Sot votohet pasuesi i Angela Merkel. Ja raportet e 3 kandidatëve me shqiptarët

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Kush do të jetë kryetar i partisë së kancelares Merkel dhe çfarë i lidh ata me shqiptarët e Kosovën?

Nga Enver Robelli

Kush janë tre kandidatët për kryetar të partisë së kancelares Angela Merkel? Dhe cilat janë qëndrimet e tyre për Kosovën? Plus një rrëfim për një kandidat që mbeti në pistën e aeroportit të Prishtinës në vitin 2001.

Partia konservatore gjermane CDU (partia e kancelares Angela Merkel) po mban kongresin me ç’rast do të zgjidhet kryetari i partisë. Për postin e kryetarit kandidojnë Armin Laschet, Norbert Röttgen dhe Friedrich Merz. Që të tre gjatë javëve të fundit kanë marrë pjesë në debate me bazën e partisë ku kanë prezantuar programet dhe idetë e tyre.

Cilat janë përparësitë dhe mangësitë e kandidatëve – dhe çka i lidhë me Kosovën?

ARMIN LASCHET: Është i njohur për qëndrimet e tij ndaj Kosovës. Kur para disa viteve provokatori politik gjerman Thilo Sarrazin shkroi se turqit po e pushtojnë Gjermaninë me natalitet të lartë si kosovarët Kosovën, këtë tezë serbomadhe Laschet e hodhi poshtë në një intervistë për revistën STERN. Laschet tha: “Historia e Kosovës është pak më e ndërlikuar.

Kjo (çfarë thotë Sarrazin) është mendësia e diktatorit Millosheviq, i cili kështu e ka arsyetuar politikën e tij agresive serbomadhe. Konflikti i Kosovës nuk ka shpërthyer për shkak të natalitetit, por buron nga fjalimi i Millosheviqit në Fushë-Kosovë më 1989. Me atë fjalim ai e mbuloi Ballkanin me luftë e dëbime”. Po ashtu, Laschet e ka mbrojtur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Në një intervistë për radion publike gjermane ai ka thënë: “Në konfliktin e Kosovës Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka qenë i aftë për të marrë vendim dhe megjithatë është vepruar”. Laschet e ka dekoruar qytetarin Harald Meurer për themelimin e një organizate, e cila më 1999 ka tubuar para për viktimat e luftës në Kosovë.

NORBERT RÖTTGEN: Tepër modern për të qenë kryetar i CDU-së konservatore. Kështu e përshkruan një gazetë gjermane Norbert Röttgen-in. Në grupin parlamentar të CDU-së ai është ekspert i politikës së jashtme.

Proamerikan dhe kundërshtar i madh i koketimeve me palën ruse të disa parlamentarëve të majtë dhe të djathtë gjermanë. Është kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të CDU-së. Ka qenë ministër ambienti mes 2009 dhe 2012 në kabinetin e kancelares Angela Merkel.

Lexo edhe :  Haradinaj publikon videon emocionuese: I gatshëm të ballafaqohem me Serbinë e Vuçiç

Në vitin 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë ukrainase, Röttgen mori pjesë në një debat televiziv në kanalin e parë të televizionit gjerman. Një gazetar rus i pranishëm në studio tha se edhe Perëndimi e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare kur intervenoi në Kosovë më 1999. Röttgen reagoi ashpër duke thënë se kjo nuk qëndron, sepse Kosova dhe Krimeja nuk mund të krahasohen.

FRIEDRICH MERZ: Ka qenë kryetar i grupit parlamentar të CDU-së, por është shkëputur nga strukturat e larta të partisë për shkak të mospajtimeve me Angela Merkelin pasi ajo u bë kryetare e CDU-së. Merz është përkrahës i madh i bashkëpunimit me Amerikën.

Por ai përfaqëson CDU-në e vjetër, partinë e dominuar nga burrat. Merz adhuron tonin e ashpër në politikë. Jo pak gjermanë ia zënë për të madhe pasurimin nga firmat e kapitalit, për të cilat punon. Është avokat (nga kjo punë ka një njohje me një biznesmen të suksesshëm shqiptar, të cilin e përfaqëson). Si politikan i CDU-së ka votuar disa herë për qëndrimin e trupave gjermane në Kosovë dhe ka vizituar Kosovën, mes tjerash edhe ushtarët gjermanë në Prizren.

Tingëllon si anekdotë, por kjo i ka ndodhur Friedrich Merzit në Prishtinë në verën e vitit 2001. Si shef i grupit parlamentar të CDU-së (dhe partisë simotër CSU) Merz vizitoi ushtarët gjermanë në Kosovë dhe Maqedoni, të cilët po bëheshin gati për t’u angazhuar për të siguruar paqen pas konfliktit të armatosur në Maqedoni. Ishte paraparë që Merz dhe kolegët e tij të fluturonin nga Prishtina në Gjermani me një avion të ushtrisë gjermane.

Ishte ditë e enjte, në mbrëmje, muaji shtator, viti 2001 (siç u tha më lart), kur Merz dhe shoqëruesit e tij shkuan në aeroportin e Prishtinës me shpresën se aty i pret avioni për në Gjermani. Por avioni nuk ishte askund. Në fakt, avioni kishte shkuar në Shkup dhe nga aty, me ministrin e Mbrojtjes Rudolf Scharping në bord, kishte fluturuar në drejtim të Berlinit. Merz nuk ishte njoftuar për këtë ndryshim të itinerarit. Pastaj kishte ardhur një avion tjetër, avioni me të cilin zakonisht fluturonte presidenti gjerman dhe Merzin e kolegët e tij i kishte sjellë në Gjermani.

Marrë nga Koha.net

Të fundit

Humb jetën diplomati i njohur që këshilloi presidentin e SHBA-ve të bombardonte Serbinë

George P. Shultz, ish-Sekretar amerikan i Shtetit për 6 vjet gjatë mandatit të Ronald Reaganit, i cili më 1993...

Vrau vëllain dhe e hodhi nga ballkoni që të dukej si aksident, arrestohet 25 vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë ku një 25 vjeçar ka vrarë të vëllain e tij duke e goditur me sende të mprehta...

Trump rikthehet në rrjete sociale: Akuzat për nxitjen e kryengritjes s’mund të provohen

Ish-presidenti, Donald Trump ka bërë një rikthim në mediat sociale, për të thënë edhe njëherë se akuzat kundër tij për nxitjen e kryengritjes në...

“Jam penduar që u bëra pjesë e “Përputhen”, Shqipja rrëfen arsyen

Ish-konkurrentja e emisionit “Për’puthen”, Shqipe Hysenaj ishte e para që zbuloi lidhjen e fshehtë me Teas dhe Beartit e që e bëri menjëherë publike. Pavarësisht...

Zbulohet identiteti i shqiptarit që u kap me 6 çanta plot me drogë në kufirin me Greqinë

Zbulohet identiteti i shqiptarit që iu sekuestruan dje në Igumenicë 167 kg marjuanë. Ai është Mihal Qendro Leka, 37 vjeç, lindur në Sarandë. 37-vjeçari ishte...

Lajme të tjera

Web TV