FBI-ja heton incidentin me autobusin e fushatës Biden në Teksas

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

FBI-ja tha të dielën se po heton një incident që lidhej me një autobus me punonjës të fushatës së kandidatit demokrat, Joe Biden, i cili u rrethua nga një autokolonë makinash që mbanin parulla e flamuj në mbështetje të Presidentit Trump. Incidenti u shënua në Teksas të premten.

Pamje nga incidenti u postuan në median sociale dhe të shtunën video-klipi u postua në Twitter nga Presidenti Trump me mesazhin “E DUA FORT TEKSASIN!”. Ky incident u bë shkas që fushata e ish-nënpresidentit Biden të anulonte dy aktivitete në Teksas, ndërkohë që demokratët akuzuan presidentin se po nxit përkrahësit e tij të angazhohen në akte kërcënuese.

Në video shihen disa kamionë dhe makina fuoristrada me flamuj me emrin e Presidentit Trump duke rrethuar autobusin me punonjës të fushatës së zotit Biden kur udhëtonte nga qyteti San Antonio për në kryeqytetin e Teksasit, Ostin.

Fushata e zotit Biden tha se autokolona u përpoq ta detyronte autobusin të ulte shpejtësinë dhe ta nxirrte nga rruga.

Në një video-klip të transmetuar nga kanali CNN, një kamion me flamur në mbështetje të Presidentit Trump i bie anash një makine tjetër që shoqëron autobusin. Sipas gazetës Texas Tribune, një punonjës i fushatës së zotit Biden po ngiste makinën që doli nga rruga.

Sipas fushatës së zotit Biden, stafi që punon për garën e kandidatit demokrat i telefonoi linjës së emergjencave dhe policia lokale u përgjigj duke e shoqëruar autobusin deri në destinacion.

“Zyra e FBI-së në San Antonio është në dijeni të incidentit dhe po zhvillon hetime,” tha agjentja Michelle Lee, zëdhënëse e kësaj zyre në komentet me e-mail për agjencinë e lajmeve Reuters. “Për momentin nuk kemi informata të tjera”.

Të dielën në mbrëmje, Presidenti Trump kritikoi hetimet e FBI-së lidhur me incidentin, duke shkruar në Twitter “Për mendimin tim, këta patriotë nuk bënë asgjë të keqe”.

Lexo edhe :  Çfarë është 'Kapja e Shtetit'? Një paralajmërim për amerikanët

Po të dielën, më herët, gjatë një tubimi në Miçigan, zoti Trump tha “I patë përkrahësit tanë dje? Po mbronin autobusin”.

Në komentet mbi këtë incident të dielën në Filadelfia, zoti Biden tha “Kurrë nuk kemi parë një gjë të tillë. Të paktën, nuk kemi pasur një president që thotë se kjo është gjë e mirë“.

As zoti Biden, as kandidatja demokrate për nënpresidente, Kamala Harris nuk ishin në autobus. Sipas gazetës Texas Tribune, në autobus ishte kandidatja për Dhomën e Përfaqësuesve dhe ish-senatore në legjislaturën e Teksasit, Wendy Davis.

Konfrontimi ndodhi ndërkohë që anketat tregojnë papritur një garë të fortë mes zotit Biden dhe Presidentit Trump në këtë shtet që tradicionalisht ka qenë kështjellë republikane.

“Në vend që të zhvillojnë një dialog produktiv për vizionet krejt të ndryshme të kandidatëve për vendin, përkrahësit e zotit Trump vendosën të kërcënojnë punonjësit dhe përkrahësit tanë,” tha përmes një deklarate Tariq Thowfeek, zëdhënës i fushatës së zotit Biden në Teksas. “Do të shihemi më 3 nëntor (ditën e zgjedhjeve)”.

Kryetari i degës së Partisë Republikane në Teksas, Allen West hodhi poshtë përmes një deklarate njoftimet e medias për incidentin duke i cilësuar si “përsëri lajme të rreme dhe propagandë,” duke shtuar “Bëhuni gati se do të humbisni. Mos më çani kokën”.

Ky nuk ishte incidenti i vetëm i shkaktuar nga përkrahës të presidentit. Të dielën në median sociale u postuan video-klipe ku shihen makina me flamuj pro-presidentit duke bllokuar trafikun në urën Uajtston në lagjen Bronks të Nju Jorkut.

Media lokale njoftoi bllokime të ngjashme të trafikut të dielën në korsitë e shpejta të një autostrade në Nju Xhërsi si dhe në urën Tapan Zi që lidh dy komuna të shtetit të Nju Jorkut./VOA

Të fundit

Këtu rrejnë të gjithë, thotë Albini!

Nga Frrok Çupi Edhe një ditë ka mbetur nga votimet për Parlamentin në Kosovë. Deri atë orë të gjithë aleatët...

Roza në pritje të ëmbël? Ish-banorja e Big Brother VIP publikon foton që ngre dyshime

Moderatorja e njohur Roza Lati, që pas pohimit të romancës me ish-banorin e “Big Brother”, Xhonatan Islamin, shpesh na ndan copëza nga rutina dhe romanca e tyre. Postimi që bëri...

Kaos në autostradën Tiranë-Elbasan/ Bllokohet qarkullimi i mjeteve

Mesditën e kësaj të premteje është regjistruar trafik i rënduar në autostradën Tiranë-Elbasan. Makinat kanë mbetur të bllokuara në hyrje të Elbasanit, në zonën e...

Përse Shqipëria nuk ndikohet nga tërmetet e Santorinit? Ekspertët japin shpjegime

Tërmetet që prej më shumë se një jave po godasin Santorinin në Greqi nuk kanë ndikim të drejtpërdrejt në territorin shqiptar. Shpjegimi vjen nga...

Virozat e stinës, mjeku Llajo: Janë 8 tipe gripi në qarkullim

Mjeku Vasil Llajo, duke folur për situatën virale, tha se në qarkullim janë 8 tipe të gripit. Ai tha se vaksina antigrip është e...

Lajme të tjera

Web TV