Në kuadër të projektit “Monitorimi publik përmes ndërveprimit qytetar” të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, Qendra ALTAX ka filluar prej Dhjetori 2021 analizimin e performancës sociale të bashkive duke e përfshirë 5 bashki: Elbasan, Dibër, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë.
Ekspertët e angazhuar për hartimin e Raportit për Bashkinë BERAT janë bazuar te MANUALI PËR AUDITIN SOCIAL NË PUSHTETIN VENDOR, 2022[1], i përgatitur dhe publikuar nga ALTAX në kuadër të këtij projekti. Ata kanë analizuar proceset e realizuara bazuar te Plani i Përgjithshëm i Zhvillimit Vendor, Programi Buxhetor Afatmesëm 2019-2021, 2020-2022, 2021-2023, 2022-2024, si dhe dokumente të tjera Kombëtare dhe vendore, që përfshijnë strategji dhe politika sektoriale dhe zhvillime të programeve vendore.
Raporti përbëhet nga 5 tema të monitoruara në proceset e zhvillimeve të tyre, të cilat përfaqësojnë:
- Lëvizjet e popullsisë të Bashkisë, ndikimi në ekonomi, buxhet dhe tregun e punësimit
Për Bashkinë e Berat, por edhe për qarkun, vërehet se migrimi ka një bilanc negativ të raportit të hyrjeve dhe daljeve të rezidentëve, në vitin 2021. Vlerësohet se politika qendore për punë dhe aftësim e alternuar me politikat për zhvillim dhe integrim duhet të qartësojë rolin dhe përgjegjësitë që duhet të angazhohet komuniteti në lidhje me temën e migrimit në funksion të të ardhmes, por edhe momentit që përballet mosha e re mbi 15 vjeç.
Lëvizjet e popullsisë si jashtë dhe brenda Bashkisë nuk kanë ndikuar në uljen e të ardhurave për frymë.
Rritja e shkallës së migrimit ka ndikuar negativisht mbi strukturën demografike. Në analizën më të thelluar të ndryshimeve të numrit të popullsisë sipas grupmoshave për periudhën 4-vjeçare 2017-2021, shihet se grupmosha 0-14 vite paraqitet me 4.191 qytetarë më pak (18% ulje), grupmosha 15-64 vite me 7.150 qytetarë më pak (8% ulje) grupmosha 65+ vite me 8.576 qytetarë më pak (48% ulje) të popullsisë.
Pjesëmarrja e grave në popullatën migrante është rritur paralelisht me grupet e tjera, kryesisht për arsye të migrimit në familje, por edhe të rejave që migrojnë për arsye ekonomike dhe studimi.
Dy kategori të popullatës, të rinjtë dhe të rejat, të cilët e gjejnë veçanërisht të vështirë pjesëmarrjen në tregun e punës në vend kanë edhe më shumë nxitje për migrim nga Berati, pasi edhe nivelet e punësimit janë më të ulta se burrat, por edhe me paga më të ulta. Problemi i migrimit po fillon të ndihet edhe më shumë në bizneset vendore, ashtu si në gjithë vendin, për arsye të largimit të specialistëve të ndryshëm në sektorin privat që kërkojnë një pagesë të lartë të aftësive të tyre në tregun e huaj.
Shërbimet dhe programet aktive të tregut të punës nuk kanë gjetur ende zbatimin sipas strategjisë kombëtare për punësimin
Vlera e shtuar në ekonomi ka patur rritje, e cila reflektohet edhe në të ardhurat për frymë në rritje prej 8% (2017-2021), apo mesatarisht rritje 2% në vit. Ky nivel i shtimit të të ardhurave mesatare për frymë tregon se zhvillimi ka patur rritje të pandjeshme për familjet dhe individët. Kjo rritje është e pamjaftueshme për të përballuar peshën e rritjes së çmimeve për shpenzimet e ndryshme.
Papunësia në Berat tregon rritje në vitin 2021 me periudha të mëparshme dhe kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë. Niveli i papunësisë është rritur në 8% në fund të vitit 2021, si një nivel me rritje prej 1.2 pikë përqind krahasuar me vitin 2017. Nga ky tregues indirekt kuptohet se niveli i punësimit ka një rënie në bashkinë e Beratit. Megjithëse programet e Bashkisë kanë synuar nxitjen e punësimit dhe vetëpunësimit në qytet dhe fshat, duke përdorur edhe programe të përbashkëta me projekte dhe organizata të huaja shikohet se nuk ka mjaftuar për të bërë ndryshimin në nivelin e punësimit, sipas kërkesave të punëkërkuesve
Në drejtim të ndikimit te të ardhurat tatimore të Bashkisë, duket se migrimi i familjeve ka ndikuar në mosmbledhjen e detyrimeve tatimore dhe tarifore për to. Një numër familjesh që kanë migruar kanë prona në pronësi dhe ato nuk janë tatimpaguese edhe pse ligji i taksave vendore nuk i përjashton.
