Reportazhi/ Tek liqeni i Belshit, kryeqytetit hipotetik të shqiptarëve

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Si ke lënë autostradën që vjen nga Tirana dhe je futur në rrugën e Bradasheshit, tek rrethrrotullimi i kufizuar nga karburantet shumëngjyrësh, nuk do të të duhet të futesh për tek “autostrada” e Metalurgjikut, e cila të çon në Elbasan, por duhet të marrësh djathtas dhe t’ia mbash drejt, e si të kaptosh mbi një urë shkumbinase, fillimisht do ndeshesh me tabelën: Vidhas. Si ke kaluar dhe Paprin, duhet sërish të ndryshosh kurs, e të futesh majtas, për të marrë rrugën që të çon në Cërrik. Dhe pa u futur mirë në qytetin e Cërrikut do të të duhet të ndërrosh sërish rrugë, të marrësh djathtas atje ku kryqëzimi ka si pikë simbolike sërish një karburant. Dhe po të ecësh asaj rruge për pak minuta do të ndeshesh me liqenin e parë të Belshit. Pas tij sigurisht vjen liqeni më i madh dhe Belshi vetë si qendër administrative. Sepse Belshi si qendër e Dumresë përbëhet nga disa liqene.

Shumë i njohur për bukurinë e veçantë të peizazhit, Belshi përshkruhet si kryeqytet i mundshëm i Shqipërisë osmane, nga një ndër personaliteteve më të rëndësishme të Rilindjes Shqiptare, Sami Frashërit. Sepse asokohe shqiptarët, si pjesë përbërëse e perandorisë, kishin një tjetër kryeqytet, Stambollin.

Por dëshira e Sami Frashërit nuk arriti të bëhet realitet. Shumë më pas se Sami Frashëri të botonte librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, kryeqendra provizore e vendit lëvizi nga Vlora në Durrës… U fol për Shkodrën dhe Elbasanin. Por pastaj u vendos Tirana. Dhe nëse Belshi do të ishte bërë vërtet kryeqytet i Shqipërisë, do të kishte rezervatin e saj natyral të ujit dhe nuk do të duhej punë vullnetare për të krijuar një liqen arificial, si ai që ka Tirana, tanimë.

Por kjo i takon historisë.

Në realitetin e sotëm, Belshi ka një popullsi prej rreth 6000 banorësh dhe si bashki ajo numëron rreth 14.000 banorë. Pra, sa aneksi i një lagjeje periferike të Tiranës. Se thonë që kryeqyteti ynë ka një milion e kusur banorë, dhe s’ka lënë njeri pa ardhur në kryeqendër, që të jetojë pranë mbretit. Ca të tjerë, më të zgjuar, – në dukje besoj, – kanë preferuar të shkojnë pranë detit. Se mbretin e shohin çdo darkë në televizor.

Belshi ndodhet në jug-perëndim të Elbasanit, rreth 30 km larg tij. Dhe 60 kilometra nga Tirana. Përkthyer në një distancë mesatare kohore udhëtimi për të shkuar nga kryeqendra e Shqipërisë në kryeqendrën e Dumresë zgjat përafërsish 60 minuta.

Pamjet e Belshit të ristrukturuar tanimë kanë bërë xhiron e Shqipërisë. Se fillimisht ato i hodhi në tregun mediatik kryeministri Rama, duke u betuar se Rilindja Urbane, do rregullonte jo vetëm kërthizën e Shqipërisë, por edhe cepat më të shëmtuar të saj. E ndoshta dhe për shkak të kësaj sapo hyn në Belsh të pret një pankartë e madhe ngjyrë mavi me sloganin “Shqipëria e ardhmja jonë”

Për një turist të thjeshtë, që nuk do t’ia dijë për politikat urbane, vlerë ka argëtimi në mënyrë të kulturuar, për sa kohë ai kërkon të kalojë në këtë qytet. Belshi nuk të ofron një kala si të Krujës dhe as si ajo e Petrelës, por qetësia e liqenit, dhe gjelbërimi i pllajave përreth tij është shumë domethënës.

Bregu i liqenit nga ana e qytetit është i ndriçuar mirë me drita led, është shtruar për së mbari me pllaka të cilësisë mesatare, dhe mbi liqen është montuar një bankinë dërrasash që kanë filluar të deformohen tashmë. Por aty-këtu në shëtitoren buzë liqenit janë vendosur dhe disa buste ku veçohet ai i Skënderbeut dhe i Sami Frashërit. Për më shumë se kaq, kudo nëpër shëtitore dhe në disa restorante periferike do të ndeshësh kolona me kapitele, aq sa po të mos informohesh se janë punime të kohëve të fundit, për modë, do mendosh se janë mbetje arkeologjike të kulturës helene ose asaj romake që nga koha e pushtimit prej Paul Emilit. Ose-ose, greko-romake të marra së bashku.

Lexo edhe :  Rrufetë e Uashingtonit

E megjithatë duhet thënë se në Belsh ndodhet një nga vendbanimet më të lashta të ilirëve. Gërmimet arkeologjike në Gradishtë kanë dëshmuar se aty ka qenë vendbanim i lashtë, ku në bazë të sendeve të gjetura është vërtetuar se zona ka qenë e banuar që prej periudhës së bronzit të hershëm.

