Partia Demokratike ka mbledhur dje Kryesinë për të vendosur se çfarë do të bëhet me bashkimin e dy grupimeve të blloqeve Berisha-Basha. Disa nga drejtuesit e PD-së së mbetur, kanë kërkuar që si fillim të hiqen dyert e blinduara dhe të tentohet bashkimi me grupimin e Berishës. Pritet të ngrihet një komision i përbashkët që më pas do i hapnin rrugë analizës dhe zgjedhjeve të reja brenda partisë.
Partia Demokratike ka zhvilluar mbledhjen e Kryesisë e thirrur nga kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj. Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbylluara dhe nuk është shoqëruar me debate “bashkimi” i dy partive, por me diskutime të buta, tashmë që edhe Basha ka dhënë dorëheqjen. Ajo që është propozuar nga deputeti dhe anëtari i Kryesisë Helidon Bushataj është të hiqen si fillim dyert e blinduara. I pari që ka hapur mbledhjen ishte kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj, i cili tha se duhet të jenë të gjithë të bashkuar. “Pesha për secilin është e madhe, por duhet të jemi që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurtë”, tha Alibeaj. Ndërsa Bushati tha se duhet të bëhen hapa konkret për ribashkimin duke nënvizuar heqjen e dyerve të blinduara. “Jemi këtu për të mirën e PD. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikës. Duhen akte konkrete për këtë. Debat konstruktiv që objektiv të jetë bashkimi, pa përjashtuar asnjë. Gjesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam vetëm unë këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyrë ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i parë për bashkimin. Vetëm të bashkuar mund të jemi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet janë më të afërta”, tha Bushati. Ndërsa Xhelal Mziu tha se PD është në një kohë jo të mirë për të shkuar në zgjedhjet e vitit 2023. Ai tha se dy PD-të nuk bëjnë dot pa njera tjetrën. “Jemi në një situatë jo të mirë, por në kohë të volitshme për t’i paraprirë zgjedhjeve të 2023. Rezultati i 6 marsit foli për shumicë në anën tjetër. As ne, as ata nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin. Nëse kthehen zgjedhjet 2023,do ishte vrastare për PD. Duhet të gjejmë mënyrë për tu bashkuar. Nuk e gjykoj që data 30 prill është zgjidhje. Nuk është normale që t’i bëjmë karshillëk njëri-tjetrit”, tha Mziu. Ai tha se PD e ka potencialin për ti dhënë një zgjidhje duke ngritur një komision të përbashkët. “Ne kemi potencialin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja gjendet duke patur një komision të përbashkët. Foltorja ka nisur organizimin në të gjitha degët. Nëse vazhdojmë kështu do të vazhdojmë të mbetemi të papërfaqësuar dhe pastaj na rroftë sigla e PD. Pra ky grup i përbashkët të garantojë që nuk ka vend për triumfalizëm”, tha Mziu në mbledhjen e Kryesisë me dyer të mbyllura. Në këtë takim nuk kanë marrë pjesë anëtarët e dorëhequr si: Lulzim Basha; Grida Duma; Agron Gjekmarkaj; Flutura Acka; Lindita Metaliaj. Ndërkohë marrin pjesë deputetët që bojkotuan mbledhjen e së hënës: Ervin Salianji, Tomorr Alizoti, Helidon Bushati dhe Xhelal Mziu, të cilët janë edhe anëtarë kryesie.
Rithemelimi i PD
Minarolli: Kuvendi i 30 prillit, rruga e vetme
Zhvillimet që pasuan 6 marsin në Partinë Demokratike kanë shtuar urat e komunikimit mes dy grupimeve të kësaj force politike. Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD, Ervin Minarolli, tha se ka sinjale pozitive për bashkim nga deputetë të PD, deri dje mbështetës të Lulzim Bashës, por si rrugën e vetme për këtë drejtim sheh kuvendim kombëtar të 30 prillit: “Kuvendi i 30 prillit është mundësi e mirë, nuk ka bisedime zyrtare, ka bisedime mes shokësh. Të gjithë e kanë parë kush është rruga për bashkimin e PD. Jemi në proces organizimi që finalizohet më 30 prill”. 1100 delegatët e Kuvendit Kombëtar pritet të dalin nga zgjedhja e strukturave të reja, proces që pritet të përfundojë në 3 prill. Nga Kuvendi do të dalin edhe dy organet e tjera të rëndësishme të partisë: “Do të zgjidhet Këshilli i ri Kombëtar dhe pas tij do të zgjidhet Kryesia e re”. Minarolli ritheksoi edhe një herë faktin se askush nuk duhet të privohet nga e drejta për të kandiduar, duke rikonfirmuar mbështetjen e Komisionit të Rithemelimit ndaj Sali Berishës. Vendimin për hapjen e garës për kreun e PD-së, sipas Minarollit, pritet ta marrë kryesia e re që do të prodhojë kuvendi i 30 prillit.
Mblidhet Komiteti i Energjisë
Balluku: Nuk do të mungojë energjia për qytetarët
Komiteti i Energjisë është mbledhur këtë të mërkurë lidhur me situatën e çmimeve. Ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku tha se KESH ka qenë në gatishmëri dhe se energjia për qytetarët nuk do të mungojë. “Menaxhimi bërë nga KESH është i mirë. Jemi treguar të kujdesshëm nga blerjet dhe i kemi njoftuar qytetarët se kush janë çmimet që përballemi kur dalim në tregun ndërkombëtar. Pra kjo situatë po menaxhohet dhe KESH është në gatishmëri. Qeveria ka marrë përsipër të mbulojë shpenzimet për familjarët, biznesin familjar. Pavarësisht kushteve që na ka vendosur moti, ne do të tregojmë gatishmërinë tonë për të mundësuar energjinë.”, tha Balluku.
Këshillimi Kombëtar
486 mijë plotësojnë formularin, Rama: Vazhdon mbledhja e opinioneve
- 690 qytetarë kanë plotësuar deri më tani formularin e Këshillimit Kombëtar. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili bën me dije se formulari është plotësuar nga të gjithë shqiptarët në të gjithë vendin. “Këshilli kombëtar – vazhdon mbledhja e opinionet, tashmë edhe përmes pikave të informimit në qendrat e qyteteve. 486 690 qytetarë janë bashkuar duke iu përgjigjur në tre forma komunikimi, online në ëëë.keshillimikombetar.al me postime dhe stendat e bashkisë”, shkruan Rama. Veçse online, formularët e Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë u janë dërguar tashmë qytetarëve në shtëpi. Ata mund t’i plotësojnë dhe më pas me anë të një zarfi mund t’i dërgojnë me postë falas në kryeministri. Po ashtu çdo bashki do të hapen pika të posaçme ku mund të plotësohen formularët. Nga vaksinimi i detyrueshëm te legalizimi i kanabisit, janë disa nga pyetjet që qytetarët do të japin opinionin e tyre përmes Këshillimit Kombëtar. Pyetësori prej katër faqesh, i mbështetur në 5 shtylla, familja, lufta kundër krimit, ekonomi, punësim e integrimi i vendit, nis me pyetjen nëse duhet bërë diferencim për nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur në përfitimin e mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti.