Zgjedhjet 2021/ Dilema mes Parlamentit të kryetarëve dhe Kuvendit të Shqiptarëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tre muaj para zgjedhjeve mbetet ende enigmë se cilët do të jenë kandidatët për deputetë që do të publikojnë forcat politike.

Si u modifikua “parlamentarizmi” me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe dora e lirë e kryetarëve të partive për të hartuar listat.

A do rritet cilësia e deputetëve në parlamentin që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021? Flasin për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi dhe drejtuesi i politiko.al Alfred Lela.

Nga Fernada Cenko

Në vitin 2008 u bënë ndryshimet kushtetuese ku kryetarit ju la e drejta për të zgjedhur kandidatë për deputetë. Menjëherë pas këtyre ndryshimeve, kryetarët morën një suport ligjor për të bërë çfarë të donin në partinë e tyre. Të fusnin në listën për deputetë, njerëz të cilët kishin suport të mirë financiar, dhe kështu në zgjedhjet e 2009 politika u shkëput nga “truri”.

Edhe sot falë këtyre ndryshimeve shohim një paralament të rënë nga integriteti, pasi kryetarët filluan të bënin qoka duke e kthyer në biznes politikbërjen. Që prej 2009 më shumë se intelektualë kemi biznesmenë, apo individë që fjalën shkollim dhe kulturë e kanë pasur zët… Dhe kjo shihet edhe sot në Paralement ku niveli i artikulimit nuk lë vend për të menduar se kemi që Paralament që na përfaqëson.

Përveç biznesit në politikë u fut ideja e të fortit. Pra kush kishte influencë në zonë për sigurimin e votave ai do të futej edhe në Parlament. Duket se në këto zgjedhje, partitë politike tentojnë të fusin një frymë tjetër. Nga njëra anë Partia Socialiste ka ngritur një platformë “Deputeti që duam” që në dukje në intregon, por në fund përsëri listat do të hartohen nga kryetari i partisë.

Ndërsa Partia Demokratike ngriti një komision për të pastruar figurat në këtë forcë politike duke nxjerrë me votë jashtë të drejtës së kandidimit disa emra, që mbajtën një peshë në stimulimin e protestave. Por edhe këtu ai do të vulosë listat për kandidatë do të jetë sërish vetë kryetari i Partisë Demokratike. Pra në zgjedhjet e 25 prillit 2021 do të jemi me një listë kryetarësh.

Se sa pontecial do të jetë Kuvendi i ardhshëm mbetet për ta parë. Ndërsa të ndalemi tek ky që pritet ti përfundojë mandati. Shumë prej deputetëve në Parlament të cilët kanë lënë “gafa emblematike” kanë ardhur nga listat e opozitës të bashkuar që rradhë pas rradhë dorëzuan mandatin, dhe ata që gëzuan fatit që mbërritën në Parlament ishin pikërisht të fundit. E në këtë rast ky ishti fundi i një Parlamenti jo funksional.

Deputetë të cilët na folën për “fëmrat” që pinin më shumë uiski se ujë dhe për “keperata” e me radhë.., secili ër të zënë podiumin e marrëzisë së intelektit. Analisti Lorenc Vangjeli thotë në intervistën e tij se një pjesë e mirë e deputetëve në Kuvend duhet të nxirren jashtë me kamzhik. Se çfarë parlamenti do të kemi pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 flasin për gazetën “Fjala” analisti Lorenc Vangjeli, botuesi i Politiko.al Alfred Lela dhe analisti Plator Nesturi.

Lorenc Vangjeli: Një pjesë e parlamentit duhet të zbohet me kamzhik

Tre muaj para zgjedhjeve kemi nga njëra anë Partinë Socialiste që po përzgjedh kandidatët nëpërmjet një platforme “Deputeti që Duam” dhe nga ana tjetër Partia Demokratike, që nëpërmjet komisionit bëri një “pastrim” të PD? E shihni si realitet, apo si një mekanizëm që në dukje të intrigon?

