Tregu u çmend, çmimet marrin dhenë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Tregu po çmendet.
Lajmet se çmimet vazhdojnë të jenë në trend rritje kanë pushtuar mediat. Në fakt trendi i rritjes së çmimeve nuk ka reshtur së rrituri asnjë ditë, por ajo që tronditi themelet e shqiptarëve, – më shumë se dhe vetë tërmeti, – ishte alarmi i lajmit për rritjen e afërt të pllakës së bukës me 20 për qind. Domethënë me 200 lekë të vjetra. Duken sikur nuk ngre shumë peshë. Hë mo se 200 lekë janë… Ose: Epo ç’janë 200 lekë fundja?!
Mirëpo nuk është ashtu.
Buka në Shqipëri është baza e tavolinës. Po rrite çmimin e bukës, zëre se i ke dënuar shqiptarët me nenin 55 për agjitacion e propagandë. Imagjino t’u heqësh edhe duhanin e pastaj kafenë….Ç’e do jetën?! Ndërkohë, duhani dhe kafeja e kanë ngritur çmimin, por këtu të gjithë e kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh. Mirëpo kur vjen puna tek buka e gojës…
Instituti i Statistikave, në raportin e përhershëm tek faqja zyrtare informon se: “Në Shkurt 2023, krahasuar me muajin Janar 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,3 %…”. E pas kësaj vazhdon dhe me artikujt e tjerë. Por, duke iu referuar revistës “Monitor” e cila gjithashtu i referohet Eurostat, thuhet se: Rritja e përgjithshme e çmimeve ishte 7.1 për qind në muajin Janar. Sipas matjeve kombëtare niveli i përgjithshëm i çmimeve ishte rritur me 7.2 për qind në Janar 2023.
Dhe kaq me referimet. Sepse rritjet e muajve Mars e Prill, padyshim që dalin më pas.
Çmimet nuk rreshtin së rrituri. Një rrogë e mirë deri dje, sot nuk pi ujë. Një pension i mirë deri dje, sot është keq e më keq.
Ndërkohë, bordi i karburanteve betohet se po e mban nën presion çmimin e naftës, benzinës, gazit dhe…. mazutit. Dhe shyqyr që bordi nga shëndeti mendor është top dhe merr vendime të sakta, se kush e di sa do kishte vajtur litri i karburanteve. Po aq mbeti i pandryshuar, me një heroizëm të paparë çmimi i energjisë elektrike. Zoti na ka hedhur ca shi, ndaj turbinat punojnë.
Sa i përket bulmetrave, edhe pse me lëndë të parë, të ardhur për pako gjë nga Kina, çmimet kanë shkuar sa të të duket djathi si… havjar.
Po rritje të ndjeshme kanë dhe artikujt e bahçes, hudhrat e qepujkat, kungujt e patatet, domatet e kastravecat. Ti shtrosh në tryezë për të bërë një sallatë fshati të të duket sikur po e shtron për Vitin e Ri.
-Po rëndë e paske shtruar, – i thosh kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Xhemilit te filmit “Rrethimi i vogël”, që i kish zënë pusinë te gardhi dhe e futi me zor në shtëpi, por që demek Kryetari si parimor nuk begenisi t’i pinte as kafenë.
-Po ç’rëndë o kryetar, – ia ktheu Xhemili me shishen e rakisë në dorë, e një sy nga pulat e pjekura me këmbët përpjetë – me ato që na ndodhen, me ato që ka oborri.
Ja, kështu i rregullonte fshati punët e veta. Me ato që kishte oborri. Po sot artikujt e oborrit janë bërë për t’u parë nga vitrina se nuk zihen me dorë. Po sërish fshati ia gjen anën bulmetit e zarzavateve. Ndërsa në qytet është goxha e vështirë zgjidhja me këto artikujt e oborrit, se as mund të mbjellin në ballkon, por dhe lopën nuk e mbajnë dot as në kuzhinë. Ndaj kanë ngritur duart përpjetë: ç’të na japë tregu.
Ndërsa gruri… Ah, gruri është kthyer në flori.
-Më sa e mban pazarin e grurit? – pyeste sekretari i parisë, që tek filmi “Përballimi” kish dalë për inspektim në tregun e Korçës.
-Me 120 more zotëri, – i përgjigjej kulaku kokëulur e syvëngër.
-Ç’thua more, mos nuk të duket si shumë i kripur ky çmim?
-Epo tani aq e mban i gjithë pazari. Gruri po rritet nga java në javë. Po nuk e di ti ç’mundime heqim për të rritur këtë grurë? Flori, flori. Na kanë rënë thonjtë. Pastaj ai që ka për të blerë nuk pyet shtrenjtë a lirë.
Mirëpo këta ishin spekulatorët në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët ngaqë ishin mësuar me bukë misri foragjere, gruri u dukej vërtet flori. Epo tani, me sebepin e nisjes së Luftës në Ukrainë, gruri po kthehet sërish në flori. S’ke ku e gjen. Çmimi rritet përditë, gramatura e bukës përditë pakësohet. Realisht çmimi i një buke është rritur me 50 për qind. Shqiptarët po mbledhin rripat. E kam fjalën për ata shqiptarë që punojnë me paga më të ulëta nga sa ka vendosur qeveria, si dhe për pensionistët. Nuk flasim për ata që ccdo fundjavë i hipin avionit. Se ata jetojnë dhe pa bukë.
Ndërkohë medaljes mund ti shohim dhe anën tjetër, se dhe ky problem në thelb e ka të mirën e vet. Gruri duke pasur shumë gluten të dëmton organizmin. Kështu që sa më pak bukë të hash, aq më mirë jeton. Le po të zgjatet dhe jeta.
Është e çuditshme se si për alarmin e rritjes së çmimit të bukës me 20 për qind u krijua ilaritet, ndërsa për artikuj të tjerë, – ca të shportës e ca të qeses, – nuk ndihet njeri.
Veç, nuk i bie në mend njeriu të thotë se në këtë zallamahi ngritjesh së çmimeve, është shtrenjtuar dhe çmimi i një libri. Ka shkuar një roman yhyyy… Stë vjen të lexosh aq një faqe.
…Ç’them dhe unë. E kujt i hyn në punë libri?!

Të fundit

Presidentin e PSG nuk e mbajnë nervat, shpërthen në ofendime ndaj gazetarit (Video)

Nasser Al-Khelaifi, Presidenti i PSG, deklaroi pas eliminimit të ekipit të tij nga Borussia Dortmund në gjysmëfinalet e Champions...

Aktorja e njohur zyrtarizon lidhjen me ish-banorin e BBV (Foto)

Aktorja e njohur, Ana Lika prej disa kohësh është përfolur për një lidhje me ish-banorin e Big Brother Vip, Bjordi Mezini. Pavarësisht spekulimeve të shumta,...

Nisma e Ramës/ Avokati zbulon çfarë do sjellë: Do të na bëjë anëtar të BE-së

Avokat Idajet Beqiri zbuloi se çfarë funksioni do të ketë rezoluta e propozuar nga Rama duke shtrirë edhe dorën ndaj opozitës për të çuar...

Moti i keq godet juglindjen, breshëri shkakton dëme në pemëtari

Moti i keq ka përfshirë juglindjen në orët e pasdites. Reshje të dendura breshëri kanë goditur njësinë administrative të Leskovikut. Goditjet nga breshëri i fortë kanë...

Përzgjidhen 10 finalistët e parë të Eurovizion, ja shtetet pretendente

10 vendet e para që kaluan në finalen e Eurovisionit, një nga garat më të mëdha të këngës në botë, janë përzgjedhur, pas zhvillimit...

Lajme të tjera

Web TV