Tensionet midis Perëndimit dhe Kinës cenojnë rrjedhën e zhvillimeve globale 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Almario Uka

 

Pandemia Covid-19 nuk është i vetmi fenomen që ka trazuar ujërat, në botë, në kohët e fundit. Pafuqia e vendeve të zhvilluara për të reagur ndaj këtij kolapsi shëndetësor ka nxitur zhvillime të reja të papëlqyeshme. Kjo ka çuar në një luftë akuzash dhe provokimesh midis rivalëve Perëndimorë dhe Kinës, e cila po faktorizohet globalisht gjithnjë e më shumë. Kryesisht, Perëndimi ka akuzuar Kinën për përhapjen e virusit Covid-19; për shkeljen e rregullave të konkurrencës nga kompanitë kineze në tregun e brendshëm dhe të jashtëm; për shkeljen e rregullave të privatësisë mbi të dhënat; për kopjim të teknologjive të reja- e njohur si lufta e semikondaktorëve; për spiunazh; për rritje të prezencës ushtarake në Taivan; për mohimin e lirisë së zgjedhjeve të lira në Hong-Kong; dhe për mohimin e të drejtave themelore të njeriut që iu bëhet ujgurëve në provincën Xinjiang. Kjo e fundit i ka çuar tensionet në një shkallë të re të pa dëgjuar apo parë më parë. Bashkimi Europian dhe SHBA-të kanë vendosur të sanksionojnë disa diplomatë dhe institucione që veprojnë në juridiksionin e tyre dhe të pengojnë hyrjen e deputetëve apo kapitalit kinez në Europë dhe SHBA.

 

Përgjigjja ndaj sanksioneve

Kina u është përgjigjur sanksioneve të vazhdueshme nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian, që bazohen, në pretendimin e tyre, mbi shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj ujgurëve në provincën Xinjiang. Këto pretendime, për Kinën, janë të pabazuara dhe dashakeqëse. Tensionet e rritura janë pasojë e këtyre sanksioneve të ushtruara nga Perëndimi, gjë që ka nxitur Kinën të ndërmarrë të njëjtin hap kundrejt disa diplomatëve dhe deputetëve të Parlamentit Europian, institucioneve të Bashkimit Europian, dhe diplomatëve të SHBA-ve. Dy arsye që e çuan Kinën drejt këtij hapi janë: a) perceptimi që ka Kina për vetveten, si fuqi e ardhshme globale që duhet të përçojë këtë imazh brenda dhe jashtë vendit; dhe b) kërkon të pengojë krijimin e një aleance të bashkuar të të gjithë partnerëve të Europës, siç janë SHBA-të dhe Japonia, të cilët janë gati të ndërmarrin hapa të mëtejshëm radikal ndaj Kinës. Këto tensione kanë shkuar aq larg, duke rrezikuar seriozisht zbatimin e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse mbi Investimet, të firmosur nga Kina dhe BE-ja në fillim të këtij viti. Disa anëtarë të grupimit më të madh politik në Parlamentin Europian, PPE, deklarojnë që ky vendim mund të rishikohet, përpara se të ratifikohet. Megjithatë, edhe në këtë rast Europa shfaqet përsëri e ndarë në qëndrimet e saj ndaj Kinës pasi, Ministri i Jashtëm i Hungarisë i cilësoi sanksionet e BE-së ndaj Kinës si të paarsyeshme, të tepruara dhe të dëmshme. Zhvillimet e fundit politike të disfavorshme, shtuar këtu edhe takimin e fundit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, me përfaqësues në Bruksel, kanë bërë që Kina të reflektojë dhe të ndërmarrë disa ndryshime domethënëse në planin diplomatik dhe ekonomik.

 

Kina i përgjigjet Perëndimit me ndryshime

Në sferën diplomatike, Kina ka qenë më aktive dhe e shpejtë në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Rusinë, gjatë vizitës së ministrit të jashtëm Lavrov në Kinë, duke marrë mbështetjen e saj në çështjen mbi të drejtat e njeriut; me Iranin, duke nxitur SHBA-në që të pranojë paktin bërthamorë të nënshkruar më herët; dhe me Korenë e Veriut, që lidhet gjithashtu me çështjen e pasurimit të saj me arsenal bërthamor. Çështjet me interes të përbashkët global, siç janë ato të zhvillimit të armëve bërthamore, ngrohjes globale, dhe ndotja nga emetimi i dyoksidit të karbonit u diskutuan në takimin e mbajtur midis delegacionit amerikan dhe kinez në Alaskë.

Ndërsa në sferën ekonomike, ndryshime do të ndodhin me nismën Brezë dhe Rrugë, e cila ka një natyrë zhvillimi përtej Kinës, për ta përshtatur me rregullat dhe normat ndërkombëtare. Rritja e normës së investimeve që do të karakterizojnë këtë nismë nuk do të jetë më vetëm e shpejtë, por edhe cilësore. Koncepti i ri tregon për promovim të gjerë të ekonomisë kineze, e cila pak vite më parë, pësoi një shtytje nga investimet tek asetet fikse – si motori kryesor i rritjes ekonomike, drejt konsumit dhe efiçiencës së brendshme – duke e vlerësuar tregun kinez në rrafshin global. Gjithashtu, përqëndrimi në industrinë ‘high-tech’, ka ndihmuar në rritjen e përgjithshme të produktivitetit të ekonomisë kineze dhe ka fraksionuar zinxhirin e prodhimit në qeliza të vogla të pavarura, duke e bërë gjithsecilin pjesë të kësaj industrie. Më poshtë, do të shohim konkretisht çfarë do të thotë zhvillimi ‘cilësor’ i rritjes ekonomike të Kinë, për nismën ‘Brezë dhe Rrugë’:

Lexo edhe :  Mbi 70% e shqiptarëve e vlerësojnë pozitivisht punën e SPAK-ut

Si fillim, nisma Brezë dhe Rrugë do të pasurohet me ‘rrugën e mëndafshit të shëndetit’ që, thelbësisht, do të përpiqet të plotësojë kërkesën e vendeve përfituese nga nisma me vaksinën anti-Covid 19. Ky është një komponent tjetër, pas atij dixhital në shpërndarjen e rrjetit 5G përgjatë vitit të kaluar, që i shtohet ksaj platforme globale zgjerimi të Kinës; II) investimet kryesore të nismës do të drejtohen kah zhvillimi i teknologjisë së gjelbërt dhe energjive të rinovueshme. Kjo do të bëhet e mundur me anë të ‘financimit të gjelbërt’ dhe vështrimit kritik ndaj investimeve që ndotin mjedisin; III) do të ketë mekanizma shtesë të qeverisjes që ndërmarrin masa stabilizuese ndaj investimeve të nismës Brezë dhe Rrugë, sipas normave ndërkombëtare dhe strategjive të tjera për uljen e riskut. Për shembull, një masë e tillë mund të ndërmerret në menaxhimin e borxheve që i’u shkaktohet vendeve përfituese nga nisma, pasi që për ekonomitë kombëtare fluksi i madh i investimeve mund të jetë ekonomikisht irracional; IV) përhapja ‘soft’ e deritanishme e Kinës është karakterizuar nga ndërtimi i infrastrukturës së transportit si formë e lidhjes dhe zhvillimit ndër-rajonal. Së fundmi, po shohim një shtytje drejt integrimit më të madh financiar dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore të Kinës me botën e jashtme, si formë më e dobishme për t’i zhvilluar këto lidhje ndër-rajonale; V) një hap tjetër është zvogëlimi i rolit të bankave shtetërore kineze, siç janë Banka Exim apo Banka Kineze për Zhvillim, në dhënien e kredive për kompanitë shtetërore kineze të ndërtimit. Kjo metodë investimi është konsideruar si një rreth vicioz i qarkullimit të kapitalit kinez me të vetmin përfitues, shtetin kinez; VI) si rrjedhojë e hapit të mësipërm, më shumë projekte të nismës Brezë dhe Rrugë do të financohen sipas modelit të Partneritetit-Publik-Privat dhe bashkëfinancimeve me institucione të tjera financiare. Kjo praktikë do të sigurojë që kompanitë kineze të konkurrojnë në mënyrë më të drejtë me koleget e tyre në botë; VII) do të ketë më shumë shembuj të ‘bashkëpunimit në tregjet e treta’ midis kompanive kineze dhe atyre perëndimore. Tregjet e treta janë të gjitha vendet në zhvillim të cilat janë objekt i përbashkët i interesave zhvillimore të Kinës dhe Rusisë, SHBA-së dhe BE-së.

 

Epilogu

Për ta mbyllur, mund të themi që këto ndryshime domethënëse të Kinës, të parashtruar në planin e saj pesë-vjeçar të zhvillimit në “Kongresin e Katërmbëdhjetë të Partisë së Punës Kineze”, janë një përgjigje ndaj kritikave të brendshme dhe të jashtme që ka hasur kohët e fundit. Në Kinë, duket se e kanë kuptuar që, për t’u bërë një faktor i rëndësishëm politik dhe ekonomik global është e drejtë të kesh më shumë miq sesa armiq.

Të fundit

Ishte duke punuar në një kantier ndërtimi në Itali, 18-vjeçari shqiptar plagoset rëndë

Një punëtor 18-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i plagosur rëndë pasi ka rënë nga një lartësi prej rreth...

Ky është efekti surprizë që ka televizori te cilësia e gjumit dhe hormonet tuaja

Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, një person sheh afërsisht dy orë e 17 minuta televizor në ditë. Por, pak e...

Pse Micotaqis duhet ta pranojë dorën e shtrirë të Ramës!

Nga Dritan Hila Po bëhet gati një vit që Greqia nuk e pranon dorën e shtrirë të Ramës, me gjithë insistimin e tij. Mbase fodullëku...

Emma Stone zbulon emrin e saj të vërtetë

Emma Stone ka bërë një zbulim për emrin e saj të vërtetë dhe historinë e ndryshimit të tij. Në një intervistë që ndau me kolegun...

Julia Fox për lidhjen me Kanye West: Më la shije të hidhur

Ylli i “Uncut Gems” Julia Fox tha për revistën InStyle se lidhja në fakt i la “një shije të keqe”. Dhe tani, për shkak...

Lajme të tjera

Web TV