Në një botë që, gjithmonë e më shumë, është më shumë formë se thelb, më shumë dukje se produkt, ajo që po ndodh është vetëm forma dhe dukja që po konsumohet në sy të publikut. Nuk ka ndryshuar asgjë nga më parë. Kryetarët e partive janë zotër të listës së tyre dhe votuesi vetëm “noterizon” vullnetin e tyre politik. Edhe vota parapëlqyese nuk pritet të ketë pothuaj asnjë lloj ndikimi, përveç një rivlerësimi formal të “hierarkisë” në renditjen e vetë listës, duke afruar garë brenda ngjyrës së forcës politike dhe pak jashtë saj. Nesër, në debatet në parlament, njëri apo tjetri duke debatuar me kundërshtarin do të përmendë pikërisht këtë fakt si element epërsie ndaj tij” Unë jam më i votuar se ty!

Në këto zgjedhje, edhe pse po tentohet t’i jepet procesit të përzgjedhjes së listës një ngjyrë më pak individuale, për t’u afruar hartimi i saj si një rezultat më pluralist, nuk ka ndryshuar asgjë në mekanizmin, por tashmë edhe në traditën që ja jep kryetarit të partisë këtë atribut. Dhe kjo është e vërtetë për të tre partitë e mëdha, që pavarësisht rrugëve të ndryshme që kanë ndjekur për ta bërë një gjë të tillë, janë sërish në të njëjtin destinacion.

Në PS nuk ka surpriza. Edi Rama i ka imponuar tashmë prej kohësh vullnetin vetjak partisë së tij. Dhe në krah dhe përballë tij tashmë nuk ka kundërshtim, por vetëm pohim. Ai është lider i padiskutuar i socialistëve, të cilët janë të gatshëm ta duartrokasin edhe nëse e ka gabim dhe janë të bindur se gabim është vetëm të mos e duartrokasin në çdo rast e në çast. Por megjithatë, kush njeh terrenin konkret në PS di që Rama ka qenë vendimtar vetëm në zgjedhjen e emrave kryesues në qarqe duke ju lënë atyre një liri veprimi për emrat e kateve të poshtme në renditjen e listës.

Në PD, kompleksi dhe frustrimi i kryetarit Basha nga lista e tij e gabuar në 2017-ën e shtyu të bëjë një gabim edhe më dramatik me listën e 2021-shit. Një gabim që rrjedh nga fakti që Basha nuk kontrollon dot plotësisht partinë dhe është i vetëdijshëm se një humbje e mundshme është dhe kryqëzimi i tij përfundimtar. Duke dashur të duket sa më dorëjashtë nga lista, Basha më shumë duket se po përgatit bashkaksionerë në humbje sesa po nxiton të shpallë një ekip fitues.

Nga ana tjerët, qoftë dhe vonesa e jashtëzakonshme në përpilimin e saj, pezullia dhe paqartësia në të cilën i ka mbajtur të gjithë kandidatët potencialë të ishin gabimet e vetme në këtë proces, ato do të ishin të mjafta për të prishur shumë punë në zgjedhjet e ardhshme. Por kur kujtohet metodologjia e gabuar e thirrjes në apel të një shumice demokratësh dhe më pas, mënyra e skualifikimit të tyre, është e lehtë të kuptohet shkalla e lartë e pakënaqësisë që ka krijuar një akt i tillë. Dhe është pikërisht ky thelb i bazës demokrate që tashmë sheh që njerëzit e Ramës në terren ju shkelin syrin përditë, shumë shpesh edhe duke marrë si përgjigje po një shkelje syri demokrat.

Në LSI gjithashtu nuk ka histori të ndryshme nga mënyra sesi po kristalizohet lista. Kryemadhi, apo dhe Meta në prapaskenë, siç nuk harrojnë kurrë të përmendin kritikët e tyre, kanë kontroll total mbi partinë dhe rrjedhimisht, edhe lista do të jetë produkt i vullnetit të tyre.

Ndryshimet Kushtetuese të vitit  2008 i dhanë atribute të plota për të zgjedhur deputetët liderëve politik apo kryetarëve. Kësaj rradhe nga kush do të zgjidhen deputetët?

Eshtë përgjigje e thjeshtë sepse është përgjigje e dhënë shumë herë. Por do të ishte interesante të bëhet një pyetje alternative: kush nuk do të zgjedhë deputetët e nesërm? Dhe në këtë rast, në mënyrë paradoksale do të thuhej se ata nuk do të zgjidheshin nga votuesi.

