Në Treviso të Italisë me Mërkur Bua Shpatën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Luan Rama

Po perëndonte, nxitoja. Isha nisur drejt Treviso-s. Një ditë më pas më duhej të shkoja në Udine, të takoja një mik të vjetër dhe pastaj të merrja udhën për Milano, për të prezantuar librin tim poetik në italisht « Cose animate » të Mantabone Edizione. Kohë më parë kishte botuar një libër për stradiotët shqiptarë të ardhur nga Peloponezi apo brigjet shqiptare të Adriatikut. Kisha shkruar gjithashtu disa shkrime për Mërkur Bua-n apo Maurizio siç e quanin italianët, një nga kalorësit më legjendar pas Skënderbeut, si dhe një tregim mbi jetën e Bua-s në Treviso. Por tregimi ishte një fiksion i mbështetur mbi të dhëna historike dhe kohën kur një nga piktorët e famshëm të Renesancës, Lorenzo Lotto pikturonte portretin e këtij heroi. Pra ishte një kureshti e madhe të shikoja një qytet ku kishte luftuar dhe jetuar dhe ku kishte vdekur njëkohësisht ky “Kalorës i Shën Markut” i Republikës venedikase. Sapo mbërrita me avion në Treviso, një autobus më çoi në qendër të qytet, ku që në fillim mu shfaqën kanalet me ujë çka kishte bërë që qytetin ta quanin Venecie e dytë. Ujra të pastra rridhnin ngado disa degëzime të lumit Sile, në këtë qytet me portat e dikurshme mesjetare si Porta San Tomaso në veri, Porta Santi Quaranti në lindje dhe më tej Porta Altivia, etj. Në hartë kisha parë vendndodhjen e Kishës Santa Maria Maggiore ku dija që ishte varrosur Merkur Bua apo Maurizio siç u quajt nga italianët. Kështu mora udhën Via Calmaggiore në kërkim të kishës. Një grua të vjetër që pyeta, pasi te rinjtë nuk duan t’ia dinë për kishat, e kuptoi çfarë kërkoja : « Ah, Madona Grande! – më tha dhe më tregoi rrugën që duhet të merrja një kthesë. « Pastaj gjithnjë drejt », – shtoi më në fund. Ecja krah ndërtesave të vjetra dhe imagjinoja Buan tek ecte në ato kalldrëme hipur mbi kalë. Dhe jo vonë u shfaqa para asaj kishe, ku në krah të majtë kishte një kambanore të lartë. Në fakt nxitoja, sepse dhe një orë dritë kisha. Duhej të fotografoja pasi të nesërmen duhej të nisesha me tren për në Udine. E kisha përfytyruar më parë çastin kur do të isha para varrit të këtij luftëtari të shquar, birit të shqiptarit të madh të Peloponezit, Petro Bua të cilin shqiptarët e Peloponezeit dhe venecianët e kishin shpallur komandant të gjithë shqiptarëve. Bua vetë ishte larguar i ri nga Nafplio, nga kështjella veneciane për të ardhur në Venecie si luftëtar i ushtrisë venedikase. Dhe ardhja e atij grupi stradiotësh në sheshin San Marko, zbarkuar nga anija me kuajt dhe armët e tyre, ishte një spektakël që la gjurmë në kronikat e kohës.
Kur hyra në kishë një heshtje e madhe mbretëronte. Veç dy–tre pleq, ulur ne bango të ndryshme, meditonin, lufteshin apo bisedonin me të vdekurit e tyre. Tutje, në sfond, ishte shapela me monumentin e Virgjëreshës Maria. Ecja drejt saj dhe vështroja sa majtas-djathtas për të gjetur pllakën e madhe të varrit që kisha parë në një fotografi. Dhe më në fund, kur u gjenda shumë afër Virgjëreshës dhe shapelës së saj, në krahë të majtë pashë pllakën e madhe me mbishkrime si dhe ornamente skulpturale sipër saj për nder të heroit të madh të luftrave jo vetëm venedikase. Pikëtakohesha kështu me heroin e ëndërruar, kalorësin e Serenissima-s dhe njeriun legjendar, pasi Mërkur Bua, në momente të ndryshme historike, ishte angazhuar në beteja të shumta, herë në krah të venedikaseve, herë për mbretin Louis XII, për mbretin e mëpasëm François I, për Sforzat e dukatit të Milanos apo perandorin e perandorisë romano-gjermanike Maximilien I. Iu afrova vendit ku preheshin eshtrat e këtij luftëtari të madh, të shpallur kont nga Louis XII, të dekoruar nga Maximilien I, heroit që dozhët e Venedikut e prisnin me ndere të mëdha. Luftëtari