Presidenca ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në lidhje me votimin e raportit të Dick Marty në Këshillin e Eurpës.
Në reagimin e zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi, thuhet se Rama është tradhtar dhe bashkëpunon me qarqet antishqiptare dhe veglat e UDB-së të cilat ndodhen në Prishtinë dhe në Tiranë.
Blushi e cilëson Ramën si fyesi më i ndyrë i luftës së UÇK-së e gjakut të dëshmorëve.
“Edvin Kristaq Tradhtia, armiku më i egër i kombit shqiptar, pupaci i fëlliqur i qarqeve më antishqiptare në planet, fyesi më i ndyrë i luftës së UÇK-së e gjakut të Dëshmorëve, nxitësi më i flaktë i urrejtjes ndaj Kosovës nëpërmjet veglave të UDB-së në Prishtinë e Tiranë, frikacaku që kalon Morinën me antiplumb dhe makinë të blinduar nga frika e ndëshkimit kombëtar, ka bërë sot një pyetje publike”, shkruan Blushi.
“E ftojmë Esadistin të dalë në përballje me Presidentin Meta para të gjithë kombit shqiptar dhe për të marrë përgjigjen sy më sy. Sa për mufkat që lëshon nga Tëitter-i, as meritojnë përgjigje. Kush të urdhëroi ty KryePis të hidhje në gjyq Kryeministrin e Kosovës? Pse nuk ta mbajti të shkoje në gjyq o këlysh i rrahur që i vogël? Edvin Kristaq Tradhtia dëgjoji mirë dhe mbaji shënim këto tre porosi: Ju shmange gjyqit që hape në Prishtinë por drejtësisë së kombit shqiptar nuk ke për t’i shpëtuar kurrë! Mos e përmend më Presidentin Ilir Meta për çështjen e Kosovës dhe çështjen kombëtare se nuk do kesh kohë as të pendohesh o Esadist i fëlliqur! Nuk do ketë Kim Philby që të të shpëtojë”, theksohet më tej.
Kryeministri Edi Rama reagoi pas akuzave nga politikanët shqiptarë se nuk po mbron krerët e politikës së Kosovës, që po përballen me drejtësinë në Hagë për krime lufte.
Përmes një mesazhi në “Twitter”, Rama i drejtohet ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta, duke i pyetur se pse e votuan raportin e Dick Marty në Këshillin e Evropës.
“Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Europes,kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s’të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s’ta lejon sekreti hetimor?#KrenarpërPS??”, shkruan Rama.
Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Europes,kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s’të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s’ta lejon sekreti hetimor?#KrenarpërPS??
— Edi Rama (@ediramaal) November 7, 2020
Pas dorëheqjes nga posti i Presidentit, Hashim Thaçi u nis menjëherë drejt Hagës, ku do të gjykohet për krime lufte.
Në konferencën e fundit si President, ai tha se nuk do të lejonte të dilte si President i Kosovës në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Ndërkombëtare.
Kujtojmë se në akt-akuzën e publikuar nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, kreu i PDK-së Kadri Veseli, shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi dhe ish-kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte të arrestimit, torturës, vrasjes dhe krime kundër njerëzimit mes Marsit 1998 dhe Shtatorit 1999.
Krimet që paraqiten në akt-akuzë dyshohet të jenë kryer në disa vende të Kosovës dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë. Ndër viktimat e këtyre krimeve, Gjykata Speciale përfshin persona që ishin kundërshtarë të UÇK-së, serbë, romë, katolikë, civilë që pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe dhe shqiptarë që ishin anëtarë ose kundërshtarë të partive të tjera kundër UÇK-së./Re.D/Fjala.al