë kreu i PD-së u fokusua te bizneset e vogla, për të cilat propozon çek 1 000 euro si ndihmë për të dalë nga pandemia. “Të mbështeten individët që kanë humbur punën. Duhen mbështetur bizneset. Të dyfishohet ndihma ekonomike për 6 muajt e ardhshëm. Duhen dhënë 16 mijë lekë në muaj për çdokënd që humb vendin e punës. Të jepet 1000 euro për çdo biznes të vogël.

Të jepet çek për çdo pensionist me 2 mijë lekë të rinj. Nëse merren këto masa, populli do të ishte më mirë”, tha Basha. Po ashtu, ai këmbënguli që mjekët dhe infermierët që po përballen me pandeminë, të marrin shpërblim nga 1000 euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët.

Lexo edhe :  Cila është mosha kur ndihesh më i/e vetmuar?

 

Goditja e ekonomisë /Rama premton rritje pagash, ulje taksash

 Tërmeti dhe pandemia ndryshuan kahun pozitiv të ekonomisë. Kur jemi vetëm 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare, qeveria e drejtuar nga socialistët po planifikon rritje pagash dhe ulje taksash, për t’i ndihmuar qytetarët të kalojnë krizën ekonomike. Kryeministri Edi Rama disa orë pas konferencës së kryeopozitarit Lulzim Basha, i cili ofroi një plan për daljen nga kriza, mbajti një konferencë për mediat lidhur me situatën ekonomike dhe programin e rindërtimit.

Rama komentoi planin e Bashës për rimëkëmbjen e ekonomisë, duke e etiketuar si “mungesë serioziteti”. “Atë që quani kandidatin për kryeministër është shalqi me provë, i pangrënshëm. Sepse nuk është i ardhur nga Hëna, por ka qenë në provë disa herë. Platformat alternative janë thjesht shprehje të mungesës së seriozitetit. Larg qoftë të kishte ndodhur që flama e Covid-it ta kishte gjetur këtë vend me atë kandidatin dhe klubin e asaj të ashtuquajturës opozitë e bashkuar.” – tha Rama.

Më tej shefi i qeverisë pranoi se ekonomia mori goditjen e parë nga tërmeti dhe më tej nga pandemia. Por ai ishte optimist që situata do të ndryshojë deri në shkurt të vitit që vjen. “Rindërtimi një proces që përtej faktit që do të rikthejë në shtëpi të gjitha familjet e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit dhe do të kthejë në shkollat e tyre tërësisht të reja të gjithë nxënësit dhe mësuesit që sot vazhdojnë ta kryejnë procesin e mësimdhënies në shkolla të tjera, ka dhe një impakt të padyshimtë ekonomik, që i vjen në ndihmë vendit dhe njerëzve në këtë periudhë të vështirë nga Covid-i.

Deri një ditë para tërmetit, projeksionet e ekonomisë shqiptare ishin shumë pozitive, duke iu referuar shifrave zyrtare dhe të konfirmuara nga institucionet financiare, papunësia e cila për vitin 2019 ishte më e ulëta në rajonin tonë, me 11%, pritej të shkonte dhe më poshtë; borxhi në trajektore rënëse, nën 65%, investimet e huaja dhe turizmi, falë rritjes së mëtejshme të numrit të turistëve të huaj, patjetër do të kishin një impakt të shtuar, por gjithçka ndryshoi me tërmetin e parë të 26 nëntorit dhe me tërmetin e dytë, virusin COVID-19.

Sidoqoftë, masat e marra nga qeveria në të dy drejtimet, konferenca jashtëzakonisht e suksesshme në Bruksel e donatorëve, që na çliroi përfundimisht nga ankthi se do të na duhej të spostonim krejtësisht gjithçka nga pikëpamja financiare te rindërtimi, duke lënë mënjanë çdo investim tjetër, si dhe paketat e shpëtimit në periudhën e karantinës së përgjithshme, kanë ndihmuar që sot mund të themi pa frikë tanimë, duke parë dhe rezultatet e periudhës pasuese, nëse mund të kishim kaluar lehtësisht në -10% të PBB-së, presim të kufizohemi në më pak se 4,5%. Nuk është pak si parandalim.” deklaroi Rama.

Papunësia

Kryeministri Edi Rama pranoi se problemi i papunësisë që u krijua në 3 muajt e izolimit po shkon drejt zgjidhjes. Ai tha se Shqipëria është vendi që ka humbur më pak dhe premtoi se brenda 1 viti do ta tejkalojmë shkurtin e 2020-ës. Sipas tij, 13 mijë persona rezultojnë ende të papunë, që pas vendosjes së vendit në karantinë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shifra këto, sipas tij, më të ulëta krahasuar me vende të tjera.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u zotua se brenda vitit qeveria, falë programit të ripunësimit, do t’i tejkalojë shifrat e shkurtit të 2020-ës. “Gjatë javës së fundit kemi marrë masa të tjera, e para për ripunësimin. Për personat që humbën vendin e punës gjatë karantinës, sot kemi një shifër të saktë. Kemi 13 mijë persona ende të pariintegruar, nga rreth 33 mijë që e humbën vendin e punës si pasojë e karantinës.

Krahasuar me vendet e tjera, besoj se hyjmë te vendet që kemi humbur në terma relativë më pak. Sot jemi në kushtet kur janë 1 mln minus në Rumani, apo 45 mijë në Kosovë. Serbia 200 mijë. Këto nuk janë për të thënë se jemi përballë një çudie, apo mrekullie. Duam t’i ripunësojmë më shpejt ata që ishin të punësuar më herët. Ndaj kemi vënë në dispozicion programet e ripunësimit. Në harkun e një viti, do ta tejkalojmë nivelin e shkurtit të këtij viti, muaji i fundit para karantinës, ku ka pasur 11% papunësi, shifër e konfirmuar nga Banka Botërore.

