Nga Dashnor Kaloçi
“Arratisja e 17 vetave, është një ngjarje e rëndë, në përmasa që solli dëm të punës së Partisë, kurse ne si forcë Kufiri, nuk kryem detyrën, moralisht, populli na dënon, armiku në këtë betejë, fitoi, në tërësi ky rast uli forcën goditëse. Për këtë ngjarje, përveç përgjegjësisë që ka Komanda e Postës, Komanda e Repartit 299, sektori operativ në Degë, e kryetari i Degës, përgjegjësi të madhe kemi edhe ne, komanda e Shtabi i Forcave të Kufirit”!
Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion që mban datën 3 shtator të vitit 1987, të hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila informon aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, duke i bërë me dije, për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur më datën 10 gusht të atij viti, ku në ora 02 të natës, dy familje të fshatit Vermosh, me 17 persona, kishin mundur të arratiseshin në Jugosllavi, duke kaluar kufirin shtetëror në pikën e kufitare të Velipojës (sektori Kuadrat) të Repartit 299 Tamarë.
Sipas dëshmive të një ish-ushtaraku të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili atë ditë ka qenë në shërbim si oficer Drejtimi në Ministri, radiogrami i Degës së Brendshme të Shkodrës që mbërriti atë ditë në ministri, duke njoftuar për ngjarjen në fjalë, alarmoi jo vetëm krerët më të lartë të ministrisë ku ai shërbente, por edhe udhëheqjen më të lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila u vu menjëherë në lëvizje.
Kështu, po atë ditë, në orët e drekës, një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku në bordin e tij, kishin zënë vend, ministri i Brendshëm Hekuran Isai dhe sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së Simon Stefani (që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’), do të fluturonte urgjent për në malësinë e Vermoshit, ku tashmë kishin “zbarkuar” krerët më të lartë të Degës së Brendshme të Shkodrës dhe gjithashtu edhe Komiteti i Partisë së rrethit, me në krye sekretarin e parë, Xhemal Dymylja.
Kjo ngjarje e jashtëzakonshme,(e cila më pas do të bëhej objekt i mbledhjeve dhe analizave të gjata), u rëndua më shumë, pasi vetëm dy tre ditë më pas, disa nga pjesëtarët e familjes Vushaj dhe Lelçaj, dhanë intervista në televizionin shtetëror të Malit të Zi, (Radio-Televizioni Titogradit), gjë e cila bëri bujë të madhe dhe u ndoq me mjaft interes, jo vetëm nga banorët e rrethit të Shkodrës, por edhe pothuaj në gjysmën e territorit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ku mbërrinin valët televizive të stacioneve të Jugosllavisë fqinje.
Po kush ishin personat e familjes Vushaj dhe Lelçaj, çfarë raportesh kishin ata me regjimin komunist në fuqi, cilat ishin arsyet e arratisjes dhe si e organizuan ata planin e tyre, pa rënë në sy të organeve të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në atë zonë kufitare? Si nuk i diktuan ata nga ana e kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit, Gjovalin Lumaj (vëllai i gruas së Zef Gjergj Vushaj), i cili sipas banorëve të asaj zone, jo vetëm që kishte ndihmuar në kapjen disa shkelësve të kufirit, por ishte njeriu që kishte nën kontroll dhe survejim të rreptë familjen e kunatit të tij, Zefit, ku vetëm disa kohë më pare, ai kishte hipur deri në tavanin e shtëpisë së tyre, për të kontrolluar për disa kg. fasule që, dyshohej që ajo familje që jetonte në një varfëri të tejskajshme, kishte përvetësuar nga kooperativa?!
Si mundën pjesëtarët e familjes Vushaj dhe Lelçaj, të kalonin kufirin shtetëror, pa u diktuar nga forcat e kufirit, kur mes tyre kishin dhe fëmijë të vegjël disa muajsh?! Lidhur me këto e të tjera nga ngjarja e jashtëzakonshme e 10 gushtit të vitit 1987, e cila tronditi udhëheqjen e lartë të PPSh-së në Tiranë, na njeh dokumenti në fjalë, i cili publikohet për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA.
