Me përfundimin e numërimit të votave të rregullta nga zgjedhjet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka fituar 56 ulëse në Kuvend.
Pa votat e Diasporës dhe ato me kusht, që do të numërohen sot, Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, ka shënuar rekord me 47.85% të votave, ose të konvertuara ndryshe 378.550 qytetarë që u kanë besuar drejtimin e shtetit.
Formula me të cilën Kuvendi i Kosovës ndan ulëset është “Sainte-Lague”. Pasi që 20 ulëse nga 120 sa janë në Kuvend, janë të rezervuara për minoritetet, partitë shqiptare luftojnë për 100 ulëset tjera. Ulëset që mbesin “të zbrazëta” si pasojë e përqindjes së votave që shkon për partitë që nuk kalojnë pragun prej pesë për qind, u ndahen partive parlamentare. Në përllogaritjen aktuale, përqindja e përbashkët e partive që s’kanë kaluar pragun është mbi 11 për qind. Kjo nënkupton që 11 ulëse do të ndahen për katër partitë që kanë kaluar pragun: VV-në, PDK-në, LDK-në e AAK-në.
Lëvizja Vetëvendosje, që pas numërimit të votave të rregullta ka 47.85 për qind të votave, ka siguruar 56 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës, si e dyta, me 17.4 për qind, ka 20 ulëse. Lidhja Demokratike me 13 për qind do të marrë 15 ulëse, ndërsa AAK-ja do të jetë grupi më i vogël parlamentare, me nëntë deputetë.
Megjithatë nuk mbaron me kaq… Albin Kurti do të nisë me negociatat për të plotësuar 61 ulëset që i duhen për të krijuar qeverinë e re. Me PDK-në që i ka mbyllur derën, Kurti duket se ka si opsion vetëm Listën serbe, me të cilën edhe pse me qëndrime të ndryshme krijoi koalicion në qeverinë e parë; dhe AAK-në e Haradinajt. Megjithatë ky koalicion mund të mos krijohet prej kushtit të Haradinajt: postin e presidentit.Vjosa Osmani është emri i Vetëvendosjes, ndërsa edhe Ramush Haradinaj ka të njëjtën dëshirë për tu emëruar president. Presidenti i ri do të zgjidhet nga parlamenti dhe për zgjedhjen e presidentit në Kosovë duhen 2/3 e deputetëve në sallë dhe zgjedhja mund të arrihet në tri raunde, që në rast se dështojnë atëherë vendi kalon menjëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Edhe në rast se presidenti zgjidhet, VV-së i duhen 61 mandate për të krijuar qeverinë e re dhe se prap e ka të nevojshme një parti tjetër në koalicion.