Josip Broz u lind në një familje të madhe fshatare në Kumroveç, në veriperëndim të Zagrebit, kryeqyteti i sotëm i Kroacisë, nga një baba kroat dhe një nënë sllovene. Mbaroi shkollën profesionale si mekanik më 1907, ndërsa 3 vite më vonë iu bashkua Partisë Socialdemokrate të Kroacisë. Gjatë Luftës së Parë Botërore u angazhua në radhët e ushtrisë austro-hungareze në luftën kundër Serbisë në vitin 1914. I transferuar në Rusi në fillim të vitit 1915, plagoset rëndë dhe kapet nga rusët. Pasi u shërua, dërgohet në kampet e të burgosurve të luftës, ku u njoh me propagandën bolshevike. Merr pjesë në Revolucionin Bolshevik të Tetorit, dhe më pas angazhohet në radhët e komunistëve në luftën civile kundër bjellogardistëve. Në tetorin e vitit 1920 rikthehet në Kroaci, dhe shumë shpejt iu bashkua Partisë Komuniste e Jugosllavisë (CPY). Ai u bë i njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur drejtoi grupet e rezistencës që luftonin si kundër italianëve dhe gjermanëve, ashtu edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tyre jugosllavë.
Në vitin 1944, ai i bëri thirrje Josif Stalin, ta ndihmonte në çlirimin e Beogradit nga pushtuesit nazistë. Stalini dërgoi njësi të Ushtrisë së Kuqe për të ndihmuar në sulmin final, dhe në fillim të vitit 1945 Tito e shpalli veten sundimtar të një republike të re federale Jugosllave.
Ndryshe nga shumë vende të tjera të Europës Lindore, Tito nuk iu nënshtrua një pushtimi të gjatë sovjetik. Pas vitit 1945, marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik u përkeqësuan Ndihma e Titos ndaj komunistëve grekë, u konsiderua si si një sfidë ndaj Stalinit, i cili më parë kishte arritur një marrëveshje me kryeministrin britanik Çërçill për të pranuar hegjemoninë britanike në Greqi. Përveç kësaj, kursi i pavarur i Titos në politikën e tij të jashtme e tërbonte Stalinin, i cili priste që regjimet komuniste “satelite” në Europën Lindore, të ishin në të njëjtën linjë me atë sovjetike. Në vitin 1948, Stalini e dëboi Jugosllavinë nga Byroja Informative. Ky veprim ndërpreu lidhjet mes bllokut sovjetik dhe Jugosllavisë. Tito reagoi duke kërkuar në mënyrë aktive ndihmën ushtarake dhe ekonomike amerikane. Kjo ndihmë nuk vonoi. Presidenti amerikan Truman e pa në Titon si një mundësi për të krijuar një pykë në bllokun komunist, dhe për të inkurajuar regjimet e tjera komuniste të çliroheshin nga sundimi sovjetik. Por nëse amerikanët prisnin që Tito të devijonte nga ideologjia e tij marksiste, ata u zhgënjyen. Deri në vdekjen e tij në vitin 1980, Tito mbeti një komunist i palëkundur, megjithëse ndoqi një kurs të pavarur nga Bashkimi Sovjetik. Në fushën e politikës së jashtme, Jugosllavia drejtoi një koalicion shtetesh të “të parreshtuarve”, duke mbajtur një pozicion të baraslarguar nga dy blloqet e mëdha antagoniste më njëra-tjetrën. Divorci me Bashkimin Sovjetik, frymëzoi zbatimin e një model të ri të socializmit në Jugosllavi. Tito mbështeti konceptin e vetë-menaxhimit. Titos i njihet ndërkohë edhe merita e mbajtjes nën kontroll të nacionalizmave agresivë brenda federatës, sidomos atij serb dhe kroat, nëpërmjet një sistemi të “federalizmi simetrik”.