Shkeljet/ Gjashtë gjyqtarë dhe prokurorë në lupën e ILD-së 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka dorëzuar raportin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo. Ky është raporti i parë i dërguar në KLGJ nga ky institucion, ku kërkohet pezullimi nga detyra i gjyqtarit Kuqo, i cili liroi nga burgu Gerd Gjenerarin, të dënuar me burg për jetë nga gjykata e Milanos. Përveç Kuqos, ILD-ja ka nisur hetim disiplinor për 6 gjyqtarë e prokurorë të tjerë, dhe pas përfundimit të hetimeve raportet do t’i dorëzohen KLGJ-së dhe KLP-së për të marrë një vendim.

 Nga Elvis Myrta 

Problemet në sistemin e drejtësisë shqiptare janë të shumta, por një ndër më kryesoret është ai i korrupsionit, i cili ka përfshirë pothuajse të gjitha hallkat e këtij sistemi. Si rrjedhojë e korrupsionit në drejtësi vitet e fundit shumë personazhe të botës së krimit, edhe pse të dënuar me burgim të përjetshëm, kanë fituar lirinë, duke u shpëtuar hekurave me anë të vendimeve arbitrare. Në fillim të këtij viti dy emra të njohur të botës së krimit, Gerd Gjenerari dhe Endrit Dokle, të dy të dënuar me burgim të përjetshëm, u liruan nga burgu. Vendimi për lirimin e Dokles u dha nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, ndërsa për Gjenerarin nga gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqo. Menjëherë pas lirimit të tyre, me anë të një shkrese, Ministria e Drejtësisë i kërkoi ILD-së, shkarkimin e tyre.

Pas marrjes së ankesave Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimet ndaj dy gjyqtarëve të lartpërmendur. Por, përveç Hoxhës dhe Kuqos është edhe një gjyqtar tjetër, si dhe tri prokurorë të prokurorive të rretheve për të cilët ILD-ja ka nisur hetim disiplinor, pasi dyshohet se ata kanë kryer disa shkelje. Interesimit të gazetës “Fjala” për këtë çështje ILD-ja iu përgjigj se ka vënë nën hetim disa gjyqtarë dhe prokurorë e, për shkak të konfidencialitetit, nuk mund të japë informacion për emra të veçantë. ILD-ja ka përfunduar hetimin disiplinor për gjyqtarin Markelian Kuqo, i cili vendosi për lirimin e Gjenararit. Ditën e djeshme gjyqtari Kuqo doli përpara Këshillit të Lartë të Gjyqësorit për t’u pyetur në lidhje me lirimin e Gerd Gjenararit, i njohur ndryshe edhe me nofkën “Gjenerali”.

Përpara KLGJ-së, Kuqo ka thënë se faktet në hetimin disiplinor kanë mungesë të argumentit dhe paragjykojnë gjyqtarin. “S’jam dakord me pretendimet e ILD-së. KLGJ-ja të shqyrtojë problematikën se për çfarë ndodhem. S’kam komunikim zyrtar se pse ndodhem në procedim. Nuk i kuptoj arsyet pse nisi hetimi disiplinor ndaj meje. Faktet kishin natyrë paragjykuese, në mungesë të argumentit”, tha gjyqtari Kuqo. Në seancën e djeshme dëgjimore gjyqtari i qytetit juglindor kërkoi kohë për të dhënë argumentet e tij lidhur me vendimin që mori në shkurt të këtij viti.

“Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së magjistratit nën procedim për shtyrjen e seancës dëgjimore me datë 14 tetor 2020, me qëllim ushtrimin prej tij të së drejtës efektive të mbrojtjes, në zbatim të parimeve themelore të ligjshmërisë, si dhe procesit të rregullt ligjor”, thuhet në njoftimin e KLGJ-së. Gerd Gjenarari, u dënua në vitin 2000 me burgim të përjetshëm nga gjykata e Milanos në Itali, për vrasjen e Naim Zyberit. Për këtë vendim, një raport i detajuar i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, rendit një sërë shkeljesh që sipas këtij institucioni përbëjnë shkak për shkarkimin e gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo.