Realiteti ekonomik dhe demografik në dinamikën e tij ka sjellë një ndryshim edhe në strukturimin e biznesit, kryesisht për bizneset e reja, si dhe duke u shoqëruar dhe me pezullime apo mbyllje aktiviteti. Aktualisht, biznesi i madh përbën 22 % të numrit total, biznesi i vogël 75 %, institucionet dhe ambulantët nga 3 % të tij, ku dominimi është kryesisht nga të vetëpunësuarit.
Sektorët kryesorë mbi të cilët mbështetet ekonomia e Bashkisë Berat janë bujqësia, turizmi, agropërpunimi dhe sektori i shërbimeve. Biznesi në qytetin e Beratit është i fokusuar më shumë në sektorin e shërbimit dhe punëson 67% e numrit të punësuarve në raport me numrin e të punësuarve gjithsej. Bizneset e mesme dhe të mëdha operojnë kryesisht në dy sektorë kryesorë: Tregti (import-eksport) dhe Transport mallrash dhe udhëtarësh. Bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit kryejnë aktivitetin e tyre kryesisht në shërbime dhe më pak në prodhime artizanale dhe agrobujqësore.
Llogaridhënia si proces ballafaqimi mes Bashkisë dhe shoqërisë civile është në nivele jo të mira si model dialogimi dhe ka nevojë përmirësimi në cilësinë e transparencës. Llogaridhënia duhet të burojë pikërisht nga analiza që konsideron zbatueshmërinë e programit politik nëpërmjet monitorimit të vendimeve të këshillit bashkiak, por edhe performancës së bashkisë dhe kryetarit të saj, si dhe opinionit të publikut, ku përfshihen kategori dhe shtresa të ndryshme të komunitetit vendor.
Raporti thekson, se nisur nga nevoja për të vepruar lidhur me politika që mbështesin të rinjtë për të mos u larguar për të qenë sa më efektiv Bashkia dhe institucionet qendrore duhet të koordinohen për të efektivizuar stimujt ekonomikë dhe financiarë dhe uljen e barrierave rregulatore. Ekspertët mendojnë se duhet të jenë të orientuara direkt si një paketë transferte monetare (fonde, asistencë teknike, lehtësi burokratike).
Politikat që kanë mbetur të pazhvilluara duhen të jenë objekt i analizës së gjithë eskpertizës së mundshme në tregun privat dhe publik, për të adresuar mosveprimet sipas segmenteve institucionale, por edhe mungesën e vullnetit për të bërë transparencën me të dhëna korrekte dhe në kohën që përcaktohet nga legjislacioni për informinin e publikut.
Investimi ne teknologji per te mbajtur te rinjte dhe uljen e tendecave te migrimit duke lidhur profesionalizimin e tyre me kërkesat e tregut të punës dhe strategjisë për punësim dhe aftësi duhet të kthehet në një dokument politik për Bashkinë, për arsye të potencialeve që ka zona.
Bazuar mbi prioritetet strategjike kombëtare ekspertët tanë do tu drejtohen institucioneve, shoqërisë civile, donatorëve dhe investitorëve pas mbylljes së takimeve të hapura të zgjerohet dialogu me institucionet që mbulojnë punësimin dhe politikat për edukim profesional duke e kthyer në një prioritet të tyre edhe në programet buxhetore vendore
Nga Strategjia Sektoriale kombëtare për punësim dhe aftësim 2019 -2022 duket se pak elementë si përparësi strategjike kanë gjetur zbatim në qasjen vendore. Në tërësi mungojnë lidhjet e objektivit për nxitjen e përfshirjes sociale dhe kohezionit territorial me programe të dedikuara vendore dhe me angazhim me struktura të plota dhe funksionale. Ky është një problem i institucionit qendror dhe vullnetit dinamik të strategjisë në azhornim me situatën ekonomike dhe kërkesat e biznesit vendas për punonjës të specializuar dhe jo krah të lirë pune.
- Financat vendore të bashkisë (momentet kryesore buxhetore, rishikimet e buxhetit dhe ndërthurja me transfertat e buxhetit të shtetit)
Në kqyrjen e PBA 2021 – 2023 dhe 2022 – 2024 të Bashkisë duket se janë formuluar mirë, por sërish mungon lidhja e duhur me strategjitë sektoriale, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, si dhe PBA-në e qeverisë qendrore.
Mungon zëri i kualifikuar i qytetarit nëpërmjet ekspertizës së përzgjedhur. Po ashtu edhe rekomandimet e konsoliduara të organizatave të ekspertizave të ndryshme. Masat e përfshira në objektivat dhe prioritetet e PBA nuk arrijnë dot të krijojnë një cikël të mbyllur të plan veprimit të lidhur me gjithë masat mbështetëse që janë të nevojshme për t’i vënë në zbatim prioritetet.
Megjithëse nuk mungojnë elementët përbërës të analizës së të ardhurave dhe shpenzimeve duke u konsideruar si përmirësime konkrete në cilësinë e dokumentit të PBA-së duket se ka ende nevojë për përmirësime, pasi fokusi strategjik pengohet nga qasja e kufizuar që i kushton Këshilli Bashkiak procesit të shqyrtimit të PBA-së
Buxheti vendor i cili varet nga transfertat e buxhetit të shtetit, ndikohet edhe nga objektivat ende të papërmbushura të SMFP 2019-2022 dhe Strategjive sektoriale që rëndojnë mbi performancën e planifikimit të buxhetit të Bashkisë.
Dialogu i kualifikuar i qytetarit është i mangët dhe nuk arrin të kërkojë llogari pasi nuk ka ekspertizë të përzgjedhur. Po ashtu edhe rekomandimet e konsoliduara të organizatave të ekspertizave të ndryshme. Masat e përfshira në objektivat dhe prioritetet e PBA nuk arrijnë dot të krijojnë një cikël të mbyllur të plan veprimi të lidhur me gjithë masat mbështetëse që janë të nevojshme për t’i vënë në zbatim prioritetet.
Rekomandimet dhe monitorimet e OSHC në parashikimin e të ardhurave vendore (shpërndarjen e barrës tatimore) dhe shpërndarjen e shpenzimeve ka qenë pa ndikim.
Gjatë konsultimit publik duhet të programohet edhe dialogu i bazuar në analiza dhe fakte nga organizata të shoqërisë civile, organizata të biznesit dhe profesionistëve, si dhe organizata të punës, të cilat munden të japin një rekomandim më pranë nevojave të qytetarëve, por edhe munden të jenë monitoruesë potencialë për mënyrën si janë shpenzuar fondet e Bashkisë dhe transfertat e buxhetit të shtetit.
Natyra komplekse e çështjeve të buxhetit për qytetarët dhe mungesa e një analize ballafaquese qytetare me fakte dhe argumente ndaj programeve të Bashkisë dhe Qeverisë qendrore kanë nevojë të riformatohen lidhur me orientimin e prioriteteve sipas kërkesës qytetare.
Nga Anketimi i bërë nga ana jonë, kur qytetarët u pyetën “Sa shpesh ke marrë pjesë në mbledhjet e këshillit Bashkiak? 88% e tyre na u përgjigjën “Nuk kam marrë pjesë” dhe vetëm 12% e tyre “Nganjëherë”. Ndërkohë, kur i pyetëm “Në çfarë takimesh publike të organizuara nga pushteti vendor keni marrë pjesë?” 24% e tyre kishin marrë pjesë në mbledhjet “Për buxhetin dhe Programin afatmesëm buxhetor” dhe 76% e tyre u përgjigjën “Nuk kam marë pjesë në asnjë takim pasi nuk kisha informacion që do zhvillohej një takim”. Kjo përqindje e lartë mospjesëmarrje edhe pse nuk mund të quhet e përgjithshme, tregon për një tendencë në këtë bashki.
Nga Anketimi i bërë nga ana jonë, kur qytetarët u pyetën “Nëse keni marrë pjesë, a keni dhënë rekomandime/propozime për Këshillin Bashkiak (me shkrim ose elektronikisht te personi përgjegjës për koordinimin në Bashki)? 12% e tyre na u përgjigjën “Rrallë” dhe 24% e tyre u përgjigjën “Asnjëherë” dhe pjesa tjetër, 74% e tyre “Nuk janë të interesuar”.
Ndërkohë, kur i pyetëm “Nga rekomandimet/propozimet që keni dërguar për Këshillin Bashkiak, cilat çështje dolën si më të rëndësishmet në Bashkinë tuaj?” 36% e tyre u përgjigjën “Për shërbimet e bashkisë”, 36% u përgjigjën “Për mjedisin, turizmin dhe bujqësinë”, 12% u përgjigjën “Për infrastrukturën”, 16% u përgjigjën “Për taksat dhe financat vendore”
Të ardhurat e veta për bashkinë Berat përfaqësohen me 25% nga taksat lokale; 8% nga taksat e ndara; 47% nga tarifat vendore si dhe 20% nga të ardhura të tjera. Dy burimet më të mëdha janë: tarifa për menaxhimin e mbetjeve me 19% të totalit të ardhurave të veta si dhe taksa mbi pasurinë e paluajtshme me 16% të totalit.
Të ardhurat e veta (taksat dhe tarifat vendore) mbajnë një peshë sa 47% e të ardhurave që hyjnë gjithsej në Bashki.
Përveç të ardhurave të veta nga taksat dhe tarifat vendore, si dhe të ardhura të tjera nga asetet dhe shërbimet që kryejnë ndërmarrjet publike në vartësi të bashkisë buxheti i bashkisë bazohet edhe në transfertat prej buxhetit të shtetit.
Ndërkohë, shpenzimet e personelit (paga dhe sigurime shoqërore dhe shëndetësore) mbajnë një peshë sa 49% e totalit të shpenzimeve (i cili është i barabartë me totalin e të ardhurave). Në këtë vendosje përballë të dy zërave të të ardhurave dhe shpenzimeve shihet se 2% e shpenzimeve për personelin nuk arrijnë të mbulohen dot nga të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore.
Nga Anketimi i bërë nga ana jonë, kur qytetarët u pyetën “Si do ti ndanit shpenzimet e buxhetit në Bashkinë tuaj nëse do ta kishit ju në dorë miratimin e shpërndarjes së fondeve dhe politikave?, pikët më të mëdha si mesatare e përgjigjeve i morën “Menaxhimi i problemeve të lidhura me biznesin/ punësimin” 5.4 pikë, “Bllokimi ndërtimeve pa leje” 5.3 pikë, “Mbrojtja civile dhe nga zjarri” 5.3 pikë, “Strehimi Social” 5 pikë, “Pastrimi”, “Furnizimi me ujë dhe Kanalizimet” 5.1 pikë. Aktivitetet e tjera të Bashkisë ishin poshtë këtij pikavarazhi.
Në qasjen ndaj luftës anti informalitet, ekspertiza e shoqërisë civile, si dhe burimet dhe kapacitetet përpunuese që mund të aktiviziohen përbëjnë një tjetër forcë goditëse që mundet të japë kontributin e saj krahas institucioneve publike. E gjithë nisma mund të organizohet bazuar te Strategjia Kundër korrupsionit, por edhe si një nismë e freskuar duke marrë për referencë edhe riorganizimin e strukturave kundër korrupsionit
Gjatë çdo diskutimi të zbatimit të buxhetit të Bashkisë duhen përfshirë mekanizma monitorimi dhe vlerësimi, në grupe të përbërë nga Ministria e Financave dhe ekspertiza e publikut për të krijuar një mekanizëm të ngjashëm me analizën “Llogaridhënia për Shpenzimet dhe Financat Publike (PEFA) që të jetë ashtu si për financat qendrore një diagnozë objektive e përditësuar e performancës së menaxhimit të financave publike vendore.
Nga fakti i vitit 2021 dhe parashikimi për periudhën 2022 – 2024 ka elementë që do të kenë nevojë për një sqarim edhe më të plotë nisur nga përballja e kërkesës qytetare bazuar te analizat e detajuara nga ekspertë të pavarur për të shteruar dhe analizuar gjithë argumentat që mundet të tregojnë parashikime që nuk bazohen mbi nevojat reale, si dhe mund të jenë kosto që mbulojnë difekte në menaxhimin e fondeve publike.
Problemet në mosbërjen në kohë dhe të plota të raport progreseve të strategjive sektoriale duke mos gjetur hapësira për tu përfshirë në PBA kanë ndikuar në moslidhjen e nevojshme midis planifikimit të politikave strategjike me planifikimin e buxhetit dhe menaxhimin financiar publik. Ky realitet do të ekspozohet dhe prezantohet për qasje për ndryshim nga MFE nga ana jonë.
Rrjetëzimi i ekspertizës së shoqërisë civile dhe profesionistëve për të asistuar në koordinim me aktorët vendorë për analiza dhe kalendarë të mirëkoordinuar në funksion të fizibilitetit të buxhetit vendor.
- Edukimi i të rinjve dhe integrimi në tregun vendor, si sfidë ndaj të ardhmes
Në vitin 2021, Bashkia Berat nga rrjeti prej 4 shkolla profesionale në nivel qarku ka 2 shkolla profesionale në territorin e administruar prej saj (a) shkolla profesionale “Stiljano Bandilli” dhe (b) shkolla profesionale “Kristo Isak”.
Në monitorimin e investimeve të kryera për arsimin profesional përtej shpenzimeve të kryera nga vetë fondet e bashkisë (sa 2.5% e shpenzimeve gjithsej në vitin 2021), direkt nga buxheti i shtetit është investuar një vlerë 105 milionë lekë për rikonstruksionin te shkolla e mesme publike profesionale “Stiliano Bandilli” në Berat deri në fund të 2021, duke ndikuar edhe në rritjen e portofoleve të edukimit nëpërmjet investimit përveç godinës së shkollës dhe në repartet e praktikave profesionale. Për vitin mësimor 2020-2021 në të studiuan 310 nxënës në drejtimet mësimore: Shërbime mjetesh transporti, elektronikë, mekanikë dhe termo-hidraulikë.
E ardhmja e zhvillimit të edukimit profesional duhet të bazohet në aftësimin dhe përdorimin e novacionit digjital, por të bashkrenduar me kërkesat e biznesit vendor dhe kombëtar.
Nevojat dhe kërkesat për arsimin profesional duhet të maten me investimet dhe orientimin sipas nevojave për zhvillim, duke përcjellë edhe vullnetin politik sipas programit, i cili shërben për matjen e besueshmërisë së përgjegjshmërisë së qeverisjes dhe perspektivës së pozicionimit përballë korrupsionit politik.
Një ndërthurje e arsimimit digjital me investimet nga bizneset vendore dhe iunvestitorët për këtë qëllim do të ishte një përdorim me vlerë i burimeve në dispozicion bazuar mbi programe të bashkërenduara dhe që kanë në themel të tyre interesin mes palëve. Bizneset janë pjesa që përkrahet nga bashkia nëpërmjet politikave nxitëse dhe stimuluese, ndërsa studentët janë pjesa që vlen për të parandaluar migrimin, por edhe për të garantuar që vlera e shtuar për të ardhmen të jetë më e garantuar.
Në nivelin e pjesëmarrjes, Berati në arsimin e mesëm bazohet kryesisht në arsimin publik me 95% dhe vetëm 5% e nxënësve ndjekin shkollat private. Të regjistruarit e arsimit të mesëm profesional për vitin 2020 – 2021 përbëjnë 17.6% të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve në arsimin e mesëm në nivel vendi.
