Shqiptarët, ky popull pa lugë e pirun floriri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Jemi qarë në vazhdimësi se jemi popull i varfër e mezi ia dalim. Herë kemi luftuar për pak më shumë bukë, e vitet e fundit për ca më shumë para. Mirëpo, sërish si mesatare popullsie jemi ku thërret qameti, krahasuar me vendet e tjera Evropiane, familja e së cilës kemi kaq kohë që pretendojmë të bëhemi.
Mirëpo në këtë përpjekje mbijetese, ca e ca kanë bërë kërdinë në këtë pak vend. Kanë mbledhur aq shumë pasuri, sa perëndimi që na konsideron të varfër ka shqyer sytë me të pasurit tanë. Sepse në fillim të karrierës të gjithë e nisëm njësoj, nga një apartament modest, o me parafabrikate, o me tulla silikate kishim. Meqenëse nuk kishim trashëguar gjë prej gjëje nga të parët. Apo dhe ajo pak gjë që kishim si trashëgimi na e kishte konfiskuar Pushteti Popullor në emër të popullit për popullin.
Enveri ua shtetëzoi florinjtë që mbanin të fshehur nëpër qypa shtresës borgjeze dhe tha se do i bënte lugë floriri me qëllim që tua shpërndante të varfërve.
-Ore, po nga sa lugë floriri do marrim? – ngriti pyetjen Luftar Paja në rolin e partizanit në një skeç të Estradës së Fierit.
-Sipas meritave, sa gjermanëve që ke vrarë.
-Jo or jo, do ndahen barabar, kështu ka thënë ai i madhi!
-Po pse ore unë si partizan i thjeshtë do marr barabar me kumandarin e batalionit, po kumandari i batalionit do marrë barabar me kumandarin e brigadës, po kumandari i brigadës do marrë barabar me Kumandarin e Përgjithshëm…
Koha kur u tha se të gjithë do ishin të barabartë iku. Nisi sulmi i të pasuruarit. Kërkonim të kapnim kohën e humbur. Mirëpo pasuria nuk vika kollaj. Kështu që ca e ca rrezikuan me punë të pista, ca të tjerë që e dinë vetëm më të zgjuar, bënë një tjetër marifet, futën duart në paratë e popullit, ose thënë ndryshe në buxhetin e shtetit. Ky është hajdutllëk me shkollë. Dhe askujt nuk i është futur gjemb në këmbë. Burgjet janë të mbushura me vrasësa e grabitësa ordinerë, por zyrtarë nuk gjen nëpër qelira. Me përjashtim të ndonjë rasti kur tjetri ka tentuar të dalë nga rreshti.
Edhe unë kam ëndërruar gjithmonë të marr ca para qyl: të hedh një firmë e paratë të më kalojnë në numrin e llogarisë. Por hiç. Pastaj më kujtohej burgu dhe i thosha vetes: mos shih ëndrra me sy hapur vëlla, ti se mban dot as burgun. Pastaj mendoj se duhet të paktën të isha bërë pastrues a bahçevan, mbase bija në ndonjë familje pasanikësh që paratë i mbajnë poshtë dyshekut se nuk i fusin dot në bankë dhe kështu më ndihte fati e t’i thosha fukarallëkut tutje. Mirëpo më faniteshin policët me pranga gati te pragu i derës. Jo vëlla, nuk janë për ty sportet e rënda! Se e pëson si Robert Ndrenika në rolin e Zeqos, te filmi “Duke kërkuar 5-orëshin” që iu përdrodh qafa se donte të bëhej mundës i Kategorisë së Parë pa bërë asnjë ditë stërvitje.
Dhe sërish e kam një dilemë të madhe. Përditë shoh në lajme e lexoj në gazeta të flitet për gjithë këto para në lojë. Miliona dollarë. Merr këtej, hidh andej… Mua, asgjë s’më kalon… vetën rroga. Edhe atë kur jam në ndonjë bordero, se më ka rastisur që edhe të rrija në shtëpi e të shihja televizor.
Deri dje qëllimi ishte të bëje para. Sot që i ke bërë nuk di ku t’i fshehësh, se dhe duhet t’i justifikosh. Si t’i çosh në bankë në emrin tënd kur i ke marrë nga depozita e buxhetit po në bankë. Këtu koklavitet problemi.
Hap arkivat. Gjen një lajm me titullin: “Raporti tronditës i KLSH”. Më poshtë vijon: 122 miliardë lekë ose mbi 1.1 miliardë euro është dëmi ekonomik që qeveria i ka shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm për 9 muaj të vitit 2022…” Jeni në vete, po ne 5 miliardë euro kemi buxhetin, si mund të abuzohet e shpërdorohen 20 përqind e shumës?! Dhe ky është muhabet i përvitshëm. Abuzim milionash me rrugët, abuzim milionash me ndërtime e rindërtime… abuzime milionash… e ç’të të them, edhe me letrat e formatit A4 të zyrave.
Po kot u qakemi ne shqiptarët. Këtu paska para për ne e për ca të tjerë. Të hamë me lugë floriri, madje dhe me pirin, e gjellën ta ndajmë me garuzhde argjendi. Mirëpo në shumicën dërmuese, shqiptarët vazhdojnë të hanë me lugë alumini nga ato të ushtrisë, se janë shtrenjtuar dhe ato të inoksit.
Po çfarë mund të bëhet me kaq para?
-Mund të rriten pensionet.
-Mund të blihen të gjitha aparaturat dhe medikamentet që mungojnë nëpër spitale.
-Mund të rregullohet sistemi arsimor dhe të ndërtoheshin të gjitha kopshtet e shkollat që mungojnë.
E çfarë nuk mund të bënim me paratë që abuzohen për gjëra gjithfarësh. Sepse nëse ka të paktën një miliardë dollarë abuzime në vit, për një dekadë bëhen 10 miliardë dollarë. E me kaq para me gjasa e kishim bërë Shqipërinë të re nga themelet.
Mirëpo paratë e shqiptarëve kanë përfunduar nëpër qese plehrash, e nëpër thasë lini. Një zyrtareje të lartë i vidhen nga pastruesja aq para sa… të bie pika. Por kjo ndoshta nuk është më aq shqetësuese, se me sa duket u quajtka: dëm kolateral. Pensionistëve u jepet nga 80 mijë lekë të vjetra dhe ata bekojnë tërë ditën e ditës kryeministrin që e lëshoi dorën. Por të gjitha këto janë paratë e shqiptarëve. Sepse dalin nga një xhep e hyjnë në një xhep tjetër.
Ne duhet të jemi vërtet një vend shumë i pasur, përderisa në çdo lajm që qarkullon e bën xhiron e rrjetit, flitet për miliona dollarë. Ndërsa kur flitet për shtesa rrogash, shifrat janë 15 apo 20 mijë lekë të vjetra. Më shumë se kaq jo, se dëmtohet buxheti.