Në rastin më të mirë, ka një diferencë prej më pak se dhjetë deputetësh të majtë dhe të djathtë që do të ndajnë kufirin mes pushtetit dhe opozitës së nesërme. Do të ketë garë për një ose dy mandate në Tiranë, një mandat në Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë e ndoshta dhe ndonjë qark tjetër. Pjesa tjetër prej mbi 130 mandatesh do të jetë e përcaktuar nga vullneti i kryetarëve të partive. Vullnet i cili nuk do të cënohet me shumë gjasa, as nga vota preferenciale.

Duke analizuar nivelin politik, artikulimin, nismat dhe sjelljen e deputetëve në Parlamentin aktual, janë konstatuar mangësi të theksuara në të gjithë pikat. Si mendoni, në zgjedhjet e 25 prillit 2021 Parlamenti do të jetë më dinjitoz, apo si ky që do të lemë?

Eshtë një shpresë e cila ngjan e përmbushur. Për një arsye të vetme: në këtë mandat Kuvendi ka arritur një pikë kaq të ulët në legjitimitet institucional, politik e moral, sa nuk ka asnjë shans që të zbresë më poshtë. Thjesht sepse nuk ka më poshtë dhe ka prekur fundin. Nga pikpamja intelektuale Kuvendi linte për të dëshiruar që në fillim, por largimi i opozitës e fundosi atë përfundimisht.

“Nuk mund të bëjë punë të mëdha ai që nuk ka bërë më parë punë të vogla”, kjo aksiomë ngjan e thënë pikërisht për një shumicë dëshpëruese në sallën e parlamentit që as nuk e di pse është aty dhe as çfarë bën aty! Jo vetëm disa personazhe atipikë që do të turpëronin edhe klientët e një lokali lagjeje mbas konsumimit me tepri të alkoolit, por dhe të tjerë që e kanë parë sallën e Kuvendit si stalla ku secili mund të gjejë gjirin e lopës së tij, janë marka që e bën edhe humorin të stepet përballë qesharakes që ata demonstrojnë.

Janë dukshëm nën nivelin mesatar të shoqërisë shqiptare dhe kanë luksin e budallait që nuk ka frikë e turp të tregojë në dritë gjithë marrëzinë e tij. Madje vetë marrëzia duket se ka qenë bileta për të hyrë në tempull, prej nga nuk ka votë, vullnet dhe dëshirë që mund t’i përzejë përfundimisht. Qoftë me hirin e përgjegjësisë, qoftë dhe me pahirin e kamzhikut, siç e meritojnë padyshim disa nga ta.

Alfred Lela: Parlamenti i sotëm mund të krahasohet vetëm më atë të kohës së komunizmit

Tre muaj para zgjedhjeve kemi nga njëra anë Partinë Socialiste që po përzgjedh kandidatët nëpërmjet një platforme “Deputeti që Duam” dhe nga ana tjetër Partia Demokratike, që nëpërmjet komisionit bëri një “pastrim” të PD? E shihni si realitet, apo si një mekanizëm që në dukje të intrigon?

I shoh si mekanizma brendapartiakë të cilat i thonë pak publikut të gjerë. Sidomos ky është rasti sa i takon Partisë Socialiste e cila, e para, nuk zhvillon zgjedhje të brendshme prej vitesh dhe, e dyta, në zgjedhjet e bëra për kandidatë për deputetë dhe kryetarë bashkish ka pasqyruar një mentalitet inkriminues të vetes dhe shoqërisë.

Lexo edhe :  Meloni për marrëveshjen e energjisë së gjelbër: Prodhimi në Shqipëri, eksporti në Itali

PD, megjithë të metat, ka zhvilluar një proces reflektues i cili është sidomos i tillë edhe për faktin se ‘ka djegur’ edhe ndër ata që në publikun e gjerë shiheshin si ‘të padjegshëm’. Kjo nuk do të thotë se PD nuk do të bëjë mbrapsht duke zhbërë mekanizmat e veta reflektivo-selektuese. Sepse është një parti që jo rrallë jeton nën strehën e ‘mbrapakthehut’.

