Vera e re në fuçinë e vjetër/ Videoja e vajzave që përleshen dhe një shoqëri që po lëngon

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU

A doni të dini se ku zbatohet më të saktë rregulli amerikan “Një fëmijë i edukuar vetëm në shkollë është i paedukuar”? Një video me disa vajzave nxënëse të klasës së 9-të të shkollës “Kongresi i Manastirit” në Tiranë është bërë jo vetëm virale në rrjetet sociale por përmbysi çdo lajm politik në këtë fundjavë.

Dy vajza 15-vjeçare u përleshën në rrugë me njëra-tjetrën duke shfyrë dhunë, ndërkohë që ambjenti rreth tyre ndahej në sharës me fjalor burgu, në nxitës të vijimit të dhunës por edhe sehirxhinj, me vetëm ndonjë përjashtim që kërkonte ndërprerjen e asaj skene. Më “lart” nga të gjithë qendronte autori i këtij filmimi që bëri të mundur që e gjithë Shqipëria mbarë dhe jo vetëm të tronditej nga ato pamje. Kjo video nxori të vërtetën lakuriqe se si po funksionon brezi i ri në Shqipëri.

Çdokush nga ne duhet ta vendos veten në vend të prindërve se si janë ndjerë kur kanë parë videon me bijat e tyre në atë situatë. Por fatkeqësisht realiteti është i tillë. Nuk e fshehim dot as me shoshë, e as me dukje për mirë me foto të lumtura në rrjetet sociale. Por çfarë tregoi kjo video për të gjithë ne?

DHUNA E TRASHËGUAR/Së pari, kjo video tregoi se në Shqipëri dhuna është një sport që më kot ia veshim si pronë brezit të ri. Ajo është e trashëguar nga prindërit si një brez i dhunshëm dhe po ia lë këtë aset negativ si trashëgim brezit të ri. Nuk mund të çuditet brezi i vjetër me këtë video që dhunën e ka patur si udhëtare të jetës dhe me demek habitet se si shikon një brez të ri që pëleshet.

Aq më e rëndë bëhet kjo kur kjo dhunë prek vajzat. Duhet ta themi troç: Brezi i prindërve të këtyre vajzave është rritur me dhunë. Një dhunë që pikënisjen e ka gjatë regjimit komunist dhe që vijoi pas rrëzimit të tij. Mjafton të veçojmë se nga viti 1990 deri më sot janë vrarë rreth 7 mijë persona në ngjarje të rënda kriminale për të kuptuar intesitetin e kësaj dhune.

Ndërkohë, dhuna në familje ka ardhur gjithnjë e në rritje. Kur një fëmijë shikon babain të dhunojë nënën, të dhunojë vajzën dhe djalin e vet dhe kur mendon se me dhunë do zgjidhë çdo gjë, çfarë mund të presim? Si një sëmundje ngjitëse, dhuna më pas transferohet te ata fëmijë që e tregojnë këtë në shkollë, në rrugë e kudo.

A EDUKOHEN FËMIJËT NË SHKOLLË? Së dyti, kjo video tregoi se shkolla jonë po shkon në drejtim të paditur që synon të mësojë por nuk synon kurrë të edukojë. Ka dy komponentë shkolla, atë të mësimit të lëndëve, por edhe edukimit qytetar. Të dyja janë në udhëkryq, por më shumë akoma është edukimi.

A edukohet një nxënës në shkollat në Shqipëri? Vështirë ti përgjigjesh pozitivisht kësaj pyetje. Lexoni me kujdes reagimin e drejtorisë së shkollës “Kongresi i Manastirit”. Duket sikur stafi tregon lumturi që nxënëset nuk janë përleshur në territorin e shkollës dhe për këtë ata nuk mbajnë përgjegjësi.

Është një rrëshkitje ndaj kësaj ngjarje të rëndë saqë të bën të mendosh se në këtë shkollë fëmijët edhe mund të mësojnë, por kurrë jo të edukohen. Nuk besoj se ky staf e bënë këtë mbështetur në rregullin amerikan se një fëmijë i edukuar vetëm në shkollë është i paedukuar. E bën se shkollës në Shqipëri i ka ikur me kohë sensi i edukimit.