Udhëtimi që të çon në destinacion bëhet i këndshëm, nëpër një rrugë që gjarpëron nëpër kodra të buta e fusha të punuara mirë, gjë që të bën të mendosh se shqiptarët janë po aq bujq të mirë me parmendë në dorë, sa kanë qenë dhe dikur jeniçerë me shpatë në brez.

Dhe e gjitha kjo, sepse zona është turistike. Dhe njerëzit që shkojnë për të kaluar një fundjavë në këtë trevë, padyshim që duan dhe ca ushqime, në mos 100 për qind bio, të paktën bio në përqindje më të lartë se 50. Sepse në kushtet e sotme, ku mendohet se shumë ushqime janë sintetike nuk është e habitshme që edhe pse ke porositur një sallatë fshati të hash kashtë shoqëruar me oriz plastik, për të cilin të “sigurojnë” se është pilaf milanez.

Por zona duket se ka prodhim të mbarë dhe veç tokave të punuara në çdo cep syri të zë dhe shumë sera, të cilat padyshim jo vetëm e shtojnë prodhimin, por japin dhe zarzavate të cilat nuk janë të stinës.

Pasi ke pirë një kafe në qendër të Belshit, ke bërë dhe një xhiro buzë liqenit sa të janë këputur këmbët dhe mesi bashkë, papritur e ndjen se vetëm në dy-tri orë ti hartën e qytetit e ke në pëllëmbë të dorës. Këtu fillon të zbehet dhe interesi për shtëpitë e bukura të ngritura vitet e fundit, ku banorët të bëjnë me dije se kapitali për ndërtimin e tyre ka ardhur si rezultat i punës në emigracion. Ndërkohë ke mësuar ku ndodhen markatat, tregu i prodhimeve sezonale, floktoret, dyqanet e vesh-mbathjeve dhe restorantet. Si ka kaluar dhe kjo valë qejfi e relaksi, dilemës se nuk ke çfarë të bësh më aty, i zë vendin mendimi se ka ardhur koha t’i hipësh makinës e t’ia mbathësh me shpejtësi sportive.

Por jo…

Tanimë Belshi ka dhe një risi që të bën të kalosh të paktën dhe një orë më shumë sa të afrohet orari i drekës, ku qëllimi për të ngrënë një pjatë mishi të dhjamosur shoqëruar me salcë kosi, patate e birrë me kanoçe, nuk të shqitet prej mëngjesit.

Në molin e liqenit të pret një anije e vogël, e cila për një çmim shumë të arsyeshëm të ofron një shëtitje 20 minutëshe përreth liqenit. Të paktën kjo ta largon vëmendjen nga helli që vërtit mishin e qengjit dhe sofra ku shtrohen aq pjata sa me ushqimet që serviren në to to do të nginjej dhe një derr.

Pasi je rehatuar në kuvertën e katit të dytë të anijes “Uniqe”, – ku nuk mungojnë as jelekët e shpëtimit ngjyrë portokalli, – mund të porosisësh një kafe të dytë, sepse aty ka një banak, dhe vetë kuverta është trajtuar si një bar-kafene. Të gjithë udhëtarët turistë shkrepin foto e selfie dhe udhëtimi që nuk është dhe aq i shkurtër, shkurtohet edhe më, pasi koha kalon shpejt.

Moti është i mirë, liqeni i qetë dhe anija rrëshqet mbi ujë.

Floriani, administrator i kësaj anije, thotë se gjatë një fundjave i ka qëlluar që të shëtisi gati 10 mijë turistë. Sepse anija mban turisë në të dy katet e saj, – rreth 120 të tillë, – ku jo rrallë të organizuarit me shkolla apo zyra punë mund të bëjnë një party, e të kërcejnë pak, pasi muzika nuk mungon.

Natyrisht, gjatë verës, njerëzit dynden të bëjnë një udhëtim, pasi dielli është fshehur në perëndimin e tij dhe në qytet janë ndezur dritat.

Atëherë po, gjithçka duket më e bukur!


 

 


Të fundit

Plagoset një person në Berat, sapo ishte kthyer nga Anglia

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur këtë mbrëmje në fshatin poshnje, në Urën Vajgurore. Nga të dhënat e para,...

E ndaluan për kontroll, shqiptari “tërbohet” dhe plagos policin

Policia italiane ka arrestuar një 32-vjeçar shqiptar në Santeramo, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike. Mësohet se shqiptari me të kuptuar se po ndalohej...

Lulzim Basha dorëzon formularin e kandidimit për kreun e Partisë Demokratike, ja “rivalët”

Kryedemokrati Lulzim Basha, ka dorëzuar formularin e kandidimit për zgjedhjet e brendshme të 13 Qershorit, për kreun e forcës politike që ai drejton. Aktualisht për...

Protestë kundër përdhunimeve në Rrëshen

“Heshtja përdhunon sërish”. Të rinjtë e Rrëshenit por jo vetëm kanë dalë gjatë ditës së sotme për të protestuar për ngjarjen e rëndë, atë...

Përdhunimi i të miturës në Mirditë, Braçe: Duhet ‘vrarë’ ky…

Përdhunimi i 15-vjeçares në Mirditë nga 5 persona ka sjellë reagime dhe protestat në mbështetje të saj dhe të gjithë grave e vajzave duke...

Lajme të tjera

Web TV