Konspiracionizmi ose e vërteta e teorive të pavërteta

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Konspiracionizmi është një temë që e ka joshur përherë njerëzimin. Sepse, pas një veprimtarie dhe një sqarimi zyrtar mbi të, joshja për të pasur edhe një version tjetër i ka çuar njerëzit të mendojnë thellësisht se një forcë e errët fshihet pas një akti jo dhe aq të tillë ndonjëherë.

Në këtë botë të madhe, që tanimë mund të mos jetë dhe aq e tillë, ekzistojnë teori konspiracioniste të cilat e çojnë imagjinatën deri në ekstrem. Dhe ky mekanizëm ka vetëm një vlerë, atë të saktësimit përfundimtar me veten, mbi pafuqinë e njeriut të vogël përballë një organizmi të fuqishëm që lëviz botën. Dhe e gjitha kjo me siguri ka ndodhur pasi Arkimedi u dha në dorë armën e tij vdekjeprurëse, një levë duke u treguar njëkohësisht dhe pikën e mbështetjes.

Në kushtet e një depresioni agresiv, që mbahet nën presion nga  entuziazmit delirant pas çdo shpikje teknologjike, njeriu vazhdon të thellojë idenë se është ende i vogël për të kuptuar veprimtarinë e universit. E meqenëse nuk ia dalim dot, fantazia njerëzore shkon atje ku nuk ta merr mendja. Prandaj nisin pyetjet madhore:

Toka është e rrumbullakët apo e sheshtë? A është planeti ynë qendra e universit? Kush ia futi kot, Aristoteli, Koperniku apo Galilei? A ekzistojnë qeniet jashtëtokësore që herë i quajmë UFO e herë Alienë? Kush e prodhoi qenien njerëzore, natyra, Zoti apo një inxhinier gjenetist nga raca e Anunakëve të zbritur prej planetit Nibiru?

Kaq duhen e të shkallosh nga truri pasi mund të studiosh tërë jetën dhe të mos marrësh asnjë përgjigje të saktë. Dhe nëse nuk ta mbushi mendjen versioni zyrtar, se Toka vërtitet rreth Diellit dhe se njeriu erdhi si produkt i evolucionit miliona vjeçar, mund të lexosh gjithfarë materialesh ku flitet mbi teoritë konspiracioniste, sepse do të gjesh një përgjigje që do të të lehtësojë.

Lum si ata që kafen e mëngjesit e shoqërojnë me një dopio fërnet dhe e lenë Tokën të vërtitët në qejf të vet.

Por meqenëse iu nisëm këtij shkrimi, po mundohemi të gërmojmë mbi disa argumente.

Në një libër të qarkulluar prej kohësh edhe në gjuhën shqipe, flitet për 50 konspiracione të mëdha të botës gjatë shekullit të XX. E sipas dy gazetarëve amerikanë, gjysma e personave publikë e me ndikim në botën e politikës apo të artit, të cilat janë shpallur të vdekur, në fakt nuk është se kanë vdekur vërtetë. Pra kanë jetuar edhe shumë vite të tjera, por në një identitet tjetër. Dhe varrimet e tyre janë fabrikuar. Arsyet…??? Epo ka gjithmonë “dikush” që kërkon të rregullojë punët.

Vazhdojmë më tej, sepse në kohët e sotme nuk është vështirë të thuhet se edhe Cezarin nuk e vranë në dhomën e senatit dhe se komploti i sajuar vetëm sa e nxori në pension gjeniun ushtarak.

Sipas teorive konspirative, “gripi spanjoll” i viteve 1918-1920 ishte prodhuar si virus nga laboratorët gjermanë të Luftës së Parë Botërore. SIDA ishte gjithashtu një virus i prodhuar nga shkencëtarët amerikanë ku u bënë eksperimente me njerëz, shumica e tyre homoseksualë. Dhe së fundi një faturë do të merrte dhe Kina me modifikimin e një virusi të cilësuar Sars Cov-2 që prodhonte sëmundjen Covid-19.

A ka të tjera teori konspirative që e joshin natyrën njerëzore?

Padyshim. Fjala vjen: çfarë roli kishte Lenini në revolucionin bolshevik, çfarë roli kishte Hitleri në Luftën e Dytë Botërore, çfarë roli kishte Enveri tek… data e çlirimit…, për të ardhur te rrëzimi i kullave binjake.

Asaj që po i mëshohet më së shumti është se botën po e drejtojnë disa familje të mëdha. D.m.th, si puna e Sicilisë, ku flitet për “burra nderi” të familjeve të mëdha Korleoneze që drejtojnë gjithë punët e ishullit. Por Toka në tërësinë e saj është ca më e madhe se Sicilia, dhe familjet që e drejtojnë botën kanë më shumë financa dhe aksesorë të tjerë që e bëjnë të mundur marrjen e timonit dhe të frenave.

