SIGAL UNIQA Group AUSTRIA i dhuroi të enjten (5 nëntor) spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë një aparat radiografik të lëvizshëm, i cili u dorëzua nga z.Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i Grupit në përgjigje të menjëhershme të situatës kritike të krijuar nga pandemia Covid-19 në Shqipëri.
Spitali “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet mban peshën kryesore në trajtimin e kësaj pandemie për të sëmurët me probleme respiratore, si edhe të diagnostikimit, kujdesit dhe trajtimit të Covid-19.
“Dorëzuam me modesti tek Sanatoriumi këtë pajisje teknike të fundit. Kjo nuk shëron, por ekzaminon dhe e veçanta e saj është se shkon ajo tek krevati i pacientit dhe jo pacienti tek radiografia. Mjeku e lexon menjëherë gjendjen shëndetësore të pacientit. E para e këtij lloj në Shqipëri, që do të jetë një ndihmë e madhe për mjekët dhe një kujdes më i madh për pacientët në këtë periudhë COVIDI”, citohet nga mesazhi i z.Ponari.
Ai i uroi shërim të shpejtë personave të infektuar dhe në veçanti falenderoi stafin mjekësor për punën e kryer.
Stafi mjekësor i spitalit “Shefqet Ndroqi”, falenderoi kontributin e veçantë të z.Avni Ponari, duke theksuar se përfaqësuesi i kompanisë së sigurimit SIGAL dhuroi aparat radiografi, me dëshirën për të ndihmuar pacientët e këtij spitali në këto ditë të vështira pandemie jo vetëm për bluzat e bardha, por për të gjithë qytetarët e vendit.
“Stafi i spitalit SUSN falenderon nga zemra z.Avni Ponarin dhe Sigal për këtë ndihmë sa bujare aq edhe të çmueshme për trajtimin e pacientëve Covid”, citohet nga faqja zyrtare e spitalit./Re.D/Fjala.al