Nga dita në ditë, prodhimi vendas i birrës po tretet si kripa në ujë. Birra shqiptare vijon të humbë thellë terren në treg edhe me fillimin e sezonit të ri turistik, ndërsa birrat e importit po zgjerohen me shpejtësi në tregun vendas.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, importet e birrës në periudhën janar-maj zënë 60% të konsumit të tregut.

Rreth 40% e kërkesës për produktin birrë mbulohet nga prodhimi shqiptar. Në vitin 2022, birrat e importit zinin 51% të tregut dhe në 2015-n, rreth 40% e birrave vinte nga jashtë.

Rritja e peshës së birrës së importit është ndikuar nga humbja e konkurrueshmërisë të birrës vendase. Në periudhën janar-maj 2023 prodhimi vendas është tkurrur 16% kundrejt së njëjtës periudhë të 2022.

Në 8 vitet e fundit (periudha krahasuese 2015-2023) kjo është ulja më e madhe e prodhimit vendas për 5-mujorin, pas tkurrjes së theksuar në periudhën e pandemisë së Covid-19 nga mbyllja e ekonomisë.

Ndërsa birra e importit, pas tendencës së lartë të rritjes (në janar-shkurt importet 2023 u rritën 56% krahasuar me 2022) vijoi të zgjerohet edhe për muajt mara-prill- maj të 2023-it.

Për 5-mujorin, importet u rritën me 21%, duke zëvendësuar një pjesë të madhe të tregut, që u la bosh nga prodhuesit.

Njëzëri industrialistët e birrës ngrenë shqetësimin e kostove të larta veçanërisht nga akciza dhe rënia e theksuar e konsumit prej emigracionit.

Fabrikat vendase pohuan se po përballen me rënie shitjesh 15 deri në 30% krahasuar me vjet. Arsyet kryesore, sipas tyre, janë që birra shqiptare ka humbur avantazhin konkurrues të çmimit nga kostot jashtëzakonisht të shtrenjta të ndikuara direkt nga dyfishimi i akcizës, lëndës së parë, karburantit.

Faktor i rëndësishëm që theksohet nga prodhuesit si dizavantazhues në konsum, përveç çmimit të rritur, është edhe largimi masiv i popullatës në emigracion, veçanërisht i grupmoshës 25 deri në 40 vjeç që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të pijeve alkoolike.

Si për prodhuesit e mëdhenj të birrës shqiptare, ashtu edhe për punishtet artizanale, pohohet se sektori është në prag të falimentit. Përfaqësues të shoqatës së birrës vendase dhe të mikronjësive artizanale kërkuan si zgjidhje kthimin e akcizës në nivelet e mëparshme.

  • foto galeri

Rriten importet

Sasia e birrave të importit në periudhën janar-maj 2023 u rrit 20% krahasuar me vjet. Sasia e importuar me e lartë për ketë vit u shënua në muajt janar-shkurt, kur importet u rritën 56% më shumë se vjet.

Kujtojmë se në këtë periudhë, për shkak të rritjes së kostos nga akciza që hyri në fuqi nga 1 janari 2023 dhe temperaturave të ftohta të dimrit, disa fabrika vendase morën vendimin për fikjen e tyre deri në muajin mars.

Në total, sipas të dhënave të MFE për 5-mujorin në tregun shqiptar kanë hyrë 17,3 mln litra birrë, kundrejt 11,5 mln litra që është prodhimi i periudhës.

Sipas Doganave, në totalin e importit përfshihet çdo lloj importi pavarësisht nëse është hedhur direkt për konsum apo ka hyrë në magazinë doganore/fiskale.

Nga kompania AGNA, që importon markat ndërkombëtare të birrave, siç janë “Hieneken” dhe “Amstel” u pohua se importet u tkurrën në sasi, por kjo vjen për shkak të tendencës në rënie që shënojnë çdo vit importet e markave të huaja.

Importet e birrës “Amstel” kanë pësuar rënie sipas tyre për këtë arsye 5 deri në 10%. Tkurrja është në njëjtat nivele të vitin të kaluar. Importet e birrës “Hieneken” janë të qëndrueshme krahasuar me vjet.