Shpenzimet e buxhetit të Bashkisë Berat për Arsimin parashkollor përfshirë arsimin bazë, Arsimin e mesëm të përgjithshëm, si dhe Arsimin profesional arrijnë në vitin 2021 në vlerën 288.7 milion lekë (23.1% të shpenzimeve gjithsej). Në aspektin e realizimit të programit për rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave është punuar në përmbushje të programit politik, por edhe programit buxhetor.
Nga Anketimi jonë, pyetjes për publikun se “A është përmbushur ofrimi i shërbimit gjatë 12 muajve të fundit sipas angazhimeve të bashkise apo pritshmerive tuaja nisur nga premtimet/zotimet?, lidhur me arsimimin e të rinjve të qytetit 45% e tyre ju përgjigjën “Jo”, 50% e tyre ju përgjigjën “Po” dhe “Deri diku”, ndërsa 5% e tyre ju përgjigjën “Nuk e di”. Ky paralajmërim i një grupi qytetarësh synon për vëmendje të shtuar që duhet të marrë kjo temë për Bashkinë.
Nëse llogaritim shpenzimet e buxhetit të bashkisë për nxënës (parashkollor, arsim bazë, arsim i mesëm dhe profesional) rezulton një vlerë shpenzimi mesatare prej 32.2 mijë lekë për nxënës. Raporti nxënës për mësues është në nivel qarku është 9.8 nxënës për mësues, ndërsa për Bashkinë Berat është 11.2 nxënës për mësues, ku të gjitha bashkitë e tjera vërehen për nivele më të ulta, ku dallon Skrapari me raportin 5.5 nxënës për mësues. Këto raporte me diferenca të mëdha shpjegohen me faktin e migrimit dhe lëvizjes së popullsisë në zonat jo urbane drejt qendrave më të mëdha.
Ndikimi pandemisë në Berat dhe reagimi bashkisë me fondet e saj ishte një reagim në kohë dhe me ndikime të prekshme. Në një krahasim të treguesve të buxhetit të bashkisë Berat për vitet 2021 dhe 2020 shikohet se:
- Fondet e kujdesit social për personat e sëmurë dhe me aftësi të kufizuara u rrit 12.2% më shumë në 2021, pikërisht duke konsideruar edhe faktin e rëndimit të situatës financiare prej pandemisë, por edhe për shkak të rritjes së pjesëmarrjes në këtë skemë sociale.
- Kujdesi social për familjet dhe fëmijët ka një rritje prej 39.4% në vitin 2021, me një logjikë të njëjtë në përballje të kostove të rritura prej situatës së pandemisë, por edhe tendencave të inflacionit që filluan të shfaqen pas verës së vitit 2021.
Ndryshimet ekonomike në Berat vijnë kryesisht nga zhvillimet infrastrukturore të ndodhura ndër vite, por modeli i investimeve të kryera në 5-6 vitet e fundit nuk ka shërbyer për të rritur ndikimin direkt në vlerën ekonomike të shtuar. Kështu, në vitin 2017 është viti i vetëm që ka një vlerë të shtuar me 2.07%, ndërsa në dy vitet pasardhëse nuk rezulton të ketë vlerë të shtuar ekonomike, madje ka një rënie të prodhimit të brendshëm
Efektet rrjedhëse prej rritjes ekonomike, nëse shpërndarjet e të ardhurave nëpërmjet fondit të mbrojtjes sociale janë relativisht të qëndrueshme me kalimin e kohës, ato mund të zbusin por jo të ulin varfërinë.
Performanca e programeve të realizuara ka rritur kërkesën për investime private në ndërtim në 2021 dhe me gjasa edhe gjallërim të mundshëm të sektorit dhe vendeve të punës. Një moment analize dhe përfshirje në konsultimin publik është edhe tema për lejet e ndërtimit, e cila është një shqetësim i përsëritur edhe në rezultatet e anketimit tonë. Lejet e ndërtimit që do të jepen gjatë vitit duhet të përkojnë me planin e zhvillimit të territorit dhe procedurat për parandalimin e pastrimit të parasë së pistë, i cili duhet të bëhet publik në çdo konsultimpublik dhe transparent te faqja zyrtare online e Bashkisë.
Politikat e barazisë gjinore si një pjesë e rritur e programeve të bashkisë-qeverisë, si dhe organizatave duhet të optimalizohen më shumë me skema financiare duke arritur edhe jetëzim të strategjisë kombëtare.
Nxitja e bizneseve për të investuar në trajnime është pak e përhapur, por kërkon angazhim dhe nevojë për politikë të re. Fuqia e rrjetëzimit të shoqërisë civile vendore ndaj problemeve sociale lidhur me edukimin, shëndetësinë, punësimin, ambjentin, korrupsionin dhe shfrytëzimi i të drejtave të partneritetit me OSHC.
Një pikë e Anketimit tonë drejtuar publikut me pyetjen “Sipas jush, a është politika kundër varfërisë efektive në shërbim të nevojave të të varfërve?”, 15% e tyre u përgjigjën “PO”, 85% e tyre u përgjigjën “JO”. Këto rezultate tregon se ndërhyrjet për uljen e varfërisë duhet të jenë përpjekje me gjithpërfshirje, ku OSHC luajnë rolin e moderatorit, por edhe koordinatorit social mes politikave qeveritare dhe shpërndarjes për të varfërit.
