Shqipëria, shqiptarët dhe 110 vitet e Pavarësisë 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Jemi mësuar që Shqipërinë tonë të dashur, – që herë i themi Mëmëdhe e herë Atdhe, – më shumë ta shajmë se sa ta lëvdojmë. Sepse në majë të gjuhës e kemi shprehjen aq shumë të përdorur në vitet e tranzicionit: nuk bëhet ky vend.

Po pse nuk bëhej? Ç’faj ka vendi? Ç’faj ka toka tek e fundit? Kur e mblodhëm na dha prodhim. Kur ngritëm digat, ujët e lumit na dha energji. Kur gërmuam, nxorëm krom e bakër sa deshëm. Çfarë ka këtu për të thënë: Nuk bëhet ky vend?

Padyshim, janë njerëzit ata që e bëjnë vendin. Dhe njerëzit kanë bërë të lulëzojnë vendet nordike, – Norvegjinë fjala vjen, – që kur del diell bëhet festë kombëtare, jo më Shqipërinë me 300 ditë të ngrohta e të ndriçuara mirë, me ujë pa kursim e plot pasuri të tjera që nuk ia vlen t’i themi në këtë shkrim të shkurtër.

Ne shqiptarët e vegjël instinktivisht kemi ecur në të kundërt të shprehjes së shqiptares së madhe Nënë Tereza e cila thoshte aq butësisht: “Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”!

Epo… për justifikim mos thoni që është rritur çmimi i qiririt të paktën.

Por ne sot, – ambicien e kemi aq të madhe sa duam të jemi në kuota të njëjta me Holandën e Danimarkën, – nuk duam të kuptojmë që në fund të fundit, në 110 vite shtet kemi bërë hapa të mëdhenj përpara edhe pse në renditje sërish jemi në fund të Evropës. Sepse kur u formua shteti shqiptar dolëm nga Porta e Lartë në mënyrën më të zezë të mundshme, aq sa mezi e gjetëm një flamur, për të cilin ka nja tre versione, dhe arritëm ta ngremë nga ballkoni i katit të dytë të sarajeve të Vlorajve. Por ngaqë nuk kishim arkiva e humbëm jo vetëm flamurin por dhe letrën origjinale të deklaratës së Pavarësisë. Sot e kemi një institucion arkivor, madje të disiplinuar mirë i cili ka arritur të dokumentojë për aq sa ka mundur jetën ekonomiko-politike dhe kulturore të vendit. Dhe ky është një hap përpara.

110 vjet më parë baballarët e kombit shqiptar shkruanin turqisht, se shqipja ishte e ndaluar të shkruhej, dhe 96 përqind e popullsisë ishin krejt analfabetë.

Sot 110 vite më pas debati bëhet për nivelin e masterit apo për një gradë shkencore. Kemi dhe Universitete plot, kemi pasur dhe Institute Shkencore që përbënin Akademinë e Shkencave, edhe pse sot ka mbetur vetëm Akademia se institutet janë paralizuar prej vitesh. Ja që kemi bërë dhe dy hapa të tjerë përpara, pavarësisht se një e kemi pas. Se ka edhe dështime në këtë jetë.

Të sapodalë nga kthetrat e perandorisë osmane, asokohe popullsia vishej me çitjane alla turka, burrat mbanin në kokë feste të zinj e gratë ferexhe. Sot mund të dalësh dhe toples në mes të Tiranës e s’të thotë njeri plaç. Dhe në këtë pikë kemi bërë nja tre hapa përpara.

Asokohe dinim veç të mbathnim kuajt me patkonj e të zienim raki me kazan, sepse kjo ishte gjithë-gjithë industria jonë. Por vite më pas u shtuam me aq shumë hekura në industrinë e rëndë dhe atë përpunuese saqë një pjesë i çuam për skrap ngaqë nuk po ia dilnim t’i përdornim. Edhe këtu kemi bërë hapa para e hapa mbrapa. Por sa pa gjë…

Lexo edhe :  “Muzat e Jezercit”, ngarkesë emocionale mes vargjesh poetike

Pavarësia e gjeti Shqipërinë vetëm me 160 kilometra rrugë për qerre. Pra mjeti i vetëm që lidhte fshatrat dhe qytetet, padyshim ishte mushka dhe gomari, se nuk flitej për automjete, ndërkohë që në qytetet evropiane transporti përfshinte tramet në qytete dhe trenat për udhëtime interurbane. Por pas 110 vitesh, rrjeti rrugor shqiptar përfshin rreth 18.600 kilometra. Pra e kemi shumë më të lehtë për t’u lidhur me çdo cep të vendit, edhe pse hekurudhën, ashtu si shumë gjëra të tjera, e nxorëm nga qarkullimi si të tepërt.

