Dr. Isuf Kalo, personalitet i shquar i shkencës dhe kulturës tonë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Shpendi Topollaj

Ndarja nga jeta në moshën 80 vjeçare e dr. Isuf Kalos është pritur kudo me hidhërim e keqardhje. Mjekësia shqiptare humbi njërin nga përfaqësuesit më të shquar të saj, endokrinologun më të kualifikuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, autorin e disa librave për diabetologjinë. Në një nga komunikimet e fundit, e kuptova se po e priste me stoicizëm fundin, kur më shkruante se po kurohej pasi ishte i sëmurë, por mesa duket edhe mjekësia ka limitet e veta. Disi i keqkuptuar fillimisht si mjeku i diktatorit, ai i shfaqi të gjitha vlerat e veta prej humanisti dhe atdhetari demokrat, dhe fitoi dashurinë dhe respektin e njerëzve, jo vetëm në ndihmën e pareshtur ndaj pacientëve apo në të gjitha daljet e tij publike, por veçanërisht me botimin e librit me kujtime për anën e panjohur të Bllokut. Nisur nga postulati romak “Verba volant, scripta manent”, po e paraqes karakterin botkuptimor të tij, me analizën rreth librit të tij voluminoz.

Ndofta, më shumë se çdo libër tjetër, libri me rrëfime “Blloku” i doktorit të nderuar Isuf Kalo, ka ngjallur mjaft diskutime. Kjo flet qartë se ai po përcillet me mjaft interes nga lexuesit e shumtë. Por ai mund të quhej edhe tjetërsoj: “Midis Nexhmijes dhe Ramizit”. Po kush është ky njeriu në mes? Vetë autori i librit apo shumë më tepër se ai, Enver Hoxha? Ballazi, është Isuf Kalo, mjeku i aftë, i ndershëm dhe i përkushtuar që me mprehtësi dhe përgjegjësi qytetare, ndofta pak dhe historike, guxoi të hedhë në letër gjithë sa pa kryesisht tek ata të dy. Madje shkoi edhe më tej; nuk ja privoi vetes të drejtën që të analizojë dhe të japë fundja, mendimet e veta të sinqerta për shumë ngjarje e zhvillime si brenda folesë së grerëzave, ashtu dhe jashtë saj. Kurse mes rreshtave, na shfaqet ai i madhi fare, ai që në shtetin që ndërtoi me gjoja atë rreckën e neveritshme marksiste – leniniste dhe nën shembullin e deklaruar të Ivanit të Tmershëm të Rusisë sovjetike, ua kaloi për nga mizoritë shumë diktatorëve të tjerë. Ja se ç`thotë për të doktori: “Enveri e kopjoi modelin nga Stalini, i cili besonte se “Një vdekje e vetme është tragjedi. Një milion të vrarë janë statistikë”. Dhe, dr. Isufi bën me dije se posaçërisht për të mund të shkuaj një herë tjetër, por që mesa duket nuk arriti ta bëjë. Shumë mirë do të qe, por edhe kaq mjafton që të dalë në pah portreti i udhëheqësit megalloman me dy fytyra. Pasi vetë lexuesi, si me deduksione, ashtu edhe me induksione, fare lehtë mund të arrijë tek e vërteta. Thashë me dy fytyra, pasi sado i lig të jetë njeriu, në familje do të sillet si baba e bashkëshort i dashur, i përkushtuar dhe i dhembshur. Familja për këdo është e shtrenjtë dhe e pazëvendësueshme. Kur e ke mundësinë, për çdo shqetësim që mund të ketë fëmija, jo në Paris, por në Hënë do e çoje atë. Problemi qëndron sesa mendon dhe bën për të gjithë familjet dhe fëmijët e tjerë, kur i ke dalë vendit për zot. Natyrisht që aso kohe u bënë edhe të mira, si punësimi, shkollimi, shëndetësia, uzinat, fabrikat, bonifikimi, mekanizimi i bujqësisë, elektrifikimi, rrugët etj. Por kur udhëheqësi, krahas këtij synimi të shpallur, e tmerron popullin e vet me anë dënimesh absurde dhe me frikë, me burgje e internime, me pushkatime njerëzish pa faj dhe shokësh të luftës e besnikë, e verbon dhe s`e le të shohë rreth e rrotull, e ndrydh dhe e degradon shpirtërisht, e varfëron në kufijtë e mjerimit me politika aventuroze, e izolon nga bota, e robotizon për ta bërë vegël të bindur