me origjinë shqiptare flinte aty prej pothuaj pesë shekujsh. Preka me dorë mermerin e Carrara-s dhe afrova pastaj aparatin duke nisur të fotografoj këtë monument funerar ku në pllakën e mermerit për të ishte shkruar: « Al conte Mercurio Bua dei principi del Peloponneso, comandante dei [cavalieri] epiroti, il quale, dopo aver più volte battuto i Francesi che combattevano contro gli Aragonesi e averli cacciati dal regno di Napoli, dopo aver restituito la libertà a Pisa e a Ludovico Sforza il ducato di Milano, dopo essere stato messo in fuga dal Trivulzio, una volta espugnata Novara e, avendo sconfitto Pavia in battaglia, di lì portò via questo sepolcro degno d’un re come prezioso bottino di guerra; e dopo aver restituito Bologna a papa Giulio II e ricondotto i Bavaresi sotto l’autorità dell’imperatore Massimiliano, dopo aver difeso dagli Svizzeri, a Marignano, Francesco I re di Francia, alleato dei Veneziani; ed infine dopo essere divenuto comandante supremo dell’intero esercito a seguito della morte dell’Alviano e dopo aver sbaragliato gli Spagnoli presso Verona, ammirevole per l’abilità militare, qui riposa in pace per l’eternità. Francesco Agolanti, nobile trevigiano, pronipote di sua nipote, [qui] pose, nell’anno di Salvezza 1637. » Ky monument funerar ishte në fakt vepër e skulptorit Agostino Busti, i quajtur gjithashtu Il Bambaio. Kur Mërkur Bua me stradiotët e tij pushtoi Pavian, ai e mori këtë monument dhe e solli në Treviso për ta patur si monument për varrin e tij të mëvonshëm. Meqë Buan e thërrisnin nga një luftë në tjetrën dhe kthehej përsëri në shtëpinë e tij në këtë qytet, ai gjithnjë mendonte për varrin dhe vdekjen e tij. Prandaj dhe kishës Santa Maria Maggiore, kryesorja në Treviso ai i kishte lënë dhe dukatet për varrimin e tij, duke zgjedhur vendin krah monumentit të Vigjëreshës. Vështroja statuetat e varrit dhe mendoja për emblemat, titujt apo flamurin që i dhuroi perandori Maksimiliani I-rë me figurën e shqiponjës dhe katër iniciale të emrit Bua mbi të. Po, bëmat e Buas ishin të jashtëzakonshme gjatë pothuaj katër dekadave.
E vështirë të përfytyroje në këtë kishë katolike të ritit roman dhe në stilin gotik të fundit të shekullit XV jetën e një heroi të vdekur pesë shekuj me parë. Ai nuk u vra në luftë, edhe pse mori pjesë në betejat më të mëdha të historisë së asaj kohe, siç ishte dhe Beteja e Marignano-s, ku u ndesh ushtria franceze e François I me ushtritë gjermano-zvicerano. Historia e kësaj beteje na tregon se ishte pikërisht kondotieri venecian Bartolomeo d’Aviano dhe Mërkur Bua me stradiotët e tij që udhëtuan gjithë natën nga Venediku e Milano drejt Marignano-s, duke hyrë papritur në betejë me thirrjen e tmerrshme « Marco ! Marco ! », çka i sollën fitoren mbretit francez, në një kohë që ai po shikonte humbjen me sytë e tij. Duke vështruar varrin e tij, brenda asaj kishe që mbante një pjesë të historisë së Treviso-s, e përfytyrova Merkurin nisur nga portreti i mrekullueshëm që kishte pikturuar Lotto, me në sfond Trevison dhe dy unazat në gishtat e tij, ku njëra tregonte martesën me gruan e parë që sapo i kishte vdekur, Katerina Bokali, vajza e stradiotit dhe mikut të tij Nikolo Bokali, dhe tjetra, e gruas së tij të re, signorina Elisabeta Balbi, me të cilën u martua në Treviso më 1525 dhe pati katër fëmijë: Maria-Helena, Curio, Alessandro dhe Polissena. Deri në mesin e shekullit XX kjo tablo mbahej nën titullin « Fisniku », por që më pas, historianët e artit e identifikuan si portret i Mërkur Bua-s.
