Gazeta “Fjala” zbulon skemën e plotë të vjedhjes së bombolave të oksigjenimit nga ambientet e spitalit, ku Shtylla kishte zhdukur nga depot e spitalit, plot 24 bombola oksigjenimi me një vlerë totale prej mbi 8 milionë lekë të vjetra.
Mensur Shtylla, shefi i depos së oksigjenit në spitalin e Kavajës, i vidhte bombolat e oksigjenimit për pacientët e prekur nga virusi “COVID-19” dhe më pas ua shiste ato anëtarëve të familjarëve të personave të sëmurë.
Bombolat ishin blerë nga spitali nëpërmjet kompanisë “GTS” dhe se mungesa e gjendjes në depo, ka sjellë ngritjen e një inspektimi nga ana e drejtoreshës së spitalit Loredana Kapedani, e cila pasi ka konstatuar se në depo ndodheshin vetëm 6 bombola oksigjeni, ka vendosur që rastin t’ia referojë për hetime të mëtejshme, prokurorisë së Kavajës.
Gazeta “Fjala” zbulon ekskluzivisht rrëfimin para policisë të Mensur Shtyllës, i cili tregon se çfarë ka bërë me bombolat e oksigjenit. “…prej 16 muaj jam me punë si oksigjenist pranë spitalit të Kavajës, pasi kam patentën përkatëse për ushtrimin e kësaj detyre si oksigjenist. Duke qënë se jam nga qyteti i Kavajës, dhe kam njohje me banorë të kësaj zonë, më ka rastisur puna që të ndihmoj persona të ndryshëm me oksigjen, të cilët kishin të afërm të tyre të prekur nga virusi pandemik “COVID-19”. Unë jam mundur që të ndihmoj ato duke i furnizuar me bombola, absolutisht pa asnjë interes privat dhe material, por thjesht nga ana humane për t’iu ardhur në ndihmë këtyre familjarëve. Jam i vetëdijshëm se ky veprim i imi ka qënë paksa i nxituar, por unë e kam bërë pa interes material, madje të gjithë personat që kam ndihmuar e dëshmojnë këtë fakt. E gjitha ka qënë për t’i shërbyer qytetarëve të Kavajës dhe asgjë tjetër…”-ka treguar Mensur Shtylla.
Ky i fundit ka shtuar në dëshminë e tij, se të afërm të personave të sëmurë shkonin në banesën e tij në Kavajë, dhe aty merrnin bombolat e oksigjenit. Ndërsa nga depoja e spitalit në drejtim të shtëpisë, Mensuri tregon se bombolat i transportonte me makinën e tij personale.
Bombolat e oksigjenit jeni gjetur në 7 banesa, ku vetëm në banesën e babait të Mensur Shtyllës, policia arriti të sekuestrojë në oborr plot 12 copë bombola oksigjeni, në pritje për tu shpërndarë tek klientët e radhës.
“Unë kisha një kopje të çelësit të depos ku qëndronin bombolat e oksigjenit dhe natën ose ditën arrija që të merrja bombolat dhe t’i transportoja me makinën time personale. “…kam qënë i vetëdijshëm se çfarë po bëja, por gjithçka e kam bërë për humanizëm. Në asnjë moment nuk e lija gjëndjen e depos pa bombola oksigjeni, në mënyrë që të rrezikoja jetën e pacientëve që ishin shtruar në spital…”-ka shtuar Mensur Shtylla.
Pritet që në ditët e nesërme Mensur Shtylla të dalë para gjykatës së Kavajës ku do të njihet me masën e sigurisë “Arrest në Burg”, pasi prokuroria ka ngritur kundër tij, akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”./Fjala.al