Përfshirja e OSHC-ve në monitorimin dhe rekomandimin e adresimit për zgjidhje të problemeve në zbatimin e strategjisë për mbrojtjen sociale dhe politikave social-ekonomike dhe programeve sociale sipas transfertës së pakushtëzuar Ne do ta propozojmë të jetë pjesë e kalendarit të veprimtarisë së Këshillit bashkiak dhe Bashkisë për reflektimin e sinkronizuar të qëndrimit qytetar dhe qeverisjes ndaj politikave të qeverisë qendrore në hartimin e buxhetit.
- Menaxhimi i rrisqeve mjedisore dhe performanca e bujqësisë dhe turizmit në zhvillimin vendor
Nga të dhënat e Buxhetit të Shtetit 2021, si dhe të Buxhetit Vendor të Bashkisë Berat 2021 duke i krahasuar edhe me të dhënat sipas monitorimit të buxhetit faktik vërehet se për menaxhimin e mbetjeve dhe mjedisin ka një vëmendje mbi nivelin e shpenzimeve për programet e tjera në Berat.
Adresimi i problemeve mjedisore dhe furnzimit me ujë dhe fondet e alokuara nuk janë në nivele të njëjta të vëmendjes si në programin për menaxhimin e mbetjeve urbane duke lënë mundësi për akumulim të problematikave dhe zvarritje të tyre.
Nga Anketimi jonë, pyetjes për publikun se “Si do ta renditnit performancën aktuale të ofrimit të shërbimeve në Bashkinë tuaj”, lidhur me pastërtinë e përgjithshme të qytetit dhe mbetjet 40% e tyre ju përgjigjën “Keq”, 30% e tyre ju përgjigjën “Jo mirë” dhe vetëm 30% e tyre ju përgjigjën “Mirë” dhe “Shumë mirë”. Ky pozicionim i grupit të qytetarëve të pyetur sinjalizon për vëmendje të shtuar që duhet të marrë kjo temë për Bashkinë.
Përtej fondit modest për investime, që nuk është më shumë se 0.3% e investimeve të gjithë bashkisë për mbrojtjen e pyjeve është për tu vlerësuar një nismë që po përhapet në Bashkinë Berat, ajo e mbjelljes së pemëve të reja me angazhim edhe të komunitetit. Ndërkohë duke parë se kujdesi për mbrojtjen e masiveve të bimësisë dhe pyjeve në vitin 2021 ka midis të tjerash edhe një fond investimi sa 15.4% e fondit gjithsej të investimeve të Bashkisë. Vëmendje! Kjo praktikë mund të shtrihet gjerësisht me investitorë të tjerë!
Në mbrojtjen e interesit publik për fondet e mjedisit është i domosdoshëm roli imponues me fuqinë e ekspertizës dhe argumentit nga shoqëria civile në interes të politikës vendore (politikanë vendorë të gjithë partive dhe aktivistë të interesave qytetare) për të minimizuar transferimin e dëmit dhe fajit nga një krah politik te tjetri.
Zbatimi sipas raportit për Vlerësimin Strategjik Mjedisor dhe objektivat sipas PPV për shpërndarje të programeve mbetet një sfidë e monitorimit të transparencës së procesve nga OSHC dhe ekspertiza sektoriale e tyre në kuadër të qasjeve të denoncuara nga media dhe individë për vullnet të korruptuar politik.
Zhvillimi i turizmit duhet të bazohet në zgjerimin e bazës dhe harmonizimin e tarifave për pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin publik duke zgjeruar konceptin “ndotësi paguan”.
Bashkia duhet të parashikojë luhatje të të ardhurave nga programet e instrumenteve financiare dhe nuk duhet të varet vetëm te këto instrumente për të financuar pjesën më të madhe të përmirësimit të infrastrukturës ekzistuese apo dhënies së infrastrukturës së re. Bashkia duhet të krijojë programin e zbatimit të secilit instrument financiar, përfshirë këtu kriteret për përcaktimin e përfitimeve, dhe duhet ta zbatojë atë njësoj për të gjithë dhe me transparencë.
Bujqësia, e cila plotëson deri në 70% të te ardhurave te popullsise brenda territorit të bashkisë së Beratit ka ndikim ne zonen perreth, edhe pse nuk paraqitet me nivele te larta prodhimi. Bujqësia zhvillohet kryesisht në modelin e biznesit të bazuar në sera te vogla individuale/familjare, te cilat prodhojne kryesisht produkte tradicionale.
Qeveria ka filluar prej 5 vitesh në Berat edhe ambicien për zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet një angazhimi politikash të reja, si një potencial të rëndësishëm për të zhvilluar agroturizmin.
Ndikimi kryesor në ecjen me ritme të ulëta të produktivitetit të sektorit bujësor vjen nga çmimet e larta të inputeve bujqësore që krijojnë premisa për borxhe ndaj furnitorëve, moskoordinimi me Ministrinë për tregjet. Logjistikë e dobët në industrializimin e sektorit deri te konsumatori, heqja e skemës së subvencionit dhe mungesa e punonjësve duke rënduar ambjentin e të bërit biznes në bujqësi. Nisur nga ky ambjent sifdues, fermerët kanë lajmëruar pakësim të mbjelljeve këtë sezon të vitit që jemi.