Ndryshimet Kushtetuese të vitit  2008 i dhanë atribute të plota për të zgjedhur deputetët liderëve politik apo kryetarëve. Kësaj rradhe nga kush do të zgjidhen deputetët?

Sërish nga kryetarët dhe vetëm nga ata. Pavarësisht ‘hapjes’ që reflekton pyetja juaj e parë, në fund të gjitha firmat dhe zgjedhjet janë në një dorë: të Bashës, Ramës dhe Kryemadhit. Për të qenë të sigurt për këtë duhet të presim listat, por gjasat janë se ato nuk do na përgënjeshtrojnë. Listat janë tashmë instrumente të fuqisë së kryetarëve dhe pafuqisë së partive dhe publikut.

Duke analizuar nivelin politik, artikulimin, nismat dhe sjelljen e deputetëve në Parlamentin aktual, janë konstatuar mangësi të theksuara në të gjithë pikat. Si mendoni, në zgjedhjet e 25 prillit 2021 Parlamenti do të jetë më dinjitoz, apo si ky që do të lemë?

Do të ishte interesant të kishim një studim krahasues mes parlamenteve të kohës së Enverit, Zogut dhe Tranzicionit, për të parë nivelin e secilës periudhë. Mendoj se parlamentet e Zogut apriori duhet të kenë qenë më superioret sepse asokohe, megjithëmend populli përfaqësohej nga ajka, edhe kur këta ishin thjeshtë bajraktarë apo prijës lokal; gjithsesi ishin përfaqësues.

Kuvendi aktual mendoj se mund të krahasohet vetëm me ata të kohës së komunizmit, dhe ka gjasa të jetë më i dobët edhe se një pjesë e tyre. Por ky është perceptim pa ndonjë bazë studimi kështu që mund të jem abuziv në këto që them. Fatkeqësisht Kuvendet tona sot e tutje nuk do të përmirësohen, por do të jenë pak a shumë të njëjtat.

Ato do të mund të duken më sqimatare në sipërfaqe, por në thelb do të ruajnë shpirtin e kalbur të 2013-2017-2021. Për faktin se edhe në qofshin tërhequr elementët e inkriminuar, të pashkolluar dhe jopërfaqësues të këtij 8 vjeçari, zgjatimet e tyre do të jenë këtej e tutje në një formë a tjetër në Kuvendet e Shqipërisë.

Vajzat, djemtë, kushërinjtë, proxy-t mund të kenë zënë mend dhe diploma të mira, por ata do të jenë aksesorë të së njëjtës lojë pushteti. Atë që kemi humbur në këtë tranzicion Shqipëria nuk mund ta fitojë me një ripërtëritje artificale dhe romantike ku ajo brenda natës bëhet ‘zonjë’.

Plator Nesturi: Duhen gjetur mekanizmat për ta demokratizuar përzgjedhjen e kandidatëve

Tre muaj para zgjedhjeve kemi nga njëra anë Partinë Socialiste që po përzgjedh kandidatët nëpërmjet një platforme “Deputeti që Duam” dhe nga ana tjetër Partia Demokratike, që nëpërmjet komisionit bëri një “pastrim” të PD? E shihni si realitet, apo si një mekanizëm që në dukje të intrigon?

Secili subjekt politik ka mënyrat e veta të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë. Është e drejta e gjithësecilit që si familje politike të përcaktojë kushtet e format se si dhe në çfarë menyrë mund të përzgjidhen emrat që do e përfaqësojnë në këtë betejë elektorale. Deri në zgjedhjet e kaluara përzgjedhja ka qenë gati e njëjtë tek dy partitë kryesore.

Ishte vetë kryetari që përcaktonte një listë të emrave për kandidatë dhe ishte ai që dhe vendoste pozicionin e tyre në listë. Këtë vit kemi ndryshime të mënyrës së përzgjedhjes dhe pavarësisht formës së gjetur, gjithësesi duhet përshendetur fakti se kemi një vendim më kolegjial dhe, të paktën në dukje, nuk vendos në formë direkte dhe autoritare kryetari i partisë për listën e kandidatëve.

