Avokati i njohur shqiptaro-amerikan Bardhyl Tirana, familja e të cilit u vendos në Shetet e Bashkuara pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe i cili në vitin 1976 shërbeu si bashkëkryetar i ceremonisë së inaugurimit të ish-presidentit amerikan Jimmy Carter, vdiq në moshën 85 vjeçare në Nyack të shtetit të Nju Jorkut.
Ai ishte i biri i ekonomistit të njohur shqiptar Rifat Tirana dhe artistes amerikane Rosamon English Walling, të cilët e zhvendosën familjen nga Zvicra ku lindi avokati Tirana në kryeqytetin amerikan, Uashington.
Ai ndoqi Universitetet Princeton dhe Kolumbia me bursa dhe nuk harroi kurrë bujarinë e treguar ndaj tij dhe fuqinë transformuese të qasjes tek arsimi.
Bardhyl Tirana e filloi karrierën juridike në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës së ish-presidentit John F. Kenedit dhe me bashkëshorten e tij të parë, Gail, punoi për fushatën për senator të Robert F. Kennedy në Nju Jork në vitin 1964.
Ndërsa ishte avokat privat, ai organizoi transportin për fushatën kryesore të kandidatit Robert Kennedy dhe fushatat presidenciale për Senatorin George McGovern dhe guvernatorin Jimmy Carter.
Ai ishte një nga bashkë-kryetarët e inaugurimit të zotit Carter, duke krijuar një “festival publik”, siç dëshironte zoti Carter. Si Drejtor i Mbrojtjes Civile në Departamentin e Mbrojtjes nën zotit Carter, një rekomandim i tij ndihmoi në krijimin e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencace, FEMA.
A kishte për shumë vjet zyrën e tij avokatore në Uashington dhe ishte i mirënjohur në këtë profesion.
Ai u angazhua për çështje që kishin lidhje me Shqipërinë dhe Kosovën dhe kontribuoi në një numër organizatash të komunitetit shqiptaro-amerikan ndër të cilat edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) për të cilin ofroi rregullisht falas shërbimet e tij ligjore.
Ai vdiq javën e kaluar duke pasur pranë gruan e tij Anne Bell Tirana me të cilën ishte i martuar për 37 vjet.
Më poshtë është një intervistë që zoti Tirana i dha shërbimit shqip të Zërit të Amerikës më 27 korrik 2004.
Bardhyl Tirana: Një nga temat kryesore të këtij viti zgjedhor në Shtetet e Bashkaura pritet të jetë siguria e brendshme dhe lufta në Irak
Avokati shqiptaro – amerikan Bardhyl Tirana, sot drejton zyrën e tij të avokatisë në Uashington. Zoti Tirana, ka marrë pjesë në tre kuvende të partise demokrate, në vitin 1968, 1972 dhe 1976. Ne e ftuam zotin Tirana për të na dhënë mendimet e tij për kuvendin e tanishëm të partisë demokrate.
Zëri i Amerikës: Zoti Tirana Kuvendi Kombëtar Demokrat që filloi dje pritet të zhvillohet sipas një skenari të parapërcaktuar qysh më parë dhe nuk pritet asnjë gjë e re, nuk pritet asnjë mendim ndryshe nga ato të partisë.
Në të pritet të vihen në dukje meritat e partisë dhe të thellohet kritika ndaj adminsitratës së Presidentit Bush. Në ksuhte të tilla, kur kuvendet janë tashmë të përcaktuara që më parë cili është roli i tyre?
Bardhyl Tirana: Kuvendi do të përpiqet të përcaktojë programin demokrat, atë që do të bëjë qeveria e Seantori Kerry dhe Senatorit Edwards, cilat do të jenë përparësitë e tyre, në se ata zgjidhen si presidentë dhe nënpresident.
Zëri i Amerikës: Ju keni qënë i pranishëm në disa kuvende të Partisë Demokrate, në vitin 1968 në Çikago, në vitin 1972 dhe në vitin 1976. Në vitin ’68 Paetia Demokrate ishte e përçarë dhe mosmarrëveshjet brenda saj në atë kohë i kushtuan Shtëpinë e Bardhë. Sa kanë ndryshuar kuvendet e partive që nga ajo kohë?
Bardhyl Tirana: Kanë ndryshuar rrënjësisht. Në vitin 1968 1968 Boby Kenedi u vra. Ai do të kishte fituar emërimin e Partisë Demokrate dhe ishte pothuajse e sigurtë që do të ishte zgjedhur president. Por pas vrasjes së tij kishte vetëm 2 muaj deri në Kuvendin e Partisë. Askush nuk e dinte se cili do të ishte kandidati i kësaj partie.
Ekzistonte një mundësi e vogël që të emërohej nënpresidenti Humphry. Por ashkush nuk e dinte. Ishte një mister. Deri atëhere, kandidati i partisë për president përcaktohej pikërisht në kuvend. Ndërsa sot të gjithë e dinë se kush do të jetë kandidati para kuvendit.
Zëri i Amerikës: Në ditën e parë të Kuvendit Demokrat në Boston, dje fjalimi kryesor u mbajt nga ish Presidenti Klinton. Para 4 vjetësh, kandidati demokrat në atë kohë, Al Gore, gjatë fushatës së tij elektorale u përpoq ta distanconte veten nga Presidenti i atëhershëm Bill Klinton.
Ndërsa tani Seantori Kerry pritet ta shfrytëzojë më shumë emrin e Prewsidentin Klinton dhe vetë presidentin për fushatën e tij elektorale. Çfarë roli ka sot presidenti Klinton në Partinë Demokrate dhe si mund ta ndihmojë ai Senatorin Kerry në këtë fushatë?
Bardhyl Tirana: Presidenti Klinton është një nga komunikuesit më të mirë që mund të gjenden me publikun. Kur ai flet në televizion ose në takime, njerëzit, me përjashtim të një pakice, e kuptojnë dhe gjejnë veten tek ato që ai thotë.
Ai ishte shumë i suksesshëm gjatë 8 vjetëve që drejtoi vendin. Roli i Presidentit Klinton sot është t’u kujtojë banorëve, votuesve se në se zgjedhin kandidatin demokrat kohët e mira, kohët e lumtura do të kthehen përsëri, në vend të vështirësive që ka sjellë presidenti Bush dhe nën presidenti Çeni.
Zëri i Amerikës: Një nga temat kryesore të këtij viti zgjedhor në Shtetet e Bashkaura pritet të jetë siguria e brendshme dhe lufta në Irak. Zakonisht në periudha luftrash, presidenti që është në pushtet ka më tepër avantazhe për të fituar. A mendoni se këtë viti do të vazhdojë kështu?
Bardhyl Tirana: Nuk besoj se do të jetë kështu, për arësyen e thjeshtë se lufta ishte e panevojshme, ose të paktën ishte e panevojshme të fillohej dhe të na shkaktonte kaq probleme. Presidenti Bush dhe nëpn presidenti Çeni, nuk i treguan e keq-informuan popullin amerikan dhe shumica e njerëzve e di këtë. Prandaj, avantazhi që ka presidenti në kohë luftrash nuk do të zhfrytëzohet dot nga Presidenti Bush.
Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje e fundit. A vazhdoni ju sot të mbani lidhje me Partinë Demokrate? A luani më ndonjë rol në të?
Bardhyl Tirana: Jo nuk kam më ndonjë rol. Njerëzit janë shprehur se politika është loja e të rinjve. Për momentin jo nuk kam më ndonjë rol.