për hir të pushtetit, atëherë, nuk vlejnë aspak meritat që mund të kesh. Konfuci dikur thosh se “Edhe në qoftë se ju keni aftësi të shkëlqyera, por jeni arrogant, ato nuk ja vlen të merren në konsideratë”. Pra, filozofi kinez bën fjalë vetëm për arrogancë dhe jo për mizori. Se mizoritë i bëjnë Neronët. Pastaj, duhet kujtuar se edhe masa e atyre që do e lexojnë librin e tij, janë të ndarë. Pasi duhet pranuar se ka ende shumë nga ata që u ka mbetur ora atje ku aq bukur e përshkruan Aleksandër Solzhenjicini te libri madhor i tij “Arkipelagu Gulag”: “Dikur në djep na këndonin këngën: “I tërë pushteti sovjetëve!” Ishim ne që atë doçkën e zeshkët prej fëmije e zgjasnim drejt borisë së pionierit dhe thirrjes: “Të jeni gati!”, i përgjigjeshim: “Gjithmonë gati!” Kjo ndofta ka qenë dhe dilema më e madhe e dr. Isufi Kalos, para se të vendoste ta shkruante atë libër, por që ai e ka kapërcyer me sukses. Ai, nga pozicioni aspak komod ku ndodhej, për hir të moralit njerëzor që buron nga mirënjohja e të mbajturit afër, është përpjekur t`i trajtojë personazhet e dukura, por dhe atë të padukurin, sipas parimit të Paskalit se “Nuk tregohet madhështia duke qëndruar në një ekstremitet, por duke i prekur të dy në të njëjtën kohë”. Duhet pranuar se thuajse të gjithë ne besuam në ato që na thuheshin, nga atelieja e propagandës së Ramiz Alisë dhe Instituti i Gënjeshtrave të Nexhmije Hoxhës, me bekimin e mjeshtrit të manipulimit Enver. Nuk e dinim se Franc Kafka paska thënë se “Të besosh te progresi, nuk do të thotë se progresi ka ndodhur”. Kafkës, nuk ja zije dot emrin në gojë e jo më ta lexoje e ta studioje. Se në Shqipërinë e asaj kohe qëndronte një kokë shumë më e madhe se të gjithë filozofët e botës. Një filozof që e kishte parë perëndimin dhe që paradoksalisht kishte një bibliotekë mjaft të pasur. Një bibliotekë, ku kishte mësuar përmendësh “Sundimtarin” e N. Makiavelit, por çuditërisht i kishte shpëtuar “Mbreti Lir” i Shekspirit, për të cilin N. A. Dobrolubovi shkruante: “Duke vënë re Lirin, në fillim ndiejmë urrejtje ndaj këtij despoti zvetënues, po duke ndjekur zhvillimin e dramës, pajtohemi me të, e simpatizojmë si njeri që ndiejmë indinjatë e mëri tani më jo kundër asaj gjendjeje barbare e çnjerëzore që mund të çojë në shthurje edhe një njeri të atillë siç ishte Liri”. Po ky mbreti ynë, në të kundërt të Lirit, sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë tërbohej. Ja si thotë në një rast dr. Isufi: “Enveri ishte i detyruar ta shpallte Mehmetin armik, sepse përndryshe historia do ta shpallte një ditë atë vetë fajtor për fundin e tij tragjik. Së dyti, po të tregohej sentimental, do të shembej karkasa e regjimit të frikës dhe ndëshkimit që ai kishte ngritur për katër dekada me radhë, për të mos toleruar tek askush nga bashkëpunëtorët mosbindjen, rebelimin, lirinë e vendimmarrjes, anashkalimin dhe fshehtësinë ndaj tij.” Dhe e bënte këtë ndaj njeriut më të afërt në udhëheqje. E çfarë mund të pritet më shumë nga ky autor për të stigmatizuar diktatorin? Po ashtu, sikurse del edhe në libër, dr. Isufi sqaron se edhe pasi ranë në vështirësi, duke e humbur pushtetin e bashkë me të privilegjet, duke u ndëshkuar nga opinioni dhe ligji dhe duke u cilësuar me të drejtë si përgjegjësit më me peshë të fatkeqësive dhe shkatërrimit legjendar të shtetit, duke e shpënë atë me konshiencë drejt greminës, edhe Ramizi me Nexhmijen, nuk i ngjanë askund Lirit. Ata me shkrimet, kujtimet dhe librat e botuar, jo vetëm konfirmojnë servilizmin deri në nënshtrim ndaj Enver Hoxhës, përkrahjen që i dhanë atij, por edhe nuk ndienin asnjë brejtje ndërgjegjeje.