Territorin që na la Konferenca e Ambasadorëve në Londër e administruam si Principatë, e bëmë Republikë, e kthyem në Monarki, kaluam në Socializëm e tani në Demokraci Parlamentare. Fillimisht nuk kishim asnjë nen kushtetues për funksionimin e këtij shteti, por sot Kuvendi ynë prodhon nene, akte ligjore e nënligjore sa të furnizojmë Evropën, se 2.8 milionë njerëz që kemi mbetur në këtë territor, nga 5 milionë që duhet të ishim me bazë statistikore, drejtohen edhe me shumë më pak ligje. Këtu kemi bërë nja dhjetë hapa përpara dhe jemi në krye të klasifikimit. Pra në fund të tunelit ka dritë, sepse në disa aspekte të jetës ne si shqiptarë kemi treguar veti të shkëlqyera.

Para 110 vjetësh shqiptarët nuk arrinin të mbushnin barkun me bukë misri, por në vitet ’70 të shekullit të kaluar u dha sihariqi që e gjithë buka u prodhua në vend. Sot, përsëri nuk prodhojmë dot grurë aq sa na nevojitet, por buka nuk na mungon më.

A është ky evolim? Pra nuk jemi më aq të prapambetur sa themi gjithë mllef nëpër tavolina kafenesh. Mund ta shohim pak më me optimizëm jetën në këtë vend. Sepse ne duam që të bëhemi njësh me Suedinë e Belgjikën, sa më shpejt e me pak punë. Dhe në njëfarë mënyre ia kemi arritur. Se të vijnë suedezët e të shohin sa Volvo kanë shqiptarët do vënë duart në kokë, se aq nuk kanë as vetë ata që e prodhojnë. Se sa për gjermanët ata e kanë marrë vesh me kohë që në Shqipëri, mbreti i makinave është një, Mercedez Benz.

Përse duhet ta shajmë Shqipërinë, e ta bëjmë copa këtë vend, sikur nuk është e aftë as të mbijë bari, kur është po kjo tokë që ka mbajtur paraardhësit tanë në mijëra vjet?!

Se ikin vërtet shqiptarët për një jetë më të mirë. Ca e ca thonë se nuk do ta kthejnë kurrë më kokën pas. Kaq me pathos e kanë largimin. Por kalon ca kohë e malli i bren. Ulin kokën dhe e kthejnë pas. Pastaj vijnë po këtu, në këtë tokë të shkretë ku nuk mbin asgjë, dhe ndërtojnë vila, blejnë apartamente buzë njërit prej deteve që lag tokën tonë, për të kaluar ca vite të denja nën shoqërinë e diellit që e kemi pa kufi.

Jetohet dhe në Shqipëri, po qe se vendos t’i investosh energjitë e tua në këtë vend me qëllimin për ta bërë diçka më të mirë.

Jetohet dhe në Shqipëri, sidomos tani që kanë kaluar 110 vite nga dita e Pavarësisë.

Të fundit

VIDEO/ Roma ngec sërish në “Olimpico” ndaj Juventusit, “buzëqesh” Atalanta

Roma dhe Juventusi ndanë pikët në takimin e luajtur në “Olimpico” në kuadër të javës së 35-të të Serisë...

Futbolli në zi! Ndahet nga jeta trajneri i njohur (Emri)

Bota e futbollit në zi! Cesar Menotti, ish-trajneri kampion bote me Argjentinën në vitin 1978, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare. Menoti udhëhoqi kombëtaren...

“Një djalë nga Amerika më shkruan”/ Ledjona: Dua një mashkull mos ketë lekë

Ish-banorja e BBV3 Ledjona e ftuar në një emision televiziv ka treguar se është beqare dhe shpreson që të mos zgjasë edhe shumë. Ajo tregon...

Martesë apo karrierë? Çfarë zgjidhni sipas shenjës tuaj të horoskopit

Një nga dilemat më të mëdha është ajo mes punës dhe jetës personale. Pothuajse të gjithë njerëzit, qoftë edhe për një kohë të shkurtër...

‘Lija rrogën në bixhoz’, shkrimitari i njohur rrëfen dramën e jetës

Ylljet Aliçka, romancier, diplomat dhe skenarist, ka rrëfyer në emisionin “Interview” në Euronews Albania, detaje nga jeta e tij si mësues para se të...

Lajme të tjera

Web TV