Shkeljet e gjyqtarit Kuqo, sipas raportit të ILD-së 

Në muajin shkurt të këtij viti titullarja e Ministrisë së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kërkoi hetim për gjyqtarin e Korçës, Markelian Kuqo. Shkak për këtë kërkesë ishte bërë një vendim gjyqësor i marrë nga gjyqtari Kuqo për lirimin me kusht të shtetasit Gerd Gjenerari, i dënuar me burgim të përjetshëm. Këshilli i Lartë Gjyqësor, kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë ia përcolli Inspektoratit të Lartë të drejtësisë, i cili nisi menjëherë nga puna për verifikimin e shkeljeve që mund të kishte bërë gjyqtari.

Pas verifikimeve që zgjatën rreth 5 muaj, ILD-ja doli në përfundimin se gjyqtari ka bërë një sërë shkeljesh, shkelje të cilat përbëjnë shkak për shkarkimin e gjyqtarit Kuqo. Tashmë, raporti është përfunduar dhe është në duart e KLGJ-së, e cila më 14 tetor, pasi gjyqtari të bëjë edhe mbrojtjen përpara kolegëve, duhet të marrë një vendim. Gerd Gjenerari, i dënuar me burgim të përjetshëm, vitin e shkuar e pa veten jashtë qelisë, pasi gjykata e Korçës me kryesues Markelian Kuqon, vendosi lirimin e tij me kusht. Gjenerari u arrestua në vitin 1997 në Itali, pasi akuzohej për disa vepra penale, nga vrasja tek armëmbajtja pa leje, trafik lëndësh narkotike dhe kryerje të krimit nga banda të armatosura. Në vitin 2014 ai u ekstradua nga Italia, për ta vuajtur dënimin e dhënë me burg për jetë nga autoritetet italiane në burgun e Drenovës.

Lirimi i tij me kusht në atë kohë u kundërshtua nga ministrja e Drejtësisë, e cila pak ditë pas vendimit iu drejtua Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme ndaj gjyqtarit. Por mungesa e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, institucion i cili u ngrit në fillim të 2020-ës, bëri që rasti të mbetej i arkivuar për gati një vit. Ndërsa një vendim i marrë në qershor të 2019-s nga Gjykata e Apelit të Korçës, e cila rrëzoi vendimin e gjykatësit Kuqo, nuk ndryshoi asgjë për Gjenerarin, i cili ndërkohë, ishte larguar pa lënë gjurmë.

Për rastin, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, u vu në lëvizje që në javët e para, duke nisur ndaj gjykatësit Kuqo, hetimin disiplinor, i cili përfundoi në fund të muajit korrik, me kërkesën për shkarkim, drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sipas raportit të ILD-së, i cili tashmë është në duart e KLGJ-së, gjyqtari i Korçës ka kryer një sërë shkeljesh. Sipas hetimit disiplinor, në marrjen e vendimit për lirim, gjykatësi Kuqo ka aplikuar ligjin që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale, i cili parashikonte se koha e nevojshme e vuajtjes së dënimit duhet të ishte 25 vjet, dhe jo 35 vjet, siç parashikon legjislacioni në fuqi.

Një interpretim i tillë sipas hetimit, konsiderohet i gabuar, pasi nuk ka respektuar një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë për rastet e fuqisë prapavepruese të ligjeve. Inspektorati i Lartë vëren gjithashtu se gjyqtari Kuqo, “ka qenë kontradiktor”, pasi në një moment tjetër, për të njëjtin rast, i është referuar ligjit të ndryshuar. Sipas vendimit të lirimit, i dënuari Gjenerari, plotëson kushtet për t’u konsideruar i rehabilituar, ndërsa mes të tjerash përmendet dhe sjellja e tij shembullore në burg. Por Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe në këtë rast vlerëson se përfundimet e gjyqtarit Kuqo “janë hipotetike, emocionale dhe të pambështetura në provat e administruara në gjykim” dhe se Gjykata e Apelit Korçë e cila rrëzoi vendimin e lirimit “ka konstatuar se nuk ka asnjë provë ku të mbështetet sjellja shembullore e të dënuarit, përveç citimit të kësaj shprehjeje në raportin e drejtorit të burgut të Drenovës Korçë, në një kohë që i dënuari ka qenë në këtë burg vetëm 11 ditë, në kohën e depozitimit të kërkesës”.