Më së fundi e lashë atë kishë që në një kohë konsiderohej si bazilikë dhe u ktheva në rrugën drejt qendrës, Duomo-s, ku në një kript roman ishte dhe një vepër e Tizianos. Në një kishë më tutje ishin dhe varret e djalit të Dantes apo e vajzës së Bokaçios. Treviso është vërtet një qytet i vogël por mjaft i bukur. Vërshimi i ujrave nëpër kanalet e ndryshme si Cagnan Medio, më piktoresku, që i jep një bukuri e gjallëri të veçantë. Fillimthi ndalova në sheshin kryesor të qytetit, Piazza dei Signori, ku është dhe Palazzo dei Trecento Një afishe e madhe e Museau Santa Caterina njoftonte për ekspozitën e piktorit të Renesancës, Bordon, i cili për shumë e shumë vite kishte qenë i ftuar i mbretit francez dhe në Paris kishte pikturuar veprat e famshme të tij, ku gratë me gjinjtë e xhveshur janë të preferuarat dhe të shumtat e krijimeve të tij. Po aty afër ëshë Loggia dei Cavalieri, një ndërtesë e ulët me një çati që mbahet në kollona romane dhe që ishte një nga vendet më të preferuara të qytetit, pasi aty mblidheshin kalorësit e fisnikët me kuajt e tyre, një vend ku diskutonin apo luanin dhe pinin në kohë të paqta. Aty ndalonte shpesh dhe Mërkur Bua, të cilit fisnikët i linin vendin e nderit. Ecja në qytet dhe kërkoja gjurmët e tij edhe pse gjurmët e tij i kapërcenin kufijtë e këtij qyteti, pasi ato u lidhën me betejat më të mëdha të asaj epoke. Në Treviso, Mërkuri mezi priste miratimin e Senatit venedikas që të nisej me stradiotët e tij për të çliruar Peloponezin, Epirin dhe dominionet veneciane në Greqi, kur turqit u thyen në Korfuz, por Senati nuk pranoi ta ndihmonte me flotën e tyre. Sipas tregimit të historianit grek Constantin Sathas që i referohet një dokumenti venecian dhe që ka lidhje me nipin e tij “Prodano Bua, nip i kontit Bua”, Mërkuri ishte ende gjallë në 31 mars të vitit 1541. Pikërisht në këtë vit, Senati venedikas i kërkoi Buas të shoqëronte ambasadorin francez, fisnikun Antoine Rincon që vinte nga Stambolli (me aleancën e re me Sulejmanin e Madhërishëm) dhe shkonte për në Francë bashkë me agjentin e mbretit francez, kalorësin Cesare Fergoso. Por kur ata të dy kishin kaluar lumin Po dhe ishin ndarë me Bua-n, pranë Pavia-s, më pas ishin vrarë pabesisht nga guvernatori i Milanos në shërbim të Charles Quint. Si duket ata nuk kishin guxuar ti sulmonin, për sa kohë Bua ishte me ta. Në vitet e fundit, siç shkruhet në kronikat e kohës, Bua vuante nga artriti i gjymtyrëve. Plagët dhe luftrat e shumta siç duket e kishin drobitur trupin e tij. Sipas një dokumenti të Arkivit Komunal të qytetit, përmendur nga G. Netto, ai duhet të ketë vdekur më 1545, meqë tashmë shtëpia Në San Nicolo, ku jetonte vihet në emër të nipit të tij. Kronistë të tjerë e caktojnë datën e vdekjes së tij në vitin 1542.
Të vish në Trevizo nuk ka si mos të gjesh gjurmët e një prej heronjve më të mëdhenj të asaj kohe. Lidhjet e tij të para me këtë qytet janë realisht në vitin 1520, kur Senati venedikas pranoi që ai të jetonte në kështjellën e qytetit. Më pas sipas një kontarte të firmosur përfundimisht më 1537 ai zgjodhi një terren dhe e ndërtoi shtëpinë e tij dhe stallat e kuajve në San Nicolo, çka i bie sot në Via Risorgimento dhe oborrit të Centro Studentesco. Një nga vajzat e tij ishte Theodosia, e cila ishte murgeshë në manastirin e Trevisos. Për birin e tij Curio shkruhej : « Mercurius Augustinus Hieronymus, filius strenni et illustrissimi comitis Curii Buae, q.illustrissimi et strenni domini Mercurii ». Sipas dokumenteve dhe informacionit të historianit G.Netto « Dominus » Bua kishte dy vajza, Rashela, e martuar me kontin Paolo de Castello dhe Venusin, gruan e fisnikut të qytetit Alessandro degli Agolanti dhe nëna e Francesco Agolandi, i cili dhe u përkujdes për mbishkrimin në varr për shërbimet e mëdha të si një kalorës legjendar. Një nga djemtë e tij, i quajtur Pirro, ai e kishte pagëzuar në kishën San Maria Formosa të Venecies, një kishë me në kampanile madhështore dhe tablo të Tiepolos si de një afresk të Bassanos (Darka e fundit). Historianët shkruajnë dhe për birin tjetër Flavio. Por