Nga Leonard Veizi
Ai do të mbahet mend për kryeveprën e kompozuar prej tij “Valsi i lumturisë”. Por ai nuk do të harrohet as për muzikën e këngëve po aq të njohura: “I ëmbël zëri i gjyshes” apo “Kur këndoj për ty moj nënë”
Asnjëherë nuk ka një kohë të mirë për të vdekur. Dhe koha e përshtatshme nuk mund të gjejë as mirëkuptimin e mundshëm. Sepse vdekja është gjithmonë vdekje e pas saj nuk mund të rivish në botën e të gjallëve. Edhe Avni Mula, nuk mund të gjente dot një kohë më të mirë për t’u larguar nga kjo jetë. Me një situatë “Covidi” asgjë që mund të ishte njerëzore nuk mbetet e tillë. Sepse situatat e rëndëa globale, e bëjnë më të vogël humbjen e njeriu të madh. Ishte 92 vjeç, por kjo nuk do të thotë asgjë.
“Gjiganti ynë fluturoi në Valsin e Përjetësisë!” do të shkruante vajza e tij, Inva Mula, në mesazhin ku njoftonte ndarjen nga jeta të babait të saj…
…Ai do të mbahet mend për kryeveprën e kompozuar prej tij “Valsi i lumturisë”. Por ai nuk do të harrohet as për muzikën e këngëve po aq të njohura: “I ëmbël zëri i gjyshes” apo “Kur këndoj për ty moj nënë”. Epiteti i tij artistik prej vitesh kishte të bënte me termin “kompozitori i shquar”.
U shua të enjten e 29 tetorit 2020, në moshën 92-vjeçare, ndërsa homazhet në nderim të tij u bënë një ditë më pas, mes orës 11:00 me 13:00 në hollin e Universitetit të Arteve. Ndërsa bashkëshortja e tij, sopranoja e mrekullueshme Nina Mula, ishte nisur 9 vjet para tij për në botën e përtejshme.
Jeta
Avni Mula iku duke lënë pas një trashëgimi të çmuar muzikore. U lind në Gjakovë më 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës mes viteve 1952-1957. U diplomua si këngëtar lirik, bariton. Gjatë studimeve u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Odjankova.
Familja Mula është një nga familjet e mëdha të muzikës, ku të gjithë kultivoheshin me këtë frymë. Të gjithë në familjen Mula ishin artistë: Avni Mula, Nina Mula dhe dy vajzat, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, me famë botërore si soprano.
Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.
Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës etj.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ‘60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.
Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave më e njohura kompozuar prej tij “Valsi i lumturisë”. Në pothuajse të gjitha festivalet, Avni Mula do të ishte aty ku ka marrë edhe disa çmime. Të famshme janë edhe këngë lirike të krijuara prej tij.
Avni Mula është vlerësuar me titujt “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.
Dedikimet
Me një marsh lamtumire dhe duartrokitje u përcoll për në banesën e fundit, Avni Mula. Homazhet për nder të kompozitorit të madh, u zhvilluan paraditen e së premtes më 30 tetor, pranë Universitetit të Arteve, ku personalitete të larta të artit, kulturës, politikës, miq e dashamirës nderuan kujtimin e tij.
Duke folur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, vajza e tij, sopranoja e njohur, Inva Mula tha se “këtu filloi arti i lirisë”.
Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kompozitorit të njohur, Avni Mula. Meta shkruan se kjo është një humbje e madhe për muzikën dhe artin shqiptar.
“Lamtumirë Avni Mula, u prehsh në paqe”, shkroi kryeministri Rama pas lajmit të trishtë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kolosit të muzikës shqiptare, Avni Mula, teksa shtoi se është e trishtuar që në këtë periudhë artistët nuk po mund të përcillen në banesën e fundit siç e meritojnë.
“Fort i trishtueshëm lajmi i ndarjes nga jeta e Avni Mulës, një nga pasuritë më të mëdha njerëzore dhe artistike të kombit tonë. Arti shqiptar do t’i jetë ngahera mirënjohës për veprën e çmuar që la pas! Ngushëllime Invës për humbjen e babait, emrin e të cilit Tirana e nderoi me sallën e koncerteve “Avni Mula” në Rrugën e Dibrës për t’u kujtuar nga gjithë brezat!”, shkroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Arti dhe artdashësit shqiptarë humbën sot Avni Mulën, artistin e madh dhe kompozitorin që ndriçoi me artin e tij kohët e errëta e na la pas një krijimtari të vyer. Mendimet e mia sot janë për Invën dhe familjen Mula, miqtë dhe kolegët e artistit të madh Avni Mula. U prehtë në paqe!”, shkroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.