Adresimi i dobët i problematikave mjedisore që janë shqtesuese sipas Strategjisë së Zhvillimit, por edhe sipas komunitetit dhe OSHC në zbatim të nismave kombëtare dhe në funksion të partneritetit me pushtetin vendor duke hartuar programe të përbashkëta.
Një nivel progresiv i tarifave të ambjentit (pastrim, gjelbërim, ndriçim) duhet të identifikohet si nevojë për të balancuar më mirë kostot e shtuara në kryerjen e shërbimeve të pastrimit të territorit
Bashkia duhet të parashikojë luhatje të të ardhurave nga programet e instrumenteve financiare dhe nuk duhet të varet vetëm te këto instrumente për të financuar pjesën më të madhe të përmirësimit të infrastrukturës ekzistuese apo dhënies së infrastrukturës së re.
Qeveria edhe pse nuk ka detyrë ndërhyrjen në treg duhet të reflektojë përgjegjshmërinë e detyrueshme ku së pari nuk duhet të ndalojë së formatuari frontin e anti evazionit dhe së dyti në një masë të madhe të efektivizojë skemat e subvencioneve që edhe pse të pakta duket se mund të ndikojnë në “shkretëtirën” financiare në sektorin bujqësor.
Në mbrojtjen e interesit publik për fondet e mjedisit është i domosdoshëm roli imponues me fuqinë e ekspertizës dhe argumentit nga shoqëria civile në interes të politikës vendore (politikanë vendorë të gjithë partive dhe aktivistë të interesave qytetare) për të minimizuar transferimin e dëmit dhe fajit nga një krah politik te tjetri. Ne do të angazhohemi për nisma që të minimizojnë qasje të tilla duke synuar qartësime dhe interpretime të nevojshme për qytetarët.
- Rivitalizimi infrastrukturës vendore, rilindje urbane dhe zhvillimi ekonomisë vendore
Strategjia e Zhvillimit dhe mundësitë e buxhetit të Bashkisë dhe ato nga FSHZH dhe institucionet dhe donatorët nuk duket se do të përmbushin objektivat e përmbushjes në afate.
Janë realizuar 25 programe (33% e totalit të programeve), por pa përmbushur asnjë nga 6 objektivat strategjikë të Planit plotësisht. Gjysma e këtyre programeve kanë tejkaluar afatin e zbatimit (0-3 vite);
Janë në proces për tu realizuar (në nivele të ndryshme të zbatimit)
7 programe zhvillimi infrastrukture rrugore, UKT, arsimore, shëndetësore, bujqësore, urbane (49% e totalit të programeve), duke synuar përmbushjen e të paktën 3 objektivave strategjikë (Objektivat 1, 3 dhe 5). Me përjashtim të dy programeve që kanë të përcaktuar një kohëzgjatje afat gjatë (deri 15 vite nga fillimi programit), pjesa tjetër janë në tejkalim të afateve të përcaktuara;
Nuk kanë filluar apo nuk ka informacion për performancën e 14 programeve (18% e totalit të programeve), që janë të gjithë në tejkalim të afateve të përcaktuara në Plan.
Strategjia e zhvillimit prej 5 vitesh është në zbatim, por me ritme më të ngadalta performance nga objektivat e përcaktuara për vënien në funksion të zhvillimit të investimeve dhe programeve.
Struktura e shpërndarjes së programeve të investimeve dhe politikave sipas Planit është më pak e fokusuar te bujqësia, infrastruktura arsimore, shëndetësore, dhe turizmi.
Plani i Zhvillimit të Territorit ka dhënë ndikime të vogla dhe të pjesëshme sipas objektivave strategjikë për Beratin dhe duhet të analizohet azhornimi me realitetin e ekonomisë bazuar te deviancat.
Ndryshime pozitive të tendencës së sektorëve të ekonomisë
- Bujqësia, blegtoria, pyjet, mjedisi janë mbizotëruese në mbi gjysmën e ekonomisë së Beratit (5 bashkitë) me një rritje 1.1 përqind më shumë nga 2017;
- Transporti, Tregtia dhe akomodimi[2]janë rritur me 2.6 përqind më shumë nga 2017;
- Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (me peshë aktuale sa 2.9% e ekonomisë së Beratit) janë rritur me 1.4% më shumë se në 2017
Ndryshime negative të tendencës së sektorëve të ekonomisë
- Industria (me peshë aktuale sa 8.9% e ekonomisë së Beratit) ka një ulje të pjesëmarrjes së saj në ekonominë e Beratit (5 bashkitë) me 2.6 përqind më pak nga 2017;
- Ndërtimi (me peshë aktuale sa 6.1% e ekonomisë së Beratit) ka një ulje të pjesëmarrjes së saj në ekonominë e Beratit (5 bashkitë) me 2.3 përqind më pak nga 2017;
- Artet, kultura, argëtimi dhe aktivitetet e çlodhjes (me peshë aktuale sa 0.8 % e ekonomisë së Beratit) ka nje ulje të pjesëmarrjes në ekonominë e Beratit (5 bashkitë) me 0.5 përqind më pak nga 2017
Për shkak se ndikimi i investimeve në infrastrukturë në nivelin e përgjithshëm të aktivitetit ekonomik varet nga shkalla e ngadalësimit produktiv në ekonomi, nga qëndrimi i politikës monetare dhe nga mënyra se si financohen investimet, është e pamundur të parashikohet me besueshmëri afatgjatë (më tej se pas pesë vitesh) efektet e këtyre investimeve në nivelin e përgjithshëm të aktivitetit ekonomik.