ai që do të hynte në histori ishte i nipi, pra biri i Curios, i quajtur Mercurio Agostino Girolamo Bua i lindur më 9 mars të vitit 1550, kur Bua i shquar kishte katër vjet që kishte vdekur. Pothuaj çerek shekulli më vonë, në vitin 1574 vdiq mbreti i Francës, Charles IX, i vëllai i Henri de Valois që ishte mbret në Poloni dhe duk i Lituanisë. Atëherë, Henri de Valois u nis kthehej në Francës për të marrë kurorën e mbretërisë franceze. Ai ndaloi në Venecie e pastaj në Treviso ku u organizua një festë e madhe. Mërkurio, nipi i Mërkur Bua-s ishte 24 vjeç dhe atë ia prezantuna mbretit të ardhshëm francez si një kalorës të mrekullueshëm dhe nip i stradiotit të famshëm Mërkur Bua, i cili i kishte shërbyer mbretit Louis XII dhe që kishte dhënë një kontribut të madh jo vetëm në luftrat kundër gjenovezëve etj, Fornova, Garigliano, Flandre et Baviere por dhe në betejën e famshme të Agandello-s (pikturuar nga Da Vinçi) si dhe në Marignano më 1515. Dhe Henri de Valois e pa me simpati këtë kalorës energjik. Kështu Mërkurio u nis menjëherë në Francë dhe ndoqi mbretin francez, i cili u kurorezua në Reims të Francës me emrin Henri III. Por shumë shpejt në Francë rifilluan luftrat fetare mes klanit të kalvinistëve protestanë dhe Ligës së Katolikëve. Mercurio u shqua në shumë beteja të famshme siç ishte në Coutras, etj, dhe e ndoqi mbretin në Paris. Madje ai me stradiotët e tij vazhdoi ti shërbente mbretërisë franceze. Ai mbeti në shërbim të klanit të katolikëve, dukës De Guise. Madje në një nga ndërtesat në zemër të Parisit ishte garnizoni i shqiptarëve. Pikërisht në këtë kohë humbim dhe gjurmët e lavdisë së tij ushtarake. Sipas historianit italian Burchiellati, ai ka vdekur në vitin 1596, në kohën kur lufta fetare arriti kulmin e saj. Askush deri më sot nuk e di nëse u vra apo vdiq në mënyrë natyrale Mercurio Agostino Girolamo Bua. Fakti është se ai nuk u kthye më në shtëpinë e tij Treviso.
Me Trevison lidhen dhe betejat e shumë stradiotëve të famshëm shqiptarë që e mbrojtën këtë qytet nga sulmet e ushtrisë franceze e gjermanike, veçanërisht në vitin 1511. Kronisti venecian Sanudo shkruan në kronikat e tij për bëmat e stradiotëve shqiptarë Giorgio Busichio, Constantin Araniti, Christofal Albanese, Andrea Maneshi Lecha Busichio etj. Në data të ndryshme të ditarit, shkruhet dhe për stradiotët që luftuan për mbrojtjen e Trevisos si Dimitri Megadusha, Constantino Paleologo, Zuan Paleologo, Nicolo Paleologo, Teodoro Klada, etj. E përgjakshme ishte beteja e madhe që u zhvillua ne muret e Trevisos midis stradiotëve dhe trupave të xhandarmërisë franceze të komanduar nga komandanti i përgjithshëm Jacques II de Chabannes de la Palice. Shumë stradiotëve, Senati i Venedikut u shpërndau medalje ari me fytyrën e Shën Markut, veçanërisht të plagosurve dhe për familjet e të vrarëve. Më së fundi kur të rrethuarit u ranë gjithë kambanave të kishave, francezët e kuptuan se nuk mund ta pushtonin qytetin dhe duke parë humbjet e mëdha ata u larguan. Ishte 14 tetori i vitit 1511.
Të nesërmen në mëngjes, pasi u enda për disa kohë në kalldrëmet e qytetit dhe përgjatë kanaleve plot ujë, u largova. Lija pas gjurmë të lavdisë shqiptare, gjurmë të kalorësve të ikur nga Peloponezi dhe brigjet e Shqipërisë të cilët u vunë në shërbim të Venedikut për të luftuar kundër perandorisë osmane e që më në fund të ktheheshin ne atdheun e tyre të lirë. Por mjerisht ata nuk u kthyen. Sot është koha që ata ti rikthejmë përmes hulumtimeve tona dhe zgjimit të kësaj historie të lavdishme, si referenca të heroikës shqiptare në kontinentin europian. E megjithatë, është e trishtueshme që asnjë rrugë apo shesh në këtë qytet nuk mban emrin e një kalorësi shqiptar dhe për më tepër të Mërkur Buas që bëri aq shumë për këtë qytet. Historia nuk mund të harrohet !

