Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus është shprehur se nuk dihet shumë në lidhje me imunitetin e zhvilluar ndaj Covid-19, pasi ka patur raste të infektimit për herë të dytë.
Në konferencën e tij për pandeminë, Ghebreyesus theksoi se shumica e njerëzve të infektuar me COVID zhvillojnë një përgjigje imune brenda javëve të para, por ende nuk dihet saktësisht se sa e fortë apo e qëndrueshme është kjo përgjigje imune, ose si ndryshon ajo tek njerëz të ndryshëm.
“Ka pasur edhe disa shembuj të njerëzve të infektuar me COVID për herë të dytë”, tha ai.
Drejtori i OBSH-së, përgjatë fjalës së tij, i dha përgjigje edhe atyre zërave që pretendojnë të lejojnë virusin të qarkullojë lirshëm, duke mbrojtur vetëm të moshuarit, me idenë për të garantuar imunitetin e tufës.
“Asnjëherë në historinë e shëndetit publik imuniteti i tufës nuk është përdorur si një strategji për t’iu përgjigjur një epidemie dhe jo më një pandemie”, tha Ghebreyesus.
Sipas tij, të lejosh një virus kaq të rrezikshëm për të qarkulluar lirshëm, kur ende nuk dihet shumë rreth tij, është një veprim komplet i pamoralshëm dhe për më tepër s’mund të konsiderohet një opsion.
Më tej, ai shpjegoi se imuniteti i tufës është një koncept i përdorur për vaksinimin, ku një popullatë mund të mbrohet nga një virus i caktuar, nëse arrihet pragu i vaksinimit.
“Për shembull imuniteti i tufës kundër fruthit kërkon vaksinimin e rreth 95% të popullsisë. 5% i mbetur do të mbrohet nga vetë fakti që virusi nuk do të përhapet në mesin e atyre që janë vaksinuar. Për poliomielitin, pragu është rreth 80%. Thënë ndryshe, imuniteti i tufës arrihet, duke mbrojtur njerëzit nga një virus dhe duke mos i ekspozuar ata ndaj tij”, tha kreu i OBSH-së./Re.D/Fjala.al