Jo në raport me ata që bëjnë spekulime dhe thonë se ‘jo ka njerëz që kanë ikur nga Shqipëria’. Ky i shkurtit është niveli më i ulët i popullsisë në rajon. Ne kemi një sfidë për të fituar, që është raporti mes vendit të punës dhe pagës, që patjetër duhet atakuar me rritjen e pagës minimale. S’do të ketë më pagë minimale nën 300000 të vjetër. Nuk flasim për një ‘do të’ , por për një ligj të Kuvendit të Shqipërisë në korrik.

Sot biznesi i vogël, deri në 100 mln xhiro, është i çliruar nga tatimfitimi dhe TVSH-ja. Ndërsa biznesi i vogël, ka TVSH-në dhe është i çliruar totalisht nga tatimfitimi.” – tha Rama. Sipas Ramës, rindërtimi do të gjenerojë rreth 15 mijë vende pune, si dhe në Tiranë do të ketë një volum investimi. “Plani për rritje të pagës minimale do të lehtësojë shtresën që paguhet më pak. Është masë e ndërmjetme mes së djeshmes dhe të nesërmes. Procesi i rindërtimit ka qenë dhe mbetet përparësi. Projektet tona, 70 të tilla në Tiranë, do të gjenerojnë 15 mijë vende pune.

Projektet tona impaktojnë 25 mijë persona dhe bëjnë që të ketë punë për 2 mijë persona direkt. BE-ja do të injektojë rreth 100 milionë euro. Ne shohim 250 milionë dollarë shtesë. Janë bërë kaq shumë ndërtime, në një kohë kaq të shkurtër. Shqipëria ka paketën më të madhe historike për publiken, pa cenuar borxhin publik. Situata ka prekur borxhin publik të Shqipërisë, siç ka prekur borxhin publik të të gjitha vendeve, pa përjashtim.” – pohoi kryeministri.

Rritja e pagave dhe ulja e taksave

Prej ditësh kryeministri po flet për një rritje të lartë të pagave të sektorëve më të ndjeshëm dhe që janë në përballje me pandeminë, si shëndetësia dhe arsimi, si dhe për rritjen me ligj të pagës minimale në 300 mijë lekë të vjetër në muaj. Ai këmbënguli dje se brenda javës tjetër do të merret vendimi final i qeverisë për pagat e mjekëve, infermierëve dhe mësuesve. Për bizneset, ai tha se do të rishikohet barra e taksave.

Rama tha se do të rishikohet taksa progresive, një taksë e vendosur pak vite më parë mbi rrogat e larta. “Për sa i përket taksës progresive, jemi duke bërë një plan dhe sapo ta kemi gati do ta ndajmë me ju, edhe aty me synimin që të lehtësojmë barrën e atyre që jetojnë me punë, flas për ata që jetojnë me një pagë. Duam të rrisim fuqinë blerëse të gjithsecilit, aq sa të jetë e mundur. Me platforma të krijuara dhe të trumbetuara në kushtet kur nuk ke asnjë përgjegjësi, kur nuk mban asnjë përgjegjësi dhe kur e di që shanset që ta japin atë përgjegjësi janë minimale, duke u lëshuar si Sudja dhe Vehbiu, me kap çfarë të kapësh, Shqipëria nuk bën përpara.

Prandaj, shqiptarët e kanë shumë të qartë”, theksoi ai. Kryeministri rikujtoi premtimin dhe vënien në zbatim të këtij premtimi, për përgjysmimin e taksës së biznesit të vogël, duke thënë se ky ligj do të vazhdojë deri në vitin 2029. “Ne jemi kujtuar për uljen e taksave në fund të vitit 2013, kemi premtuar përgjysmimin e taksës së biznesit të vogël dhe kemi ulur me paketën fiskale në 2014 gjysmë për gjysmë taksën për biznesin e vogël. Këtë nuk mund ta dijë askush tjetër që nuk do të marrë të vërtetën apo që nuk është drejtpërdrejt i lidhur me biznesin. Premtimin e kemi dhënë përpara se të vinte karantina e Covid-it.

Deri në vitin 2029 do të garantojmë duke pasur njëkohësisht të drejtën ta bëjmë këtë, nuk do të ketë taksë me TVSH për biznesin e vogël. Ne në korrik e kemi bërë ligj dhe jo premtim dhe këtë do ta mbajmë deri në vitin 2029”, u shpreh kryeministri./Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Zbulohet faktori i ri që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ja për kë bëhet fjalë

Nëse do ta përfytyronit trupin tuaj si një makinë, zemra do të ishte motori. Zemra, një organ muskulor që ndahet...

Njohja e pensioneve me Italinë, nga e hëna drafti diskutohet në komisione parlamentare!

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare. Drafti parashikohet të prezantohet...

Puka dhe Tropoja bëhen bashkë dhe dhurojnë një mbrëmje të paharruar në “Gëzuar me ju”

Në programin “Gëzuar me ju” ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri, me origjinë nga Puka, dhe Arif Dushaj, nga...

Thuajse të gjithë po e lexojnë gabim takimin e Ramës!

Nga Alban Daci Disa e quajnë takim elektoral me patronazhitë që ndoshta është edhe e vërtetë! Disa thonë se Rama e mbushi stadiumin me autobuzë nga...

Shkëmbimet tregtare / Ja ç’po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

Lajme të tjera

Web TV