Duka: Vëmendja për sportin, vitale për një shoqëri të shëndetshme

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Sot në Universitetin e Sporteve të Tiranës u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” Presidentit te FSHF-së, Armand Duka.

Në fjalën e tij, Presidenti i FSHF-së, falënderoi Universitetin e Sporteve të Tiranës për vlerësimin dhe theksoi se ndihej mjaft i nderuar për marrjen e këtij titulli.

Më poshtë fjala e plotë e presidentit Duka:

I nderuar zoti Rektor Agron Kasa!

Të nderuar zotërinj Rektorë, anëtarë të Konferencës së Rektorëve!

I nderuar zoti zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit!

Të nderuar anëtarë të Senatit të Universitetit të Sportit!

Të nderuar bashkepunetorë në futboll!

Të dashur miq dhe të ftuar!

Të respektuar përfaqësues të medias!

Ndihem thellësisht i prekur dhe njëkohësisht i nderuar, për këtë ceremoni që keni organizuar ju sot dhe për vlerësimin e lartë që më keni bërë. Duhet t’ju them me sinqeritet, se ky është një moment shumë i veçantë dhe tepër emocionues. Njeriu në jete përpiqet, vendos objektiva, i realizon ato dhe kërkon më tepër. Gëzohet për sukseset dhe trishtohet për mosrealizimet. E rëndësishme është që kur të kthesh kokën pas, të ndjesh kënaqësi për gjurmët që ke lënë, për të mirat që i vlejnë njerëzve, shoqërisë e vendit tënd. Dhe pas gjithë këtyre, ndihesh mirë kur të vlerësojnë. Aq më tepër që vlerësimi me titullin “Doctor Honoris Causa” vjen nga profesorë të nderuar dhe stafi akademik i Universitetit te Sporteve.

Miq të nderuar!

Kam mësuar shumë nga sporti, durimin, shpirtin sportiv, frymën e grupit, këmbënguljen për të arritur suksesin dhe shumë gjëra të tjera të cilat kanë ndikuar në karakterin dhe në mënyrën time të punës.

Puna në Federatën e Futbollit ka qenë e vështirë, plot sakrifica por edhe e bukur. Suksesi nuk arrihet kurrë pa përkushtimin maksimal, pa bashkëpunëtorë të mirë, që për fatin tim në futboll kam gjetur shumë, disa prej të cilëve janë dhe sot në këtë sallë e që gjej rastin t’i falenderoj përzemërsisht.

Kemi ndërtuar një institucion të konsoliduar dhe një administratë të përgatitur e të gatshme për të iniciuar dhe zhvilluar projekte madhore të një niveli të lartë. Të testuara e certifikuara ndërkombëtarisht nga FIFA, UEFA apo Federatat homologe. E meqë jemi tek Federatat homologe, më lejoni të përshëndes dy Shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë e që janë si gjithmonë me ne: Presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, z. Muhamet Sejdini e Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi.

Së bashku kemi bërë hapa të rëndësishëm për të mirën e futbollit, Investimet në infrastrukturë për përmirësimin e saj, kanë qenë një prioritet, në mënyrë që kjo të ndikojë drejtëpërdrejtë në rritjen e cilësisë sportive. Në këtë drejtim kemi punuar shumë fort, duke ndërtuar fusha stërvitore, fusha loje, ndërhyrje në disa stadiume. Tani së fundmi, kemi përfunduar stadiumin kombëtar Air Albania të cilin sportistët e sportdashësit do ta shijojnë akoma më shumë pasi kjo situatë Virusale të kalojë e ta rishohim plot e të zhurmshëm.

Kemi përfunduar gjithashtu “Shtëpinë e Futbollit”, e cila krahas zyrave të reja dhe moderne për administratën, do të ketë edhe dy ministadiume për të zhvilluar aktivitete ndërkombëtare moshash si edhe qendër fizioterapie, hotel për ekipet kombëtare etj.