Dokument sekret i Ministrisë së Brendshme, i dt. 3.IX.1987, dërguar Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me raport-informacionin për ngjarjen e dt. 10 gusht 1987, ku familja e Zef Gjergj Vushaj dhe Mark Pashko Lelçaj, (gjithsej 17 persona ) u arratisën nga pika kufitare e Velipojës, për në Jugosllavi
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Ekzemplar i vetëm
Nr.489
Tiranë, më 3.9.1987
R A P O R T
GJENDJA, SHKAQET E PËRGJEGJËSIA PËR ARRATISJEN E 2 FAMILJEVE ME 17 VETA NË SEKTORIN E VELIPOJËS TË REPARTIT 299 TAMARË DHE ME REAGIM, MASAT PËR FORCIMIN E MËTEJSHËM TË RUAJTJES SË KUFIRIT SHTETËROR
Më datën 10.8.1987, rreth orës 02.00 në sektorin e pikës kufitare Velipojë, kuadrat (20.88), të Repartit 299 Tamarë, realizuan arratisjen në Jugosllavi, 2 familje me 17 persona. Familja e Zef Gjergj Vushajt me gruan, nusen e djalit dhe 7 djem e 2 vajza. Në vitin 1961, familjarisht ka qenë në internim në Lushnje. Babai i tij, Gjergji, ka qenë i dënuar me 15 vjet heqje lirie, si agjent në shërbim të Zbulimit Jugosllav, më vonë, arratisur dhe vdekur në Jugosllavi. Ka edhe një xhaxha të internuar. Ka qenë familje me T. A. (Teknikë Operative, përgjues), por të dhëna aktuale për veprimtari armiqësore, s’ka pasur, ka shprehur pakënaqësi për gjendjen e kooperativës bujqësore. Sektori Operativ, të dhëna të tjera për këtë vit, nuk ka evidentuar. Familja e Mark Pashko Lelçaj, me përbërje 5 vetë, ka një xhaxha dëshmor, ka kryer ushtrinë në kufi. Marku në tërësi, është karakterizuar si grindavec, ka qenë dhëndër i Zefit. Nga verifikimi i kësaj ngjarje të rëndë, nga të dhënat që ka dhe nga veprimet e realizuara nga sektori operativ, ka qenë e paramenduar. Ideja për këtë qëllim, duhet të jetë e kultivuar, kohë më parë. Parapërgatitja dhe realizimi i tradhtisë ndaj atdheut, është shpejtuar në korrik të këtij viti. Kjo argumentohet: thirrja pranë familjes e djalit që ishte ushtar, në repartin 3688 në Korçë; shlyerja e parave borxh dhëndrit, ku i ka dhënë mushkën dhe një derr, shlyerja e disa parave borxh, marrë komshinjve; organizimi i mbrëmjes nga rinia e brigadës në shtëpinë e vëllait të të arratisurit; pjesëmarrja e pakët në punë e disa pjesëtarëve të familjes, në muajin korrik; shkruaja e disa letrave, për pakënaqësi e urrejtje ndaj organeve lokale të pushtetit e të ekonomisë sonë.
Rrethanat e arratisjes: Natën e arratisjes, 4 pjesëtarë të rinj të kësaj familje, kanë qenë në mbrëmje. Në orën 24.00, janë larguar nga mbrëmja, me pretekstin se i presin në shtëpi, me që kishte ardh dhe djali nga ushtria (Konto Vushaj). Në orën 01.00, datë 10.8.1987, në shtëpinë e tyre, kanë qenë të shuara dritat, këtë e thotë kujdestari i Postës, Arif Burgaj, kur është kthyer nga kontrolli i njësitit. Si drejtim, për arratisje është shfrytëzuar ai i përroit të Fuçinit (300-400 metra më majtas postës), me qëllim për të evituar zhurmën dhe siguruar maskim. Nga provat e bëra, meqenëse përroi është shumë i thellë, nga posta nuk u dëgjua e shtëna e armës. Distanca nga shtëpitë në vijën e kufirit, është 1 km. Terreni nga ana e tyre ka qenë i njohur dhe Zefi ka punuar në vijë të kufirit, si punëtor i Ndërmarrjes së Shfrytëzimit Pyjor. Familja që u arratis: Ka pasur marrëdhënie jo të mira me organet lokale të pushtetit e të ekonomisë në zonë. Vërtetohet se me datën 16.9.1986, Këshilli Popullor, ka rrethuar me të armatosur shtëpinë e Zef Vushajt, me pretekstin për të gjetur fasulet, që dyshohej se i kishte vjedhur djali i tyre, Doda, në fakt, vjedhja nuk vërtetohet. Më 5.9.1987, me urdhër të Këshillit, i është shkulur gardhi dhe disa metra patate në oborrin kooperativist, duke e akuzuar se ka më shumë nga sa e përcakton statuti i kooperativës. Megjithëse kjo familje përbëhej prej 12 vetash, vetëm njëri punonte në ndërmarrje shtetërore, të tjerët punonin në kooperativë bujqësore. Ishte më e shtrënguar ekonomikisht, se familjet e tjera, në Vermosh, të cilat jetojnë me kushte më të mira.