Lexo edhe :  Rama kërkon përfshirjen politike të Shqipërisë në BE/ Lehtësoni marrjen e huave!

Po ashtu, sipas hetimit disiplinor, nuk është mbajtur në konsideratë kriteri ndalues që nuk lejon lirimin me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje. Ndaj Gjenerarit rezulton të ketë dy vendime penale nga gjykatat italiane. Në vlerësimin e ILD-së thuhet se: “faktet dhe rrethanat janë parashtruar dukshëm në mënyrë të shtrembëruar dhe vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale të dy neneve të Kodit Penal”. Gjithashtu, ILD-ja në raportin e saj të hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit thekson se: “nga ana e magjistratit nuk është mbajtur në konsideratë krahas jurisprudencës së Gjykatës së Lartë… edhe vetë praktika e tij, e ndjekur gjatë trajtimit të kërkesave me objekt “Lirim me kusht”.

Në kërkesën për shkarkim drejtuar KLGJ-së, vihet në dukje se “këto veprime/mosveprime të tij janë kryer në mënyrë drejtpërdrejtë, të vazhduar, të vullnetshme dhe të pajustifikuar brenda të njëjtit proces gjyqësor”, duke arritur në përfundimin se “shkelja disiplinore është kryer nga ana e magjistratit Markelian Kuqo me dashje direkte”. Bazuar në këtë raport mëngjesin e 14 tetorit Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të vendosë, nëse do ta pezullojë apo jo nga detyra gjyqtarin Markelian Kuqo. Që pas ngritjes rreth një vit e gjysmë më parë, për KLGJ-në, ky do të jetë rasti i parë i vlerësimit të një kërkese për shkarkim të një magjistrati.

Raporti, në 6 muaj ILD-ja mori 1339 ankesa 

Në gjashtë muaj që nga krijimi i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, janë depozituar 1339 ankesa nga qytetarët dhe institucione të ndryshme. Në raportin e publikuar për periudhën shkurt-korrik 2020, theksohet se “pranë Zyrës së Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar rreth 1339 ankesa, ku për 1275 ankesa pas përpunimit të informacionit fillestar është konfirmuar administrimi dhe trajtimi i tyre; janë miratuar 88 vendime për arkivimin e ankesës pas shqyrtimit fillestar dhe verifikimit; janë miratuar 6 vendime për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistratëve; si dhe është nisur procedimi disiplinor për 2 magjistratë”. Konkretisht, pranë Zyrës së Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, janë depozituar 757 ankesa të marra nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si ankesa të prapambetura, si dhe 140 ankesa të depozituara nga institucione të tjera (KLP, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, Presidenti i Republikës, SPAK, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, gjykata, bashki etj.).

Gjithashtu, pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar 442 ankesa nga qytetarët dhe janë kryer 442 konfirmime mbi ankesat e depozituara nga qytetarët; 746 konfirmime mbi ankesat e prapambetura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, si dhe 87 konfirmime mbi ankesat e depozituara nga institucione të tjera. Gjatë kësaj periudhe, prioritet i punës së Zyrës së Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ka qenë edhe shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet i të gjitha çështjeve të cilat kanë pasur një impakt publik.

Në këto kushte, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka iniciuar kryerjen e një inspektimi tematik pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, gjykatave të apelit, si dhe të zyrave të prokurorive pranë tyre, mbi trajtimin e kërkesave me objekt “Lirim me kusht”, gjatë tre vjetëve të fundit.

