Trishtimi me dossier-ët e komunizmit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ato janë histori që vijnë nga një botë e vdekur. Dëshmi justifikuese, herë plot mllef e herë denigruese. Përcjellin diçka trishtuese e të zymtë, që nuk ka të bëjë më me optimizmin, ndryshe nga misioni zanafillor: “për një botë të re”. Janë histori që vijnë nga një botë e nëndheshme. Si për të na kujtuar edhe një herë që nuk është fort e lehtë të ndahesh nga e kaluara. Veç në funksionon vërtet ajo pajisja elektronike që lidhet me trurin e t’i fshin kujtimet njëherë e përgjithmonë.

I thashë të gjitha këto pasi vetë ai që u cilësua si “sistemi i barazisë” e mbylli kapitullin 70-vjeçar të jetës si mos më keq. Nuk ekziston më, veç në “Manifestin komunist”. Me gjasë nuk ka ndër mend të ringjallet. Por, gjithsesi, pas kanë mbetur kujtimet. Dhe jo pak.

Për shqiptarët janë 45 vite në mes. Njerëzit e kanë përjetuar, janë gjallë e plot dëshmi. Kanë jetuar si komunistë, kanë vdekur si kundërshtarë të betuar të tij, por dhe janë burgosur e internuar, se nuk janë përshtatur dot. Të gjitha këto tanimë, të ardhura në formë kujtimesh i përkasin tematikës “Dossier”. Në fakt, ky është një term i huazuar, pasi në shqipe ajo vjen si: “Dosje”.

Disa vite më parë, dossier-ët me historitë e komunizmit u bënë modë. Gati i gjithë shtypi i shkruar e kishte një rubrikë të tillë. Dy faqet e mesit të çdo gazete. Ndërsa titujt, ku spikaste emri i Enverit, i Mehmetit apo i Kadri Hazbiut, bashkë me fotografitë e tyre, zinin vendet qendrore të faqeve të para. Nxjerrje dokumentesh, dëshmi të parrëfyera më parë. “Partizanët apo Ballistët”, “U vetëvra apo e vranë Mehmet Shehun?”, “Çfarë qëndrimesh mbante Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike?”. “Ishte apo nuk ishte Kadri Hazbiu spiun i CIA-s?”. “Tradhtoi apo jo Beqir Balluku?”. Pyetje të shtruara me radhë që kërkonin përgjigje.

Dyfaqëshit më të rëndësishëm të gazetave vazhdonin të mbusheshin me dëshmi të padëgjuara. Ca të vërteta e ca fabrikime. Ndërsa lexuesit ishin rritur së tepërmi. Në fushën e marketingut ky dyfaqësh, që përgjithësish vazhdonte me cikle, përkthehej në arkëtim të ardhurash. Kishte gjithmonë rritje të tirazhit, shumë më tepër sesa atë ditë që në gazetë mungonte një rubrikë e tillë.

Gara ishte e madhe.

Për fatin tim të mirë apo të keq, m’u kërkua të bëhesha dhe unë pjesë e kësaj gare. E pranova ofertën. Ishim vetëm pak gazetarë që startuam njëri pas tjetrit dhe ambicia për t’ia dalë në krye, nuk më la. Kam shkruar me dhjetëra dossier-ë mbi bazë materialesh arkivore, si dhe kam marrë me qindra dëshmi të njerëzve që deri para viteve ’90 kanë pasur shumë pushtet. Nuk jam penduar. Tek e fundit kjo është punë. Ka lexues që e kërkojnë këtë lloj informacioni, siç ka

Lexo edhe :  Rama jep lajmin: Unaza e Madhe e Tiranës po avancon, përfundon plotësisht brenda vitit

plot të tjerë që janë të interesuar për faqet e krimit apo akoma dhe të tjerë që interesohen vetëm për bluetooth-in.

Por prej ca kohësh që kam kaluar në një sektor tjetër. Më duket sikur jam lehtësuar nga një ngarkesë. Ndërsa tek dëgjoj titujt e gazetave në mëngjes, nuk di pse më vrasin veshin temat që përbëjnë dossier-in. Më pas thjesht meditoj: A ishte e nevojshme të bëhej kjo garë e shfrenuar, të nxirreshin nga bota e kujtimeve, ashtu si nga nëntoka, kufoma që vetëm pak kohë më parë ishin varrosur?

Sot kanë kaluar vetëm 30 vjet nga ndarja me diktaturën. 20 vite më parë kur filloi kjo “mësymje” na ndanin vetëm 10 vjet. Ishte pak si herët për t’iu referuar të shkuarës që u ndamë me aq sherr, duke hipur nëpër muret e ambasadave, duke kaluar kufirin në këmbë e duke rrëmbyer anijet për të dalë në botën e lirë. A thua kaq shpejt na mori malli për të keqen…?

Për të paktën 15 vite me radhë vazhdoi kjo fushatë, që në pamje të parë të jepte përshtypjen se nxitej më së shumti nga ideja e thithjes së lexuesve të moshës së tretë dhe të shitjes së gazetave në tirazhe të mëdha. Mund të jetë vetëm kjo dhe nuk ka bazë për teori tjetër konspiracioni. E, megjithatë, nga të gjitha pikëpyetjet e ngritura shumë pak prej tyre morën përgjigje.

Askush nuk e verifikoi dot nëse Mehmet Shehu u vra apo u vetëvra. Edhe për grupet armiqësore nuk u nxor ndonjë konkluzion nëse vërtet ishin të tilla. Madje edhe për qëndrimet e Enver Hoxhës në krye të Byrosë nuk u vendos pika mbi “i”. Ç’mbeti nga e gjithë kjo fushatë që mua m’u duk se ishte si një rrugë pa krye: nostalgji e risjellje e portreteve të diktaturës me të tjera penelata? Një lloj rehabilitimi nëpërmjet dëshmive ku e mira dhe e keqja bashkëjetonin…?

Dua t’u qëndroj larg dossierëve të komunizmit, nuk jam as konsumator i tyre. Por veshi më vritet çdo mëngjes. Djalli e mori, më bezdis vërtet. Mbase është pak qesharake, por më duket sikur më injektojnë pak heroinë të përzier me aspirinë e pluhur neoni. Përzierje problematike. Shpëlarje truri. Të vdes pak nga pak. Me sa duket, moda nuk ka marrë fund ende. Është tkurrur ca dhe është futur në ujë, por “dossier” me ngjarje nga diktatura vazhdon të botohet nëpër gazeta të ndryshme.

Pa dyshim, dossier-ë do të vazhdojnë të botohen akoma, përderisa gërmohet rreth Luftës së Parë Botërore, asaj të Dytës, dhe gjenden fakte të reja, edhe për Luftën e Ftohtë duhet të ketë shumë gjëra për t’u thënë.

Qenka e vështirë të ndahesh nga e keqja./Jo.Be/Fjala.al

 

Të fundit

“Kishte elementë provokues”/ Politologu zbardh detaje nga fjalimi i Ramës në Athinë

Politologu Ilir Kalemaj tha në një studio televizive, se në fjalimin që Rama mbajti para shqiptarëve në Greqi pati...

Ambasada Shqiptare në Athinë kërkon mësues për gjuhën shqipe në Greqi!

Ambasada Shqiptare në Athinë kërkon mësues për gjuhën shqipe. Ambasada informon sot çeljen e procesit të mbledhjes së shprehjeve të interesit, për programin e Ministrisë...

Flet djali i Belerit: Nuk ishte rastësi, Rama donte të provokonte me takimin në Athinë

Djali i Fredi Belerit Petro Beleri, në lidhje me deklaratat e Ramës për babain e tij, shprehet se “Zgjedhja e datës specifike besoj qartë se...

Njohja e pensioneve me Italinë, miratohet marrëveshja në Komisionin e Ligjeve në Kuvend

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve u diskutua ditën e sotme në komisionet parlamentare në Kuvend. Drafti u prezantua nga ekspertët në...

Rama e fitoi ‘bastin’ me Athinën

Nga Hamdi Jupe  Kryeministri shqiptar Edi Rama e fitoi “bastin” me Athinën zyrtare për organizimin e një tubimi me shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në...

Lajme të tjera

Web TV