  • foto galeri
  • foto galeri

Prodhuesit e birrës shqiptare vijojnë të jenë në gjendje të rënduar nga rritja e kostove për shkak të dyfishimit të akcizës që nisi zbatimin nga 1 janari 2023.

Prodhimi i vendit, para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel, akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.

Përveç shtrenjtimit të kostos nga akciza, nga 1 janari i këtij viti prodhuesit vendas po furnizohen me rritje 100% të lëndës së parë, birrës malto. Çmimi i saj vijon të jetë i lartë prej 850 eurosh për ton krahasuar me vjet që u shit 420 euro për ton.

Në analizën që bën administratori i fabrikës së birrës “Stela”, z. Enzo Panteqi, situata për prodhimin shqiptar është fataliste, pasi kostoja e prodhimit është e njëjtë me çmimin e shitjes. Z. Panteqi thekson se kjo situatë nuk është hasur prej dekadash, pasi sipas tij prodhuesit shqiptarë janë të vetëm përballë “peshkaqenëve” të prodhimit të huaj.

“Në tërësi, sektori i prodhimit të birrës është në zi, me kosto dhe çmime të larta të pahasura ndonjëherë gjatë periudhës së tranzicionit. Kjo situatë është krijuar nga një sërë faktorësh.

Së pari, kostot e prodhimit barazohen me çmimin e shitjes, çka do të thotë që nuk gjeneron fitim, madje në disa raste shesim me humbje.

Lexo edhe :  BSH, ndan 3 çmimet për diplomat më të mira ekonomike!

Nga shitjet e birrës nuk arrijmë të mbulojmë kostot fikse të prodhimit, siç janë pagat e punonjësve, amortizimi, energjia. Ndërsa kostoja variabël zë 25% të çmimit për shkak të dyfishimit të akcizës nga 1 janari 2023. Shtrenjtim të çmimit ka pasur edhe për lëndën e parë, birrën malto”.

Administratori i birrës “Korça”, Adrian Kostaqi, pohoi për “Monitor” se prodhuesit e birrës në vend, prej vitit të kaluar po përballen me rritje të kostove nga shtrenjtimi i lëndës së parë, birrës malto, karburanteve dhe energjisë.

Ai nënvizon se birra malto vijon të shtrenjtohet në tregjet e huaja, pas rritjes prej 40% që pati me fillimin e luftës Rusi-Ukrainë nga marsi i 2022.

“Prej vitit të kaluar, prodhuesit vendas të birrës filluan të përballen me kosto shumë të larta prodhimi nga rritja e lëndës së parë në tregjet e huaja, karburantit dhe energjisë elektrike. Dyfishimi i akcizës së birrës nga 1 janari 2023 përkeqësoi kostot prodhuese, duke sjellë humbjen e konkurrueshmërisë. Birra vendase në shumë raste po shitet më shtrenjtë apo me çmime të njëjta se birrat e markave të huaja”.

Me dyfishim të akcizës po përballen edhe importuesit, por te ta ndikimi është më i vogël. Sipas përfaqësuesit të birrës “Korça” shumë fabrika në rajon dhe Europë subvencionohen nga shtetet e tyre për çmimin e rritur të energjisë dhe gazit. “Fabrikat e huaja kanë kapacitete më të larta prodhuese.

Madhësia e prodhimit ndikon në zbutjen e kostove, por importuesit përfitojnë edhe subvencione nga shtetet e tyre që kanë efekt lehtësues te kostoja”.

Përfaqësuesi i birrës “Korça” thotë se prodhuesit vendas, jo vetëm që nuk subvencionohen, por ata paguajnë taksa shumë herë më të larta se rajoni.

“Mbi akcizën e dyfishuar dhe tarifës së pullës fiskale, prodhuesve u llogaritet në pagesë edhe TVSH-ja. Ndërkohë që TVSH-ja paguhet edhe te pagat”, thekson ai.

