Nga Leonard Veizi
Politikanët i kemi në shtëpi dhe atëherë kur nuk duam t’i dëgjojmë: si në rastin e pushimeve për shembull. Me retorikën e tyre si demagogë universalë, ata nuk mungojnë asnjëherë në faqet e gazetave dhe ekranet televizive. Por kjo nuk vjen vetëm nga dëshira e tyre, por dhe nga dëshira jonë si popull që e duam këtë muzikë: mëngjes, drekë darkë…
-Duhet lajmëruar qendra zoti Fotaq. Janë ndezur gjakrat.
-Si u ndezkan gjakrat për muzikë ore aman?! Le të këndojnë toger, le të këndojnë! Për qeverinë është mirë kur populli do të këndojë.
Mirëpo ajo që dëgjojmë së shpeshti këto kohët e fundit ka të bëjë me faktin se: shqiptarët janë lodhur nga politika në këto 30 vjet tranzicioni, dhe tashmë ka ardhur koha për pak relaks…
Por llogaria bëhet ndryshe. 30 vjet janë të demokracisë. Se për 45 vjet diktaturë shqiptarët e kishin kryer stazhin te bregu i lumit duke zbërthyer fjalimet e plenumeve të Komitetit Qendror.
Kur u hapën dyert dhe dolën në det të hapur, shqiptarëve u gënjeu mendja se ishin të përgatitur mirë politikisht dhe kërkuan të merreshin thellësisht me çështjet globale. Dhe zgjidhja e çështjeve globale bëhej nga tavolina e kafesë. E kthyen pllakën vetëm kur e kuptuan që prej kafeneve ku bëhej politikë e hapur dhe konstruktive, se pas detit na ndodhej dhe oqeani, dhe në ato ujëra nuk lundrohej më as me varkë, as me gomone e as me skaf me dymotorësh.
-Koburet nuk qëllojnë me gjyle që thua ti. E unë… tragete s’ kam…
Kështu u kthyen përsëri te çështjet lokale.
Ku ka si bahçja jote: e prashit, e ujit dhe merr ndonjë kokërr prodhimi.
Politika, po në plan të parë. Madje dhe kur krimi gëlon, apo ekonomia shkon dishezë. Titujt e mëdhenj të gazetave ishin e vazhdojnë të jenë monopol i një lajmi politik, edicionet e lajmeve në radio hapen me një kronikë politike, edicionet informative në krye të listës: një informacion politik. Politikanët po vazhdojnë të jenë në garë: kush të thotë thagmën më të madhe që të dali i pari në lajme. Pra të bëjë dhe xhiron e rrjetit. Se dhe kjo punë ka sekretet e veta. Prandaj paguhen një taborë me këshilltarë e zëdhënësa shtypi.
E gjitha panorama zgjat jo pak por plot 11 muaj të vitit, pa asnjë ditë pushimi. Çdo ditë e në çdo festë politikanët të parët. Edhe kur kishte festa fetare, edicioni nuk hapej: Sot shqiptarët festuan ditën e… por: Kryeministri dha urimin e tij nga selia e komunitetit…
Ne i kemi politikanët këmbëkryq në shtëpitë tona. Edhe kur nuk duam.
Dhe vinte muaji i 12-të. Jo dhjetori domosdoshmërish. Gushti në rastin konkret. Epo, thanë shqiptarë e rrymës gri, – ata të pavendosurit që herë anonin majtas e herë djathtas por larg të qenit militantë të thekur dhe aktivë: – shyqyr që të na bien veshët rehat ca ditë. Se dhe politikanët do bënin ca ditë plazh, larg Tiranës.
-Ejjj, dëgjuat. Jeni nën komandën time tani, këtu!
-Dëgjuam, dëgjuam o Refat, po na lër rehat!
Po largësia është element relativ, tek e fundit.
Halli është edhe tek mediat. Se ato nuk mund të qëndrojnë pa u hapur me lajmin politik. Dhe zgjidhja është gjetur në të mirë të të gjithëve. Një ditë njëri e një ditë tjetri, politikanë të rëndësishëm e shtetarë me peshë, lënë shezlonin e plazhit, i hipin makinës dhe drejt e në Tiranë. Në zyrë për çdo rast kanë lënë një xhaketë të zbardhur që e hedhin krahëve dhe lexojnë atë çfarë i ka përgatitur stafi. Hedhin ndonjë llaf për rritjen e çmimeve, për korrupsionin dhe për aksionin politik që do të bëjë namin. Edhe po nuk e bëri… e rëndësishme është të jenë të rreshtuara njëra pas tjetrës kamerat e televizioneve. Një regji qendrore që do e kishte zili dhe Kinostudio punon me plane të shkurtra statike, plan detaj, zum dhe plan panoramë.
Hajde film, hajde. Hollivud.
Pasi i përgjigjen dhe ca pyetjeve të gazetarëve fët e fët, – o burra në makinë, dhe urgjent në shezhlonin e plazhit. Mungesë 2-3-orëshe por me shumë bereqet.
Nga riviera vërshojnë selfiet dhe video ku politikanet janë duke bërë thagma në det. Por ka dhe më, kur bëjnë rolin e atij që s’e ka mendjen dhe një “paparac” ta shkrep një foto në çastin më të keq. Dhe del në portal pa mendje. Nami në rrjet. Pikë maksimale.
Eh, sa ka zanati.
Dhe politikanët i ke përsëri në shtëpi. Në ditë pune e në ditë pushimi. Nuk të ndahen ata, derisa të hedhësh votën në kutinë që duhet dhe nga kutia të dalë ai që duhet.
Jemi në muajin gusht. Të gjithë janë me pushime, edhe gjykatat, edhe prokuroria, madje edhe SPAK-u ka ulur qepenat. Timpanet e politikës nuk pushojnë.
Ne po, vdesim t’i dëgjojmë!