Sot në Tiranë mbahet takimi i nivelit të lartë mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Katër temat që pritet të diskutohen dhe mesazhet që do lihen për gjashtë vendet ballkanike
Për një ditë Tirana do i ngjajë “Brukselit”, jo në ekonomi, jo në arkitekturë, por do mbledhë liderët e 27 vendeve të Bashkimit Europian, bashkë me drejtuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim temat kryesore për të cilat do të diskutohen janë lufta në Ukrainë, migracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si edhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja. Ndalur te lufta në Ukrainë, në fokus do të jenë përballimi i sfidave të përbashkëta që vijnë si pasojë e agresionit rus, e më konkretisht si mund të trajtohen efektet negative që kanë sjellë në energji dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor. Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftën ndaj manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kibernetike. Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme e përfshirë në axhendë është edhe emigracioni. Liderët Europian do të shkëmbejnë pikëpamjet për menaxhimin e emigracionit duke qenë se ka pasur një rritje të të rinjve nga Ballkani Perëndimor që janë larguar nga vendi, përfshirë këtu edhe Shqipëria. Në diskutim do të jetë politikat e vizave të BE-së dhe bashkëpunimin përe kthimin e emigrantëve. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi kundër-terrorizmin dhe parandalimin e radikalizimit. Gjithçka duket se është gati për pritjen e delegacioneve të Bashkimit Europian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, që do të marrin pjesë në Samitin historik që do të zhvillohet në Tiranë. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është dekoruar me flamuj kuqezi dhe të BE-së, ndërsa në shtyllat anës tij janë vendosur fotografi të personaliteteve shqiptare, por edhe të shteteve anëtare të unionit, si Ismail Kadare, Helmut Kohl, Jean Monnet, Charles de Gaulle, Altiero Spinelli apo Goethe. Edhe Pallati i Kongreseve është rregulluar me stenda dhe podiume, të cilat janë dekoruar me motive popullore shqiptare, por edhe ngjyrat e flamurit të Bashkimit Europian. Aktiviteti nis të martën në orën 10:15, me mbërritjen e delegacioneve dhe pritjen zyrtare. Në orën 11:45 është planifikuar fotoja zyrtare. Në 12:15, programi vijon me seancën plenare dhe drekën e punës dhe në orën 14:30 me konferencën për shtyp.
Reagimi i Charles Michel
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel e quajti simbolik samitin mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet nesër në Tiranë, pasi sipas tij do të zhvillohet në zemër të rajonit. Ai theksoi se ky samit tregon një evolucion të fortë të Shqipërisë sa i përket angazhimit. “Samiti i nesërm BE- Ballkani Perëndimor është shumë simbolik sepse do të zhvillohet në Tiranë, në zemër të rajonit. Tregon një evolucion të fortë për sa i përket angazhimit”, shkruan Michel në Tëitter.
Reagimi i Christiane Hohmann
Tirana është pothuajse gati të mirëpresë krerët e BE-së në samitin historik. Kështu u shpreh përmes një postimi në rrjete sociale, ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann. Kryediplomatja u shpreh se ky samit është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Përbri, ambasadorja bashkëngjiti edhe axhendën e samitit historik për vendin tonë. “Tirana është pothuajse gati për Samitin BE- BallkaniPerëndimor, i pari që do të zhvillohet në rajon. Kjo është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE.”, shkruan Hohmann. Kujtojmë që ky Samit që është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për vendin, po zhvillohet në një kohë kur klima politike në Tiranë nuk është e qetë. Kjo sepse po në 6 dhjetor, Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë Tirana do të blindohet me forca të shumta sigurie. Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e samitit. Niveli i masave të sigurisë duket se do të jenë ‘të hekurta’, gati të njëjta me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë erdhi ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku.
Vuçiç ndryshon mendje
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç udhëtoi drejt Tiranës për të marrë pjesë në Samitin e sotëm BE-Ballkani Perëndimor. Prej 5 ditësh ishte e paqartë nëse kreu i shtetit serb do të ishte apo në Samit por ka qenë vetë Vuçiç ka shkruar se priten gjëra shumë të mira. “Rrugës për në Tiranë do të ketë shumë gjëra të mira për qytetarët tanë. Shumë gjëra të mira janë në rrugë. Nuk kam bërë asgjë. Nuk jam i sigurt, por patjetër do të ketë disa përfitime nga shkuarja ime në Tiranë. Nëse nuk do të shkoja, sigurisht që do të kishte një dëm të madh për vendin tonë”, ka thënë ai, sipas mediave serbe. I sigurit për praninë e Vuçiç në Samit u shpreh të dielën Kryeministri Rama, i cili tha me siguri se Presidenti serb do të marrë pjesë në samitin e BE që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë. “Serbia do të jetë në Samit dhe presidenti nuk do të ketë asnjë rrugë tjetër vetëm se të vijë në Samit”, tha Rama dje. Në 1 dhjetor, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç njoftoi se e anuloi vizitën e tij në Tiranë, të planifikuar për t’u mbajtur në 6 dhjetor kur në kryeqytetin shqiptar mblidhen krerët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.
Samiti në Tiranë/ Ambasadori italian: Shqipëria u zgjodh për mirënjohje
Ambasadori Italian, Fabrizio Buçi është shprehur se samiti i BE-së që do të zhvillohet në Tiranë është mjaft i rëndësishëm, pasi do të përcjellë sinjale të rëndësishme, për t’i treguar Ballkanit Europian, që e ka vendin në BE. “Ngjarje Historike se ndodh për herë të parë, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Europës. Besoj se Europa ka dashur të shmangë periudhën e COVID, ku u pa një pasiguri i Europës kundrejt Ballkanit perëndimor, prandaj është një sinjal i rëndësishme, se Ballkani Perëndimor i përket Europës. Ballkani Perëndimor e ka vendin në Europë, është i rëndësishëm se për herë të parë i kemi në Tiranë liderët, do hapë rrugën drejt integrimit”, u shpreh Buçi. Ai ka treguar edhe pse është zgjedhur pikërisht Tirana, ndër vendet e Ballkanit Perëndimor. “Duan që t’i njohin Shqipërisë rolin që ka luajtur në rajon, është një mirënjohje që ndjek vendimin për çeljen e negociatave, si për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, dhe njohje të përparimeve që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve”, tha ai.