Leonard Karaj: “Meta flet ende si kryetar i LSI-së, Rama po dhunon Kodin Zgjedhor”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Presidenti Ilir Meta shton tonet ndaj qeverisë dhe Ramës, duke kërcënuar që nëse nuk zbatohet marrëveshja politike “pozitë-opozitë” e 5 qershorit atëherë do të reagojë me çdo çmim… Përse po shtohet protagonizmi i dyshes Meta – Rama dhe a po anashkalohet qëllimisht PD-ja dhe lideri i saj? Në një analizë të zgjeruar për gazetën “Fjala” flet analisti Leonard Karaj.

Mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama thuajse çdo ditë ka përplasje verbale në distancë, por shtimi i akuzave të ndërsjella, deri në kërcënime, lidhet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që si pikë kyçe ka heqjen e koalicioneve. Meta theksoi se në rast se shkelet marrëveshja e 5 qershorit, atëherë do të ishte njëlloj si një tentativë për grusht shteti, duke “premtuar” se presidenti këtë tentativë nuk do ta pranojë me çdo lloj çmimi. Përse ky agresivitet?

Parimisht presidenti Meta ka të drejtë kur thotë që marrëveshja e 5 qershorit nuk mund dhe nuk duhet të preket. Politika është art i kompromiseve dhe marrëveshjeve, por duket se këta terma nuk i ka në fjalorin e vet Edi Rama. Ose i ka dhe i përdor vetëm kur i leverdis atij personalisht (as edhe për faktin se përfaqëson një forcë politike të madhe si PS-ja). Mënyra se si kryeministri ka ndryshuar qëndrim gjatë tre muajve të fundit (me lista të hapura, me lista gjysmë të hapura, me koalicione, por ashtu siç do ai, me prag apo pa të fare etj), është më e pakta tallje ose “përdhunim”, i Kodit Zgjedhor. E kam shumë të vështirë të kuptoj politikëbërjen e kryeministrit, i cili në këto momente është i gatshëm të shesë gjithçka, madje edhe partinë e vet (sepse Shqipërisë ia ka mbyllur dyert e Evropës me kohë), vetëm e vetëm që ai të jetë sërish kryeministër, ose më e pakta “the king maker” për postin e presidentit në 2022-shin. Dhe për të pasur këtë rezultat do të duhet që minimalisht të nxjerrë jashtë nga skena politike LSI-në e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Sado që Meta të thotë se ai nuk ka lidhje me këtë parti, të gjithë e dimë, se LSI-ja ekziston vetëm falë Ilir Metës. Dhe duke parë lëvizjet e Ramës, për eliminimin me çdo kusht të kuoalicioneve parazgjedhore, formulë kjo që dëmton rëndë partitë e vogla, atëherë afërmendsh që do të kishim një reagim të tillë të presidentit. Të kuptohemi qartë: një LSI e dobët më 25 prill 2021 është ogur i mirë për Ramën, kjo pasi votuesi i kësaj partie është kryesisht i majtë. Një LSI në kuotat e zgjedhjeve të 2009-s ose edhe më keq, nuk do të ishte “gjemb” në këmbë as për kryeministrin e ri dhe forminin e qeverisë vitin e ardhshëm dhe as për presidentin e ri në 2022. Këtë gjë e di fort mirë Rama, Basha, por më shumë se të gjithë, Meta.

Nga ana tjetër, opozita në bllok (si subjekte politike, të cilat janë drejtpërdrejt të intersuara), ende nuk ka shpërthyer në “ultimatum”, dhe rolin e kundërshtarit të përflaktë ndaj mazhorancës e ka marrë Meta, kjo e dëmton apo e forcon opozitën, veçanërisht PD-në?

Nuk mendoj se agresiviteti i Metës e dëmton opozitën aktuale. Duket sikur në një farë mënyre krijon një lloj dualiteti, por shihet qartë se lidershipi i PD-së, është munduar më së shumti të merret me problemet ekonomiko-sociale gjatë kësaj periudhe sesa me “ultimatume”, të cilat realisht kanë treguar gjatë këtyre viteve të fundit se me një politikan të tipit Rama, nuk pijnë ujë fare. Ndaj, fakti se PD-ja e ka kuptuar më së miri këtë gjë, është një karakteristikë, veti e veçantë që i sjell veçse dobi. Nga njëra anë bën opozitën e qeverisë, duke mbështetur qytatarin dhe, nga ana tjetër, përplasjet verbale që prodhojnë kosto te votuesi, ia ka lënë Metës. Në fund të kësaj historie te selia blu e dinë mirë se për të ardhur në pushtet duhet të fitojnë besimin e humbur te votuesi dhe të mundin Ramën. Pak rëndësi ka më pas nëse formon qeverinë e vetme apo edhe me koalicion paszgjedhor. Dihet se pas mjaltit (kupto pushtetin), kur vjen momenti, shkojnë edhe grerëzat dhe jo më bletët…