Nuk besoj se është forma më optimale dhe shprehëse e demokratizimit të plotë të përcaktimit të figurave përfaqësuese, por sidoqoftë është një përmirësim krahasuar me mënyrën e vjetër. Nëse marrim parasysh mënyrën se si përzgjidhen në partitë politike evropiane, atëhere kemi ende rrugë për të bërë. Në këto vende funksionon një sistem i konsoliduar i votës direkte të anëtarësisë, dhe vendimi i votës është i pa kontestueshëm nga asnjë organ tjetër drejtues.

Kundër këtij vendimi është i pafuqishëm edhe vetë kryetari partisë dhe nuk mund të ekzistojnë forma të tjera, si deux ex machina, për të katapultuar emrat në listë, kur ato janë hedhur poshtë nga vota e anëtarësisë. Pra nuk ekziston asnjë mbivendosje e drejtuesve në përcaktimine listave dhe kjo gjë bën që të funksionojë më qartë sistemi i karrierës politike, e cila fillon që në strukturat e brendshme politike të partisë.

Duhet të kesh siguruar përkrahjen e votës së anëtarësisë për të bërë përpara, dhe është ky rezultat vote, së bashku me evidentimin në betejat politike që përcakton dhe karrierën e mëtejshmë të përfaqësuesve jo vetëm si deputëtë por edhe në funksionet shtetërore që mund të marrin.

Vetë drejtuesit e partisë, në politikën e tyre për përzgjedhjen e kabinetit qeveritar, janë të vëmendshmëm dhe për statusin e besimit që gëzojnë këto figura në strukturat partiake. Është ky element që politikanët e partive evropiane, sado lart të ngrihen në karrierë, mbeten të lidhur me strukturat e partisë së tyre dhe luajnë për interesat e familjes së tyre politike. Shkëputja e kësaj hallke lidhjeje i humbet peshën organike të anëtarësisë dhe fuqizon drejtuesin, shpesh në dëm të demokracisë së brendshme.

Ndryshimet Kushtetuese të vitit  2008 i dhanë atribute të plota për të zgjedhur deputetët liderëve politik apo kryetarëve. Kësaj rradhe nga kush do të zgjidhen deputetët?

Ndryshimet e ndodhura në vitin 2008 janë marrë prej kohësh në analizë dhe janë kritikuar për formën, jo thjesht si u bënë, por dhe për atë çfarë prodhuan. Në thelb ato përforcuan rolin e drejtuesve politikë që u bënë të plotfuqishëm në hartimin e listave të deputetëve dhe renditjen e tyre në listë.

Pra vendosjen e tyre në listë si fitues apo mbushës të tyre. Nuk duhet të harrojmë se kjo ndodhi kur u vendos të kalohej nga forma maxhoritare e të votuarit dhe që kish një korrektim proporcional, në një formë të re votimi, që është kjo e deritanishmja. Pra kur kalojmë nga ballafaqimet direkte në zona dhe që kërkonin figura të forta, e shpesh kush kish me vete të fortë, për të berë betejë politike, në formën e re të tyre. Pra në formën kur nuk kemi zona të pafund të copëzuara, (100 gjithsej), në pak zona të cilat prodhonin një numër të caktuar deputetësh.

Përplasjet tashmë nuk ishin kokë më kokë mes kundështarëve direktë, por me grupe e lista deputetësh, dhe fitoret e qarqeve përcaktohen se kush arrin të nxjerrë më shumë deputetë nga lista e tyre. Kjo formë e re kish të mirat e saj, pasi shmangte në këtë mënyrë konfrontimet e të fortëve, dhe kjo fillimisht u mendua se do të sillte dhe shmangien e tyre si përfaqësues në Kuvend.

Beteja në këtë rast ishte më politike dhe varej nga ato çfarë i ofrohej elektoratit si dhe nga cilësia e listës për deputetë që paraqitej. E vetmja gjë e cila iu la në dorë liderëve ishte thjesht përcaktimi i listës. Siç duket, për interesa apo për vetë shpejtësinë me të cilën u ndërmor si iniciativë, kjo çështje duket se u kthye në problemin me të cilat janë marrë analizat mbi sistemin zgjedhor.

