Partia Socialiste ka mbledhur në selinë rozë kryesinë, ku ka caktuar që Asambleja e PS do të zhvillohet në 7 maj.
Mbledhja e Kryesisë zhvillohet në një kohë që mazhoranca ka nisur procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe pritet që në fokus të diskutimeve jenë edhe emrat e kandidatëve për presidentë. Janë 67 emra të përzgjedhur nga grupi i punës në PS, që nuk janë bërë publike.
Kujtojmë se në Kongresin e Partisë Socialiste, të mbajtur në Tiranë më 9 prill, u miratuan edhe disa ndryshime në statut. U ndryshua mënyra e zgjedhjes së kryetarit të partisë në rang bashkie, ku për herë të parë do të merret mendimi i qytetarëve të zonës. Ndërkaq, u shkarkuan në bllok 61 kryetarët aktualë të PS në rang bashkie, dhe pritet rizgjedhja e tyre me rregulla të reja, për tu përgatitur për zgjedhjet vendore.
Për herë të parë krijohet një sekretariat ekzekutiv në nivelin e 61 bashkive, pra me zyra në çdo bashki, ku do të mbledhë dhe përpunojë informacione për llogari të PS-së në qendër. Informacioni i mbledhur do të ketë në fokus anëtarësinë, votuesit, problematikat, historikun e partisë në zonën përkatëse, sfidat zgjedhore etj.
Një sekretariat tjetër do të ngrihet për emigracionin, me qëllim për të afruar votën e emigrantëve dhe për të shtuar strukturat jashtë vendit. Ky sekretariat do drejtohet nga Laert Duraj. Do shtohet edhe sekretariati për çështjet ligjore dhe zgjedhore, në krye të të cilit u zgjodh Eridian Salianji.
Është marrë vendimi edhe për ngritjen e një sekretariat për koordinimin, me në krye Blerina Gjylamenti. Ndërkaq, Blendi Klosi është zgjedhur sekretar për organizimin e Partisë Socialiste. Sekretare për Burimet Njerëzore është zgjedhur Anila Denaj. Sekretar për Digjitalizimin është zgjedhur Etjen Xhafaj, ndërsa Sekretare për Gruan është zgjedhur Etilda Gjonaj. Romina Kuko është zgjedhur Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë.
Gjithashtu, do të ngrihet një mekanizëm i ri, përmes të cilit të gjithë anëtarët e partisë do të japin opinionin e tyre për funksionimin e institucioneve vendore dhe qendrore me anë të fletëve sekrete.