COVID-19/Virusi “pushton” shkollat, kurba e infektimeve në rritje

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pavarësisht masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 në vend, duket se shkollat po kthehen në vatra të infeksionit.

Shkolla të ndryshme të arsimit parauniversitar në vend paraqesin raste të shumta pozitive me virus, ndërsa ngrihen pikëpyetje, nëse këto shifra do të sjellin mbylljen e shkollave dhe rikthimin e mësimit on line.

Nga Ina Allkanjari

Bota po gjunjëzohet përballë pandemisë COVID-19, ku me miliona qytetarë janë konfirmuar pozitivë me koronavirus dhe mijëra të tjerë e kanë humbur betejën me “armikun e padukshëm”. Ndërsa një valë e dytë e virusit po përhapet në Evropë, Shqipëria po paraqet shifra më të larta sesa në fillim të pandemisë.

Ndonëse në vend janë rikthyer masat kufizuese, ku prej disa ditësh tashmë mbajtja e maskave në ambiente të hapura dhe të mbyllura është e detyrueshme, ende shifrat e të prekurve me virus vijojnë të paraqiten të larta.

Në 24 orët e fundit në Shqipëri është vendosur një tjetër rekord negativ, pasi u shënuan 295 raste të reja me koronavirus nga 1413 testime që u realizuan. Kur ndodhemi rreth 1 muaj pas rihapjes së shkollave dhe fillimit të mësimit për arsimin parauniversitar në vend, vijojnë të paraqiten raste pozitive me virus mes arsimtarëve dhe nxënësve.

Gjatë ditës së djeshme në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet kanë rezultuar të infektuar me koronavirus 5 mësues dhe 3 sanitare. Më herët në këtë shkollë dolën pozitivë 5 mësues të tjerë dhe 29 persona u karantinuan. Mësohet se për këta 29 kanë dalë përgjigjet e tamponit, nga ku rezultuan positive edhe 5 mësues dhe 3 sanitare, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në këtë shkollë në 13 persona.

Bëhet me dije se mësuesit e infektuar do të zëvendësohen më mësues të tjerë, në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje për nxënësit. Në lidhje me infektimet në këtë shkollë, ka reaguar Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, duke deklaruar se në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, mësimi po vijon normalisht.

DPAP-ja sqaron në reagimin e saj se  për shkak të infektimeve në këtë shkollë, ku si pasojë disa mësues të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP-së janë marrë masat të menjëhershme për zëvendësimin e tyre, në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. “Dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht.

Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP-së dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social.

Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, kurse dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme”, deklaron DPAP-ja. Më tej në reagim ky institucion i siguron prindërit dhe të gjithë opinionin publik se po punohet intensivisht që ambientet e shkollave të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe e gjithë stafit ndihmës të shkollave.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme janë shënuar raste pozitive me COVID-19 edhe në disa shkolla të tjera të arsimit parauniversitar. Në shkollën 9-vjeçare “1 Maji”, në Tiranë, kanë rezultuar pozitivë me virus një mësuese dhe një nxënës.

Ndërkohë mes rasteve pozitive të konfirmuara në Gjirokastër, mësohet se është konfirmuar me virus një mësuese te shkolla 9-vjeçare “Urani Rumbo” dhe një nxënës në një shkollë 9-vjeçare private. Si rrjedhojë, bëhet me dije se i janë marrë tamponet të gjithë stafit mësimdhënës në të dyja shkollat.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët që të vijojnë të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave anti-COVID për të frenuar përhapjen e këtij infeksioni. Rihapja e shkollave e rrit mundësinë e shtimit të rasteve, ndaj, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kujdesi i prindërve, mësuesve dhe nxënësve duhet të jetë më i lartë.

Për shkak të rritjes së shifrave të të infektuarve me COVID-19 në vend, qeveria ka marrë masa shtesë për të parandaluar përhapjen e virusit. Kujtojmë se më 15 tetor, maskat u bënë të detyrueshme edhe në rrugë, si pjesë e parandalimit të infektimit me koronavirus.

Lexo edhe :  Ëndrra amerikane, sa shqiptarë emigruan në 9 vite

Situata epidemiologjike

Koronavirusi vijon të shënojë fatalitete në vend. Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë me COVID-19, tre qytetarë, duke e çuar numrin total të viktimave në 454. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se betejën me COVID-19 e ka humbur një 47-vjeçar nga Tirana, një 53-vjeçare dhe një 64-vjeçar nga Durrësi, me sëmundje bashkëshoqëruese.

Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 259 pacientë, 22 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Ndërkohë mësohet se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1413 teste, ku kanë rezultuar pozitivë me virus 295 qytetarë.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 74 të prekur në Tiranë, 39 të prekur në Durrës, 30 raste në Shkodër, 22 raste në Lushnjë, 12 raste në Vlorë, 11 raste në Fier dhe Pogradec, 10 raste në Krujë dhe Berat, 9 raste në Elbasan dhe Lezhë, 7 raste në Gjirokastër, 6 raste në Kurbin, 5 raste në Divjakë, 4 raste në Kukës, Tropojë, Përrenjas, Skrapar, 3 raste në Sarandë, Gramsh, Kuçovë, 2 raste në Has dhe Shijak, 1 rast në Fushë-Arrëz, Devoll, Kavajë, Mirditë, Rrogozhinë, Mallakastër, Librazhd, Mat, Përmet, Roskovec, Klos. Gjatë ditës së djeshme, gjithashtu, u regjistruan 96 qytetarë të shëruar, duke e çuar në 10167 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet me një thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me respektimin e rregullave. “Shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim. Përdoreni maskën kudo në ambientet jashtë shtëpisë, ruani distancën dhe kujdesuni për higjienën”, deklaron Ministria e Shëndetësisë.

Përdorimi i maskës

Në një video-mesazh të publikuar nga ministrja e Shëndedetëisë, Ogerta Manastirliu, mjeku Tritan Kalo tregon rëndësinë e përdorimit të maskës gjatë kësaj periudhe pandemie. Sipas tij, maska duhet mbajtur gjatë gjithë kohës për të pakësuar rrezikun e infektimit me anë të gojës apo hundës, por edhe për të mbrojtur të tjerët.

“Problemi është për të mbyllur mundësinë e përhapjes së infeksionit në popullatë. Dhe një nga këto mënyra për të mbyllur, ose për të pakësuar rrezikun e infeksionit, është pikërisht mbyllja e hyrjes së mikroorganizmit që quhet Sars-Cov 2 në rrugët tona të sipërme respiratore dhe mbajtja e një maske ose e një mbulese të këtyre vijave për të pakësuar sasinë e dëpërtimit të virusit në organizmin tonë”, shpjegon Kalo, teksa thekson se në këtë situatë është më e lehtë që virusi të parandalohet sesa të kurohet. 

Detaj

Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë me COVID-19, tre qytetarë, duke e çuar numrin total të viktimave në 454. Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 259 pacientë, 22 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Ndërkohë mësohet se nga1413 teste të realizuara në 24 orë, kanë rezultuar pozitivë me virus 295 qytetarë.

Tabelë

COVID-19 – Statistika (19 tetor 2020)

 

Raste të reja ditore                 295

Të shëruar në 24 orë               96

Humbje jete në 24 orë              3

Testime ditore                     1413

Testime totale                108.782

Raste pozitive                   17350

Raste të shëruara             10167

Raste aktive                       6729

Humbje jete                          454

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë                    3307

Durrës                     693

Shkodër                  477

Fier                          419

Korçë                       404

Lezhë                      350

Elbasan                  293

Vlorë                      243

Berat                      202

Kukës                    172

Dibër                       86

Gjirokastër              83

 

 

Të fundit

Inteligjenca artificiale na ndihmon të interpretojmë tingujt e kafshëve

Cilido qoftë mendimi juaj për atë që përgjithësisht (dhe shpesh në mënyrë të pahijshme) quhet "inteligjencë artificiale", nuk ka...

Makina që drejton vetë vendos rekord botëror të shpejtësisë!

Një moment historik i ri për lëvizshmërinë autonome është arritur në Qendrën Hapësinore Kennedy: Maserati MC20 Coupé , i pajisur me një shofer AI të zhvilluar nga Universiteti Politeknik i...

Një monografi për artisten Safete Toska, “fisnikja tironse” e këngës qytetare

Nën zërin e mrekullueshëm të këngëtares Safete Toska në sfond, u promovua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit monografia Safete Toska – Fisnikja...

I kemi parë në filmat e Disney/ Makinat fluturuese tashmë janë një realitet!

E keni parë në veprim në sagën Back to the Future dhe Blade Runner , por edhe në Total Recall , Harry Potter dhe madje edhe në një film të vjetër të...

SHBA tërheq trupat?! Makthi i Evropës mund të bëhet realitet

Politikanët evropianë besojnë se SHBA mund të tërheqë rreth 20,000 trupa amerikane nga rajoni, numri që ish-presidenti Joseph Biden përforcoi forcat evropiane në fillim...

Lajme të tjera

Web TV