Stadiumet: “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” në Shkodër dhe “Zeqir Ymeri ” në Kukës janë tre stadiume moderne me parametra të njohur nga UEFA dhe me standarte e fasilitete moderne. Ato janë ndërtuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, që gjej rastin ta falenderoj edhe njëherë. Ky është një shembull i shkëqyer ku vëmendja e shtetit dhe gatishmëria për të ndihmuar sportin jep frytet e saj. Por ne s’do të ndalemi këtu. Për këtë shkak, kemi përgatitur projektin e ndërtimit të “100 fushave”, në të gjithë Shqipërinë.

Të cilat do te kene një impakt vërtet pozitiv për përmirësimin e infrastrukturës në vend, pavarësisht se unë mendoj, se duhen jo 100, por 500 fusha, në të gjithë Shqipërinë. Ju kujtoj se nga “inventari” i Tiranës së para viteve 90-të, mungojnë 20 fusha. Dhe të mendosh që popullsia është rritur 5-6 herë. Unë e riftoj qeverinë shqiptare (them e riftoj sepse ajo ka dhënë përgjigje negative për këtë projekt), që ta mbështesë këtë iniciativë ashtu siç ka vepruar me ndërtimin e stadiumeve. Duke mbështetur futbollin, sportin në përgjithësi, ata do të mbështesin të ardhmen e fëmijëve, të rinjve, brezave që do të rriten më të edukuar dhe më të shëndetshëm. Dhe ata, do t’ju jenë mirënjohës përjetë.

Lexo edhe :  Një ditë në kampin e Dinamos, aty ku pranvera po vjen me nota dhe ngjyra italiane

Vëmendja për sportin, duhet të jetë e përhershme dhe sa më e gjerë. Ajo do mbështetur me reforma dhe ndryshime ligjore për të cilat qeveria duhet të jetë sa më e hapur dhe dashamirëse. Zëri i sportit duhet dëgjuar, duhet dialoguar e bashkëpunuar, pa na detyruar të kalojmë në veprime ekstreme siç ishte bojkoti i Ligës Profesioniste.

Gjej rastin t’ju konfirmoj se në kuadrin e bashkëpunimit me Universitetin e sporteve , FSHF do të ndërhyjë për ndërtimin e fushës së futbollit këtu. Megjithëse mendoj se vetëm kaq nuk mjafton, universitetit i duhet akoma më shumë e ne do të jemi gjithmonë pranë tij.
Dy prioritetet kryesore të Federatës për vitet e ardhshme do të jenë zhvillimi i futbollit të femrave dhe ai i fëmijëve. Sepse ne synojmë që nëpërmjet tyre t’i japim sa më shumë mundësi fëmijëve djem dhe vajza që të edukohen, kaliten dhe largohen nga veset e këqija e të dëmshme. Ndërkohë që edhe shoqëria emancipohet gjithnjë e më tepër.

Vëmendja jonë ka qenë maksimale, sa i takon edukimit. Prej shumë vitesh është ngritur dhe funksionon “Shkolla e trajnerëve”, e cila në mënyrë permanente, me lektorët më të mirë të Europës, përgatit trajnerë ,përgatitës atletikë, fizioterapistë, drejtues klubi e specialistë të tjerë që i shërbejnë futbollit, diplomat e së cilës njihen jo vetëm në Europë por në të gjithë botën. Nga ana tjetër, na ka ndihmuar shumë fakti që për një periudhë të gjatë kemi patur në stafin e ekipit kombëtar specialistë italianë, të cilët na kanë mbështetur edhe në drejtim të fushës së edukimit.

Në këtë drejtim, kemi mundësi të shkëlqyera për bashkëpunim me Universitetin e Sportit dhe me të gjitha shkollat e tjera sportive në vend. Bashkëpunimi ynë, mund të shtrihet në shumë fusha, që nga organizimi i kurseve të ndryshme me studentët tuaj, pjesëmarrja e lektorëve e pedagogëve tuaj në kurset që organizojmë ne. Në shfrytëzim të auditoreve dhe laboratorëve tuaj, e deri tek organizimi i aktiviteteve të përbashkëta, qoftë sportive dhe qoftë promocionale.