Në tërësi, organet lokale të pushtetit dhe të ekonomisë në zonë nuk kanë gjetur rrugët e zgjidhjes e kapërcimit të kontradiktave, me këtë familje. Rrugët e zgjidhjes, mund dhe duhej ta kishin çuar në parandalimin e ngjarjes, gjë e cila i dha mundësi armikut për t’i hedhur këtë familje, në armiqësi të plotë kundër rendit tonë socialist. Shkaqet e arratisjes: Aq sa njihet gjendja, shkaqet janë: Pre dispozicioni i tyre armiqësor, të cilin duhet ta ketë njohur, shfrytëzuar, nxitur dhe organizuar, Zbulimi Jugosllav. Nxitja, mund të jetë bërë edhe nga vizitori i shkuar në Vermosh, Gjon Nikçi, që banon në Neë Jork të SHBA-së, shkak mund të jenë edhe veprimet sektare të kryera ndaj njërës familje, (të Zef Vushës). Mundësitë, për zbulimin, parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të mprehtë armiqësore. Pavarsisht se sektori operativ, me të dhënat që dispononte, nuk ishte në kontakt me përgatitjen e kësaj veprimtarie armiqësore dhe kësaj gjendje, ai duhet të bëjë analizë të veçantë, mangësitë e kufirit, ishin: Masat për të realizuar detyrën për të ruajtjen e kufirit shtetëror, nuk kanë qenë të plota dhe efektive. Drejtimi ku u bë arratisja, përroi i Fuçinit, është parë si mundësi dhe jo si realitet, mbasi nuk është siguruar me forca dhe as me mjete. Në sektorin e postës, kishte vetëm dy raketa shenjë hedhëse. Natën e datës 9-10.8.1987, posta ruante kufirin në gatishmëri shërbimi Nr.3. Theksojmë se kjo postë, ka në përbërje të saj edhe një piketë në krahun e djathtë, (Piketa e Vojanit) me 10 veta. Efektivi direkt i postës, është 15 vetë. Një ishte me leje, një punonte në grupin e ndërlidhjes që po hapte kanalin e linjës kabllore, Vermosh-Seferçe, mbetën 13 veta. Përveç shërbimit të gatshëm, RP. NPP, (kuzhinier, kafshar), për këtë datë kishte dhe një njësit para-nate, një njësit pas nate dhe ditën 2 njësite, për ruajtjen e kufirit, në të dy krahët e sektorit të pyllëzuar dhe sigurimin e punimeve ekonomike e të shfrytëzimit pyjor. Komisari i Postës, kishte qenë në Shkodër, komandanti në piketa, në postë kujdestari, i cili ka bërë kontroll njësiti, në orën 23.00 deri në orën 01.00. Nga sa u theksua, del se forcat janë shfrytëzuar. Në afërsi të vendit të kalesës, kish njësit, nga ora 21.00, deri në ora 05.30, në vijë të drejtë, 300 metra nga përroi. Meqenëse, përroi është shumë i thellë, nuk ekzistonte mundësia e njësitit për të ruajtur shtratin e lumit në thellësinë e tij. Në lumë, nuk kishte asnjë mjet për të dhënë sinjalin e kalimit, a të merrte masa të menjëhershme. Për rrjedhojë, në një 8 orësh, kishte vetëm një njësit shërbimi, ose në 5 km. një njësit. E meta qëndron se, megjithëse ishte e diel për të hënë, nuk ishin aktivizuar për shërbim, ndonjë nga të kompanisë vullnetare, a të armatosurit e Degës, kur në fshat bëhej edhe mbrëmja e rinisë dhe mund të shfrytëzohej nga elementi armik, siç u veprua. Kujdestari i Postës, kur u kthye nga kontrolli, rreth orës 01.00, kur pa lëvizjet në fshat, nuk reagoi, të njoftonte komandën dhe të merreshin masa plotësuese. Shërbimi i njësitit, duhet të jetë ekspozuar nga banorët e elementi armik i brendshëm, mbasi rruga nga e cila lëvizte njësiti, për të dalë në krahun e majtë të postës, shkon nëpër fshat e vrojtohet. Në Përroin e Fuçinit, aktualisht nuk ka asnjë lloje ure, për kalim në anën tjetër.