Për mua kjo formë nuk ishte e keqe, por ndoshta duheshin gjetur mekanizmat për ta demokratizuar përzgjedhjen e kandidatëve si dhe një vendimarrje më direkte të anëtarësise. Pasi duke përcaktuar vetë anëtarësia listën sipas qarqeve, atëherë do të kish më kuptim dhe karriera politike e gjithësecilit, por njëkohësisht do të sigurohej dhe pëlqyeshmëria e figurave sipas qarqeve dhe lidhja më direkte e tyre me zonën. E parë në këtë sy, kjo do të shmangte vendosjen e figurave që vijnë nga lart, por që nuk i njeh askush në qark, dhe që gjithësesi janë në renditjen fituese të listës zgjedhore.

Duke analizuar nivelin politik, artikulimin, nismat dhe sjelljen e deputetëve në Parlamentin aktual, janë konstatuar mangësi të theksuara në të gjithë pikat. Si mendoni, në zgjedhjet e 25 prillit 2021 Parlamenti do të jetë më dinjitoz, apo si ky që do të lemë?

Unë besoj se format e tanishme për të ndryshuar sado pak diçka nga mënyra e vjetër, mund të sjellin diçka më pozitive. Nuk mund të thuhet se këto inisiativa kanë rregulluar gjithshka, pasi jemi ende larg formave evropiane të demokratizimit të partive, por të paktën është thyer akulli i vendosur.

Pra që partitë shqiptare e ndjejnë se duhet të ndryshojnë shumë nga mënyra e strukturimit të brendshëm dhe të pjesëmarrjes active të anërtarësisë. Vetë debate që ka hapur procesi se si për bëhen përzgjedhjet është shenjë e mirë. Më parë as që diskutohej kjo çështje as mediatikisht, pasi quhej si pjesë organike e drejtuesit të partissë të caktonte vullnetin e tij në listë.

Në të dyja rastet, si me mënyrën e votimit të brendshëm por që do të korrektohet, që zhvilloi PD, ashtu dhe mënyra nëpërmjet platformës “Deputeti që duam” që zhvilloi PS, janë mënyra për të joshur anëtarësisnë, për të bërë më aktive dhe më të drejtpërdrejtë në dhënien e pëlqimit ose jo mbi kandidaturat e paraqitura.

Kjo është dhe një mënyrë për ta bërë dhe më active në zgjedhjet parlamentare e për ta mobilizuar në betejë, pasi po vërehej një zbehje të interesimit dhe të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe nga anëtarësitë. Përderisa mendimet dhe pëlqyeshmëritë e tyre ishin të pandjeshmë nga vullnetet që përcaktonin listat e përfaqësuesve të tyre, atëhere kjo kish sjell dhe zbehjen e interesimit të tyre për betejat elektorale.

Gjithësesi, këto zgjedhje, duke qenë shumë të rëndësishmë për të dyja palët, dhe për vetë intensitetin që kanë, do të ish e kuptueshme që të gjenin forma joshëse për anëtarësinë e thjeshtë e për ta bërë më aktive si në fushatë ashtu dhe në procesin e votimit. Mbi këtë bazë uroj që format e nisura të mos mbeten për vetëm kaq, por të jetë fillimi i një procesi që do të hapë dhe do të demokratizojë më tej partitë politike shqiptare.

Të fundit

Elisa Spiropali takim me Kryetarin e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar

Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Bashkuar, u takua me Kryetarin e...

Rregulli 6-6-6 i ecjes: Si ta përdorni këtë trend për të humbur peshë në mënyrë efektive?

Në ndjekje të humbjes së peshës, shumë njerëz kërkojnë për strategji të thjeshta por efektive për t’i ndihmuar ata të heqin kilogramët e tepërt....

Dështon takimi i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit në Bruksel

Takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, i planifikuar të mbahej të mërkurën në Bruksel, dështoi të...

7 gjërat që çiftet e lumtur bëjnë ndryshe në martesë

Martesa është një bashkim i bukur, por është gjithashtu një udhëtim që kërkon përpjekje, komunikim dhe respekt të ndërsjellë. Ndërsa çdo çift ka dinamikën...

Sofia Vergara dhe kampioni i “Formula 1”, Lewis Hamilton, në një histori dashurie?

Sipas TMZ, aktorja e njohur Sofia Vergara, 52 vjeçe, dyshohet se është në një lidhje me pilotin e Formula 1, Lewis Hamilton, 40 vjeç....

Lajme të tjera

Web TV