 ILD-ja ka nisur hetim disiplinor edhe për gjyqtaren Enkelejda Hoxha 

Dy muaj më parë Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nisi hetim disiplinor edhe ndaj gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Hetimi disiplinor ndaj gjyqtares nisi pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor përcolli ankesën e paraqitur nga ana e Ministrisë së Drejtësisë pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Ankesa u regjistrua pranë zyrës së ILD-së më 25 shkurt të këtij viti. Nga shqyrtimi i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë rezulton se ankesa ishte korrekte dhe, për këtë arsye, nisi dhe hetimi.

Shkak për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Krujës u bë lirimi nga burgu i Endrit Dokles, i dënuar me burgim të përjetshëm. Pas vendimit për lirimin e Dokles, reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në një dalje për mediat, në atë kohë, ajo e cilësoi vendimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha për lirimin e Dokles nga qelia një kambanë alarmi për drejtësinë. Ministrja deklaroi se pas këtij vendimi ka kërkuar pezullimin e gjyqtares Hoxha. Për rastin Gjonaj kërkoi edhe ndjekje penale për gjyqtaren e Krujës. Dokle fitoi lirinë në fillim të këtij viti. Pa kaluar 24 orë nga vendimi për lirimin e Dokles, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm, institucioni i akuzës së Krujës kundërshton vendimin për lirimin e tij.

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, më 14 janar vendosi të pranonte kërkesën e ish-numrit dy të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, duke i shuar dënimin për jetë dhe dënuar përfundimisht me 25 vite. Duke qenë se ai ka kryer 3/4 e kësaj mase, është liruar nga qelia me kusht, pas 16 viteve në qeli. Dënimi për jetë ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja, por gjyqtarja e Krujës i rrëzoi të gjitha, duke e liruar Doklen nga qelia. Endrit Dokle nuk është personi i parë me rekorde kriminale që është lënë i lirë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Në të njëjtën mënyrë që gjyqtarja Hoxha, përdori për lirimin e Dokles, në nëntor të 2017-s, ajo liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar.

Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Paja u lirua disa ditë pas Tafilit. Ndërsa për lirimin e Tafilit dhe Pajës, brenda një jave, në atë kohë Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimin e vendimeve të kësaj gjyqtareje. Gjithashtu, gjyqtarja Enkeleda Hoxha në vitin 2018, vendosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja. Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, por gjyqtarja vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove. Në një tjetër vendim të sajin, gjyqtarja, një qytetareje i ka njohur vitet e punës që në moshën 5-vjeçare.

 

Të fundit

Çfarë do të ndodhë me paratë serbe të sekuestruara në veri?

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar e Kosovës nuk ka ende vendim gjykate për të administruar...

Njihet si fruti i ‘majit’/Mos i hidhni gjethet e Manave! Këto janë disa nga dobitë e tyre

Lëngu i gjetheve të manit është një thesar shijesh dhe vlerash që përftohet nga gjethet e manave. Kjo pemë e rëndësishme rritet me bollëk në...

Zbardhen bisedat/ Si Leonard Duka iu ‘lut’ Ervis Martinajt për të mbyllur sherrin

Ervis Martinaj dhe Leonard Duka njihen për miqësinë dhe më pas armiqësinë e tyre të betuar, pasi përplasja për biznesin e lojërave të fatit...

Shqiptarja sulmohet sapo lë fëmijët në shkollë, flasin fqinjët: Kishte probleme me…

Një grua shqiptare është goditur me thikë ditën e sotme jashtë një shkolle fillore në Londër. Ngjarja ka ndodhur pasi shqiptarja ka lënë fëmijët...

Për Bubulinën, apo për heroinën?

Nga Çapajev Gjokutaj  Javën që kaloi, në një apo dy media “online”, më saktë në katakombet e tyre, d.m.th në pjesën e rezervuar për komente...

Lajme të tjera

Web TV