Të fundit

“Rrënimi nis te shitja e votës”/ Gjekmarkaj nuk ndal sulmet nga Kukësi

Nënkryetari i Rithemelimit Agron Gjekmarkaj, e nisi fjalën e tij nga takimi me demokratë në Kukës, duke u kërkuar...

Grabitën turistët italianë, Vlora Marina mbulon vlerën e vjedhur

Vlora Marina është ofruar vullnetarisht që të mbulojë vlerën prej 2 500 € që i janë vjedhur turistëve italianë në Vlorë dy ditë më...

Analiza/ 2.3 miliardë euro nga Diaspora tek ne?

Nga Fatos Çoçoli  Sot, të 5 mijë e 141 vendet e uljes në Stadiumin Olimpik “Galatsi” në Athinë ishin mbushur si kurrë më parë, me...

A shkakton ankthi ëndrra të këqija? Ja ç’thonë psikologët

Ndodh që ëndrrat e këqija pasqyrojnë gjërat që keni përjetuar gjatë ditës apo ngjarje në botën reale. Por, duket se këto ëndrrat mund të...

Dita Ndërkombëtare e Infermierëve/ Koçiu: Rritëm pagat mbi 70%, ja kur do ti çojmë 100%

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve gjatë së cilës...

Lajme të tjera

Web TV