Aktori Patrik Sueizi (Patrik Swayze), u shndërrua në idhull për miliona adhurues në mbarë botën përmes disa filmave që patën një shikushmëri të madhe. Por veçohen filmat “Dirty Dancing” si dhe filmi tjetër “Ghost”. Patrik Sueiz u lind më 18 gusht 1952 në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Si fëmijë, ishte një djalë i qetë dhe shumë i tërhequr. Sueiz filloi karrierën e tij profesionale si balerin dhe koreograf. Në Nju Jork bëri shumë paraqitje në vepra teatrale, muzikore dhe videoklipet e kohës. Në vitin 1979 bëri debutimin në kinema. Dy vjet më vonë luajti në serialin televiziv “MASH” dhe mishëroi një ushtar që vuante nga leuçemia. Pasuan shumë pjesëmarrje televizive dhe filmike. Në vitin 1986, pati suksesin e tij të parë përmes serisë televizive “North and South”. Në vitin 1987 pati suksesin e madh. Luajti në “Dirty Dancing”. Sueizi u shndërrua në idhull për të rinjtë. Një tjetër pjesëmarrje, këtë herë në filmin “Ghost”, prodhuar në vitin 1990, do ta bënte edhe më të njohur aktorin amerikan. Por po aq sharmant ai do të paraqitej edhe në fimin “Point Break”, prodhim i vitit 1991.
Vitet ‘90 ishin të trazuara për aktorin e njohur, i cili pati probleme me alkoolin, dhe u detyrua të shtrohej dhe në një klinikë rehabilituese. Suksesi komercial filloi të zbehet. Megjithëse ishte i përfshirë në shumë filma dhe seri, kritikat ishin të moderuara dhe nuk mundi të rradhitej si një aktor i madh. Ndoshta sepse zgjodhi role kryesore në filma aksion me skenarë modest.
Megjithatë ai u kandidua tre herë për çmim Oskar, me filmat “Dirty Dancing”, “Ghost” dhe “To wong foo, thanks for everything”.
Deri në fund të jetës së tij, Patrik Sueiz mbeti një duhanpirës i thekur. Në vitin 2008 ai u diagnostikua me kancer në pankreas. Kur u bë e njohur, mesazhesh pafund dashurie dhe mbështetjeje mbërritën në postën e aktorit. Patrik nuk u fsheh dhe e trajtonte kancerin me optimizëm, duke e ditur sigurisht se ishte një betejë e humbur.
Në shkurt të vitit 2008, Sueiz shkroi në gazetën “Washington Post”, artikullin me titull: “Po luftoj me kancerin. Kongres, a do më ndihmosh?” me anë të të cilës ai u bënte thirrje senatorëve të votonin për fonde që Instituti Kombëtar i Shëndetit të punonte për gjetjen e kurës.
Ai trajtua në një spital universitar të Amerikës. Në janar të vitit 2009 u shtrua në spital me pneumoni. Shëndeti i tij u përkeqësua, por Patrik nuk dorëzohej. Në atë kohë ishte duke xhiruar një seri të re televizive, “Beast” dhe ndihej i zhgënjyer që nuk ishte në gjendje të promovonte më mirë serinë.
Më 14 shtator 2009, Patrik Sueiz dha frymën e fundit në shtëpinë e tij në Kaliforni.