MODELI I PRINDËRVE/ Së treti, kjo video tregoi se modelet tona për të rinjtë janë ata që nuk lodhen që nuk djersijnë por ata që nuk dinë. “Djali i babit hajdut” dhe “vajza e mamit pa profesion” janë kthyer në modë dhe paraja lumë pa bërë asnjë punë ka sjellë keqrritjen e një fëmije dhe të riu. Në të njëjtën kohë ky stil ka sjellë çoroditjen e moshatarëve të tyre që përpiqen dhe djersiten por nuk kanë luksin e këtyre tipave.

Në Shqipëri tashmë është bërë fenomen masiv që prindërit përpiqen t’u mësojnë fëmijëve se si të vuajnë më pak dhe jo si të durojnë më shumë. Një baba që lëviz me makinë “Jaguar” dhe me xhama të zinj nuk mund t’i kuptojë kurrë problemet e fëmijës adoleshent. Ai nuk është vetë një model i mirë dhe kurrsesi nuk mund të ketë një fëmijë normal. Ka prindër që i trajtojnë fëmijët e tyre si gjysmë invalid. Nuk i mësojnë si të mësojnë dhe punojnë, por u mësojnë si të jetojnë rehat dhe pa mund.

Kjo sjellë një finale për jetën e tyre. Bëhen të paaftë, të pazotë për të zgjidhur një situatë dhe për ta faji është gjetiu. Çdokush që ka përvojë jete në kushte normale, jetën e vlerëson të vështirë. Por imagjinoni sa e vështirë bëhet kjo jetë për këtë tip fëmije i cili e ka marrë jetën me duar në xhepa! Dhe vimë te më e bukura fare. 90 për qind e prindërve shqiptarë e nisin rrëfimin për fëmijën e tyre me fjalët “kam sakrifikuar” pa thënë se kjo nuk është e tillë po është dashuri.

Kjo tregon në një fare mënyre se këta prindër nuk kanë bërë asgjë për fëmijën e tyre sepse çdo gjë që bën për fëmijën tënd nuk është sakrificë, por dashuri. Ka një teori në raportet e prindërve me shkollën e fëmijëve të tyre. Edhe kur vendosin një notë, një mësues në fakt u vendos notën prindërve të fëmijës dhe jo vetë fëmijës. A ka domethënie më të madhe se sa kjo?

KUR VESI VLERËSOHET SI VIRTYT/ Së katërti, kjo video tregoi se shoqëria jonë ka aq shumë vese, saqë i trajton si virtyte. Ndiqeni me kujdes videon se si disa rreth vajzave nxisin edhe më shumë dhunë duke kërkuar triumf nëpërmjet saj. Nuk e teprojmë të themi se morali është një fjalë demode dhe i janë shkepur tegelat.

Një djalë apo vajzë e re me dinjitet, me moral dhe me rregulla bazë të shoqërisë, jo vetëm nuk vlerësohet por nënçmohet dhe shpërfillet. Përkundrazi, i shkathti, hileqari dhe ai që ua “fut” të tjerëve vlerësohet i zoti, i aftë dhe i suksesshëm. O zot ku po shkojmë!

KUR MORAL BËJNË AMORALËT/ Së pesti, habia është se për këtë ngjarje por edhe shumë të tjera bëjnë moral pikërisht ata që nuk duhet ta bëjnë amoralët. Vini re me kujdes! Nuk po shkruaj imoralët, por amoralët.

Janë ata që pasi kanë shkatërruar familjet e tyre, kanë braktisur fëmijët e tyre dhe familjarët e tyre, dalin në ekrane dhe bëjnë babaxhanin dhe flasin në emër të moralit. Këta janë gjindja më e keqe, më neveritëse dhe më e shpifur e shoqërisë. Fjalët e tyre nuk i duhen jo vetëm adoleshentëve që u kacafytën por as dreqit.

Si mund t’i marrë për bazë dikush këta birbo që njihen nga ata që kanë patur në ambjent pune dhe bëjnë moral duke qenë amoralë. Të gjithë ata që i njohin irritohet kur i dëgjojnë të flasin për të tillë tema, ndërsa ai që nuk i njeh as nuk përpiqet të dijë sado pak për formatin e tij por e mendon këtë birbo si njeri me dinjitet.