Ju konfirmoj dëshirën dhe vullnetin tim të palëkundur për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë, për zhvillimin dhe ecjen përpara të sportit. Siç po bëjmë me Universitetin e Sporteve të Tiranës. Ne jemi njerëz të punës, të përkushtuar për të bërë gjëra të mira, për t’i shërbyer vendit dhe shoqërisë. Të hapur për bashkëpunim. Kritikë dhe të vërtetë me ata që nuk e ndihmojnë sportin dhe pengojnë zhvillimin e tij. Ne duam të ndërtojmë një të ardhme sa më të shëndetshme për shoqërinë dhe këtë e bëjmë nëpërmjet edukimit të fëmijëve tanë.

Duke qenë këtu në universitetin e sporteve, do të doja t’i jepja një mesazh studentëve të tij:

Përkushtojuni sa më shumë profesionit tuaj. Duajeni sportin, sepse ai është një pasion i pashtershëm dhe burim energjie, që do t’ju shoqërojë gjithë jetën. Kjo, nuk është thjesht një shkollë që rëndom ju pajis me diplomë. Kjo është “pasaporta” që ju lidh me sportin. Që nuk është vetëm një profesion por do të jetë vetë, jeta juaj. E mbushur me miq, dashuri, respekt, shëndet dhe harmoni që vetëm sporti mund t’jua dhurojë. Asnjë sukses nuk arrihet pa punë, djersë, sakrifica. Këtë ta mëson sporti. Ndaj duajeni profesionin tuaj. Duajeni sportin!

Të dashur miq!

Gjatë këtij rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë mbushur me sfida, jam gjendur shpesh në udhëkryqe, kam hasur pengesa e vështirësi.Por jam munduar të gjej gjithmonë rrugën e drejtë, rrugën drejt suksesit. Padyshim që edhe kam gabuar. Por kjo është normale për atë që punon. E rëndësishme është të mësosh prej tyre. Ose siç ka perifrazuar gazetari i njohur sportiv italian, Gianni Brera: “Të mësosh nga humbjet”,

Për të gjetur rrugën e suksesit më ka ndihmuar shumë Suela ,shoqja ime e jetës që si rrallë herë vjen në një aktivitet të tillë dhe e ka bezdi ta përmendësh. Ndërsa gabimet i kam bërë vetëm.

Duke ju falenderuar edhe njëherë për vlerësimin dhe titullin e nderuar “Doctor Honoris Causa”, do të doja që ta mbyll me një shprehje të një prej trajnerëve më të mëdhenj të futbollit botëror, austriakut Ernest Hapel: ”Cdo ditë e kaluar pa futboll është një ditë e humbur kot”. Të cilën kisha dëshirë ta modifikoja kështu për t’ ju dhënë të gjithëve një mesazh që përmbledh edhe atë që personalisht mendoj: “Cdo ditë e kaluar pa punuar dhe kontribuar për futbollin dhe sportin, është një ditë e humbur kot”.

Faleminderit!

Të fundit

“Zemër e shpirt”/ Anita Haradinaj zbulon si e përkëdhel Ramushi: Më gjuan nga të pasmet

Spikerja e njohur e lajmeve në  Anita Muçaj–Haradinaj, ka qenë njëra ndër të ftuarat në emisionin e radhës të...

Përkujtohet në Lezhë 553-vjetori i Skënderbeut/ Pjerin Ndreu: Figura që na bën bashkë

Është përkujtuar mëngjesin e sotëm në Lezhë 553-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Nën masa anti-Covid, autoritetet lokale bënë homazhe dhe vendosen kurora...

“Mirupafshim Grida Duma”/ Basha gati ta zëvendësojë me ish-missin!

Partia Demokratike duket se do të kandidojë në Durrës, një ish-Miss. Bëhet fjalë për Floriana Garon, e cila për disa kohë ka moderuar edhe një...

Braçe ‘shuplakë’ Metës/ I kujton kohën kur Presidenti deklaronte se Basha të gënjen dhe për orën

Presidenti Ilir Meta, ditën e djeshme ka paralajmëruar se në 25 prill Shqipëria do të përjetojë përmbysje të madhe dhe jo thjesht rotacion. Zëvendëskryeministri Erion...

Procesi i vaksinimit/ Rama flet me shifra: 369 mjekë dhe infermierë janë të mbrojtur!

Kryeministri Edi Rama bën të ditur se falë marrjes së dozës së parë të vaksinës antiCovid, 369 mjekë janë tashmë më të mbrojtur nga...

Lajme të tjera

Web TV