Lexo edhe :  Kronikë e një arrestimi të paralajmëruar

Sa gjasa ka të ndodhë një gjë e tillë? Pra, fjala vjen, që një familje me origjinë hebreje, por me rezidencë në Gjermani, për t’u degëzuar më pas në Londër e aktivitet financiar në Amerikë, të drejtojë edhe punët në Indi, në Singapor, në Mongoli, në Sudan, në Çad, në Bolivi, në Groenlandë, e kudo tjetër.

A mundet që dhjetë familje të listuara si më të pasurat në botë të drejtojnë 7.7 miliardë njerëzit që toka mban mbi vete sot? A mundet që një institucion si “Klubi i Romës” të vendosë për jetën dhe vdekjen e miliona njerëzve?

Mos jemi duke i rënë legenit ca si kot. Ose defit, në rastin më të mirë?!

Edhe mundet… Edhe nuk mundet. Prandaj cilësohen si: “teori konspiracioni”.

Çështë e vërteta, këto histori konspiracioni do të vazhdojnë të motivojnë gazetarë dhe shkrimtarë për të shkruar gjithfarë librash. Por dhe për këdo tjetër që gjithsesi kërkon edhe një version të dytë, ose një mundësi justifikimi për aty ku nuk gjen dot sqarim.

Nëse ata që drejtojnë botën, qoftë dhe me një qeveri hije ku merren vendime të rëndësishme globale, kanë modifikuar viruse njëra pas tjetrës me qëllim për të eliminuar një pjesë të mirë të racës njerëzore, duket se nuk ia kanë arritur dot.

Nëse SIDA që nga çasti që është përcaktuar si e tillë në vitin 1984 e deri më sot ka shkaktuar rreth 40 milion viktima, kjo nuk do të thotë se bota u zbraz. Këtë nuk e bënë as viruset e tjerë si Ebola, Sars, Mers… Përkundrazi.

Statistikat zyrtare thonë se globi sot ka rreh 7.7 miliardë banorë, ose gati tre herë më shumë se në vitin 1950 kur OKB nisi të përpilojë raportin për perspektivat e zhvillimit të popullsisë në botë. Dhe në një jetëgjatësinë njerëzore, me një mesatare prej më shumë se 72 vitesh, po statistikat zyrtare thonë se kanë ndikuar dietat, mjekësia, kushtet sanitare e vaksinat.

Mirëpo sot është bërë e modës të thuhet se bashkë me vaksinën do të na injektohet edhe një mikroçip. Ndërkohë që ne mikroçipin e kemi me vete gjatë gjithë kohës, nga fëmijë 5-vjeç e deri tek ai që i ka kaluar të 90-tat. Dhe sistemi G5 njëlloj do ta kryejë funksionin, si ta kesh mikroçipin në trup, po aq dhe po ta kesh në dorë në formën e një celulari.

Thënë shkurt, por akoma më shkurt… ndërkohë që globi është shumë herë më i ndotur se 100 vite më parë, dhe trupi i njeriut merr me shumë kimikate se sa prodhimet bio të po 100 viteve më parë, nuk është treguar për ulje të viteve të jetesës dhe as për shfarosje masive, gjë që nuk u arrit as në kampet e përqendrimit me furra djegiesh të Luftës së Dytë Botërore.

Në kushtet e reja, kur Sars Cov-2 apo Covid-19 është përhapur në të gjithë botën si një pandemi e pamenduar më parë, a do ta realizojë projektin e “Qeverisë hije” për uljen e numrit të popullsisë në Botë?

Për më shumë se një vit nga njohja me këtë virus, Covid-19 ka pasur të gjithë kohën e duhur për ta kthyer botën në katastrofë. Por shifrat thonë se në rang global, ai ka mundur të marrë vetëm 1.5 milion banorë, që për nga ana statistikore është e papërfillshme krahasimisht me numrin e banorëve që gjallojnë në planetin Tokë

Të fundit

Spektakël në “Signal Iduna Park”, Dortmund triumfon në sfidën e parë ndaj PSG

Borussia Dortmund fiton ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Paris Saint-Germain. Në Signa Iduna Park, vendasve iu mjaftua një gol...

Dy racione kos në javë, përfitimet për shëndetin e zemrës

Konsumi i kosit ul rrezikun e atakut në zemër me 30% tek njerëzit që vuajnë nga tensioni i gjakut. Të dhënat e një studimi të...

Luizi dhe Kiara u bënë prindër për herë të parë, ja kujt ia kanë ‘kopjuar’ emrin Luna

Ardhja në jetë e bebushes së çiftit Luiz Ejlli dhe Kiara Tito ka qenë kryefjalë e këtyre dy ditëve në mediat rozë. Postimi i...

KUJDES! Risia e fundit nga “Instagram” vjen me pasoja për disa përdorues

“Instagram” po ndryshon algoritmin e tij që ndikon në “Reels” për t’i dhënë përparësi “përmbajtjes origjinale”. Para së gjithash, kjo do të ketë pasojat...

“Profesionistët e lirë fitojnë më shumë se bankat”

Në një kohë kur profesionistët e lirë po reagojnë çdo ditë  kundër ligjit të ri që i takson nga 15-23 për qind dhe po...

Lajme të tjera

Web TV