E enjte ora 18.00, me sa janë domatet? S’ka veresie!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sebi Alla

E enjte ora 18.00, një ditë para të premtes. Sali Berisha bujti në sallën e konferencave në hotelin që ia njeh edhe skutat më të pandriçuara, që nga viti 1997, ku varej ekzistenca e vendit. Ora 18.00, sërish e enjte, një ditë para së premtes, ambasadorja Yuri Kim në intervistë për “Zërin e Amerikës” për të përçuar zërin e saj për politikanët dhe qytetarët tanë. Ora 18.00, po e enjte, “çuditërisht” një ditë para së premtes, kryeministri Edi Rama bujti në Parlament dhe ia jep fjalën Lulzim Bashës. Rryma në tre faza në kokën qytetare që shërben për të folur dhe askush nuk ja ndjen zërin. Sa me fat në këtë larmi programesh televizive, mediash online dhe shfaqjesh të gjalla politikanësh dhe ambasadorësh. Sa ditë me fat kjo e enjte me atë orë të shënuar 18.00…

Burri zihet me gruan në shtëpi, klienti i kafenesë me kamarierin që ka harruar televizorin diku në një kanal sportiv dhe numëron ato pak lekë bakshish… “Çoje te Berisha”-klith një burrë, “Jo, çoje të Rama”-këmbëngul një tjetër, “ç’ja fusni kot, po flet edhe Basha”- kundërshton i treti, “përmbahuni të gjithë, çojeni te ambasadorja” – vendos i katërti diku nga cepi, që bën edhe të tjerët të heshtin për pak. Fundja kush i thotë “jo Amerikës”… Ama për një çast dhe vijon sërish grindja me gongun e orës që nis në orën 18.00 dhe nuk përfundon më as pasi protagonistët që shijnë në lëmën e politikës janë për gostinë e darkës së bollshme.

Shfaqjet mbaruan, tani është koha e matjes së audiencës online, të gjithë i hedhin sytë nga K… (Kilo-mijë shikues në kohë reale). Nis edhe një herë grindja për “K”… kush e kishte më të madh. Doli që Berisha, edhe pas 31 vitesh në politikë dhe 77 vjeç kohë biologjike, e kishte më të madhe, edhe se Rama, Basha e madje edhe ambasadorja. “Hë mo, a ju thashë, Berisha do e mposhtë Edin dhe Lulin” – ndërhyn Bërishdashësi. Po rri o i shkretë, ai ka mbaruar, Edi po tallet me ju” – shton Ramdashësi. Nga ana tjetër Bashdashësi s’ka shumë për të folur, nuk di kë të kundërshtojë, hedh një sy nga ambasadorja: “mbajeni mend, kjo do e ndihmojë Lulin” – thotë ai, që dikur briste Berisha-Berisha e sot Basha-Basha. Hall të madh ka, nuk di nga t’ia mbajë ndërsa sheh K-të (Kilo-mijë shikues në kohë reale) e Berishës dhe Bashës.

Ora 18.00 nuk është më aq, ka kaluar ca. Ata të katër ikën nga televizori. Ndërkohë, koha ecën, një gol e kishte pësuar ekipi i zemrës së Luldashësit, por ende kishte shpresë se do të kthehej rezultati. U humbën në debate, duke folur me llafe të mëdha dhe baste pafund me dreka e darka, madje edhe me lekë (paçka se bastet janë të paligjshme, sipas ligjit). “E vemë me bast se Luli do të fitojë” – thotë burri në lokal që gjithnjë flet i treti ose i katërti sipas rëndësisë, sepse në fillim Ramdashësi bën batuta të pasuara nga Berishdashësi dhe ndonjëherë ysht debatet Kimdashësi, i cili gjithnjë ka një qëndrim prej fituesi.

Lexo edhe :  Tre kabinetet paralelë me Ramën kryeministër

Buka e pas orës 18.00.

Harruan që kanë shtëpi. Harruan që duhet të blinin ushqimet. Për fat, një dyqan e kanë përballë bashkë me një grua që fërkon një kokërr domateje në arkën e mbushur plot dhe të pashitur, paçka se ka kaluar ora 18.00.

“Më bëj një kos dhe një bukë. Po domatet me sa janë”, pyet Berishdashësi.

“1200 lekë. Janë të mira” – thotë shitësja.

Berishdashësi iku me një bukë dhe një kos, duke lënë fiks 2300 lekë të vjetra monedha. Ka shpresë edhe për shitësen, Ramdashësi mbush një qese të mirë me domate e kastraveca, i lëshon një 5000 lekësh letre dhe fut në xhep kusurin. Bashdashësi çohet nga lokali, kalon nga dyqani, ndal pak hapin dhe ikën. Nuk bleu gjë, mbase i ka kryer pazaret paradite, nuk dihet, ose u tremb nga etiketa në dyqan: “veresie nuk ka”. Kush të jep veresie në këtë kohë, pushtet jo e jo, po as bukën. Është shtrenjtuar edhe ajo, 100 lekë më shumë.

Darka e sherrit

Mendja sërish tek shfaqja e orës 18.00. Katër liderët Rama, Berisha, Basha dhe ambasadorja Kim kushedi ku janë. Kryeministri në periferinë e Tiranës në shtëpinë e madhe dhe të veçantë, Basha po në periferi, por nga krahu tjetër në një vilëz mes biznesmenësh dhe politikejsh. Berisha në një apartament të madh afër Liceut në një kat të lartë, aty ku sheh në “pëllëmbë të dorës” edhe selinë e rëndë të Ambasadës Amerikane. Kim në rezidencën e saj, aty qetë duke shkruar ndonjë status në rrjetet sociale. Asnjë prej tyre nuk do pyesë më sa ishin domatet teksa konsumojnë darkën e bollshme.

Po në shtëpitë e “të dashuruarve” pas politikanëve çfarë ndodh?

Me një kos dhe një bukë vështirë nëse do e shtyjë Berishdashësi, sherr e shamatë mund të ketë me bashkëshorten, apo fëmijët që duan ndonjë lek xhepi. Për Ramdashësin mund të shkojë më qetë nata e së enjtes së pas orës 18.00. Fundja domate e kastraveca i bleu, po edhe bukën e ka paçka çmimit të rritur. Për Bashdashësin nuk dihet se ç’po ngjet. I ka mbytur “zhurma e heshtjes”. Për më tepër për asnjë nuk ka më as “veresie”, sepse qepenat u mbyllën. Nata po vjen dhe jemi një ditë pas së enjtes. Keni parë që erdhi e premtja…

Të fundit

Apple pranë marrëveshjes me OpenAl, ChatGPT do të integrohet në Iphone

Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple është afër finalizimit të marrëveshjes me OpenAl që do të shtoë ChatGPT-në në...

Takimi me emigrantët në Athinë/ Pse nuk u takua me zyrtarët grek? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion”, lidhuer me takimin e shqiptarët që jetojnë në Greqi, i cili solli reagime të politikës dhe...

Si janë raportet midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për një emision televiziv ndër të tjera foli edhe për raportet e qeverisë shqiptare me atë...

Ekspertja: Vizita në Athinë, më e suksesshmja për Ramën. Ishte në nivelin më të lartë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Enida Bozheku e cilëson vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë si më të suksesshmen në këto vite që është...

“Do të të laj…”, me kë e ka Xhensila Myrtezaj?

Prej disa kohësh po përflitet një ndarje mes aktorit të humorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Kjo u aludua vazhdimisht në media por...

Lajme të tjera

Web TV