Ballkani Perëndimor që u mbajt në Brdo të Sllovenisë nuk dha asnjë datë për konferencën ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe pse vetë kryeministri Edi Rama ishte shprehur më herët se nuk e priste që një gjë e tillë të ndodhte. Megjithatë mbajtja peng e Shqipërisë për integrimin në BE për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Shkupit, nuk ka kaluar pa debate në samit mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit bullgar, Rumen Radev.
Vetë presidenti bullgar tha se “fshirja delikate” e identitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut duhet të ndalet para se Bullgaria të heqë veton e saj mbi negociatat e pranimit të Shkupit në BE. Presidenti bullgar foli me tone të ashpra ndaj Maqedonisë së Veriut, ku tha se Sofja këmbëngul në përgatitjen e një udhërrëfyesi me “garanci me shkrim” që Maqedonia e Veriut nuk do të ushtronte presion ndaj minoritetit bullgar atje, që sipas Radev paskan frikë të vetëdeklarohen. Vetëm kur të arrihet kjo, Bullgaria premton të heqë veton e saj për integrimin e Shkupit, dhe rrjedhimisht edhe Tiranës zyrtare, që po trajtohen në grup nga BE për hapjen e negociatave.
Pikërisht këtu mësohet se ka ndodhur edhe përplasja me Ramën, i cili gjatë fjalës së tij tha se “nuk ka shpresa që Bullgaria të kalojë ngërçin, dhe se sjella e saj po i merr frymën BE-së”. Rama tha gjatë fjalës në samit se “Bullgaria po mban peng jo vetëm Shkupin por edhe Tiranën dhe se kjo po dëmton edhe më shumë imazhin e BE.”