Për periudhën 7-mujore, (janar-korrik), komanda e shtabi i Repartit 299 Tamarë, ka punuar gjithsej në Postën e Velipojës, 25 ditë, ose mesatarisht, 3.4 ditë çdo muaj. Sasia e ditëve, relativisht është e mirë, por rendimenti i saj, kërkesa ndaj vetes, për t’u marrë me problemet më kryesore, siç janë ato të shërbimit, ka qenë e pamjaftueshme. Cilat janë mangësitë e komandës dhe Shtabit për organizimin e shërbimit në postën e Velipojës: Nuk është lidhur situata në vazhdimësi në vite me të dhënat e veprimet në zonën e Vermoshit. Zbulimi Jugosllav, ka tentuar të komprometojë nga radhët e forcave tona në Seferçe e Lëpushë, ka nxjerrë femra në vijën e kufirit; u arratisën 3 barinj në Seferçe në vitin 1985, u arratisën në maj të këtij viti, ushtari i Postës Kufitare Kuadrat, etj., atëhere të lidhej ky intensitet, me atë që do të nxisnin arratisje të tjera, për të dhënë goditje kaq të forta, siç dha. Nuk është lidhur veprimtaria keqbërëse me atë armiqësore. Në Vermosh, ka vjedhje, raste imoraliteti, grindje, modë, hapje stacionesh të huaja, por këto nuk janë parë si dukuri që çojnë në veprimtari armiqësore, që këto veprimtari mund të nxisin Zbulimin Jugosllav, nëpërmjet agjenturës së tij në Vermosh, apo vizitorëve. Në vazhdimësi, por edhe komanda e re e krijuar në Tamarë, nuk ka kryer punime xheniere, për ndërtim urash, që të lëvizin njësitet, e të mos shkojnë në fshat. Në përroin e Fuçinit në Velipojë dhe në lumin e Vermoshit, në Pikën Kufitare, Bashkim, nuk janë ndërtuar ura të tilla, që të jenë të përhershme dhe me perspektivë. Në tërësi ka munguar shqetësimi për të studiuar terrenin për vendosjen e mjeteve, edhe BK-17 ekziston në krahun e djathtë të sektorit të postës, nga varri i Marës e në Fuçin, nuk është punuar fare në këto 2-3 vjet. Kryerja e shërbimit në mënyrë të maskuar, nuk është parë në kompleks, e lëshuar me paracaktimin e vijës së shërbimit në stinën e verës, jo shumë para pyllit, por sa fillon pylli dhe mos ekspozim të vendeve të shërbimit. Nuk ka insistuar te kryetari i Degës, që Punëtorët Operativ të zonave, të shkojnë në postat kufitare çdo muaj, sipas udhëzimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nr.01 – 128, dt…dhe të bëhet analiza e përbashkët në çdo 6 muaj, midis sektorëve, nën drejtimin e kryetarit të Degës. Në muajt, janar-shkurt e prill-maj, e korrik, nuk ka shkuar Punëtori Operativ, Fatos Idrizi, në këtë postë, ka ekzistuar shqetësimi, por s’është bërë problem deri në Komitet të Partisë dhe në Ministri. Edhe në dy muajt që është bërë koordinimi, (mars-korrik), nuk është ekspozuar asnjë problem për këto dy familje që u arratisën. Arratisja e 17 vetave, është një ngjarje e rëndë, në përmasa që solli dëm të punës së Partisë, kurse ne si forcë Kufiri, nuk kryem detyrën, moralisht, populli na dënon, armiku në këtë betejë, fitoi, në tërësi ky rast uli forcën goditëse. Për këtë ngjarje, përveç përgjegjësisë që ka Komanda e Postës, Komanda e Repartit 299, sektori operativ në Degë, e kryetari i Degës, përgjegjësi të madhe kemi edhe ne, komanda e Shtabi i Forcave të Kufirit, konkretisht:
1.Mbi bazën e postave ekzistuese në Tamarë, u krijua Batalioni i veçantë me komandë, shtab dhe kuadro të reja, pa eksperiencë pune, organizimi e drejtimi, në rang reparti. Veç kësaj, kushtet e vështira fillestare të dislokimit, ndikonin negativisht. Fillimisht u dërguan shokë për të ndihmuar konkretisht, më vonë u dërguan kuadro të veçuar dhe grup pune, në qershor 1987. Meqenëse ky repart, për një vit ishte i pambuluar me oficer drejtimi, pavarësisht nga intensiteti i madh që kemi pasur në reparte dhe drejtime të tjera, pranojmë se ndihma e duhur, sasiore e cilësore, nuk i është dhënë sa duhet në këtë repart. Kishim apo nuk kishim mundësi, ne patjetër, kërkojmë të bënim më shumë. Për shqetësimet në gjendjen morale-politike të banorëve të kësaj zone, ne nuk kishim të dhëna, por pavarësisht nga kjo, dinim se, në një kufi, bëhej një presion i madh nga Jugosllavët, për komprometim. Të thelloheshim më shumë, në analizën e gjendjes në atë zonë, për të arritur në përfundime të tilla, nga do kërkohej një punë më e thellë e intensive. Pikërisht për këto, ngarkohen me përgjegjësi, shokët: Ferit Zeneli, Enver Pata, e Ismail Skeja.
2.Siç evidentohet më lart, në zonën e Vermoshit dhe konkretisht në Velipojë, ka pasur një situatë operative mjaft aktive, e të tensionuar, mangësi në ruajtjen e sekretit të shërbimit, në gatishmërinë e mjeteve të thjeshta, në aktivizimin e njësiteve vullnetare, etj., por ato nuk janë analizuar e studiuar gjerë e thellë, nga ekipi i ndihmës e kontrollit, që punoi në këtë repart mbi 10 ditë. Për rrjedhojë, gjendja u la ashtu siç ishte më parë, gradualisht ajo u mbajt, u acarua, deri sa u realizua arratisja. Kjo ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë, shokun Haki Liço, si përgjegjës dhe shokët F. Llaka e Besim Xhixha, si pjesëtarë të këtij grupi pune. Faktet flasin se këta shokë, kanë bërë një punë të cekët, formale, pa efektivitet. Veç kësaj, duke mos u futur thellë në njohjen në kompleks të situatës, në postë, në fshat, në sektor, e në kufi, edhe ndikimi. Ndihma e kërkesa ndaj komandës së Batalionit dhe atyre të postave, ka qenë e ulët.
3.Te disa kuadro, siç është edhe ky rast, evidentohet në praktikë, një koncept i gabuar, që po na kushton shumë shtrenjtë. Mendohet, së ky, ose ai drejtim, krua apo mal, është i pakalueshëm. Nisur nga kjo, në këto drejtime, që janë shfrytëzuar nga elementë armiq, për kalesa masive, nga disa komanda, s’merren masa për ruajtjen e tyre.
Raporti sekret i Degës së Brendshme e rrethit të Shkodrës, dërguar Ministrisë së Brendshme në Tiranë, për Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 2
DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME Shkodër, më 4.9.1987
Nr.1495/1 Prot.
Lënda: Dërgohen disa të dhëna për muajin gusht 1987
Ministrisë së Punëve të Brendshme
Drejtorisë së Parë
Degës së Katërt
Tiranë
Për muajin gusht, ju dërgojmë këto të dhëna:
- Aktualisht sektori i Sigurimit, ndjek 4 përpunime, me kalim afati, prej të cilave, 3 në 2/A dhe 1 në përpunim paraprak. Sipas tendencave, u përkasin: 1 në 2/A si agjent në shërbim të Zbulimit Jugosllav, 1 në 2/A për propagandë armiqësore, 1 në 2/A dhe 1 në përpunim paraprak, për tendencë arratisje, jashtë shtetit. Për këto përpunime, janë caktuar detyra konkrete, e ezaurimi i tyre do të bëhet brenda 15 ditëshit të parë të muajit shtator.