Lexo edhe :  Meta uron Ditën Ndërkombëtare të Nënës: Të mbrojmë familjen dhe vlerat e saj më të çmuara

Edhe pse palët janë shumë larg marrëveshjes përsa u përket ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, faktori ndërkombëtar duket disi i tërhequr. A pritet një riaktivizim i tij për t’i detyruar palët të dakordësohen në momentet e fundit, apo u është lënë “dorë e lirë” që palët kundërshtare ta gjejnë vetë zgjidhjen?

Edi Rama sot është personi më i sulmuar politikisht, jo vetëm nga faktori i brendshëm, por edhe nga ndërkombëtarët dhe këtë damkë kryeministri ia ka vënë vetvehtes me vetëdije të plotë. Por unë nuk pres që ambasadorët të bëjnë ndonjë mrekulli. Duket qartë se kryeministrit në këto momente nuk i intereson fare se çfarë mendimi ka ambasadori i SHBA-së apo edhe ai i OSBE-së. E vetmja gjë që për të ka rëndësi është mënyra se si do t’i rregullojë aktet nënligjore për të shkuar në zgjedhje sa më i favorizuar. Dhe kur, Rama nuk mori parasysh mendimin e ndërkombëtarëve për ndryshimet e 31 korrikut, për të cilat këta të fundit ishin kategorikisht kundër, nuk e besoj se do të tkurret tanimë që ka bërë më shumë se ¾ e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor siç atij ai i shkojnë përshtat. Por përtej ndërkombëtarëve, ajo që bën më shumë çudi në këto momente është opozita parlamentare, e cila pasi “u përdhunua” nga Rama më 24 korrik, pranon sërish të gënjehet, duke besuar ende se kryeministri do të hapë realisht listat për deputet.

Përlasjet e ashpra politike, me akuza të ndërsjella, cinizëm apo ironi, të cilat sot duken hapur mes presidentit dhe kryeministrit, a i shmangin debatet e vërteta mbi programet, premtimet dhe llogaridhënien para qytetarëve, në prag të zgjedhjeve të ardhshme?

Kjo është mënyra më e mirë për politikanë të tipit Rama që të ardhen e afërt të tyre e lidhin me barsaleta të momentit. Mos harrojmë: PS-ja fitoi 74 mandate në 2017 me batuta dhe barsaleta që Edi Rama tregonte në mënyra të ndryshme, në qytete të ndryshme. Në këtë këndvështrim nuk duhet të presim dhe të habitemi se do të shikojmë ndonjë program konkret apo qasje reale ndaj problemeve të shqiptarëve. Aktualisht, vetëm PD-ja po mundohet që ta cekë votuesin duke shpalosur programin e vet, paçka se jemi ende muaj para zgjedhjeve. Kësisoj kakofonia e momentit është edhe si një lloj shpëtimi i kësaj mazhorance për t’u larguar nga llogaridhënia ndaj qytetarëve dhe bataku ekonomik ku e ka zhytur këtë vend, aktualisht ndër më të varfrit në Evropë (për të mos thënë më i varfri).

Të fundit

Ekzekutimi i efektivit në Fier, reagon drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Do bëjmë gjithçka që autori të dalë para ligjit, thotë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, për Asllan Mernicën,...

U betua në emër të Maqedonisë! Edhe Bullgaria reagon ndaj presidentes Davkova

Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, si dhe marrëveshje...

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”/ Reagon Balla: Autori të dorëzohet

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i ka bërë thirrje autorit të vrasjes së policit në Fier, Novruz Cenalia që të dorëzohet. Në një prononcim për...

Surpriza e motit për ditën e nesërme, ja çfarë pritet të ndodhë me temperaturat

Në vendin tonë moti do të jetë me vranësira dhe reshje shiu me rrebeshe me në mesditë dhe pasdite në zonat pranë maleve. Era do...

Ja pse stresi bën që të shtoni peshë

Stresi ju bën të shtoni peshë: disa kërkime shkencore e konfirmojnë këtë njëherë e përgjithmonë. Pavarësisht nga lloji i reagimit që kanë njerëzit individualë...

Lajme të tjera

Web TV