Situata në Kosovë ka shqetësuar edhe faktorin ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se NATO do i qëndrojë në krah Kosovës nëse do të rrezikohet qëndrueshmëria e saj. Ai ka kërkuar që palët të angazhohen në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovës, mbetet i gatshëm të ndërhyjë nëse “rrezikohet qëndrueshmëria”. Ai e ritheksoi këtë qëndrim të aleancës në një postim në rrjetet sociale, pas një bisede që zhvilloi të mërkurën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me tensionet e së dielës në veriun e Kosovës. Një ditë më parë ai bisedoi rreth situatës edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë. Misioni i NATO-s, KFOR-i, mbështetur në mandatin nga Kombet e Bashkuara, qëndron i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet qëndrueshmëria”, shkroi sekretari Stoltenberg. Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç që të takohen në Bruksel për të diskutuar në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga blloku, në mënyrë që të shmangen tensionet si ato të fundit në veriun e Kosovës. Zyrtarët në Bruksel nuk dhanë ndonjë afat se kur mund të ndodhë takimi, ndërsa në Prishtinë dhe në Beograd flasin për pjesën e dytë të muajit gusht. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Zërin e Amerikës se “kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje dypalëshe. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji”. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha mbrëmë se do të shkojë në takim në Bruksel me 18 gusht, por nuk pret asgjë nga këto bisedime me kryeministrin Albin Kurti. Paralajmërimi i takimit pasoi shpërthimin e tensioneve të dielën në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kur grupe qytetarësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar planet e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia. Pas kësaj zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se “çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane”. Të mërkurën, njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë u bën thirrje qeverive në Beograd dhe Prishtinë që siç thanë të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm dhe të zëvendësojnë retorikën nxitëse me dialog konstruktiv, ndërsa kërkuan nga vendet e Kuintit që sa më shpejt të krijojnë hapësirë për dialog në nivel politik. Organizatat i bën thirrje edhe Listës Serbe, subjektit kryesor serb në Kosovë që të marrë përgjegjësi dhe të krijojë një kanal institucional të komunikimit me kryeministrin e Kosovës, përveç komunikimit me Beogradin. Por, Lista Serbe nëpërmjet një komunikate të publikuar sot akuzoi qeverinë e Kosovës për qëndrime antiserbe dhe që nuk është e interesuar për paqen. Kjo listë tha se qëllim politik i saj është rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Kurti. Vëzhguesit thonë se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet përmes një procesi të bisedimeve të përshpejtuara, të cilat sipas tyre nuk do të krijonin hapësirë për rritjen e tensioneve. Voa
Vuçiç i “ankohet” NATO-s: Prishtina po frikëson popullsinë serbe
Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, lidhur me situatën shqetësuese në veri të Kosovës. Mediat serbe raportojnë se zyrtarët kanë rënë dakord se është e nevojshme të vazhdohet dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie vendimtare, jo vetëm për Serbinë dhe rajonin, por edhe për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Gjatë bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg, presidenti Vuçiç prezantoi qëndrimin e Serbisë lidhur me situatën jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë dhe e njohu atë me aktivitetet e Prishtinës që shkaktojnë frikë te qytetarët e nacionalitetit serb. Gjithashtu, presidenti Vuçiç theksoi edhe një herë se Serbia nuk e ka shkelur as Marrëveshjen e Brukselit dhe as Rezolutën 1244 me një veprim të vetëm, pasi në asnjë mënyrë nuk kërcënon ruajtjen e paqes, por se vazhdon të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet në zgjidhjen e problemeve dhe çështjet e hapura në lidhje me atë që ai e quan “krahina jugore serbe”. “Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord të vazhdojnë komunikimin e drejtpërdrejtë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin dhe presidenti Vuçiç falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg për marrëdhëniet korrekte dhe gatishmërinë për të dëgjuar palën serbe”, thuhet në një deklaratë nga zyra e presidentit Vuçiç.
Lista Serbe: Duam të rrëzojmë kryeministrin Kurti
Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe tha se dëshiron të rrezojë nga pushteti kryeministrin Albin Kurti. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, kjo parti thotë se qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb. “Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb. Qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, diçka që është në interes të të gjithë atyre që duan të jetojnë në paqe në këto zona”. Reagimet e fundit të Listës Serbe vijnë pasi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nuk ka më vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi ajo bashkëpunon me grupe kriminale. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, ajo merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Sakaq, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët përmes së cilës bëjnë thirrje për zgjidhje paqësore të krizës dhe fillimin e dialogut pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovë. Përfaqësuesit e OJQ-ve dhe mediave nga komuniteti serb, u bëjnë thirrje qeverisë në Prishtinë dhe asaj në Beograd që të “nisin dialog konstruktiv”, si dhe Listës Serbe që të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e këtij problemi.