- Gjatë këtij muaji është hequr 1 përpunim aktiv 2/A si pa bazë. Marrja e tij në 2/A është bërë për tendencë arratisje dhe agjitacion e propagandë armiqësore mbi bazën e dy shënimeve operative të përpiluara nga ish-Punëtori Operativ, Bedri Kazazi dhe deklaratës së një qytetari. Nga verifikimi që iu bë këtyre materialeve, rezultoi se nuk qëndronin, pra, marrja e tij në 2/A, është bërë mbi bazën e të dhënave të gënjeshtrave.
- Nga Komiteti i Partisë së rrethit, janë këshilluar dy persona në përpunim aktiv 2/A për tendencë arratisje jashtë shtetit. Të dy këta, janë ndjekur për llogari të Degës së 6-të.
- Gjatë muajit gusht, janë tërhequr në rrjetin sekret informativ 14 informatorë, nga të cilët, 6 janë për llogari të Degës së Parë, 6 për llogari të Degës së 6-të, dhe 2 për llogari të Degës së 8-të. Nga informatorët e tërhequr, 8 janë mbi baza vullnetare dhe 6 në baza patriotike, 8 janë tërhequr në princip objekti dhe 6 në princip drejtimi.
- Gjatë kësaj periudhe, janë bërë dy kontrolle nga shefi i Sektorit të Përgjithshëm, për ruajtjen e sekretit. Nga këto kontrolle, u evidencuan edhe disa mangësi, si në tre zyra të Punëtorëve Operativë, ku u gjetën disa karbon të përdorura dhe disa zyra të pa dyllosura. Kuadrot që kishin këto mangësi, u kritikuan.
- Është vërejtur se arratisjet jashtë shtetit gjatë kësaj periudhe, e kanë realizuar personat, si më poshtë:
– Vinçenç Vlash Pukri, i vitlindjes 1968, nga fshati Dajç i Ri, arratisur në Jugosllavi me datën 9.8.1987 nëpërmjet lumit Buna; në sektorin e postës kufitare, Rrushkull, nuk ka qenë i evidencuar.
– Alfred Luk Jaku, i vitlindjes 1968, nga fshati Dajç i Ri, arratisur në Jugosllavi më datën 9.8.1987, nëpërmjet lumit Buna në sektorin e pikës kufitare Rrushkull, nuk ka qenë i evidencuar.
– Zef Gjergj Vushaj, i vitlindjes 1933, nga fshati Vermosh, i evidencuar kontingjent për llogari të Zbulimit Jugosllav, më datën 10.8.1987, familjarisht ka realizuar arratisjen jashtë shtetit në Jugosllavi, në sektorin e pikës kufitare Velipojë të Vermoshit.
Familja e tij përbëhej nga këta persona:
– Lena Fran Vushaj, e vitlindjes 1940
– Dodë Zef Vushaj, e vitlindjes 1961, evidencuar kontingjent
– Gjovalin Zef Vushaj, i vitlindjes 1962, kontingjent
– Katrina Zef Vushaj, e vitlindjes 1965, kontingjent
– Kanto Zef Vushaj, i vitlindjes 1966, kontingjent
– Kol Zef Vushaj, i vitlindjes 1969, kontingjent
– Sokol Zef Vushaj, i vitlindjes 1971, kontingjent
– Lume Zef Vushaj, e vitlindjes 1974, kontingjent
– Dritë Zef Vushaj, e vitlindjes 1977, kontingjent
– Vladimir Zef Vushaj, i vitlindjes 1982, kontingjent
– Lizë Ndue Vushaj, e vitlindjes 1965, kontingjent
Familja tjetër që realizoi arratisjen, po me datën 10.8.1987, së bashku me familjen e Zef Vushajt, në sektorin e pikës kufitare Velipojë të Vermoshit, është:
- Mark Pashko Lelçaj, i vitlindjes 1957
- Vitore Zef Lelçaj, e vitindjes 1959
- Aida Mark Lelçaj, e vitlindjes 1982
- Vojsava Mark Lelçaj, e vitlindjes 1983
- Alfred Mark Lelçaj, i vitlindjes 1986
Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme
Bardhosh Lamçaj