Ndërsa qeveria përpiqet të përmbushë objektivat e dyfishtë të stimulimit të shpenzimeve për infrastrukturën dhe reduktimit të borxhit të qeverisë qendrore, Bashkia mund ta gjejë veten të paaftë për të bërë përparim të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës.
Sipas Anketimit tonë lidhur me pyetjen “A mendoni se investimet në projektet urbane kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe në punësim?”, 13% e publikut u përgjigj “PO”, 25% u përgjigj “JO”, 50% u përgjigj “Pjesërisht” dhe 12% u përgjigjën “Nuk e di”.
Ky konstatim përkon gjithsesi me besimin për efektshmërinë në të ardhmen e investimeve që janë kryer apo janë në proces, duke ju përgjigjur pyetjes “A mendoni se projektet urbane do të ndihmojnë në të ardhmen në më shumë mirëqenie për ju dhe zonën tuaj?”, 88% e tyre me “PO”, 12% e tyre me “JO
Berati nuk ka një vlerësim ekonomik të azhornuar lidhur me efektet e zhvillimit pas 5 vitesh miratimi të PPV-së, një dokument i cili mungon. Ndërkohë programi qeverisë Rama 3, 2021-2025 dhe programi politik i bazuar mbi premtimet e Kryetarit të Bashkisë janë objektivat e mëtejshme të zhvillimit në kontekstin e PPK 2015-2030.
Pagesat për infrastrukturën duhen parë në një raport të drejtë me shpenzimet për mbrojtjen sociale.
Në një lexim të të dhënave të Buxhetit të Shtetit për fondet e investimeve për infrastrukturën në 2021 për beratin, si dhe financimet nga Buxheti i Bashkisë me fondet e buxhetit vendor, shikohet se ka një nivel shpenzimi mesatar për banor të Beratit prej 12 mijë lekë. Ndërkohë, që shpenzimet për mbrojtje sociale mesatarisht janë në nivelin e 8.000 lekë për banor të varfër apo në nevojë. Në bazë të këtij krahasimi arrijmë të analizojmë faktin se shpenzimet për infrastrukturë janë më shumë se 1.5 herë më të larta se fondet që nevojiten për të ndikuar në uljen e varfërisë.
Edhe pse një shpenzim për infrastrukturën është bërë sistematikisht për të paktën gjithë periudhën 2017-2021 ajo që rezulton nga ballafaqimi me pagesën për mbrojtje sociale, e cila është në nivele pagese të njëjta për banor tregon se varfëria nuk është ulur. Pra ndikimi nga rimarrja e investimeve infrastrukturore është ende larg premtimit për një rritje ekonomike të qëndrueshme rajonale e aftë të ripaguajë më shumë edhe për qytetarët e varfër dhe personat me aftësi të kufizuar.
Për të qenë në kohezion dhe të bashkërenduar, ekspertët e projektit propozojnë ripërshtatjen e gjithë dokumenteve dhe politikave të hartuara nga pjesëtarë të ndryshëm të shoqërisë civile duke identifikuar opinionet, kapacitete dhe opsionet për të koordinuar me AMSHC dhe Koordinatorin Kombëtar Kundër Korrupsionit në një paketë më të plotë dhe më të zgjeruar me anëtarësi se deri më sot.
Fizibiliteti i investimeve duhet riparë per te mos mbetur plane optimiste që përçojnë vullnete politike jo konsistente me ndikimin ne korruptimin vendor dhe qendror. Kjo mund të krijojë tension midis qëllimit të stimulit ekonomik dhe nevojës aktuale publike për infrastrukturën. Në praktikë shpërndarja e shpenzimeve të infrastrukturës të lidhura me stimulin shpesh ndikohen shumë nga konsideratat politike dhe elektorale dhe jo nga njëri prej këtyre dy qëllimeve. Ndërsa kjo mund t’i bëjë shpenzimet e infrastrukturës shumë tërheqëse për politikëbërësit dhe politikanët, ajo mund të punojë në kundërshtim me qëllimet ekonomike të politikës.
Ekspertët tanë do të angazhohen në analiza të thelluara dhe veprime direkte për shmangie të praktikave optimiste
Në bazë të momentit në të cilin OSHC në Shqipëri po kërkojnë të evolojnë drejt fokusimit në çështjet që përbëjnë interes të shtuar publik, si dhe për të qenë pjesë e tregut të ekspertizës në funksion të qytetarit, ekspertët tanë mendojne se duhet futur si një instrument i freskët në komunikimin mes qytetarëve dhe qeverisjes vendore Dialogu Deliberativ.