Dr. Isufi veç analizave të thella dhe të bazuara në një arsyetim superior për shumë ngjarje të ndodhura mes banorëve të Bllokut dhe që nuk mbaruan kurrë, bën dhe zbërthime psikologjike të personazheve që gjallonin në atë “parajsë” shqiptare. Ato janë të denja për penën e Cvajgut. Vini re se si shprehet ai për të ashtuquajturën vetëvrasje të M. Shehut (Ah sikur të qe vetëm ajo!): “Kur vret dikë është krim; kur vetëvritesh është mëkat, kur lejon të të vrasin është nënshtrim; kur një i “çartur” dhe qeveritar aq i lartë dhe aq i fuqishëm si Mehmeti përulej i dorëzuar pa dinjitet ndaj padrejtësisë që i bëhej, çfarë mund të bënin qytetarët e thjeshtë ndaj dhunës dhe padrejtësive pushtetore ndaj tyre.” Dr. Kalo ishte fisnik. Ai me një kulturë dhe edukatë gati aristokratike, që i bën nder gjithë intelektualëve tanë, kish një vetpërmbajtje të admirueshme, kur i duhej të flasë për të tjerët. Aq sa në asnjë rresht nuk dinte të mburret, aq edhe mundohej t`i vlerësojë dhe respektojë ngrohtësisht, plot dashamirësi e pa pasion miqtë e specialistët e tjerë. Ai, ishte i prirur vetëm nga e mira. Se njeriu është kompleks. Na i jep portretet e Nexhmijes dhe të Ramizit në detaje, në shndërrimin gradual që pësojnë, me të mirat e të këqiat e tyre, me ngjashmëritë dhe kundërshtitë që shfaqën, me përkujdesjet për të afërmit, por me përbuzjen për të tjerët, pra me moskoherencën e tyre. Të mbetet në mendje ndjeshmëria që gruaja e diktatorit tregon në letrat që i shkruan dr. Isufit në Paris për vajzën e saj dhe shpërfillja ose më mirë, pashpirtësia që ajo shfaq ndaj një nëne tjetër, shoqe dhe bashkëluftëtare e dikurshme, të cilës po i vdes e bija e sëmurë me kancer. Dr. Kalos, duke kryer detyrën e ngarkuar brenda Bllokut, nuk i mungon mprehtësia e shikimit për të parë trishtueshëm situatën reale dhe të mjerë të popullit që përballet me mungesa nga më të domosdoshme. Po ashtu, ai askund nuk dyshon se goditjet deri në asgjësim të njerëzve, vinin si rezultat i tradhtisë apo armiqësisë së tyre dhe se ata vriteshin për të mirën e popullit. Ai e dinte se te ne veprohej sipas parimit romak: “Per fas e per nefas”, pra “Me mjete të drejta e të padrejta”. Atij, duke pohuar se vetë hynte tek ata që i kishin disa privilegje, i dhimbsen ata që e pësuan nga diktatura. Absurdi i hakmarrjes shkonte deri te fëmijët e nipat dhe atij s`ka sesi të mos i bënte përshtypje. Kishte mendjen e kthjellët, njihte sjelljen e diktatorëve përgjatë historisë, pra e dinte se deri ku e shtrinin goditjen ata dhe zemrën e kishte të mbushur me dashuri për njerëzit e thjeshtë. Dr. Kalos, atëherë i shkonin për shtat fjalët e Kafkës se “Dikur nuk e kuptoja pse nuk gjeja përgjigje ndaj pyetjeve të mia, kurse tani nuk e kuptoj pse duhet të pyes”. Dhe në këtë libër, dr. Isufi e çon arsyetimin e tij më tej dhe nuk ngurron t`i referohet nobelistes polake W. Szymborska: “U mësuam të detyruar të hamë jetën e njëri – tjetrit për të mbijetuar”. Kështu na katandisi tymnaja e propagandës mashtruese e çiftit Nexhmije – Ramiz, të cilët në një laborator dramatik, kërkonin të krijonin njeriun e ri, përherë sipas dëshirës të faraonit. Në Bllok edhe banorët e rëndësishëm të tij, jo vetëm hanin shoku – shokun, por edhe i ruheshin si djalli nga temjani atij që vetë ja kishin krijuar kultin e neveritshëm. Kishte rilindur Bizanti. Këto i gjejmë në ato intrigat, plenumet e kongreset që aq bukur na i paraqet dr. Kalo. Fakti se ai ruante atëherë, por edhe sot e kësaj dite, konsideratën më të madhe për gjeniun e kombit, antikomunistin e përjetshëm Ismail Kadare, dhe e citon herë pas here atë, por edhe mjaft figura të tjera, shpesh edhe brenda Bllokut, por që e kishin kuptuar herët se ai sistem s`kishte të ardhme, ka një domethënie të padiskutueshme për të kuptuar vetë figurën e dr. Kalos. Në realitetin shqiptar, janë të pakët ata burra që kanë kurajën, mençurinë, erudicionin dhe njerzillëkun, që pa drojë të kapërcejnë mbi paragjykimet e mundshme të kokëtrashëve, siç bën dr. Isuf Kalo. Ashtu sikurse ai jep një shembull të rrallë në të kuptuarit e nevojës së demokracisë dhe të kritikës që i bën mangësive jo të pakta të tij. Ashtu sikurse nuk është e lehtë të gjesh dikë tjetër, që të mbesë mik i palëkundur për këdo, pa marrë parasysh rreshtimin e kundërt politik. Për më tepër, ai paraqitet jo vetëm në këtë libër, por edhe nëpër intervistat e dhëna në TV, modeli i intelektualit modest, tolerant, i vetpërmbajtur, gjakftohtë dhe mirëkuptues, ndaj kujtdo që nuk është i të njëjtit mendim me të ose edhe që i bën kritika, ndofta fare të pamerituara. Shikimi i tij plot mirësi, ashtu sikurse e gjithë ajo që aq mrekullisht ka shkruar, janë thirrje për bashkim. Ai, sikur të thotë: Mjaft më me ndarje e sherre. Nuk shkohet kështu në Evropë. Të nxjerrim mësime nga pësimet. Ai, në moshën që ndodhej, nuk sillej kështu për karrierë, se me të ishte ngopur. Ai vetëm kërkon të mbesë deri në fund i vërtetë. Askush nuk e detyroi të shkruaj në kapitullin kushtuar eksodit: “Pamjet e anijeve të tejmbushura me ta (të varfërit e pashpresë. SH. T.), u përshkruan nga shtypi i huaj si apokaliptike, biblike dhe jashtëzakonisht shokuese për teleshikuesit e Italisë, Europës dhe mbarë botës. Ishin tablo rrëqethëse, dëshpëruese e mjerimit të një vendi dhe të popullit të tij që ndihej i kërcënuar nga skamja, e që luftonte për ekzistencë.” Po ashtu, në libër janë të pafundme përshkrimet e kapriçiove dhe inateve tragjike të diktatorit të pangopur me gjak njerëzish, tekat e N. dhe R. apo dhe byroistëve të tjerë mendjengushtë dhe neveria e tij për to. Dr. Isufi të magjeps si me nivelin e tij kulturor, ashtu dhe me stilin që përdor. Ndaj s`më mbetet tjetër, veçse të përsëris fjalët e thëna nga Steve Weinbergu te “The Seattle Times” për romanin “Jehona e kujtesës” i Richard Powersit: “Një stilist i klasit të lartë… personazhet e tij udhëtojnë gjatë në kujtesë”. I paharruar kujtimi për të!