Të fundit

Kryemadhi reagon pas deklaratave të Metës: Nuk më ka sulmuar si bashkëshort, por si…

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi mendon njësoj si bashkëshorti i saj, Ilir Meta sa i përket Prokurorisë...

“Qëndrimi për Berishën s’ka ndryshuar”/ Diplomati amerikan: Personat non-grata…

I ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë, David Wisner tha se qëndrimi për Sali Berishën nuk ka ndryshuar. Në një intervistë për Zërin...

Ulja e temperaturave rikthen reshjet e dëborës, Qafë Thora ‘pushtohet’ nga bardhësia

Ulja e temperaturave në 24 orët e fundit ka rikthyer reshjet e dëborës në Qafë Thore. Gjatë mëngjesit të sotëm, e gjithë zona është mbuluar...

Zona e lirë ekonomike/ Në Tiranë po ndërtohet “TEDA”, 7 mijë vende të reja pune

Tirana është bashkia e parë që krijon një zonë të lirë ekonomike Bashkia e kryeqytetit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nënshkruan marrëveshjen e...

Rasti “Meta”, Vojo dhe urgjenca e Ligjit për Partitë Politike

Nga Ben Andoni Ish-presidenti i vendit Ilir Meta, kryetar dhe së shpejti mëtuesi kryesor për president i PL-së, një partie realizuar për pak orë, ngritur...

Lajme të tjera

Web TV