Rënia e konsumit
Në tërësi, ecuria e konsumit të birrës shfaqet me rënie në muajt janar-maj 2023. Sipas të dhënave të Doganave, totali i konsumit prodhim vendas + importe është ulur 6,5% krahasuar me vjet.

Prodhuesit vendas janë ata që po përballen me rënien më të lartë të konsumit, për shkak të rritjes së çmimit të birrës nga akciza dhe emigracioni i të rinjve.

Çmimi i birrës shqiptare në gjithë tregun shqiptar, sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve të Birrës u rrit 20% krahasuar me vjet, si pasojë e shtrenjtimit të kostos.

Administratori i fabrikës së prodhimit të birrës “Stela”, Enzo Panteqi, pohoi për “Monitor” se konsumi i birrës është 30% më pak se vitin e kaluar. Rënia, sipas tij, në raport me 2021 është edhe më e thellë.

Ndër arsyet kryesore, z. Panteqi rendit çmimet e larta të birrës vendase krahasuar me birrat e rajonit, duke përfshirë atë të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, Italisë dhe Gjermanisë.

Megjithatë, fillimi i sezonit turistik nuk ka mundur të rikuperojë shitjet e prodhuesve vendas, pasi siç pohon z. Panteqi, birrat e importit po shiten me çmimi 2 deri 5% më lirë se prodhimi vendas, kur vitin e kaluar çmimet e tyre ishin 10% më shtrenjtë se prodhimi shqiptar.

“Çmimet vendase nuk janë konkurruese në raport me fqinjët e rajonit dhe Italinë.
Në treg, birra e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe ajo e Serbisë shiten 2 deri në 5% më pak se birra vendase, në një kohë kur më parë, çmimet e tyre ishin 10% më shtrenjtë. Ndërsa birrat italiane shpeshherë aplikojnë oferta çmimesh.

Menjëherë pas uljes së çmimit përballemi me furnizime të vrullshme nga dyqanet e pakicës, madje magazinojnë blerje deri në dy muaj”, pohon administratori i fabrikës së birrës “Stela”.

Problematika e mprehtë e emigracionit, sipas administratorit të birrës “Stela” vijon të japë pasojat negative te tkurrja e konsumit. “Nga vit në viti, shtohet numri i të larguarve te vendi, duke ndikuar drejtpërdrejt te tkurrja e konsumit.
Problematika e konsumit nga rritja e çmimeve dhe largimet nuk besoj se do të zgjidhet edhe me fillimin e sezonit turistik, pavarësisht se parashikimet e ecurisë së tij pritet të jenë të mbara këtë vit”, thekson ai.

Prodhuesit e birrës vendase “Elbar” nënvizuan për “Monitor” se në periudhën janar-maj, prodhimi është ulur 15% krahasuar me të njëjtën periudhë me vjet.

Rënia e prodhimit, sipas tyre, është ndikuar nga shtrenjtimi i kostove nga akciza dhe rënia e konsumit. Për përfaqësuesit e birrës “Elbar”, tkurrja e konsumit vjen për shkak të motit të pastabilizuar me temperaturat e stinës së verës dhe nga largimi i të rinjve në emigracion.

Prodhuesit e birrës “Elbar” thonë se ardhja e turistëve të huaj ende nuk po jep efekte pozitive te konsumi i birrës.

Adrian Kostaqi, administrator i birrës “Korça”, thotë se prej vitesh, tendenca e konsumit të këtij produkti nga të huajt është në rritje. Ai shton se pavarësisht rritjes edhe këtë vit të konsumit të birrës “Korça” nga turistët e huaj, ky trend nuk arrin të kompensojë rënien nga kostot dhe shtrenjtimi i çmimit.

Z. Kostaqi shton se mbajtja e çmimit në këto nivele nuk sjell fitime dhe nuk i mbulon plotësisht kostot e shtuara. Ata e kanë të pamundur të bënin një tjetër rritje të çmimit, pasi do të reduktonin konsumin në një kohë kur birrat e huaja po shiten më lirë./Monitor/