Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nxjerrë 11 urdhër-arresti për zyrtarë dhe administratorë të kompanive që kanë përfituar nga inceneratorët. Deputetit të PS-së Alqi Bllakos pritet që t’i hiqet imuniteti për t’ju dorëzuar drejtësisë, ndërsa dhjetë të arrestuarit e tjerë janë administratorë dhe punonjës të prokurimeve.
Prokuroria e Posaçme ka vënë nën akuzë 11 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Elbasanit, një biznesmen dhe dy administratorë të incerenatorëve në Fier. Korrupsioni në dosjen e incineratorëve ka bërë që SPAK të vijojë me urdhër-arrestet ndërkohë që Kuvendit i është kërkuar heqja e imuniteteit të deputetit socialist Alqi Bllako. I dyshuar si i përfshirë në marrjen e shumave të mëdha të parave në mënyrë të jashtëligjshme, nga të dhënat e sistemit TIMS, Bllako rezulton se është në Shqipëri. Mësohet gjithashtu se përgjatë dy muajve të kaluar ai ka pasur udhëtime jashtë vendit. Sipas sistemit TIMS në Shqipëri rezulton se është dhe Klodian Zoto, administrator i kompanisë që fitoi tenderat për ndërtimin e koncensioneve. Edhe pse sipas regjistrave të hyrje- daljeve nga Shqipëria ai rezulton se është në vend, Policia dyshon se ai ka arritur të dalë në një prej pikave kufitare tokësore dhe si destinacion final ka pasur Portugalinë, pasi disponon dhe nënshtetësi portugeze. E njëjta histori dhe me Stela Gugallja e kompanive simotra të cilat fituan tenderat e incineratorëve, ndërsa sipas të dhënave të policisë 42-vjeçarja, edhe pse rezulton në Shqipëri, dyshohet se është larguar në të njëjtën mënyrë. Pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në një nga lokalet e qytetit bregdetar prangat ishin dhe për Zoton e Gugalljan por që nga dhjetori e deri më sot nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ka nxjerrë në dritë të tjera detaje nga urdhër-arrestet e lëshuara në lidhje me abuzimet me inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit. Akuza e SPAK-ut për deputetin Bllako është falsifikimi i dokumenteve për inceneratorin në kohën kur ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit në bashkëpunim me ish-ministrin e atëhershëm, Lefter Koka. Në veçanti, flitet për një ndryshim destinacioni për tokën ku u ndërtua inceneratori, që nga tokë arë u shndërrua në tokë truall, ku mund të ndërtohej. “Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë”. Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme do t’i paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg”. Nëse, Alqi Bllako tërhiqet nga mandati, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani, atëherë mandati i kalon Pandeli Majkos, i cili ishte i 19-ti në listën e Tiranës.
Procedurat
Sipas SPAK, në lidhje me procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit, pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë “tokë arë”, me sipërfaqe 111 564 m2 , nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundraligjshme të Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Ish Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, të cilët kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”. Mbi bazën e këtij dokumentacioni me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.951,datë 28.12.2016, është vendosur shpronësimi i pronës ku do të ndërtohej inceneratori në shumën 46 299 060 (dyzet e gjashtëmilion e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekë. Si rrrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 (gjashtëmbëdhjetë milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga shoqëritë “Integrated Technology Ëaste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Shoqëria “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga disa shoqëri të tjera në total në vlerën vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë. Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”. Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind)lekë. Për personat e tjerë SPAK ka kryer arrestimet, ndërsa për Alqi Bllakon, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg”.
PS dorëzon edhe Bllakon në Drejtësi, Balla: Nuk mbrojmë askënd
Sot pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve për t’i hequr imunitetin deputetit të Partisë Socialsite Alqi Bllako dhe t’i dorëzohet drejtësisë. Dje SPAK nxorri urdhër-arresti për Bllakon.
Deputeti socialist Alqi Bllako do arrestohet me kërkesë të SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në lidhje me inceneratorët në Fier. Ditën e sotme në orën 18:00 do të mblidhet Këshilli i Manadateve për heqjen e mandatit të deputeti Alqi Bllako. Duket se socialistët e braktisën edhe deputetin e dytë pas Lefter Kokës. Partia Socialiste nuk do të bëhet pengesë për deputetin Alqi Bllako për të cilën SPAK kërkon arrestimin e tij për aferën e incineratorit në Fier, ndaj sot Kuvendi do të mblidhet për heqjen e mandatit. Pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e deputetit socialist, Alqi Bllako, ka reaguar Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla i cili theksoi se Partia Socialiste nuk do shërbejë si zyrë avokatie për askënd. Balla njoftoi se kryetarja e Kuvendit ka thirrur mbledhjen e këshillit të mandateve nesër (sot) në orën 18, duke garantuar se nuk do të ketë asnjë pengesë procedurale për kërkesën e SPAK. “PS-ja e ka thënë që nuk do të jetë asnjëherë zyrë avokatore për askënd brenda partisë. Kryetarja e Kuvendit ka thirrur nesër në 18:00 Këshillin për mandatet që është institucioni që vihet në dije për këtë situatë dhe ai këshill është vënë në dijeni, procedura do të vijojë pa asnjë vonesë në funksion të drejtësisë”, tha Balla. Kreu parlamentar i PS-së shtoi se “për ne është shumë rëndësishme që drejtësia të bëjë punën e saj. Kam komunikuar edhe me kryetaren e Kuvendit për ecjen sa më shpejt të procedurave parlamentare. Nuk ka asnjë vonesë dhe asnjë pengesë për të çuar përpara një arritje që Shqipëria e ka të pakontestueshme, Reforma në Drejtësi që po jep rezultate”, tha Balla. Ai tha se si koleg nuk është i gëzuar nga vendimi, ndërsa shtoi se para drejtësisë duhet të vihet kushdo, pavarësisht se nga cili kamp vjen. “Unë nuk jam i gëzuar për askënd që kërkohet një mase sigurie me arrest me burg. Në aspektin njerëzit, të të qënit fakti të kolegut, nga secili krah qoftë personi apo kolegu. Në aspektin njerëzor, përgjigja e pyetjes tuaj është se nuk jam i gëzuar. Por kam një aspekt tjetër, që forcova udhëheqëse e PS ka pasur objektiv arritjen e një momenti që drejtësia të funksionojë dhe të vendoset para drejtësisë gjithkush pa dallim se nga cili krah vjen. Do punojmë në këtë drejtim për të thelluar efektet e reformës në drejtësi.”, tha ai. Deputeti Ervin Salianji, ka komentuar kërkesën e SPAK në Kuvend për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Mandateve, Salianji thotë në një prononcim për mediat se kjo çështje duhet të shqyrtohet në seancën e parë plenare. “Sipas ligjit, në seancën e parë plenare pas marrjes së kërkesës duhet të shqyrtohet. Kështu të shohim nesër (sot). Duhen shqyrtuar të gjitha për të mos lënë asnjë vend për çfarëdolloj interpretimi. Nesër (sot) do jemi prapë”, tha Salianji.
