Hidrocentrali i Banjës, aty ku turbinat nuk punojnë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi 

Në fundjavë nuk ke mundësi të bësh plane afatgjata, ndaj vendos me të shpejtë të bëj një vizitë në Hidrocentralin e Banjës, i bindur se do të dëgjoja zhurmën shurdhuese të ujit që del me furi nga gryka ku ka vënë në punë turbinën

Duhet dikush të të çojë në mendje se jo vetëm nga bregdeti bëhet weekend, madje jo vetëm në male e rrëpira, por edhe andej nga barku i Shqipërisë. Dhe kur flitet për barkun a për kërthizën, nuk flitet vetëm për liqenet e Belshit. Një atraksion tjetër i fuqishëm turistik është dhe liqeni i Banjës. Dhe liqenet jo domosdoshmërish duhet të jenë prej natyre nga ato të tipit, karstik apo akullnajor. Shpesh janë të krijuara prej njeriut. Dhe ne jemi mësuar me liqenet artificiale, si me atë të Tiranës, atë të Farkës, e ca të tjerë që nuk po i numëroj tani. Në antipod me to, liqeni i Banjës është gjysmë natyral e gjysmë artificial. E që ta bëj më të qartë, është fiks si liqeni i Fjerzës. Vetëm se ai ka si bazë lumin Drin e ky i mesit të Shqipërisë ka Devollin për kumbarë.

Fundjava kalon shpejt dhe nuk është se ke mundësi të bësh plane afatgjata e as të mendohesh shumë, ndaj vendos me të shpejtë të bëj një vizitë në Hidrocentralin e Banjës, i bindur se do të dëgjoja zhurmën shurdhuese të ujit që del me furi nga gryka ku ka vënë në punë turbinën.

Hap google maps-in. Rruga e vijëzuar me blu tregon se për 63 kilometra mbërrin në destinacion. Domethënë punë një orë udhëtim. Epo qenka pas dere, them me vete. Ja, sa kalon Cërrikun. Ose pa vajtur në Gramsh.

Retrospektivë industriale

Si fund nëntori, e ku kemi hyrë në vjeshtën e tretë, jashtë ishte ca ftohtë dhe në mes të ditëve plot me diell qëlloi që e shtuna të ishte gri dhe me erë. Por brenda në makinë jemi ngrohtë. Dalim menjëherë nga Tirana dhe futemi në autostradën e Elbasanit. Të keqen o vëlla! Një javë më parë weekend-in e kaluam nga bregdeti. Vetëm për të dalë nga Tirana përmes rrugës së Kasharit na u deshën nja dy orë. E meqenëse donim të tregoheshim të zgjuar, në kthim morëm rrugën e Ndroqit. Bereqaversën. Por aty nga fundi i udhëtimit buzëqeshja na ngriu në fytyrë. Prej hyrjes së Kombinatit deri tek Teknologjikja, një segment prej 3-4 kilometrash, e bëmë fiks për një orë e gjysmë. Duke ditur këto masa shtrënguese, u furnizova “full” me naftë, aq sa në çastin e parë, (meqenëse nuk para na rastis që ta furnizojmë makinën kaq shumë me karburant), m’u duk sikur do shkoja në luftë. Dhe nuk isha gabuar. Sepse nëse do ishe futur në Kombinat me dritën e kuqe, sigurisht tek Teknologjikja do vinte të të tërhiqte ndonjë karoatrec.

Këtej për nga Elbasani meseleja ishte ndryshe. Të paktën ecën vëlla, nuk rri duke mbajtur marrshin me dorë e këmbët në gaz-freksion.

Pas një ore udhëtimi mes fushave të mbjella e zonave urbane, google map-si më tregoi rrugën për tek kaskada e hidrocentralit, por nga pjesa e poshtme e saj. Epo edhe google ka tekat e saj. Gjithsesi u njohëm me digën, dhe “përroin” ku duhet të zbriste uji me tërbim. Por në fakt asnjë curril uji nuk rridhte prej andej e jo më sasia gjigante që të vinte në lëvizje turbinat.

-S’prish punë, – qetësoj gruan që kishte mbetur pa fjalë me grykën e celularit gati për të bërë foton e radhës. – Liqeni është projektuar më së shumti si një basen që përdoret për vaditje, e me këtë rast përdoret dhe hidrocentral.

Tek e fundit shpejtova të merrja masa, sepse e kisha të vështirë t’i përgjigjesha bashkëshortes nëse do të më bënte një pyetje të thelluar për mungesën e realizimit të planit me energji elektrike. Sepse ne jemi mësuar tashmë me sloganin që “energjia është çështje e të gjithëve”. Por meqë liqeni përdoret për bujqësinë, edhe “bujqësia është çështje e të gjithëve”. Në këtë mënyrë e gjithë kaskada përdoret o për një qëllim o për tjetrin. Se për të dyja bashkë bëhet ca si shumë. Shkurt, çdo çështje e rëndësishme “çështje e të gjithëve”.

Lexo edhe :  Punimet për Unazën Lindore të Tiranës, ARRSH: Nga 27 marsi devijohet trafiku në...

Megjithatë për të marrë një informacion më të detajuar hap google-n të informohem, se mos ia fusja kot. Tek e fundit sot kemi lehtësira. Dhe lexoj:

Informacioni elektronik

“Hidrocentrali i Banjës, mbi lumin Devoll, pak më shumë se 60 kilometra në juglindje të Tiranës ka një kapacitet të instaluar prej 73 Megawat, dhe parashikohet të prodhojë në vit 174 GWT energji, e barabartë me 5 për qind të prodhimit aktual vendas.

Hidrocentrali ka një digë të lartë 80 metra ndërsa rezervuari i tij me një sipërfaqe 14 kilometra katrorë mund të mbledhë deri në 391 miliard litra ujë. Hidrocentrali i Banjës u studiua dhe u projektua nga inxhinierët e Institutit të Studimeve e Projektimeve Nr. 3 të Tiranës. Ai nuk u quajt thjesht hidrocentral i Banjës, mbasi vepra nuk ishte vetëm për të prodhuar energji elektrike, pa e ndotur mjedisin, por rëndësi vepra do të kishte edhe për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri.

Dhe prandaj u quajt kompleksi hidroenergjetik i Banjës, vepër e cila filloi të ndërtohej më 15 qershor 1986. Kompleksi hidroenergjetik i Banjës, që do ndërtohej mbi lumin Devoll rreth 25 km larg qytetit të Elbasanit dhe rreth 15 km larg qytetit të Gramshit, përveç përfitimeve ekonomike ka avantazhet e tij në ekologji.

Ky hidrocentral i përbërë nga dy grupe veprash, i parë me syrin e ekologut cilësohet si një vepër e mirëfilltë ekologjike për dy arsye kryesore: Së pari, përfundimi i tij do të prodhonte 250 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit pa e ndotur mjedisin. Së dyti, përveç prodhimit të energjisë elektrike ky hidrocentral me basenin e tij do të shfrytëzohej dhe për të ujitur tokat e zhuritura nga nxehtësia e verës, duke hapur rrugën e krijimit të fermave ekologjike me perspektivë në zhvillimin e agroturizmit.

Në vitin 1990 punimet në hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50%. Zhvillimet e reja demokratike bënë që Banja të mbetej peng i ndryshimit të sistemeve. Në vitet e tranzicionit hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe faktorët natyralë. Shumë vite më vonë, Ministria e Ekonomisë, me datën 21 nëntor 2007 është zhvilluar tenderi për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të lumit Devoll”.

Peizazhe të fotografuara

Ngjitemi sërish e marrim rrugën kryesore. Vetëm për pak minuta përballemi me një bukuri magjepsëse. Një liqen i madh, i qetë dhe një urë që kalon mbi të. Pak si kalon dhe urën mahnitëse, qeveria ka menduar dhe për turistët. Ka ndërtuar një pistë ku mund të parkohen makinat, e ku prej asaj pike dominuese mund të shijosh peizazhin përreth. Megjithëse era të pret, zbresim nga makina. Ca të tjerë preferonin që peizazhin ta shijonin nga brenda makinës. Nuk ishin nga ata që rrezikonin vetëm për të bërë një foto mbi liqen. Ndërsa ne po, familjarisht. Epo… qejfi ha kumbulla të tharta.

Secili ka zgjedhjet e tij. Por dhe unë do të isha dakord të mos kisha zbritur nga makina, nëse do ta dija me çfarë do të përballesha. Në lëndinën përtej pistës, në një mënyrë bastarde e tepër të shëmtuar u ndeshëm me qese të hedhura, kanoçe bosh e letra mbështjellëse. Paraardhësit tanë, që kishin pasur fatin të zbaviteshin në ditët me diell, kishin lënë pas vetes gjithfarë mbeturinash, edhe pse një kosh ku mund t’i hidhje pa u lodhur shumë, ishte aty pranë.

Gjithçka ishte disgustuese, përveç pamjes relaksuese të liqenit dhe të vetë digës. Nuk qëndruam dot më shumë se pesë minuta për të marrë rrugën e kthimit, madje me njëfarë urgjence, ca nga pisllëku e ca nga të ftohtët.

Në kthim e sipër bëjmë një vizitë të shkurtër në qytetin e Cërrikut, meqenëse në “panik” e sipër harruam të vizitonim Gramshin. Nga ç’e mbaja mend shumë vite më parë, Cërriku kishte pësuar vërtet transformim. Të paktën kishte një pedonale dhe disa objekte artistike në qendër të saj. “E ta lumsha moj Parti”, mendova. Tek e fundit, gjithçka bëhet me vendim partie.

Pimë një kafe qetësisht dhe ia futëm vrapit për në Tiranë, ku diku andej nga Bërzhita, një restorant na priste për të ngrënë drekën e munguar të weekendit mbi hidrocentral.

l.m/Fjala.al

 

Të fundit

Kandidimi i Belerit në Himarë/Minxhozi:Qëllimi për të prishur marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Analisti Skënder Minxhozi foli për marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Minxhozi deklaroi në emisionin “Real Story” në ABC News, se...

Natasha e TikTok dhe djali i saj rikthehen në burg, akuzohen për keqtrajtim të të miturit

Gjykata e Apelit të Kuçovës ka vendosur të lërë në fuqi masën arrest në burg ndaj, Armando Kumarakut dhe Natasha Romblas, e njohur edhe...

Më shumë para në pleqëri? Shumë e thjeshtë

Nëse je i ri dhe sapo ke nisur të punosh, me shumë gjasa periudha e pensionit të duket shumë e largët. Të kesh disa mijëra...

I dënuar për shpërdorim detyre, lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit

Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, i dënuar me shpërdorim detyre së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij Durim Margjekaj dhe...

Kanadaja kalon 40 milionë banorë, “mbipopullimi” shkakton probleme

Kanadaja është vendosur të arrijë një rekord prej 40.77 milionë njerëz në vitin 2023, falë kryesisht imigrimit të përkohshëm, dhe rritja e popullsisë nuk...

Lajme të tjera

Web TV