Të fundit

“Qelbu siç ke trurin”/ Agravon debati mes vajzave në BBV: Ule eksitimin

Pavarësisht se hera herës janë parë të afërta me njëra-tjetrën, Erjola dhe Egla kanë patur një debatë të ashpër. Diskutimi...

Nga biçikletat e para te makinat e komunizmit, Bajram Peçi rrëfen Shqipërinë e vjetër

Të apasionuar me motorat dhe makinat e epokës së komunizmit, një oficer policie dhe mekanik, rrugëtojnë për 3 vjet në mbarë Shqipërinë, koleksionojnë e...

Bashkëshorti i ministres plagosi drejtorin e ATK-së te Financat, ja çfarë u konstatua

Prokuroria e Tiranës ka pushuar një hetim ndaj bashkëshortit te ministres Delina Ibrahimaj, Andri Ibrahimaj, i cili ishte përfshirë në një konflikt me një...

Vonesa prej magjistratëve dhe mungesa e listës zyrtare nga burgjet, ILD nis verifikimet

A po shoqërohet apo jo me dritëhije ligji i amnistisë penale që u bë i zbatueshëm prej 24 prillit dhe që solli lirimin e...

I hoqën nga duart dy herë tenderat dhe ia dhuruan ‘4 A-M’, SPAK merr të pandehur zyrtarët

Tre zyrtarë të bashkisë Tropojë, të cilët kanë marë pjesë në dy procedura tenderuese të shpallur nga ky institucion, janë marë të pandehur nga...

Lajme të tjera

Web TV