Kryemadhi: Paratë e inceneratorëve erdhën nga Malta
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka risjellë në vëmendje akuzën se paratë e inceneratorëve kanë ardhur nga Malta dhe janë përdorur në zgjedhjet e 25 prillit. Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi thotë se këto para janë përdorur për të blerë vota masivisht në qarkun e Durrësit. Ajo paralajmëron se do të publikojë së shpejti dosjen për këto akuza. “Para nga Malta për zgjedhjet e 25 prillit, Kryemadhi: Ju kujtohet dosja e maltës, do të njiheni shumë shpejt me atë dosje Do t’ju rikujtoja të gjithë gazetarëve kam denoncuar që do të vinin nga Malta paratë e inceneratorëve për t’u përdorur në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar. Shumë shpejt do të njiheni dhe me atë dosje sepse ato para janë përdorur në mënyrë masive për blerjen e votës në Qarkun e Durrësit”, tha Kryemadhi.
Braçe: Çdo koment do ishte politik
Deputeti socialist, Erion Braçe ka refuzuar të komentojë kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e kolegut të tij, Alqi Bllako. Ai tha për mediat se “komentet do ishin politike, ndaj nuk ia vlen të flasë”. Braçe shtoi se me çështjen duhet të merret drejtësia nga fillimi deri në fund dhe nëse “ndërhyn prishet hetimi”. “Të merret drejtësia me çështjen nga fillimi deri në fund, të nxjerrë konkluzionet e veta, është e tepër të bëjmë ne komente. Po ndërhymë ne me komente prishet hetimi”, u shpreh Braçe. SPAK iu drejtua dje Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg” ndaj deputetit socialist Alqi Bllako.
Tabaku për inceneratorët
“Padia me 50 emra ka në krye Ramën, hetimi
duhet të përfshijë Tiranën dhe Elbasanin”
Jorida Tabaku, deputetja e Partisë Demokratike ka folur për hetimet dhe urdhër arrestet lidhur me aferën e Inceneratorëve. Tabaku tha se hetimi duhet të përfshijë të tre inceneratorët, dhe se çështja e Fierit nuk duhet të trajtohet e izoluar. “Është një hap përpara, por nuk është i mjaftueshëm. Duke e ditur se sa të përfshirë janë nga qeveria, çështja është shumë komplekse. Kemi ngritur katër akuza. Padia prej 90 faqesh ka emrat e 50 personave të përfshirë. Në njoftimin e SPAK janë 9 persona. Duhet patjetër të ishte, Ahmetaj, Gjiknuri si edhe Engjëll Agaçi. Çështja e Fierit nuk duhet trajtuar e izoluar. Kjo sot nuk e zbulon të gjithë aferën dhe e pamjaftueshme për të hedhur dritë të plotë të grupit të strukturuar kriminal. Duhet patjetër të hetohen së bashku këto afera. I gjithë grupi prej 50 personash me në krye Edi Ramën kanë vepruar sëbashku. Sot do kisha pritur që Loran Dusha duhet të ishte patjetër tek personat e përfshirë. Atij nuk i kujtohej se kompania kishte marrë 20 mln euro parapagim”, tha Tabaku, ndërsa shtoi: “Ne bëmë 7 padi individuale. ko ka qenë ndihmesë për SPAK, ku kanë punuar shumë ekspertë. Kanë qenë një grup i gjerë njerëzisht që punuan dhe deputetët e PD bënë kauzën politike”, tha ajo. Tabaku tjetërsimin e pronës nga “arë” në truall” ka fajësuar Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon. “Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e Bllakos dhe Kokës, por e të gjithëve. Situatën nuk e parashikoj dot. Hetimi i kapitalit jashtë do të tregojë se është në të vërtetë pas kësaj afere. Paratë e Mirel Mërtirit janë investuar edhe në Maltë. Kush janë pronarët e këtyre kompanive? Janë zyrtarë të shtetit. Forcat politike kanë bërë denoncime të pavarura. Unë kam inkurajuar këdo, Kushdo që ka kontribuar i ka dhënë dritë”, tha ajo.