Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker ka mbërritur në Tiranë, ndërsa pak minuta më parë ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin Edi Ramën. Takimi u zhvillua në kryeministri, ndërsa nuk bëhen me dije detaje nga biseda mes tyre.
Reeker pritet të zhvillojë më vonë edhe një takim me kreun e PD-së, Lulzim Bashën.
Ndërkohë Reeker pas Shqipërisë do të udhëtojë edhe në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut.
Vizita e zyrtarit të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vjen në një kohë kur Shqipëria sapo nuk ka marrë një datë nga Bashkimi europian për mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare.
Ndërkohë, ditën e djeshme Kryeministri Rama së bashku me drejtuesit e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kërkuan edhe ndihmën e SHBA-së që të ndikojë te BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të shkojnë drejt BE-së. Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli ‘non grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha para disa javësh.