Lexo edhe :  Shkaku real i bllokimit të primareve dhe zgjedhjeve brenda PD

Pajtohem plotësisht me mjeken e njohur Anika Dokle kur në një nga thumbat e saj në profilin e saj në facebook shkruante se në këtë vend të bëjnë moral zuzarët dhe të japin mend trutharët. Epo kjo jo vetëm që nuk të vlen por ndikon akoma më shumë për keq. Janë pikërisht këta që nuk janë kundër korrupsionit si fenomen por kundër atij korrupsioni nga i cili nuk fitojnë edhe ata lekë. Dhe këtë e bëjnë në emër të publicitetit që ua japin disa të paaftë që i nxjerrin në ekran. O njerëz, kjo nuk është garanci e cilësisë!

ME KULTURËN NUK HAHESH. Së gjashti, media po kthehet në një institucion kur të rinjtë nuk shikojnë idhujt e tyre me ato që arrijnë por vetëm stilin seksist të tërhequrit ndaj formave të trupit dhe jo të krijimit të formatit të një të riu të ditur, të mirëformuar dhe të edukuar si qytetar. Mburren disa me demek “yje” televizoni dhe emisione me plot siguri se videot e tyre janë shikuar dhe janë klikuar me shifra rekord. Përtej asaj që 70 për qind këta shikues dhe klikues rezultojnë në Indi dhe Kinë dhe nuk kërkon ndonjë talent për të kuptuar se shifrat manipulohen, por disa autorë dhe ata që drejtojnë këto spektakle janë injorantë funksionalë.

Nuk kanë njohuritë më elementare të formimit të përgjithshëm dhe duken haptas se nuk kanë lexuar ndonjë roman në jetë. Nëse kjo mund të ketë ndodhur aksidetalisht, libri i tyre i jetës mund të jetë i një autori qesharak që promovon ulje çmimi nëse jep puthje. Kjo është antikulturë dhe nuk mund të ndikojë kurrë te të rinjtë e sotëm.

Se sa vlen sot dikush kjo duket te kultura e tij. Me të nuk hahen dot as këta yjet e televizionit e as ata që i mbështesin.

KUR LEXIMI I LIBRAVE VLERËSOHET SI TË JESH ME COVID/ Së shtati, leximi i librave për të rinjtë trajtohet si një i sëmurë me “Covid 19”. Nuk ka nevojë ti pyesësh vajzat që përlëshen në video se sa libra disponojnë në banesat e tyre dhe sa libra kanë lexuar në jetë.

Ato mund të kenë fuoristrada dhe vila në plazh por nuk besohet se do kenë libra dhe rafte. Ose nëse do kenë duhet ti kenë blerë librat me metër katrorë e jo me tituj. Për ta gjeniu Ismail Kadare i përket jo vetëm një planeti me të cilin ata nuk kanë punë por edhe një shoqërie diku në një galaktikë tjetër.

Shikoni rrjetet sociale. Pothuajse në çdo profil prindi, fëmija e tij rezulton gjeni, kampion, ekselent, nxënës me 5 yje dhe gjithëfarësoj vlerësimesh. Në fakt, këto publikime më shumë nënkuptojnë problemet e prindit dhe pak besohen për aftësitë dhe cilësitë që ia veshin fëmijës. Rrallë publikohen suksese të fëmijëve që arrijnë të fitojnë olimpiada, të marrin medalje në sport, apo vlerësime në universitete këtu dhe veçanërisht jashtë.

Sepse ato, ose nuk ekzistojnë ose kur ekzistojnë nuk kanë fare nevojë që prindërit ti nxjerrin në publik.

INKRIMINIMI SI MJET PËR T’U PASURUAR/ Së teti, modeli i të fortit që bënë para në kanale krimi është kthyer në modën e brezit të ri. Fenomeni i “shtëpisë së barit” në Londër është kthyer për të rinjtë një rrugë për tu pasuruar shumë në një kohë të shpejtë dhe pa shumë sakrifica. Ata më pas blejnë makina të shtrenjta dhe vijnë për ta reklamuar jetën e tyre duke u harlisur nëpër rrugët e Shqipërisë.

Dhe ky lloj stlili është bërë trend për të rinjtë tanë. Dhe këtë inkriminim nuk ua shpjegon kush të rinjve. Por, ora më e errët e njeriut është kur mendon se si të bëj para pa djersë. Fëmijëve sot nuk u mësohet rregulli se nëse duan të blejnë diçka që e pëlqejnë pa e parë çmimin, e vetmja rrugë është që duhet të punojnë pa parë orën. Atyre nuk u mësohet as që paraja vërtetë të heq fukarallëkun, por nuk të heq maskarallëkun. Dhe ky inkrimim i çon ata në një fund të keq të pashmangshëm.

GRUAJA SI FAKTOR NXITËS/ Së nënti, roli i vajzës dhe gruas këtu në Shqipëri është drejt degradimit. Gjithnjë e më pak ka lidhje me rregullin se kush edukon një vajzë ka edukuar botën sepse ajo një ditë do bëhet nënë dhe pikërisht ajo do edukojë edhe një djalë që më pas ai do bëhet burrë. Por në Shqipëri vajza dhe gruaja trajtohet në dy mënyra ekstreme: E para ajo dhunohet dhe kjo është fatkeqësia më e madhe nga e cila vijnë shumë e shumë pasoja.

Dhe e dyta trajtohet si një koketë që mjafton që burri ti sigurojë një jetë luski dhe gjithçka për të është perfekte. Vini re se sa e sa vajza ekranesh kanë partner personazhet e krimit. Emrat e tyre nuk i bëjnë publikë sepse ata “kanë pak punë” në Spanjë, Hollandë dhe Zvicër. Merret me mend puna e tyre, ndërkohë që këto tipe vajzash që notojnë në para pa asnjë vlerë tregojnë bukurinë e tyre përmes operacioneve plastike dhe lakuriqësisë. Kështu ato krijojnë një model aq negative për të rinjtë dhe adoleshentë që i helmojnë me këtë mënyrë jetese.

A ua tregon kush të rinjve se asnjë femër që ka bërë emër në histori, nuk i është dashur të tregojë lakuriqësinë e saj? Por në Shqipëri e zhveshura është miklimi i madh. Dhe kjo vjen nga modeli që krijon vajza dhe gruaja që në fakt po tregon model negative.

NJË SHOQËERI QË LËNGON/ Së dhjeti, për këtë situatë ku ndodhet shoqëria shqiptare nuk e na e ka fajin as politika, as qeveria, e as opozita. E kemi ne vetë fajin. Secili nga ne dhe e gjithë shoqëria. Ne votojmë ne i bëjmë ata të në qeverisin dhe ne jemi ata që themi faji është i tyre. Një shoqëri që mendon kështu është e destinuar të lëngojë dhe të vdesë dalëngadalë.

Këtu është i forti ai më i preferuari. Modelet ekzistojnë por ata përbuzen. Ca para më shumë që ka dhënë qeveria dhe bashkia nuk vlejnë nëse Luiza Gegën nuk e kthen në model shoqëria jonë. Disa ftesa për Ilir Shaqirin, Klejdi Kadiun dhe Ambeta Toromanin në disa televizione nuk vlejnë nëse ata nuk vlerësohen nga shoqëria si modele të mira dhe e kundërta e personazheve të krimit.

Prandaj shoqëria jonë lëngon dhe vuan. Por shërimi vjen vetëm me moral. Vetëm kur morali të triumfojë mund të themi se shoqëria është e shëndoshë, në të kundërt do vijojmë të lëngojnë bashkë me të dhe jemi të destinuar që video si kjo e vajzave që përleshen do shikojmë përsëri.

 

Të fundit

Ish-gjyqtarja Fetahu kërkon nga Gjykata e Lartë rrëzimin e masës ‘arrest në

Ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, i kërkon Gjykatës së Lartë të shfuqizojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” caktuar...

Paralajmërimi i Bashës për opozitën/ Koha na dha të drejtë!

Kreu i grupimit Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se amnisitimi i të korruptuarve të Edi Ramës me votën e Sali Berishës, ishte një mesazh politik...

Bien temperaturat, si do të jetë moti gjatë fundjavës

Meteorologia Tanja Porja ka treguar sesi do të jetë moti gjatë ditëve të fundjavës. Ajo tha se mëngjesin e të shtunës reshjet e shiut do...

Bonus edhe për administratën në fundvit, 120 mln lekë në dispozicion/ Zbardhen detajet

Këtë fundvit do të përfitojnë shpërblim edhe disa punonjës te administratës shtetërore. Mesohet se me aktin e fundit normativ, qeveria ka vendosur të shpërndajë bonus...

Zbulohet kushti i Parashqevi Simakut për t’u rikthyer në Tiranë

Parashqevi Simaku ka qenë kryefjala e mediave në javën e fundit. Artistja e madhe e viteve ’80 u shfaq në një video, teksa jetonte...

Lajme të tjera

Web TV